Kreshnik Spahiu jep doreheqjen, PD: Ndjekje penale
Shkruar nga: Denis Dedej / Luis Tanushi
Postuar më: 4 muaj mė parė
Kreshnik Spahiu jep doreheqjen, PD: Ndjekje penale
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka dhënë dje dorëheqjen nga posti për ti hapur rrugë shqyrtimit të përplasjes së tij me Kuvendin në Gjykatën Kushtetuese. Dorëheqja i është dorëzuar po dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe, sipas Spahiut, është e parevokueshme. Numri i dy i KLD-së bëri të ditur vendimin e tij për të larguar nga detyra që mbante për më shumë se tre vite vetëm pak minuta përpara nisjes së seancës së komisionit hetimor kundër tij.
“Pas tre vite e gjysmë përpjekjesh të qeverisë për të më shkarkuar, vendosa t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor, të iniciuar me kërkesën për shkarkimin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke marrë dhe pushtuar Kuvendi kompetencat ligjore të vetë Këshillit të Lartë të Drejtësisë”,- deklaroi Spahiu. Beteja e mazhorancës për shkarkimin e tij ka nisur që në muajin korrik të vitit 2008, kur ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë verifikimin e mandatin të Kreshnik Spahiut. Ndërsa sot, i njëri person tashmë në pozicionin e deputetit të PD-së drejton komisionin parlamentar për shkarkimin e zëvendëskryetarit të KLD-së. “Për t’i hapur rrugë një vendimi kushtetues dhe të paanshëm nga kolegët e mi në Gjykatën Kushtetuese, që është arbitri dhe autoriteti kushtetues, vendosa të largohem nga detyra ime edhe për faktin se kjo nuk është luftë personale por institucionale”,- tha Spahiu.
Në përfundim të fjalës, duke shprehur optimizmin se Gjykata Kushtetuese do të vendosë në favor të tij, nënkryetari i KLD-së ka deklaruar se “edhe sikur Gjykata Kushtetuese të vendosë pranimin e kërkesës dhe paligjshmërinë e komisionit inkuizitor antikushtetues nuk do të pranoj të rikthehem më në këtë detyrë”. Ndaj, përfundoi ai, për arsye i ka paraqitur Presidentit të Republikës së Shqipërisë dorëheqjen e parevokueshme nga funksioni i anëtarit dhe Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pas lajmit “surprizë” për mediat, numri dy i KLD-së nuk është kthyer në zyrën e tij, por ka dalë jashtë godinës së institucionit. Pranë kësaj ndërtese qëndronin jashtë mbështetës të Aleancës KuqeZi, të cilët iu afruan Kreshnik Spahiut. Ky i fundit iu tha të pranishmëve: “për shumë deputetë dhe ministra lënia apo largimi nga karrigia është fundi i botës dhe pushtetit të tyre sepse ata urrehen nga publiku dhe kapen fort pas karriges, makinës, truprojave, privilegjeve duke diktuar pushtet, për ne largimi nga karrigia nuk është as fundi dhe as vazhdimi por fillimi i provës me autoritetin dhe pushtetin që të dhuron publiku”. Largimi nga kjo detyrë bën edhe më të pritshëm lajmin e kthimit të Aleancës KuqeZi në një parti politike dhe vendosjen e Kreshnik Spahiut si kryetar të saj.
Deputetët e PD: Do çojmë Spahiun për ndjekje penale
Dorëheqja e Kreshnik Spahiut nuk ka frenuar anëtarët e komisionit hetimor ndaj tij për të ashpërsuar akuzat dhe gjuhën ndaj ish-numrit dy të KLD-së. Madje në seancën e djeshme deputetët e djathtë kanë paralajmëruar se do të dërgojnë një kallëzim penal në prokurori për Kreshnik Spahiun me pretendimin se nuk ka bashkëpunuar për të dhënë informacione duke shkelur ligjin për komisionet hetimore. Sipas kryetarit të Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj, dorëheqja e Spahiut është një akt juridik, por që nuk pengon hetimet që do të vijojnë. “Në aspektin juridik dorëheqja është një akt i cila merr vlerën e vet teksa paraqitet pranë organit që ka bërë emërtesën. Në termat ligjore të veprimtarisë së Komisionit Hetimor nuk ka asnjë lloj efekti juridik. Detyrimi i organit kushtetues, në këtë rast, funksionarit kushtetues zotit Kreshnik Spahiu, si drejtuesi administrativ i KLD-së është shkelur duke mos sjellë asnjë nga dokumentet shkresore. Nuk ka asnjë shkak të arsyeshëm që të na jetë paraqitur ne në formë zyrtare. Në këto kushte jam i detyruar në bazë të ligjit, neni 284 të Kodit të Procedurës Penale të paraqesë kallëzim penal për zyrtarin shtetëror Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD për shkak se ka shpërdoruar detyrën duke mos sjellë pranë komisionit hetimor shkresa të cilat janë kërkuar, duke mos respektuar urdhërimin ligjor të nenit 17 të ligjit të komisioneve hetimore”, tha Enkelejd Alibeaj.
Në vijim të fjalës së tij, deputeti demokrat u shpreh se në terma ligjore të veprimtarisë së komisionit, dorëheqja nuk ka asnjë efekt juridik deri sa të paraqitet në formë zyrtare në Kuvend, dhe më pas pesë anëtarët do të vlerësojnë afatin e dorëzimit. Kryetari i Komisionit Hetimor deklaroi se kur kanë mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i raportit përfundimtar, në kuvend kanë mbërritur informacionet e kërkuara nga Ministria e Financave dhe shkolla e Magjistraturës të cilët do të shqyrtohen nga pesë deputetët demokratë. Të njëjtin qëndrim, përforcoi edhe sekretarja e Komisionit Hetimor, Paulina Hoti, sipas të cilës, parlamenti nuk e njeh dorëheqjen e Kreshnik Spahiut. Për demokratët, dorëheqja nuk e shpëton atë nga përgjegjësia penale për abuzim detyre.
“Zoti Spahiu do të shkarkohet për abuzimet e rënda që ka kryer. Parlamenti nuk e pranon dorëheqjen e tij. Kjo është bërë për t’i shpëtuar ndëshkimit. Në fakt dorëheqja do të kishte pasur sens nëse do ishte bërë para se të fillonim procedurat. Procedurat për shkarkimin e tij kanë nisur dhe do të përfundojnë”,- tha Paulina Hoti, deputete e PS. Mazhoranca argumenton se Spahiu ka shkelur ligjet, duke cenuar dinjitetin e institucionit që ai drejton, ndaj dhe nevojitet një komision hetimor. Sipas tyre , që nga marsi i vitit 2011 deri në janar të vitit 2012, janë të paktën 43 tubime në të cilat Spahiu ka marrë pjesë. Gjatë veprimtarisë së tij, demokratët pretendojnë se nënkryetari I KLD, ka dhënë intervista nëpër media për tema që nuk kanë të bëjnë me punën e institucionit ku ai bën pjesë dhe se ka dalë 39 herë jashtë vendit. Edhe pse Komisioni hetimor në përbërje të tij duhet të kishte 9 anëtarë, ai ka funksionuar vetëm me pesë deputetët e mazhorancës pasi opozita e ka bojkotuar me arsyetimin se është një nismë jo kushtetuese.
Jozefina Topalli: Spahiu nuk mund t’i prishë punë Sali Berishës
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka sulmuar nga Gjermania, ku ndodhet për një vizitë pune, Aleancën KuqeZi dhe drejtuesin e saj Kreshnik Spahiu. Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse mazhorannca i druhet krijimit të partisë së re, Topalli ka thënë se u shpreh se AK e drejtuar nga Kreshnik Spahiu nuk ka asnjë të përbashkët me Partinë Demokratike. Duke e cilësuar një sharlatan numrin dy të KLD, kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se nëse lëvizja AK do të konvertohet në parti, ajo nuk do të dëmtojë të djathtën. Sipas kryeparlamentares, Aleanca Kuq e Zi është krijuar me shpresën se mund ti prishë punë qeverisë Berisha. “Është një realitet fals, i ushqyer më shumë nga disa media të caktuara që tregojnë interes për të, ndoshta me shpresë se mund t’i prishë punë Sali Berishës. Në fakt ajo s’ka asgjë të përbashkët me PD-në. Sepse PD-ja është forcë perëndimore, e cila ka lindur si forcë për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, deklaroi Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se debati për emrin e ri për President është i parakohshëm duke deklaruar se parlamenti ka në axhendë miratimin e ligjeve që kërkojnë konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës.
Rusmali përdori gardën kundër Spahiut
Përplasja më ashpër mes Kreshnik Spahiut dhe deputetëve të mazhorancës ka ndodhur në mes të muajit janar kur kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali thërriti forcat e gardës së Republikës për të nxjerrë jashtë Kuvendit numrin dy të KLD-së. Spahiu ishte i ftuar në seancë dëgjimore, por nuk u la të fliste. Kjo solli një përplasje të ashpër mes tij dhe deputetëve të djathtë. Kërkesa e Rusmalit për të larguar Spahiun me bodigardë është precedent i parë në historinë e Komisionit të Ligjeve kur një të ftuari i kërkohet që të dalë jashtë me forcë. Nënkryetari i KLD-së akuzoi kryetarin e ligjeve dhe mazhorancën se po ushtrojnë presion mbi anëtarët e tjerë të këtij komisioni dhe ndaj tij. Deklaratat e nënkryetarit të KLD-së, acaruan kryetarin e Komisionit të Ligjeve, i cili i ndërpreu disa herë fjalën duke i kërkuar të mos futej në thelbin e diskutimit për shkeljet e pretenduara në kërkesë, por për formalitetin e kërkesës.
Topi: Dorëheqjet janë individuale, duhen respektuar
Nënkryetari i KLD dhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi janë takuar paraditen e djeshme ku Spahiu i ka komunikuar vendimin e dorëheqjes. Disa orë pas këtij takimi, Presidenti Bamir Topi deklaroi se do të respektojë vendimin e marrë prej numrit dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Dorëheqjet janë individuale dhe duhen respektuar si të tilla. Nuk interferoj në këtë çështje për sa kohë ai ka dërguar padinë e tij në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi kreu i shtetit. Presidenti vlerësoi rolin e Kreshnik Spahiut si shumë të rëndësishëm në postin e zv. kreut të KLD-së dhe përjashtoi zgjatjen në kohë të mbetjes së vendit vakant. Presidenti Topi u shpreh se në mbledhjen më të afërt do të diskutohet edhe dorëheqja e nënkryetarit Spahiu dhe fillimi i procedurave për zëvendësimin e tij. Sipas kushtetutës, presidenti është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kreu i shtetit zgjedh nga radhët e anëtarëve të tij një zëvendëskryetar. Presidenti Topi dhe nënkryetari i KLD Spahiu akuzohen nga mazhoranca se po shfrytëzojnë postet që mbajnë për veprimtari politike. Sipas demokratëve, presidenti Topi dhe Spahiu janë duke përgatitur për të themeluar një parti të re politike duke konvertuar Aleancën KuqeZi në forcë politike për të garuar në zgjedhjet e 2013. Presidenti Topi ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të një partie të re politike që do të qëndronte në bllokun e djathtë. Gjithsesi kreu i shtetit ka deklaruar se debatet për të ardhmen e tij politike janë të parakohshme, porsa kohë që mandati nuk ka mbaruar.