Regjistroni domainin tuaj .al

Shaban Sinani zbulon letren e Mehmetit per Enverin: Ku po gabon Agolli

Shkruar nga:  
Postuar më: 3 vite më parë

Shaban Sinani zbulon letren e Mehmetit per Enverin: Ku po gabon Agolli
Shaban Sinani zbulon letren e Mehmetit per Enverin: Ku po gabon Agolli

“Shkrimtarët që kalojnë në të kundërt, duhet të flaken e të dënohen”
Mehmeti, letër Enverit: Ja ku gabon Dritëroi

Syrit të partisë nuk mund t’i shpëtonte asgjë, aq më tepër kur bëhej fjalë për veprat e ndonjë shkrimtari të rëndësishëm si Dritëro Agolli. Ato shiheshin me lupë dhe bëheshin objekt diskutimi, jo vetëm nëpër mbledhje e plenume, por edhe letërkëmbime mes figurave më të larta të shtetit shqiptar të kohës. E tillë është edhe letra që Mehmet Shehu i dërgon Enver Hoxhës, një pjesë të së cilës studiuesi Shaban Sinani e publikon në librin e tij më të fundit me studime dhe artikuj kushtuar Dritëro Agollit. Në këtë letër numri një i qeverisë shqiptare, kryeministri Mehmet Shehu, në letrën që i dërgonte Hoxhës, i fliste edhe për dy vepra, sipas tij “të gabuara” të Agollit: romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe drama “Fytyra e dytë, të cilat “nxinin situatën në Shqipëri”. Më poshtë, Shehu i thotë Enver Hoxhës se puna me shkrimtarët është e komplikuar dhe se me ta duhet vepruar me kujdes, duke u vënë në pah gabimet e tyre. Të pandreqshmit duhet të “flakeshin”, si për shembull Fadil Paçrami. Ndërsa Ismail Kadare kishte ende shpresa. Nuk kishte arritur deri në këtë pikë. Më poshtë, një pjesë nga letra që Shehu i dërgon Enver Hoxhës:

“…Mjafton të përmendim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a)Romani “Shkëlqimi dhe rënia e  shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se vendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zyloja, etj. b) Drama “Fytyra e dytë” në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e vendit tonë, sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikash shumë të zbehta e ndreqi këtë dramë deri në një farë mase. Kjo dramë ka 7-8 vjet që jepet. Por romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe megjithatë, më vonë, siç dihet Dritëroi shkrojë poemën e mrekullueshme “Nëna Shqipëri”.

Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen flakur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë. Këtyre njerëzve ne duhet t’i ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e tyre…”.

Shaban Sinani: Vepra e Dritëroit i shpëtoi “çmitizimit”
Fati i veprës në dy sisteme. Zhdukja e dramave “Baladë për një grua” dhe “Fytyra e dytë”

Atë vetë e kanë ngritur në qiell dhe e kanë përplasur në pluhur. E kanë quajtur “diktator”, “tiran”.., por vepra e tij u rezistoi të gjitha stuhive që nisnin nga ndonjë telefonatë nga “lart”. Kjo sepse, sido që të vinin punët, ai nuk bëhej dot skematik. Dukej paradoksale për pozicionet që ka pasur, por ja që nuk ishte. “Njerëzit e krisur” të Dritëro Agollit”, kështu titullohet libri me studime dhe artikuj të studiuesit Shaban Sinani, i cili sapo ka ardhur në duart e lexuesit nga shtëpia botuese “Naimi”. Ndonëse gjatë viteve është folur shumë për shkrimtarin e poetin Dritëro Agolli, duket se nuk janë të shumtë ata që kanë guxuar të marrin në analizë veprën e tij. Dhe studiuesi Sinani guxon dhe e merr krijimtarinë e Agollit në analizë, duke iu qasur asaj në mënyrë shkencore dhe duke trajtuar çdo element të saj. “Ky libër është një përpjekje për të gjetur një përgjigje për pyetjen ndoshta më të rrezikshme që ka qëndruar dhe do të qëndrojë para letërsisë së realizimit socialist: sa është i pranishëm njeriu brenda saj”, thotë Shaban Sinani një “shpjegim të vogël për lexuesin”. Në këtë libër ai flet për poezinë, romanin, dramën..

Sinani merr në analizë romanet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Arka e Djallit”, siç na sjell edhe informacione interesante mbi vepra të Agollit, të cilat për shkak të censurës sot nuk ekzistojnë më as si tekste, si në rastin e dramave “Baladë për një grua” dhe “Fytyra e dytë”. Por vepra e një shkrimtari, pavarësisht analizës tekstore, nuk mund të ndahet nga koha në të cilën ai jetoi. Kështu që studiuesit nuk mund ta anashkalojnë raportin e shkrimtarit Dritëro Agolli me brezin, të cilit i takoi dhe më së shumti me realizmin socialist, kanoneve të së cilit, mbi bazën e analizës së thellë, ai nuk u është bindur. Madje, duke parë profilet e personazheve të Agollit, të cilët nuk janë ata “heronjtë tipikë” të real-soc-it, por duken si “njerëz të krisur”, ashtu si vetë shkrimtari quan një prej vëllimeve të tij me tregime. “Në letërsinë e D. Agollit ka shumë ‘njerëz të krisur’, dhe jo vetëm karaktere të tilla, por edhe rrethana atipike, çka për një letërsi të kanonizuar si ajo e realizmit socialist përbënte një flagrancë parimore”, shkruan Sinani në krye të librit të tij. “Me librin ‘Njerëz të krisur të Dritëro Agollit’, autori e merr krijimtarinë e Agollit prej gjenezës së saj, e inkuadron atë saktësisht në epokën përkatëse, e shikon atë së brendshmi përmes analizës së imët të tekstit e paratekstit, e dimensionon atë në rrafshin historik-krahasues me vëzhgime të sakta kulturologjike ndërtekstuale dhe ftillon me sukses rrethanat e mundshme të rileximit të këtij autori”, thotë për librin shkrimtari dhe studiuesi Vrion Graçi. Me këtë libër studiuesi Shaban Sinani vë pa dyshim një gur të rëndësishëm në fushën e studimeve letrare dhe, në veçanti për një figurë si Dritëro Agolli. Më poshtë po shkëpusim dy pjesë nga libri i Shaban Sinanit, mbi “rezistencën” që Agolli u ka bërë kanoneve të realizimit socialist dhe stuhive me të cilat është dashur të përballet në atë dhe këtë sistem politik.

Pjesë nga libri
Porta përpara

Çdo brez e rilexon letërsinë e trashëguar. Magjia e letërsisë qëndron pikërisht në mundësinë e leximeve alternative. Naimi është lexuar ndryshe në kohën kur alfabeti shqip ishte i ndaluar, ndryshe në vitet e Luftës antifashiste dhe ndryshe sot, në kohën e “rivlerësimit të së shkuarës”. Leximi “ndryshe”, teksti përmbi epokën, i jep letërsisë mbikohësinë dhe i shton përftesat.

Ç’prej fillimit të viteve 1990 e këndej, tradita letrare shqiptare, sidomos ajo e letërsisë së re, i është nënshtruar jo një rileximi çfarëdo, por një rileximi me parazgjedhje kritike, ku janë ndërthurur përjetimi estetik me emocionet politike, ngutja për vetëshfaqje me mallin e vrazhdë të hakmarrjes, kompleksi i realizimit të munguar të vetvetes me dëshirën për kompensim publik. Mbi të gjitha, gjykimin e letërsisë e ka deformuar fakti se, në kushtet e shoqërisë së lirë, të mësuar me shoqërinë e vigjilencës, një pjese të madhe të krijuesve liria u mbeti në duar pa e ditur se ç’të bëjnë me të, dhe kjo nxiti emocione false ndaj së shkuarës. Në këtë rrjedhë vepra e Dritëro Agollit, emri i tij, si një prej shenjave preferenciale të historisë së letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XX, është kërcëllitur nëpër dhëmbë, është mërmëritur e bërtitur, është vëzhguar e përplasur, pa pësuar atë humbje që shpresohej dhe madje mezi ç’pritej nga kalorësit e “mistifikimit”. Kjo vepër u qëndroi stuhive të përmbysjes politike dhe të refuzimit ideologjik. Në kohën kur shumica e shkrimtarëve ose heshtën, ose mërguan në veprimtari qeverisëse, D. Agolli vijoi qetësisht udhën e vet krijuese.
Më të zellshmit në këtë “fushatë të lume” ishin, natyrisht, disa shkrimtarë të vegjël, që menduan se erdhi koha e tyre dhe tani do të hynin urgjentisht në histori, mjafton që të shembeshin ngrehinat letrare “socrealiste”. Ata kishin gjithçka në favor: momentin politik, karakterin e çoroditur të periudhës kulturore, mjeshtërinë e shkëlqyer për aleanca me njëri-tjetrin, ethet e riafirmimit të “letërsisë së ndaluar”, pasionin e ndezur për kulturë konsumi (kitsch-culture). U mungonte vetëm “diçka e vogël”, ajo që zakonisht në terminologjinë letrare quhet talent ose dhunti për të bërë vepra të bukura.

Afërmendsh që është krejtësisht e rastit që njëri prej tyre, ai që i priu i pari kronologjikisht fushatës, poet mesatar në të shkuarën e në të sotmen, ishte një prej shkrimtarëve të pashquar të së shkuarës dhe e kishte emrin “Demokrat”. Ai tha se Dritëro Agolli kishte bërë krime të përbindshme, kishte qenë një diktator dhe inkuizitor, kishte dhunuar letërsinë kombëtare duke qenë në krye të shoqatës së shkrimtarëve. Siç dihet, shoqata e shkrimtarëve më së fundi shpëtoi nga “tirani” D. Agolli. Ai nuk mbeti as anëtar i Kryesisë, librat e rinj ia lexonin më me frikë, botimi i tyre nuk mund të përbënte më ngjarje publike, promovimet iu rezervuan të tjerëve. Dhe “mjeshtërit” morën shpejt e shpejt gërshërët t’i prisnin e t’i hiqnin  veprat e tij edhe nga tekstet shkollore, krestomacitë, antologjitë. Por befasisht panë se historia e letërsisë nuk bëhej dot pa “diktatorin” Dritëro Agolli.

Ndërkaq, vitet kalonin dhe “kryeveprat e censuruara nga “diktatori i Lidhjes” nuk po dukeshin hiçgjëkundi. Pastaj u pa se, sipas shkallës së asaj “gjësë së vogël”, që zakonisht quhet talent apo dhunti, duke u nisur nga më e larta, shkrimtarët një nga një filluan t’i largoheshin “fushatës së bekuar”, e rizgjodhën në Kryesi të Lidhjes, i bënë edhe ceremoni paraqitjeve të librave të rinj, ku ia morën fjalën nga goja njëri-tjetrit “tradicionalistët” dhe të “ndaluarit”, madje me një mirësjellje që nuk ishte parë prej kohësh. Sipas shkallës së asaj “gjësë së vogël” që nuk po ia përmendim prapë emrin, ata erdhën përpara fuqisë së artit të bukur që kishte krijuar poeti. Dritëro Agolli ishte mësuar me goditje. Në vitin 1965, një plenum i posaçëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës për letërsinë dhe artet e kishte kritikuar në raportin kryesor librin e tij “Zhurma e erërave të dikurshme”, i cili pastaj u hoq fare nga qarkullimi. Ndonëse periudha e liberalizimit në kulturë (1972-1974) e gjeti në “pozita të shëndosha” (sapo kishte botuar poemën “Baballarët, që evokonte lidhjen e brezave dhe jo konfliktin e tyre), romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që botohej pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre me një telefonatë nervoze nga zyra të larta të shtetit. Në mesin e viteve ‘70, dy trupa teatri, në vite të ndryshme, vunë në skenë dramën e tij “Baladë për një grua”, ku personazhi qendror, një aktiviste e partisë në rreth-anëtare byroje-voton kundër përjashtimit të ish-burrit të saj nga partia, por duke zbritur shkallët pas mbledhjes i thotë: “Ti je i denjë për të qëndruar në parti, por jo për të qenë burri im”. ishte një “kundërvajtje ideologjike” që nuk mund të falej. Sipas vijës, duhej të ndodhte e kundërta: marrëdhënia në familje vinte si rrjedhim i mbetjes ose jo në parti. Shfaqja u ndalua në të dyja rastet dhe drama nuk u botua më. Dorëshkrimi i saj u zhduk dhe u rigjet vetëm së voni, ruajtur prej njërit prej aktorëve që ishte i ftuar të luante në dramë.

Polemikë kritike u zhvillua edhe për romanin “Trëndafili në gotë”. Vitet 1980 vijuan me një varg zymtish të tjera. “Hundëleshi” (i botuar gjatë vitit 1996 me titullin “Kalorësi lakuriq” nga biblioteka “Çabej”) u kritikua ashpër për ironi dhe aludime anti-ideologjike. Kritikat ndoqën edhe disa tregime dhe cikle poezish të botuara në gazetën e Lidhjes së Shkrimtarëve “Drita” në vitet 1982-1983. Ky është një proces normal i rritjes letrare. Dritëro Agolli e kishte marrë parasysh rrezikun që do t’i vinte prej dorëzimit në urdhrin e poetëve. Por ai që në fillim kishte thënë si Bagrickij:
“Në rrugë dolla/Pas meje porta u mbyll!”.

Një dramë e rigjetur e Dritëro Agollit

Dramaturgjia e Dritëro Agollit përbën pjesën më të panjohur e më të pavlerësuar të veprës së tij. Dy nga dramat e Agollit, “Mosha e bardhë” dhe “Baladë për nj grua”, të vëna në skenë dhe të ndaluara menjëherë pas shfaqjeve të para, të shkruara posaçërisht për sezone teatrore e trupa teatri porositëse, si ajo e Fierit dhe e Institutit të Lartë të Arteve, nuk ruhen si tekst i shkruar as në arkivat e institucioneve që u janë dorëzuar, as edhe në arkivin e vetë autorit. “Mosha e bardhë” shpëtoi nga zhdukja prej botimit në Prishtinë. Ndërsa drama e dytë “Fytyra e dytë”, edhe kjo e ndërprerë së shfaquri dhe e rikthyer pas një ripunimi kritik, ruhet vetëm pjesërisht dhe në variantin e dytë, kurse në variantin e parë ruhen vetëm pjesë të zgjedhura për tekstet shkollore në vitet 1970-1980.

“Fytyra e Dytë”, sipas burimeve arkivistike, u ndalua me urdhër të udhëheqjes më të lartë politike. Në një letër të pabotuar deri më tani të Mehmet Shehut drejtuar personalisht E. Hoxhës, thuhet se “ne e ndaluam dramën “Fytyra e Dytë e Dritëro Agollit derisa ai e përmirësoi. Mundësitë për të krahasuar përshtatjet e tekstit prej autorit për të shpëtuar dramën sipas vërejtjeve politike dhe ideologjike, nuk ekzistojnë më.

Dramat e D. Agollit nuk e realizuan plotësisht komunikimin artistik as si tekst dramatik përmes shfaqjeve teatrore, as si tekst letrar për lexim. “Baladë për një grua” u vu në skenë pa bujë në mesin e viteve 1970 nga trupa teatrore e pedagogëve dhe studentëve të Institutit të Lartë të Arteve. Vënia në skenë në teatrin e qytetit të Fierit u bë shkas për ndalimin e saj dhe heqjen nga qarkullimi. Pas shumë kërkimesh kemi mundur të sigurojmë një kopje të tekstit të kësaj drame, që është ruajtur nga aktorja dhe pedagogia Aneta Malaj, e cila ndërkaq po kryen një studim doktorate për dramën dhe dramatizimin në historinë e teatrit shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Teksti përmban dhe shënjimet regjisoriale, kryesisht në anën verso të fletës, si dhe kujtesa vetjake e aktores për rolin.
“Ti kujton se mendimet e mia për ty i shpreha për të përkëdhelur disa ndjenja vetjake sentimentale. Ato unë i shpreha duke u nisur nga interesa shumë më të lartë nga ç’mendon ti… Gabimet e tua ndaj meje janë vërtet të mëdha, edhe pse janë të dorës së dytë. Si komuniste unë gjykova drejt, edhe si grua duhet të jem në po atë lartësi… Shko, Arsen, shko, se u vonove”.

Këto fjalë, të thëna nga Fatbardha dhe të kthyera në një konkluzion ideologjik: i denjë për partinë, por jo i denjë për bashkëshort, u bënë shkaku themelor i ndalimit të dramës. Një shkencëtar i zoti, por një familjar i dështuar; një grua që nxjerr nga jeta bashkëshortin e humbur, por nuk lejon që partia ta përjashtojë nga radhët e saj; një shkrimtar që merr pjesë edhe në mbledhjen e Byrosë së partisë të rrethit dhe një funksionar i lartë që dënohet për liberalizmin e tij; një diskutim për tendenciozitetin dhe partishmërinë në shkencë dhe një galeri personazhesh “në zonën gri”, përbëjnë “shqetësimin e ndaluar” të shkrimtarit.

Regjisorë të njohur si P. Kulla, duke iu referuar pohimeve të sotme të tyre, u prirën drejt kësaj drame pikërisht zgjidhjes jo klishe të konfliktit: i denjë për partinë, por jo i denjë për mua. Kjo zgjidhje shkonte kundër parimit të njeriut komunist, pohuar qysh në vitet e luftës, në një letër të Gjikë Kuqalit, që studiohej ndër vite në shkollat e mesme, se “që të më duash mua, duhet të duash partinë time. “Komisioneve dhe kritikëve të saj ajo u ngjante jo si një dramë antiskemë, por si dhunim e refuzim i kësaj tradite.

Në pamje të parë, një dramë me temë periferike, që shpesh të kujton romanin “Trëndafili në gotë”, edhe ky i kritikuar ashpër për ikje nga heroika e kohës; “Baladë për një grua”, megjithëse e ndaluar politikisht dhe ideologjikisht, gjendet ende e ndaluar, për faktin e zhdukjes së tekstit, është shkaku që për to thuajse nuk ka asnjë vlerësim në sprovat monografike për një histori të dramës shqipe, as në enciklopeditë e specializuara për teatrin.

Ka interes të shihet se si mund të receptohet sot kjo dramë, e cila i ka gjasat të pakta për t’u rivënë në skenë, por si tekst letrar mund të përftohet. Me gjithë qortimet që i janë bërë, drama zhvillohet në frymën e kohës, me një grup armiqësor që vërtitet si hije (Kaman Kalaja), me nevojën e lidhjes së intelektualit me fshatin (Arseni), me problemet e barazisë së burrit me gruan, me një konflikt të mundshëm të liberalëve dhe konservatorëve (Omer Shkreta, Jashar Ajazi, kamani), përgjithësisht në pajtim me kanonet e realizmit socialist. Por qoftë dhe një prej këtyre kanoneve po të rrezikohej (në këtë rast kuptimi për heroin pozitiv: që në krye ironizohet “flamurtari i heroit pozitiv”, shkrimtari Omer Shkreta), drama rrezikonte jetën e vet. “Baladë për një grua” është një dëshmi se si dramatika shqiptare e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar i është nënshtruar një kontrolli shumë më të rreptë se llojet e tjera të letërsisë dhe kjo ka bërë që të dalë më lehtësisht nga komunikimi dhe receptimi artistik.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi