Ata duken si nusja me dhëndrin kur janë bashkë nëpër sallat e konferencave të shtypit pas takimeve të rëndësishme e të shpeshta për zgjidhjen e krizës së euros. Të tillë u dukën edhe ndërsa shkonin drejt podiumit dhe mikrofonave në vijim të takimit në Bruksel të hënën e kaluar. Ata tundin kokën në shenjë aprovimi për atë çka thonë, dhe shkëmbejnë vështrime e prekje konfidenciale. Sigurisht që kanë afrimitet me njëri-tjetrin, sepse janë personazhe kryesore të takimeve të rëndësishme për euron. Por në takimin e fundit dolën që të kërkonin mbështetje për paktin fiskal, të cilin e kanë gatuar të dy bashkë me shpresën se do të kontribuojë sadopak në shpëtimin e Bashkimit Europian dhe të monedhës së përbashkët. Sapo pakti mori mbështetjen që i duhej, Merkel, dukshëm e kënaqur, nuk tentoi më që të fshihte afinitetin që e lidh me Sarkozinë. “Pikëpamjet e mia politike janë shumë të njohura”, tha ajo në vijim të takimit para gazetarëve. Dhe pas kësaj vjen një fjali që më parë do të kishte qenë e paimagjinueshme për një kancelar gjerman: “Nikolas Sarkozi më mbështeti mua gjatë fushatës sime zgjedhore. Në të njëjtën mënyrë unë do t’ia kthej tani mbështetjen që ma dha dikur”.
Kancelarja dhe presidenti kanë bërë një pakt, një pakt që nuk e gjen gjëkundi më parë në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Merkel ka vendosur që të bëjë fushatë hapur për partnerin e saj në Paris. Pra, kur Sarkozia të fillojë fushatën, Merkel do të jetë pranë tij, ose të paktën ky është plani. Ndërsa Sarkozi, nga ana e tij, planifikon që të prezantojë partneren e tij si një shembull i shndritshëm të një vendi me ekonomi, me reforma sociale, me produktivitet edhe në kohë krize. Javës që shkoi, gjatë një interviste në televizor, Sarkozi përmendi fjalën Gjermani 15 herë. Tashmë edhe aleatët më të ngushtë të Sarkozisë po e ndiejnë se për Sarkozinë dobësia për Gjermaninë po shndërrohet në një obsesion.
Të mendosh pa kufij?
Dikush mund të komentojë lidhjen mes Merkelit dhe Sarkozisë si një nivel të ri në miqësinë mes Francës dhe Gjermanisë. Fundi i fundit cila është e keqja nëse dy liderë bëhen bashkë në një lloj duoje qeverisëse? Kondrad Adenauer dhe Charles de Gaulle krijuan bashkë Traktatin Elize, që njihet ndryshe edhe si Traktati i Miqësisë. Helmut Kohl dhe Francois Mitterand i mbajtën duart shtrënguar përballë varreve në Verdun. Dhe “Merkozi” po bën tashmë reale atë që mbështetësit e një Europe të bashkuar e kanë ëndërruar që prej një kohe të gjatë: mendimin pa kufij!
Ky të paktën është versioni i mirë i situatës për të cilën po flasim, një këndvështrim që Parisi dhe Berlini po përpiqen që t’i mëshojnë dhe ta bëjnë gjithnjë më prezent. “Është një shenjë e integrimit europian ajo që Kancelarja gjermane të bëjë fushatë për Presidentin francez”, thotë Rupert Polenz, një specialist i politikës së jashtme me kristian-demokratët e Merkelit. Megjithatë për hir të së vërtetës Merkel dhe Sarkozi janë bërë bashkë nga dëshpërimi. Presidenti e di mirë që është shumë pas kandidatit socialist në fushatë për t’u rizgjedhur, që do të fillojë pas pak. Dhe nëse ai përsërit në mënyrë të vazhdueshme se do të sjellë mrekullinë e punësimit gjerman edhe në Francë, e bën me shpresën për të fituar elektorat dhe për të tërhequr votuesit. Merkel, nga ana e saj, është e tmerruar nga perspektiva e Hollande, kandidatit socialist në Elize. Socialisti është në favor të eurobonove dhe kundërshton fort amendamentet për një buxhet të balancuar, i cili ndryshe quhet “freni i borxhit”. Hollande gjithashtu nuk mendon shumë për paktin fiskal të Merkelit, të cilin ajo arriti që ta çonte deri në Bruksel.
Nëse Sarkozi do të humbiste në zgjedhjet e ardhshme, atëherë strategjia europiane e Merkelit mund të dështonte gjithashtu. Si rezultat, që prej muajsh një diplomaci sekrete është duke u farkëtuar mes zyrave qendrore të CDU-së në Berlin dhe UMP në Paris. Lidhja kyçe mes të dy partive është ministri francez i Kulturës, Bruno le Maire, një ekspert i Gjermanisë brenda qeverisë franceze. Muajt e fundit ai ka shkuar në Berlin dy herë për takime me sekretarin e përgjithshëm të CDU-së Grohe. Njëherë u takua me Peer Almaier, një politikan i lartë i CDU-së që ka qenë dikur një nga këshilltarët më të afërt të Merkelit. Takimi u përqendrua në strategjinë e përgjithshme të Operacionit të Ndihmës së Fushatës. Vizitorët francezë shpjeguan në Berlin deri në detaje strategjinë e fushatës. Presidenti kërkon që të shfaqet si një lider që e mban falën, si një arkitekt i përpjekjeve për të shpëtuar monedhën e përbashkët europiane. Francezët duhet që ta shohin atë si një njeri që është i barabartë me Merkelin. Por si mund të arrihet një qëllim i tillë? Pikërisht së fundi agjencia e vlerësimeve “Standard&Poor’s” e zhvleftësoi Francën duke i hequr një A. Me Gjermaninë kjo nuk ndodhi. Për më tepër ekonomia franceze është duke vuajtur shumë, duke e bërë të vështirë për Sarkozinë që të pretendojë se Franca është në të njëjtin nivel ekonomik me Gjermaninë.
Një listë datash të mundshme
Këshilltarët francezë dhe gjermanë ranë dakord menjëherë që nëse numrat nuk janë në situatë të mirë, të paktën pamjet mund të jenë. Kjo ishte origjina e planit për të çuar Merkelin në Francë dhe për ta lënë që të shfaqej në fushatën e Sarkozisë në mbështetje të kandidaturës së tij presidenciale. Pra Kancelarja e një Gjermanie të begatë duhet t’i japë jetë dhe shpresë fushatës së Sarkozisë. Kjo ishte ideja. Fushata ka nisur dje me një intervistë të përbashkët mes Sarkozisë dhe Merkelit në stacionet përkatëse gjermane dhe franceze ZDF dhe France 2. Sala Murat brenda Pallatit Elize me shandanë dhe kolona të arta i ka dhënë rastit elegancën dhe madhështinë e duhur. Dhe ky është vetëm fillimi. Edhe pse nuk janë bërë zyrtare datat e radhës, strategjistët e Sarkozisë janë në proces duke punuar për detajet. Kur sekretari i përgjithshëm i SDU-së, Grohe, udhëtoi në Paris për të lançuar fushatën e partisë së Sarkozisë, një javë më parë kolegu francez Jean-Francois Cope e prezantoi me një listë datash të mundshme. Merkel, nga ana e saj, do t’u bashkohet daljeve të Sarkozisë. Të paktën këtë tha Grohe në fjalimin e tij para delegatëve të partisë së Sarkozisë dhe mori një duartrokitje të zjarrtë. Të nesërmen, gazeta e përditshme franceze “Journal du Dimanche”, shkruante: “Merkel votoi për Sarkozinë”.
Rreziku i strategjisë së Merkelit
Disa vjet më parë, një titull i tillë do të kishte qenë i paimagjinueshëm. Të paktën në fillim të presidencës së tij Sarkozia nuk shkonte edhe shumë mirë me Kancelaren gjermane, e cila, nga ana e saj, ishte irrituar me Sarkozinë për shkak të hiperaktivitetit të tij dhe tendencës për të prekur të tjerët dhe veçanërisht atë gjatë takimeve. Por tani kjo lidhje është forcuar nga prania një armiku socialist të përbashkët: Hollande. Ai vetë e përshkruan veten si një “leftist pragmatik”, por programi i tij partiak është i mbushur me premtime të shtrenjta, të cilat janë jo lehtësisht të realizueshme. Politika europiane e Hollande është një shqetësim i vazhdueshëm i Merkelit. Deri më tani ajo ka qenë e aftë që të ketë sukses në politikën e saj dhe vizionin për Europën, duke qenë se ka qenë e sigurt për mbështetjen e Sarkozisë. Hollande ndërkohë e ka bërë të qartë se nuk është dakord me paktin fiskal, që është në zemër të politikës së Merkelit. Ndihmësit e Merkelit murmurisin se do të përmendet kur të zgjidhet, por në fat kjo mund të jetë thjesht një dëshirë. Hollande e di ndërkohë fare mirë se çfarë ndien Merkeli për të. Socialistët vizituan SPD në Gjermani në dhjetor dhe thanë: “Ne do të fitojmë së bashku”. Merkel nuk ishte e kënaqur sigurisht. Por Hollande është i tronditur nga qëndrimi që ka marrë Merkel përkrah Sarkozisë.
Dëmi diplomatik
Hollande dëshiron ta takojë Merkelin sipas traditës dhe është normale që Kancelarja të takojë sfidantin presidencial të Francës. Ky madje ka qenë një zakon deri më tani, por njerëzit e Merkelit po përpiqen që ta refuzojnë kërkesën e Hollande pa bërë shumë zhurmë diplomatike. Nuk është marrë ende asnjë vendim, por ndihma që po jep Merkel në fushatën e Sarkozisë është duke rritur frikën për një prishje të ardhshme të marrëdhënieve franko-gjermane. Si do të punojë Kancelarja me një President francez, të cilit i ka dalë kundër në fushatën zgjedhore? Ndihmësit e Merkel nuk e fshehin mospëlqimin ndaj Hollande dhe, sipas tyre, ky është një konflikt mes dy konceptesh thelbësore. Ka edhe nga ata në qeverinë gjermane që nuk po ndihen mirë nga veprimet e Merkelit ndaj Sarkozisë. Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, qeveria gjermane nuk është një parti në fushatën zgjedhore gjermane. Është e qartë se kryediplomati gjerman nuk e aprovon veprimin e Merkelit.
Deri më tani asnjë lider tjetër gjerman nuk ka ndërhyrë kaq hapur në një zgjedhje të huaj dhe Merkel tani deklaron se po vepron si liderja e CDU-së. Kur Barak Obama kandidonte për president dhe kërkonte leje për të mbajtur një fjalim në Portën e Brandenburgut në Berlin në verën e vitit 2008, Merkel refuzoi dhe e detyroi që të dilte para Kolonës së Lirisë. Sipas saj, vetëm presidentët e zgjedhur mund të flisnin te porta. Ndërsa kur ajo thotë sot se Sarkozi e ndihmoi në fushatën e saj zgjedhore, ajo thotë vetëm gjysmën e së vërtetës. Kur Sarkozi e vizitoi në Berlin në maj të vitit 2009, katër muaj para rizgjedhjes së Merkelit, kjo vizitë u organizua nga organizatat rinore të CDU-së dhe UMP dhe nuk ishte një ngjarje fushate.
Të paktën për momentin mbështetja e Merkelit për Sarkozinë duket kundërproduktive, sepse francezëve u ka ardhur në majë të hundës Presidenti i tyre dhe citimi i vazhdueshëm i Gjermanisë si një shembull për Francën.











