“Kërkoj të flas në Kuvendin e Shqipërisë, pasi Komisioni i Ligjeve më mohoi të drejtën e fjalës. Kuvendi ka detyrim të më dëgjojë”, shkruante nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu.
Pak ditë më parë, zoti Spahiu u nxorr jashtë nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmali, që nuk e lejoi të japë argumentet e tij, ndërkohë që Spahiu ishte ftuar në seancë dëgjimore. Demokratët kërkuan ngritjen e Komisionit Hetimor pasi mendojnë se nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ka devijuar nga funksioni kushtetues dhe e ka zëvendësuar atë me veprimtari politike të papajtueshme me detyrën, duke mos përfaqësuar interesat në funksionin të drejtësisë e Kuvendit të Shqipërisë, organ nga i cili është zgjedhur. Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi se mazhoranca nuk është kundër zotit Spahiu duke nënvizuar se Komisioni i kërkuar hetimor kërkon të vlerësojë Kushtetutshmërinë e veprimeve të Spahiut.
“Ky komision hetimor nuk i drejtohet individit Spahiu. Të gjithë e dimë se nënkryetari i KLD-së nuk po kryen funksionin e tij. Minimumi etiko-moral është të mbajmë qëndrim. Nuk e kemi me personin Spahiu, por kërkojmë Kushtetushmërinë e funksionit të tij”, deklaroi Alibeaj. Ai i kërkoi opozitës të mbështesë dhe të votojë ngritjen e Komisionit hetimor si një përgjegjësi politike. Ndërkohë deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj deklaroi se opozita është kundër ngritjes së këtij komisioni hetimor duke e cilësuar atë antikushtetues.











