Bumci S’ka fonde per turizmin

Bumci: S’ka fonde per turizmin
Do të hiqen taksat për bizneset në zonat malore. Këtë ka theksuar ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në një takim me përfaqësues biznesesh nga të gjitha Shqipëria që u zhvillua të martën. “Kjo është e vetmja lehtësi që ne mund të bëjmë për ju”, ka theksuar Bumçi. “Ne nuk mund të vijmë e të ndërtojmë pista për ski dhe as rezorte. Po përpiqemi të përmirësojmë infrastrukturën dhe nga ana tjetër, për t’i ardhur në ndihmë investimeve që mund të behen në këto zona marrim përsipër t’i heqim nga barra e tatim-taksave”.

Në një konferencë të organizuar nga shoqata shqiptare e turizmit “ATA” me temë “Turizmi, rruga e Shqipërisë për në BE”, ministri i është vendosur përballë pyetjeve, ku nuk ka nguruar të thotë se “jemi në vështirësi financiare dhe për shkak të mungesës së fondeve nuk kemi bërë shumë për promovimin e turizmit vitin që kaloi, më shumë reklamën na i kanë bërë të tjerët”, duke cituar “Lonely planet”.

Numri i turistëve që kanë hyrë në Shqipëri në një vit, sipas ministrit, është 4 milionë, duke përfshirë këtu edhe 1.2 milionë shqiptarë që janë rezidentë në vendet të ndryshme të botës. Nuk ka lënë pa përmendur edhe turizmin malor, duke pranuar se është në vështirësi për shkak të infrastrukturës, e përpos këtyre në zonën e Thethit, sipas ministrit, ka pasur 10 mijë net fjetje, ndërsa Valbona është vizituar nga 17 mijë turistë.

Ai i ka sugjeruar bizneset dhe agjencitë turistike të punojnë më shumë për sa i përket shërbimeve dhe kushteve që ata ofrojnë në mënyrë që turistët të mos kthehen nga rruga kur nisen për diku. Nga ana tjetër, këto grupe interesi i kanë kërkuar ministrit rrugë dhe vetëm rrugë, duke përmendur këtu rrugën Lushnjë-Berat, e cila është një ndër me problematiket dhe pengesë për zhvillimin e turizmit në qytetin e ruajtur nga UNESCO. Ministri ka pranuar problematikën, por nuk ka treguar si dhe kur do të ndryshojë kjo gjendje.

Një propozim tjetër që i është bërë ministrit, është kërkesa për diferencimin e Taksës mbi vlerën e shtuar (TVSH). Përgjigja e tij ishte: “Propozimi për të është bërë, por ende nuk është marrë një vendim nga ana e qeverisë”.

 

Çmimet

Në këtë takim u ndanë dhe disa çmime për hotelet më të mira në Shqipëri, pas një punë dhe vlerësimi të bërë nga shoqata “ATA” në bashkëpunim me “USIDE”.  Marka e cilësisë “Authentic Albania” ka qenë njeri prej vlerësimeve i cili konsiston në ndërthurjen e elementeve estetike dhe zbukuruese që kanë kuptim simbolik në kulturën shqiptare. Hotelet janë vlerësuar për traditën shqiptare në gatim, cilësinë, kushtet higjienike në përputhje me standardet e kërkuara. Mes tyre në fushën e turizmit ka marrë çmim edhe muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë si një ndër më të vizituarit për vitin që sapo lamë pas.

Berisha më 1 qershor 2011 në mbledhjen e qeverisë

“Të mos harrojmë se vetëm 22 përqind e këtij vendi është ultësirë bregdetare e fushë. I tërë është zonë kodrinore dhe malore. Kodrat e malet e bëjnë Shqipërinë një vend me lartësi dy herë më të madhe, se mesatarja e Europës, një vend me lartësi me lartësi rreth 708 metër dhe kjo, jo se Shqipëria ka majat më të larta, por i ka të panumërta. Por Shqipëria nuk mund të jetë një vend i zhvilluar, në rast se ajo nuk zhvillohet në çdo skaj të saj, në çdo komunë, fshat, zonë e kudo. Nga ana tjetër, duhet të nxisim me të gjitha mundësitë tona investimet vendase e të huaja në këto zona.

Imagjinoni Alpet e Shqipërisë, me masivin e madh që kanë, përveç Thethit e Valbonës, këto bukuri mahnitëse natyrore, nuk kanë as edhe një ndërtim turistik. Ky është një objektiv i vështirë, ambicioz, por plotësisht i mundshëm, sepse kudo ne kodrat, luginat, malet ekzistojnë potenciale për t’u zhvilluar. Në disa aspekte, ato janë të fjetura që nga mesjeta dhe koha nuk lëviz, nëse nuk ndërtojmë infrastrukturën. Ndaj është e domosdoshme, që, shumë shpejt, në kuadrin e Komitetit Ndërministror për Turizmin të miratohet paketa ku, zonat malore, ku nuk ka investime, të përjashtohen për 7 ose 8 vjet nga çdo lojë takse. Nxitja dhe gjetja e stimujve për ata që investojnë në këto zona është jetike, përcaktuese për zhvillimin e ekuilibruar te vendit”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama