Censusi i ndermarrjeve, jo bindes. INSTAT del me dy shifra punesimi brenda te njejtit vit
Shkruar nga: Tirana Obeserver
Postuar më: 4 muaj mė parė
Censusi i ndermarrjeve, jo bindes. INSTAT del me dy shifra punesimi brenda te njejtit vit
Pas censusit të popullsisë dhe banesave INSTAT publikoi dje rezultatet e censusit të bizneseve. Referuar të dhënave statistikore aktualisht në Shqipëri janë aktive 97 mijë e 436 ndërmarrje. Drejtoresha e INSTAT Ines Nurja shtoi se pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve është krijuar pas vitit 2005.
Bizneset
“Rreth 50 për qind e ndërmarrjeve aktive (50 mijë prej tyre), që janë regjistruar gjatë këtij procesi, janë krijuar gjatë viteve 2005-2009. Në totalin e ndërmarrjeve, gjysma e tyre janë përqendruar në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit dhe 26 % e këtyre ndërmarrjeve menaxhohen nga femrat”, tha Nurja. Nisur nga numri i të punësuarve, pjesa dërrmuese e bizneseve 62.7 për qind e tyre kanë vetëm një punonjës. Rreth 28.2 për qind kanë nga 2 deri në 4 punonjës, ndërsa ndërmarrjet me mbi 50 punonjës janë vetëm 0.9 për qind e totalit. Zonja Nurja thotë se biznesi shqiptar është i orientuar drejt shërbimeve. “Duket qartë që ekonomia shqiptare, tashmë është e zhvilluar dhe e orientuar drejt shërbimeve, pasi 84 për qind e këtyre ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve”, theksoi Nurja.
Xhiroja vjetore
Sipas regjistrimit del se 84.5 për qind e ndërmarrjeve kanë një xhiro më të vogël se 5 milionë lekë, 5.2 për qind luhaten nga 5 deri në 10 milionë lekë ndërsa vetëm 0.9 për qind kanë një xhiro më të madhe se sa 250 milionë lekë në vit, ose 2.5 milionë dollarë.
Punësimi
Referuar të dhënave të INSTAT mbi punësimin në vendin tonë thuhet se viti 2010 ka qenë një nga vitet më të mira për çeljen e bizneseve të reja. Sipas Censusit, gjatë këtij viti numri i ndërmarrjeve private dhe atyre shtetërore, që nuk janë shoqëri aksionere u rrit me 13 mijë e 626 ose 14 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT rreth 9 mijë prej këtyre bizneseve krijuan nga një vend të ri pune, 3895 hapën nga 2 deri në katër vende të reja pune dhe pjesa tjetër më shumë se sa 5 vende të reja pune. Sipas këtyre matjeve numri total i të punësuarve te rinj, duke u bazuar në numrin minimal të punonjësve për çdo ndërmarrje gjatë vitit 2010 rezulton të jetë rritur minimalisht me 21 mijë e 330. Ky është rezulati i Censusit të Ndërmarrjeve.
Mospërputhja
Por sipas shifrave zyrtare të punësimit që ka publikuar po vetë INSTAT, gjatë vitit 2010 numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, përfshirë dhe administratën u rrit vetëm me 7 mijë e 400 vetë ose gati 3 herë më pak sesa rezultati i Censusit. Madje numri i vendeve të reja të punës është më i vogël edhe se vetë numri i bizneseve të reja të hapura më 2010. Ky është një tjetër paradoks sikundër ka ndodhur shpesh me shifrat e punësimit në Shqipëri. Për rastin e Censusit mospërputhja e shifrave mund të shpjegohet me faktin se gjatë vitit 2010 janë mbyllur biznese, që kanë numër të lartë punonjësish dhe janë hapur biznese të vogla me nga një punonjës, çka bën që edhe pse numri i ndërmarrjeve të rritet, ai i të punësuarve të mbesë gati në vend. Së dyti individë të caktuar zotërojnë më shumë se një biznes dhe deklarojnë vetëm veten e tyre të punësuar tek të gjithë bizneset që ata mund të kenë.
Ndërsa me një argumentim të tretë vihet në dyshim njëra prej dy shifrave. Ose shifra zyrtare e të punësuarve nuk është e saktë, çka hedh dyshime për evazion, ose numri i bizneseve të reja që janë hapur gjatë 2010-ës mund të ketë qenë më i vogël nga rezultati që jep INSTAT. Por pavarësisht arsyes reale të mosrakordimit të shifrave të punësimit, problemi mbetet në faktin se hapja e bizneseve të reja nuk e ka rritur numrin e punësimeve, dhe për pasojë e gjitha kjo nuk flet për një rritje apo përmirësim të ekonomisë shqiptare.