Kontrabande 250 milione leke Romeo Shehu ish-i dashuri i Ciljetes ne kerkim

Kontrabande 250 milione leke, Romeo Shehu, ish-i dashuri i Ciljetes ne kerkim
Dy punonjës së Ministrisë së Brendshme janë arrestuar nga policia e Tiranës të akuzuar se i kanë vjedhur në tregtari cigaresh rreth 250 milionë lekë të reja mall. Në kërkim për të njëjtën ngjarje është shpallur Romeo Shehu, ish- i dashuri i Çiljeta Xhilagës, vajzës së njohur të muzikës dhe spektakleve. Gerti Fregjaj, 31 vjeç, banues në Tiranë, Ervin Goxhaj, 30 vjeç banues në Tiranë, i pari punonjësi i Ministrisë së Brendshme në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit, ndërsa i dyti punonjës në sektorin e Pronave të këtij dikasteri u arrestuan nga policia e komisariatit nr.4, në kryeqytet, me akuzën e vjedhjes në bashkëpunim, të magazinave të tregtarit të cigareve Neki Qosja. Ky i fundit mësohet se kishte marrë me qira një sipërfaqe magazine pikërisht një prej të arrestuarve, ku edhe kishte sistemuar mallin që tregtonte me shumicë. Policia bllokoi një kontenier në të cilën ndodhej i fshehur malli me vlerë, i cili, sipas hetuesve, kapte shifrën e 250 milionë lekëve të reja.

Arrestimi i personave u konfirmua për “Shekullin” dje nga burime të policisë së Tiranës, të cilët thanë se të dy punonjësit e ministrisë u ndaluan pasi ndaj tyre u gjetën prova të mjaftueshme që i përfshinin ata në këtë vjedhje të rrallë. Vjedhja ndodhi me 26 janar të këtij viti, kur policia e komisariatit nr.4, u njoftua se në rrugën “5 maji”, një tregtar kishte gjetur magazinën e tij të boshatisur. Dyer te magazinës ishin shqyer dhe drynat ishin prerë me sharrë. Bastisjen e magazinës së tregtarit e kishin konstatuar punëtorët e tij, mëngjesin e 26 majit, rreth orës 05:00, kur ata kishin mbërritur në magazinë, për të vijuar punën normalisht. Menjëherë pas konstatimit të thyerjes së magazinës dhe marrjes së të gjithë mallit, punonjësit njoftuan pronarin e ai policinë.

Nga inventari paraprak, pronari i mallit kishte konstatuar se nga magazina i ishte vjedhur një sasi kolish me cigare vlera e të cilave shkonte në 250 milionë lekë të vjetra. Pas denoncimit policia nisi hetimin duke marrë deklarimet e para punonjësve të magazinës, si dhe fqinjëve, apo personave të tjerë, të cilët, sipas policisë, mund të kishin dijeni.

Nga hetimi policia konstatoi se autorët që duhet të kishin qenë jo më pak se tre dhe me mjete transporti, u vu re se kyçet e magazinës ishin prerë me sharrë hekuri ndërsa më pas dyert ishin hapur me lehtësi. Më pas kolitë e cigareve ishin transportuar me krahë në një distancë të shkurtër drejt një mjeti transporti brenda magazinës. Kjo dukej edhe nga gjurmët e lëna prej mjetit në magazinë. Gjatë marrjes së dëshmive, policia siguroi një informacion nga një kalimtar që kishte parë një furgon të lëvizte në mesnatë me 25 janar pranë magazinës. Për këtë furgon nisën verifikimet, në disa qytete të vendit. Pak ditë pas hetimit, policia mori një informacion mbi transportimin e mallit në Unazën e Re në një kontenier.

Më tej, hetimet zbuluan se në vjedhje ishin përfshirë dy punonjësit e Ministrisë së Brendshme, një prej të cilëve qiradhënësi i tregtarit Neki Qosja. Bashkë me ta në krim, policia zbuloi edhe Romeo Shehun, ish- të dashurin e Çiljeta Xhilagës. Pas verifikimit të kryer hetuesit zbuluan kontenierin me cigaret e vjedhura, ndërsa nuk u menduan dy herë të kryenin arrestimin e dy të dyshuarve zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. Policia shpalli në kërkim ish- të dashurin e Çiljeta Xhilagës, Romeo Shehun, i cili kishte mundur ndërkohë të zhdukej para ndalimit të shokëve të tij.

Të arrestuar

Gerti Fregjaj, 31 vjeç, nga Tiranë, punonjës i Ministrisë së Brendshme në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit,

Ervin Goxhaj, 30 vjeç banues në Tiranë, Ministrisë së Brendshme, në sektorin e Pronave

Në kërkim

Romeo Shehu

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama