21 janari Prokuroria Arrest me burg per Komandantin e Gardes Ndrea Prendi

21 janari, Prokuroria: Arrest me burg per Komandantin e Gardes Ndrea Prendi
Pas mbërritjes së ekspertizës nga FBI-ja, Prokuroria ka kërkuar arrestimin me burg të tre personave të tjerë, mes të cilëve Komandantit të Gardës së Republikës Ndrea Prendi, nën akuzën se janë implikuar në vrasjet e katër demonstruesve të 21 janarit. Burime nga Prokuroria thanë se në Gjykatën e Tiranës janë dorëzuar tre urdhër-arreste, ku organi i akuzës ka kërkuar arrest me burg për Komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendin, shoferin e tij Arian Adhami dhe për Armando Kasaj, i cili është shefi i IT-së në Kryeministri.

Sipas Prokurorisë, Armando Kasaj është në akuzë pasi dyshohet se ka përgjegjësi për riformatimin e serverit që ruante pamjet e të gjitha kamerave të Kryeministrisë, nga ku u fshinë pjesë të filmimeve të marra nga godina e Qeverisë gjatë demonstratës së 21 janarit të vitit të shkuar dhe nga momentet e të shtënave ndaj turmës.

Duhet thënë se për Komandantin e Gardës së Republikës Ndrea Prendi, Prokuroria kishte lënduar mandat arresti edhe më parë, porse urdhër-arresti nuk është zbatuar nga Policia e Shtetit. Komandanti i Gardës së Republikës akuzohet se ka dhënë urdhër për qëllimin e demonstruesve të tubuar para portës qendrore të kryeministrisë, por edhe përtej saj. Por Gjykata e Tiranës mësohet se nuk i ka pranuar arrestet me burg, duke kërkuar vetëm arrest shtëpie për tre personat.

Ekspertiza e FBI-së mbërriti në Tiranë pak ditë përpara përvjetorit të parë të vrasjes në bulevard të katër demonstruesve në 21 janarin e vitit 2011. Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA, ka ekzaminuar 14 gëzhoja, 8 predha dhe disa pistoleta, që u përkasin gardistëve, që ishin me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 janar të vitit të kaluar gjatë demonstratës së opozitës. Rezultatet i solli vetë prokurori i FBI-së, Majk Kein, që ka asistuar hetuesit shqiptarë në çështjen e 21 janarit.

Ekspertët e FBI-së kanë dhënë rezultate të sakta dhe konkrete për 8 predhat, që sipas ekspertëve shqiptarë nuk kishin vlera identifikueshmërie. Janë ekzaminuar predhat që u gjetën në trupin e Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, ndërkohë që ajo që vrau Hekuran Dedën nuk u gjet në vendin e ngjarjes. Gjithashtu, organi i akuzës ka dërguar për ekspertim edhe 6 predha të tjera, të gjetura pranë vendit të ngjarjes dhe në disa godina përballë Kryeministrisë. FBI në ekspertizën e saj bëri me dije se bashkë me predhat, gëzhojat dhe armët, FBI ka sjellë edhe përgjigjet për serverin e Kryeministrisë, i cili u dërgua për ekspertim, pasi dyshohej të ishte riformatuar.

Gjatë ekspertimit që u krye në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë, ekspertët arritën në përfundimin se serveri i kamerave të brendshme dhe të jashtme të Kryeministrisë ishte riformatuar në datën 22 janar, rreth orës 01:30 minuta të mëngjesit, që është konfirmuar edhe nga FBI. Nga hetimet e deritanishme, Prokuroria shqiptare ka identifikuar vetëm autorin e dyshuar për vrasjen e demonstruesit nga Gjirokastra, Ziver Veizit. Në burg për këtë vrasje ndodhet vetëm majori i Gardës së Republikës, Agim Llupo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama