Këtë javë, ish-senatori peruan, Genaro Ledesma, bëri të ditur se ish-presidenti i atëhershëm i Bolivisë, Francisko Bermudez dhe Videla kishin arritur një marrëveshje politike në mënyrë që Argjentina të fitonte me të paktën 4 gola diferencë, aq sa i duhej për të kaluar Brazilin dhe për t’u kualifikuar në finale. Nga ana tjetër, Videla do të arrestonte 13 disidentë politikë peruanë të cilët kundërshtonin regjimin e Bermudez.
“Videla kishte nevojë të fitonte Kupën e Botës për të pastruar imazhin e keq të Argjentinës në botë. Për këtë arsye ai bëri të ditur se do të pranonte grupin e disidentëve vetëm nëse Argjentina fitonte”, tregon Ledesma.
Pas fitores së lehtë dhe qesharake, filluan menjëherë akuzat dhe teoritë, duke filluar nga ryshfeti për portierin peruan, deri të ngarkesat e grurit që kalonin mes shteteve si formë pagese. Por akuzat e Ledesma janë më serioze sesa një ndeshje futbolli, pasi mendohet që 13 disidentët janë arrestuar dhe torturuar në Argjentinë. 34 vjet më vonë, hetuesit po shqyrtojnë ende planin “Kondor”, një marrëveshje e viteve ‘70 mes diktatorëve të Amerikës Jugore për bashkëpunim duke i dërguar njëri-tjetrit disidentët politikë për t’i arrestuar apo torturuar. Një gjykatës i Buenos Aires ka hapur hetimet për këtë çështje, në mënyrë që të zbulohet përfundimisht çfarë ka ndodhur në atë ndeshje dhe jetët e sa personave u shkatërruan nga fitorja e manipuluar e Argjentinës.











