Ambasadori Arvizu Kercenimet ndaj Prokurorise me pasoja

Ambasadori, Arvizu: Kercenimet ndaj Prokurorise, me pasoja
Ambasadori i SHBA: Ka një kufi që s’duhet kaluar

“Retorikat ndaj Ina Ramës kanë dërguar ajër të ftohtë në Uashington. Basha, yll në ngjitje i politikës shqiptare”

Arvizu: Kërcënimet ndaj Prokurorisë mund të kenë pasoja. Do doja të dëgjoja më tepër nga PS të flisnin si Blushi”

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, bën thirrje që të ndërpriten sulmet ndaj Prokurorisë, ndryshe, siç tha ai, mund të ketë pasoja. Në një intervistë me gazetaren Sonila Meço në “ABC News”, ai shprehu keqardhjen që PS-ja nuk ka kërkuar ende falje për atë që ndodhi më 21 janar. I pyetur për vizitën e Bashës në SHBA,  Arvizu tha se kryebashkiaku i Tiranës është një yll në ngjitje në politikën shqiptare.

Media ka qenë e ndarë me axhendën e Bashës në Uashington. A ishte ajo vizitë zyrtare?

Me sa kujtoj, ka qenë shumë i zënë. Para se të futeshim në këtë intervistë, kam parë që ka folur në Zërin e Amerikës. E kam takuar herën e kaluar përpara se të nisej në Uashington, mezi po priste që ta bënte këtë vizitë. Ka qenë në Uashington për disa ditë, është takuar me ambasadorin Riker, që është zv.ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet ballkanike dhe për Shqipërinë, ka takuar gjithashtu disa miq të tij që nga periudha kur ka shërbyer si ministër i Jashtëm, gjithashtu dhe gjatë kohës që ka punuar në Kosovë në 1999-n. Ka mbajtur një fjalim në universitetin “John Hopkins”, që është universitet shumë i famshëm për çështjet ndërkombëtare. Është takuar me kryebashkiakun e Uashingtonit. Ai sonte ose nesër niset për në Nju Jork, kështu që me sa duket ka pasur një axhendë shumë të ngjeshur. Ndonëse është i ri si ministër i Punëve të Jashtme, disa njerëz e kanë parë atë si një yll në ngritje në qiellin politik shqiptar dhe pres me kënaqësi që të flas me të kur të kthehet dhe të dëgjoj disa prej përshtypjeve të tij nga vizita në SHBA.

Për ju është një yll në ngjitje në politikën shqiptare Lulzim Basha?

Sigurisht, mendoj që është e drejtë ta themi këtë. Nuk e di ekzaktësisht sa vjeç është, është afërsisht 30 e ca vjeç, është kryetar i Bashkisë së Tiranës, është një arritje shumë e madhe dhe për respektin që kam për politikanët që janë diku në të 50-tat apo në të 60-tat, mendoj se gjithashtu është e rëndësishme që të ketë gjak të ri, sepse duhet të ketë… freski. Para dy javësh kam ndjekur konventën e FRESH. Nuk e di kur do të jetë Kongresi i të rinjve të PD-së, por sigurisht pres me kënaqësi të shkoj aty. Është një gjë e mrekullueshme kur njerëzit përfshihen në politikë në një moshë të re, sepse duhet të ketë rinovim. Gjithashtu, jam i interesuar me identifikimin e të gjithë yjeve që po vijnë në këtë parti apo në parti tjetër, në botën e shtypit apo të zbavitjes. Është cikli i jetës dhe është ngazëllues.

Mendoni se e keni forcuar apo zbehur kredibilitetin ndaj Prokurorisë së Përgjithshme kur keni dalë në krah të Ina Ramës, pavarësisht se ka qenë zgjedhja e saj për të qenë në krahun tuaj?
Mendoj që njerëz të ndryshëm ndërsa shikojnë atë intervistë, mund të nxjerrin impresione të ndryshme. Zyra që ajo përfaqëson qëndron në vetvete, por deri në atë pikë që SHBA mund të shihen si një vëzhgues i paanshëm dhe një lexues i paanshëm në këtë kërkim drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Mendoj se kjo është një gjë pozitive, mendoj që ky është një investim i mirë i kohës amerikane dhe i energjive për ta bërë këtë, sepse ky vend është i rëndësishëm.

Ka një lloj perceptimi që hetimi mbi 21 janarin po shndërrohet më shumë në një show mediatik, madje shumë të dhëna hetimesh po bëhen publike. Ka zëra se vetë Prokurorja e Përgjithshme foli më shumë se ç’duhet në intervistën e Klan. Ju e ndani këtë mendim?

Duhet të takoj një shqiptar, që ende nuk ka një opinion të fortë politik lidhur me një qëndrim. Mendoj që është e pashmangshme që diçka mund të jetë në mendjen e njerëzve, si për shembull 21 janari. Njerëzit do të kenë mendimet e tyre dhe është e vështirë që të ndash thjesht pjesën ligjore nga pjesa politike. Kjo është pjesë e funksionimit të një shoqërie demokratike. Lidhur me performancën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, mendoj se ata ia kanë dalë shumë mirë duke parë edhe këto vështirësi që janë përballuar. Çdo prokuror ka një kohë shumë të vështirë dhe në Shqipëri ka edhe faktorë të tjerë që e bëjnë ende më të vështirë. Zonja Rama dhe unë kemi zhvilluar shumë biseda, orë të gjata bisedash gjatë vitit të kaluar.

Shpesh biem dakord që ka pasur raste kur kemi pasur mendime pak të ndryshme. Unë gjithmonë kam qenë jokomod me gjithë këto informacione që mund të kenë rrjedhur nga zyra. Rrjedhjet në vetvete janë pak të mërzitshme, por ajo që është më shqetësuese për mua, është mundësia që këto rrjedhje mund të komprometojnë integritetin e hetimit. Unë ia kam shfaqur, ia kam bërë me dije këto shqetësime asaj. Ajo më ka thënë që ndan të njëjtin mendim me mua dhe herë pas here ka ndërmarrë hapa për t’i trajtuar këto. Një pikë që dua ta ndaj me ju dhe me shikuesit tuaj, është se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është një zyrtare publike, një nëpunëse publike. Duke qenë e tillë, ajo është e përgjegjshme, jep llogari për performancën e saj, sikurse çdo zyrtar publik në këtë vend.

A mund të jetë performanca e saj një diskutim legjitim? Mund të ketë ndoshta edhe kritikë shumë të fortë dhe përgjigjja është: po absolutisht po, sepse performanca e saj dhe e zyrës së saj është një subjekt legjitim që njerëzit mund të flasin rreth kësaj. Mendoj se ka edhe një kufi dhe kufiri qëndron që, nëse e tejkalon këtë kufi dhe pastaj hidhemi në sferën e kërcënimeve të nënkuptuara, të kanosjeve, qofshin këto nga njëra anë apo nga ana tjetër, nuk ka rëndësi nga cila palë. Nëse tejkalohet ky kufi, atëherë kjo përbën një problem sa i përket SHBA-ve. SHBA besojnë plotësisht në të drejtën e lirisë për të folur dhe gjithashtu në llogaridhënien e zyrtarëve publikë, por kur tejkalohet ky kufi dhe ka kërcënime të drejtpërdrejta ose të nënkuptuara, ose ndoshta edhe abuzim… kur të mund të vihet në pikëpyetje aftësia e asaj zyre që ata të mund të trajtojnë këtë hetim, ky përbën një problem dhe, nëse nuk trajtohet, atëherë ka potencialin që të mund të krijojë disa vështirësi me SHBA. E di që duhet të jem shumë i hapur, në ditët e fundit disa prej retorikave kanë dërguar pak ajër të ftohtë në Ambasadën e SHBA-ve, kjo mund të thuhet edhe për Uashingtonin. Për të tretën herë dua të theksoj faktin se performanca, sjellja e zyrës, sjellja e saj personalisht është një subjekt legjitim që njerëzit mund ta kritikojnë, sepse ajo duhet të japë llogari sikurse të gjithë, por përsëri ka një kufi që s’duhet tejkaluar. Përndryshe, mund të ketë pasoja.

Kur thoni ‘pasoja’ me qëndrimin e SHBA për atë çka presin nga sjellja politike, institucionale në Shqipëri?

Pasojat për të cilat unë flas, sërish kthehemi te koncepti i së vërtetës dhe i drejtësisë. Dhimbja që shqiptarët kanë ndier dhe këto katër familje veçanërisht. Ka shumë pyetje që njerëzit kanë kur i rikthehemi asaj dite të tmerrshme se përse. Unë kam qenë shumë zëfortë lidhur me çështjen që duhet të ketë një hetim gjithëpërfshirës, me vdekjet e shkaktuara nga armët e zjarrit, këto ishin të tmerrshme, duhet të ketë llogaridhënie për këtë. Ka prova, të cilat do të shfaqen në Gjykatë në kohën e duhur. Është e rëndësishme se cilat ishin rrethanat që çuan në këtë ngjarje. Pikëpamjet e mia janë bërë të njohura, kanë qenë të skicuara që nga fillimi, që nuk do të ishte një demonstratë e rregullt, ndryshe nga gjithë demonstratat e tjera ishte menduar që të ishte e dhunshme, që të provokonte një përgjigje të fortë. Prokurorja e Përgjithshme ka bërë vendimin që të mund të kërkonte heqjen e imunitetit për tre deputetë socialistë. Kjo nënkupton që ata janë fajtorë për ndonjë krim, ndoshta mund të shpjerë drejt saj, por kjo mund të lehtësojë hetimin. Hetimi duhet të vazhdojë me një mënyrë shumë teknike dhe në formë shumë ligjore.

Ka edhe një përmasë njerëzore në gjithë këtë. Nëse mund të jem i hapur dhe i sinqertë me PS-në, ajo që ka qenë zhgënjyese për mua, do të kisha dashur, kurrë nuk është vonë, por do të kisha dashur që të mund të kishte pasur më shumë një shprehje të keqardhjes nga ana e PS-së për rolin e tyre në kontribuimin e situatës që është zhvilluar më 21 janar. Tani e di që ka pikëpamje të ndryshme se sa fajtorë kanë qenë, nëse ka qenë e organizuar etj., por qartazi ka pasur një rol. Një person që është afruar më shumë, të paktën në të pranuarit, ka qenë Ben Blushi kur është shfaqur në “Top Story” dhe ka thënë se, nëse më shumë deputetë të PS-së do të kishin qenë në krye të demonstratës, sikurse në pjesën më të madhe të demonstratave, këta katër persona nuk do ishin vrarë. Policët nuk do ishin gjakosur nga gurët dhe shishet molotov që janë hedhur drejt tyre. Kjo është më e afërta që unë kam dëgjuar nga PS-ja, por do kisha dashur t’i dëgjoja më shumë prej tyre. Kjo është ajo që unë nënkuptoj me natyrën gjithëpërfshirëse të kësaj. Ka një përmasë politike dhe kjo duhet të zhvillohet në një mënyrë tjetër. Për SHBA-në, përqendrimi, fokusi është në ruajtjen e integritetit të hetimit ligjor, duke u përpjekur që të merret drejtësi, duke u zbuluar e vërteta, ky është qëllimi.

Nëse palët i kanë vënë emra të ndryshëm 21 janarit dhe drejtësia ende nuk e ka thënë fjalën e fundit, a ka SHBA një emër për atë që ka ndodhur më 21 janar?

Mund ta kuptoj se si për shumë shqiptarë njerëzit shohin për baraspeshë. Mendoj se njerëzit thonë që është interesante që prokurorja e Përgjithshme ka kërkuar që imuniteti të hiqet për tre deputetë të PS-së, duket sikur kjo përshtatet me tre urdhër- arrestet. Mendoj që është një gabim, edhe sepse njerëzit kërkojnë baraspeshim. Duhen ndjekur provat kur të shpihen dhe, në këtë rast, gjatë kursit të hetimeve duket se ka pasur pyetje lidhur me serverin që gjendej në Këshillin e Ministrave. Dukej sikur ka pasur indikacione që ndoshta një nga armët që është përdorur nga Garda, mund të jetë ndryshuar tyta. Kjo mund të shfaqë mundësinë e një mbulimi. Nuk është kjo që po them, por mund të ketë disa gjëra paraprake, të cilat shfaqin një mbulim. Kjo gjë duhet hetuar, sepse drejtësia duhet ta mbajë politikën sa më larg të jetë e mundur. Kam zhvilluar shumë biseda me Kryeministrin dhe ai është shumë i frustruar, madje i zemëruar me mënyrën se si janë  shpalosur disa prej këtyre. Duke qenë shumë i sinqertë, unë jam shumë… i lidhur me ndjenjat e tij. Mënyra se si është hartuar demonstrata që të ishte e dhunshme, gjithashtu Këshilli i Ministrave është sulmuar fizikisht nga kjo turmë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një demokraci. Nga një nivel kam shumë simpati për frustrimin, zemërimin. Si do të ndiheshim nëse do të ishim zgjedhur në mënyrë demokratike për të qenë kreu i qeverisë dhe papritmas është kjo skenë më turmë jashtë? Nuk është kjo mënyra se si duhet të funksionojë demokracia. Pasi është pastruar çdo mbeturinë dhe pastaj vazhdon hetimi, duhet të ketë një kurs gjyqësor. E kuptoj që mund të ketë një kurs politik dhe ka gjithashtu zhvillime, si për shembull komisioni hetimor parlamentar. Për sa më përket mua, ai ka zero qëndrim, ai ka pozitën zero. Do të ishte ndryshe nëse do të ishte dypartiak.

Nëse do të ishin parlamentarët e PS dhe PD, do të kishte një përmbajtje të ndryshme, por aktualisht nuk është në këtë formë. Është i pakuptimtë, do të kishte më shumë kuptim nëse PD-ja do të zhvillonte hetimin e saj dhe do të kishte një vulë blu të vendosur në të dhe do të thoshte ky është raporti ynë paraprak. Do të ishte partiak, por mund të kishte informacion dhe do të ishte i dobishëm. Në mënyrë të ngjashme PS mund të zhvillonte hetimin e saj, sigurisht do të ishte partiak, por ne mund t’i pranonim për këtë që janë. Ky komision hetimor parlamentar nuk e shikoj që të shkojë gjëkundi, por më duket sikur thjesht tërheq vëmendjen. Vëmendja duhet të jetë në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. E di që ka kritika, por e di çfarë? Kjo është ajo që ju keni, ju duhet të merrni atë që keni.

Trojka ka folur për President konsensual. Çfarë nënkuptoni me konsensus, kur në Shqipëri kanë dhënë më shumë produkte joefektive sesa të vlefshme, jo vetëm për çështjen e Presidentit, por edhe për ndryshimet kushtetuese. Do të vlente më shumë një konsensus mes aktorëve politikë që mund ta kenë të ardhmen e tyre më të shkurtër sesa ajo e kreut të ardhshëm të shtetit, apo për një Kushtetutë në respektin e plotë të saj germë për germë?

Unë jam përpjekur që të mos komentoj shumë. Konsensus e di që duket sikur është në modë ta përdorësh. Unë preferoj që të përdor termin që mendoj që është e rëndësishme që të ketë një konsultim shumë aktiv me të gjitha palët e interesuara, por gjithashtu edhe me anëtarët e tjerë të shoqërisë, për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Ka një procedurë kushtetuese për këtë dhe rregullat që duhen ndjekur, duhet të jenë në përputhje me procesin kushtetues. Lidhur me rëndësinë e kësaj, është pozitë e unitetit të popullit shqiptar, por gjithashtu rol praktik në përzgjedhjen e gjykatëseve. Do të shpresoja që së paku të mund të ketë një konsultim të sinqertë mes palëve, në mënyrë që të arrihet, ndoshta të shpresojmë në një zgjedhje konsensuale. E rëndësishme është që duhet të ketë konsultime dhe, nëse është e mundur, pse të mos bëhet me raundin e parë?! E di që mund të shkohet në raundin e dytë, të tretë dhe të katërt…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama