21 janari Sequi Te kete hetim gjitheperfshires mbeshtesim Prokurorine e Pergjithshme

21 janari, Sequi: Te kete hetim gjitheperfshires, mbeshtesim Prokurorine e Pergjithshme
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi deklaroi se është tejet e rëndësishme që hetimi i ngjarjeve të 21 janarit të jetë gjithëpërfshirës, i pavarur dhe i paanshëm. Gjatë një prononcimi ambasadori i BE-së i pyetur për deklaratat e një dite më parë lidhur me hetimet e 21 janarit theksoi se është tejet e rëndësishme të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit.

“Ne kemi ndjekur me vëmendje deklaratat e djeshme të Kryeprokurores Ina Rama ambasadorit amerikan dhe mikut tim Arvizu, zëdhënëses së kryeministrit dhe opozitës dhe po e ndjekim nga afër këtë çështje. Siç e dini, përpara disa ditësh ne kemi nxjerrë së bashku një deklaratë trepalëshe. Në këtë deklaratë ne kemi thënë se është e nevojshme të zbardhen plotësisht ngjarjen e 21 janarit. Dhe është tejet e rëndësishme që të jetë një hetim gjithëpërfshirës, i pavarur dhe i paanshëm. Pra është tepër e rëndësishme të hidhet dritë mbi ngjarjet e 21 janarit. Kemi shtuar që shqiptarët presin të vendoset drejtësia”, tha Sequi.

Ambasadori Sequi në një zë me ambasadorin e SHBA-ve Aleksandër Arvizu nënvizoi se ata presin që hetimi të vazhdojë nëpërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, duke nënvizuar rishtas mbështetjen dhe besimin e plotë tek Prokuroria.

“Kemi besim që Gjyqësori në Shqipëri do ta bëjë punën e vet që të vihet në vend drejtësia”, u shpreh ambasadori Sequi.

Ai nuk bëri asnjë koment lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të PS-së për arsye të hetimeve të 21 janarit, duke nënvizuar se për këtë çështje janë bërë deklarata ngaherë.

Kjo deklaratë u bë pas tryezës së Komitetit Drejtues të Projektit të BE-së EURALIUS III për konsolidimin e drejtësisë në Shqipëri.

Ambasadori Sequi deklaroi se drejtësia është një faktor shumë i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në familjen evropiane, andaj BE ka dhënë një ndihmë tejet të çmuar për konsolidimin e drejtësisë në vend.

Sipas tij reforma në drejtësi është jetike dhe se është i domosdoshëm konsolidimi i sistemit gjyqësor në mënyrë që të garantohet një sistem drejtësie i pavarur dhe i paanshëm.

“EURALIUS është një projekt shumë i rëndësishëm i BE-së për të konsoliduar sistemin e drejtësisë, dhe kjo tregon edhe rolin e BE-së sa i përket përmirësimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri”, tha ambasadori i BE-së në Tiranë.

Në këtë tryesë të projektit EURALIUS III, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu tha se projekti EURALIUS duhet të vazhdojë pasi drejtësia shqiptare ndodhet në udhëkryq. Spahiu nënvizoi se sistemi i drejtësisë duhet të forcohet dhe të tregojë integritet kur përballet me njerëz me funksione. Sipas Spahiut forcimi i drejtësisë është shumë i rëndësishëm në mënyrë që si qytetari i thjeshtë dhe funksionarët e lartë të jenë të barabartë në bangën e të akuzuarve.

“Çdokush nga ne duhet të marrë përsipër përmbushjen e kërkesave për marrjen e statusit të vendit kandidat i refuzuar dy herë. Për tre vjet kriza politike bllokoi reformat. Vetëm Këshilli i Lartë i Drejtësisë plotësoi rekomandimet e BE. Është shumë e rëndësishme që Shqipërisë në këtë vit të 100-vjetorit të Pavarëisë të mos i refuzohet për të tretën herë marrja e statusit të kandidatit”, deklaroi zëvendëskryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu. Ndërkohë, gjatë takimit ka folur edhe ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i cili nënvizoi se në sistemin e drejtësisë janë tejet të rëndësishme transparenca dhe  paanësia, për të cilat kërkoi bashkëpunimin e të gjithë aktorëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama