Riorganizimi, PS angazhon Fatos Nanon ne Tirane
Shkruar nga: Denis Dedej, Shekulli
Postuar më: 5 muaj mė parė
Riorganizimi, PS angazhon Fatos Nanon ne Tirane
Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste vendosi dje riorganizimin e strukturave që solli debate në radhët e socialistëve. Pika e dytë e rendit të ditës për ndarjen e të deleguarve të Kryesisë dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare në rrethe nuk është pritur mirë nga disa përfaqësues socialistë. Shkak i kundërshtimit është bërë ndryshimi i drejtuesve politik të Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe të rretheve në të gjithë Shqipërinë. Kjo ndarje i jep përgjegjësi anëtarëve që të bëjnë drejtim politik të zonave të ngarkuara nga Asambleja Kombëtare. Në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura të asamblesë, sekretari për Organizimin, Blendi Klosi, ka lexuar 230 emra e anëtarëve të kësaj strukture se si do të shpërndahen në të gjithë vendin. Nga leximi i emrave, është vënë re se ish-kryeministri Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Mejdani, ish-kryeministri Ylli Bufi, ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, janë deleguar për të drejtuar Qarkun e Tiranës.
Pas kësaj procedure, mësohet se i pari që ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij ishte ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ndriçim Hysa. Burime nga kjo mbledhje bëjnë të ditur për gazetën “Shekulli” se i deleguari i asamblesë në zonën e Elbasanit, Hysa nuk ka rënë dakord me dërgimin e tij në Lushnje dhe ka deklaruar se nuk do ta pranojë këtë detyrë. Ai ka shprehur përpara anëtarëve të tjerë se është zgjedhur disa herë në zonën e Elbasanit dhe se e njeh mirë atë zonë. Në fund të fjalës së tij, Hysa mësohet të ketë hedhur dyshimin se “kjo është lojë e ndonjë kryetari bashkie”, duke fajësuar indirekt përgjegjësitë tek kryetari aktual i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit. Ky i fundit, duke folur nga vendi i tij ka hedhur poshtë mundësitë që të ketë dijeni mbi këto lëvizje. Por, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mësohet të ketë qenë i prerë në qëndrimin e tij. Burime bëjnë të ditur se kreu i selisë rozë ka nënvizuar se askush nuk duhet të refuzojë detyrën që i ngarkohet nga partia.
Duke replikuar me Ndriçim Hysën, Rama ka kërkuar që ai të shkojë në Lushnje dhe të japë atje kontributin e tij për Partinë Socialiste. Nga ana tjetër kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, u ka sqaruar anëtarëve se Qarku i Tiranës ka shumë përfaqësues, por jo të gjithë do të qëndrojnë në këtë qark, pasi duhet të shpërndahen. Për këtë çështje ka kundërshtuar kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili ka deklaruar në listën e të deleguarve të Asamblesë Kombëtare në qarkun ku ai bën pjesë, pesë anëtarë nuk njihen prej tyre. Mbi këtë shqetësim të ngritur ka replikuar kryetari i Asamblesë Kombëtare, i cili mësohet të ketë nënvizuar se jo të gjithë anëtarët e Qarkut të Tiranës do të mbahen në këtë qark. Në mbledhjen e djeshme të asamblesë nuk ka pasur të tjera diskutimeve mbi pikën dy të rendit të ditës, për sa i përket ndarjes së të deleguarve të Kryesisë dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare në rrethe. Vetëm deputetët e grupit parlamentar socialist nuk iu janë dhënë udhëzime për zonat që do të mbulojnë. Në mbledhjet e ardhshme do të ketë një ndarje të veçantë për të zgjedhurit socialist në Kuvend.
Debati në mbledhjen me dyer të mbyllura
Ndriçim Hysa: Nuk jam dakord që të mos jem i deleguar në Elbasan. Nuk e pranoj këtë detyrë. Dua të jem aty ku jam zgjedhur disa herë në atë zonë. Kjo është lojë e ndonjë kryetari bashkie.
Qazim Sejdini: Unë s’di gjë.
Edi Rama: Jo ti, por kushdo nuk duhet të refuzojë detyrën që i ngarkohet nga partia. Do të jesh i deleguar në Lushnje, atje do të shkosh të japësh kontributin tënd.
Gramoz Ruçi: Për delegimin e anëtarëve është ndjekur parimi që anëtarët e Tiranës të mos jenë të gjithë këtu.
Shpëtim Gjika: Ne nuk jemi ushtarë. Ata njerëz që janë në listë nuk janë nga Vlora, janë nga Tirana. Nuk duhet të jenë formalisht. Nga pesë këto të deleguarit që na keni caktuar në Vlorë ne s’i njohim.
Gramoz Ruçi: Epo të gjithë këta të Tiranës nuk do t’i mbajmë këtu.
Shkartisen të deleguarit e PS, Braçe dhe Deda kundër Ramës
Përpara mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, kreu i PS-së, Edi Rama, ka thirrur një takim të Kryesisë, për t’iu komunikuar anëtarëve shpërndarjen e re të zonave. Mësohet se në këtë takim që ka zgjatur për pak minuta, lideri i socialistëve ka bërë të ditur shpërndarjen e re të të deleguarve të Kryesisë në qarqe. Për ato qarqe të cilat ka një numër të madh votuesish janë deleguar më shumë anëtarë kryesie. Shpërndarje e re nuk është pritur mirë nga drejtuesit politik të qarqeve.
Një prej kundërshtuesve të kësaj skeme lëvizjeje është deputeti i Qarkut të Beratit, Erjon Braçe, i cili është caktuar në jetë i deleguar në Qarkun e Korçës. Por, zyrtari lartë socialist ka vlerësuar publikisht se përmes kësaj lëvizje është krijuar një pështjellim i madh mbi delegimin e anëtarëve të Kryesisë së PS nëpër qarqe apo më ngushte nëpër zona zgjedhore. “Pështjellimi është krijuar për shkak të nxjerrjes së qëllimtë të emrave në media, referuar një projekti që nuk ka marre në asnjë germë edhe miratimin tim, të pakën. Unë nuk jam i deleguar i Kryesisë së PS në disa KZAZ në Devoll e Korçë! Jam deputet në rrethin e Beratit! E gjitha në respekt të mandatit të marre nga socialistët e populli në këtë rreth! Ju kam thënë: Nuk kam nevoje për ofiqe në parti apo kudo gjetkë!”, – deklaroi Braçe arsyet e mospranimit të ndryshimit të delegimit. Duke vijuar më tej, ai nënvizoi se “për ofiqe nuk tradhton e nuk braktis asnjë socialist apo qytetar në të 11 degët e PS apo njësitë administrative në Berat”.
Anëtari i Kryesisë bëri të ditur se angazhimi i tij politik e publik do jetë “beteja deri në votën e fundit me Sali Berishën dhe regjimin e tij në Kuvend”. “Përfaqësimi dhe puna me çdo beratas e kuçovar, atje ku ata jetojnë, në funksion të kësaj beteje; mbi të gjitha: Për të ndryshuar jetën e tyre! Ky është borxhi që ju kam unë socialistëve! Ofiqet le t’i mbajnë ata që rrojnë për to!”, sqaroi deputeti i Qarkut të Beratit. Braçe nënvizoi se detyrimet e tij ndaj qarkut ku është zgjedhur janë “politike, njerëzore, publike e ligjore dhe ato janë që vlejnë, jo dëshirat e cilitdo kryetari!”
Edhe deputeti i PS për Qarkun e Vlorës, Eltar Deda, ka kundërshtuar këto lëvizje. Ai shprehu dje “keqardhjen dhe zhgënjimin e socialistëve të zonës së tij për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare”. Në një komunikim përmes rrjetit social “Facebook”, deputeti socialist, i cili është dhe i komanduar nga Kryesia për drejtimin e degës së PS në Vlorë, deklaroi se këto mendime do t’i japë edhe publikisht me strukturat drejtuese të partisë. Ai solli në vëmendje se te deleguarit e Asamblesë Kombëtare të caktuar në rrethin e Vlorës, 5 prej tyre janë jo banues në këtë zonë. “Por akoma me keq është sepse qëllimi që mendohet se ata janë dërguar nuk i shërben punës. Nuk mund të zgjidhen problemet me individë të cilët vota e popullit nuk u ka dhënë besimin ashtu si edhe anëtarësia e rrethit i njeh si mbartës të konflikteve”, – deklaroi Eltar Deda. Deputeti solli në vëmendje se Kryesia e PS hoqi si të deleguar nga qarku i Vlorës, Arben Isarajn. Sipas tij, deri më sot PS e Vlorës në të gjitha zgjedhjet ka marrë rezultatet më të larta si asnjëherë tjetër. “Nuk e kuptoj pse duhet një kthesë e tillë. Duke filluar nga dita e hënë në seli do të fillojmë një bashkëbisedim për të përballuar bashkë si PS e rrethit të gjithë problematikën sepse është anëtarësia që vendos për çdo gjë”, – deklaroi deputeti Deda.
Si shpërndahen anëtarët e Kryesisë në qarqe
Qarku i Tiranës – Arta Dade dhe Ndre Legisi, Saimir Tahiri
Qarku i Vlorës – Fatmir Xhafaj dhe Valentina Leskaj
Qarku i Elbasanit – Ben Blushi dhe Damian Gjiknuri
Qarku Korçës – Erjon Braçe dhe Ilir Beqja
Qarku i Gjirokastrës – Arben Isaraj dhe Arben Ahmetaj
Qarku i Durrësit – Eglantina Gjermeni dhe Vangjush Dako
Qarku i Shkodrës – Mimi Kodheli dhe Ditmir Bushati
Qarku i Dibrës – Shkëlqim Cani dhe Pandeli Majko
Qarku i Fierit – Armando Subashi dhe Bashkim Fino
Qarku i Kukësit – Arben Malaj dhe Besnik Baraj
Qarku i Lezhës – Lindita Nikolla
Qarku i Beratit – Namik Dokle
Kartë e re anëtarësie me rastin e 100-vjetorit
Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Partia Socialiste do të shpërndajë për anëtarët e saj një kartë anëtarësie dedikuar kësaj dite të shënuar. Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit socialist gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare. Në momentin e diskutimit të kuotave vjetore që duhet të paguajë anëtari i Partisë Socialiste, ka pasur propozime nga disa socialistë në asamblesë se karta e re do të merret pasi të jenë shlyer detyrimet e pagesës së një kuote vjetore, që quhet kuotizacion. Ajo që vihet re në tabelën e kuotave është se çmimet renditen në një shkallë progresive. Ashtu siç është parashikuar edhe programin e PS-së, ai që ka më pak paguan më pak dhe ai që ka të ardhura më shumë do të paguajë më shumë. Kështu, studentët, pensionistë, të papunë, punonjës fshati do të paguajnë 200 lekë të reja. Më pas vijnë të punësuarit në sektorin shtetëror dhe aktivitetin e vogël privat me 1000 lekë të reja. Të ardhura më të mëdha do të paguajnë anëtarët dhe më pas krerët e qeverisjes vendore, sipas nivelimit të bashkive apo komunave që përfaqësojnë. Në fund të kësaj liste renditen biznesmenët, të cilët duhet të paguajnë 20 mijë lekë të reja në vit. Për deputetët ka një përjashtim, pasi ato do të duhet të paguajnë 6 mijë lekë të reja çdo muaj. Ky sistem “taksash” brenda Partisë Socialiste do të thotë se taksimi progresiv ka nisur zbatimin në këtë parti politike
Balla zgjidhet sekretar i Asamblesë, Xhuvani dhe Hafizi nënkryetarë
Prej ditës së djeshme, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste do të ketë një rregullore të re. Kjo rregullore parashikon gjithashtu dhe ngritjen e një strukture e përbërë nga kryetari i PS, kreu i asamblesë, dy nënkryetarë dhe sekretari i asamblesë. Strukturat do të njihet si presidiumi i Asamblesë Kombëtare. Mbledhjen e djeshme, kryesocialisti propozoi dy kandidatura për pozicionin e nënkryetarit të asamblesë, Irena Kallco dhe Mimoza Hafizin. Pas këtij propozimi, Kallço është dorëhequr. Pas këtij largimi është propozuar deputetja e Qarkut të Vlorës, Luiza Xhuvani. Dy socialistet Hafizi dhe Xhuvani kanë marrë mbështetjen e asamblesë për t’u vendosur në detyrën e nënkryetares së Asamblesë Kombëtare. Një tjetër propozim është bërë edhe për sekretarin e kësaj asamblesë, i cili është zgjedhur në unanimitet deputeti i Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla.
Prioritet ku do të orientohen strukturat e PS
• Riafirmimit të Programit të Ri politik të PSSH-së përmes bashkëbisedimit të gjerë me komunitetet përkatëse dhe grupet e interesit
• Konsolidimin dhe vetëveprimin e strukturave organizative dhe riformatimin e strukturave elektorale te PSSH-së, rifreskimin, zgjerimin dhe kualifikimin e tyre edhe ne funksion te betejave te ardhshme elektorale;
• Forcimin e aksionit tonë opozitar në nivel kombëtar e vendor për të denoncuar pareshtur përball opinionit publik keqqeverisjen e PD-së;
• Angazhimin aktiv politik dhe parlamentar ne funksion te përshpejtimit të realizimit të proceseve integruese te vendit
• Riformatimi e vetëveprimi aktiv i strukturave të rinisë dhe gruas socialiste.
Rama: Anëtarët e asamblesë të vetëdijesohen
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se programi socialist mishëron në letër ndryshimin që ka nevojë sot Shqipëria dhe shoqëria. Në fjalën e mbajtur përpara anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, kryesocialisti nënvizoi se programi ofron ndryshimin që ju duhet sot njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, familjeve që sakrifikojnë dhe torturohen nga njëmijë e një pamundësi, për t’u dhënë një të ardhme të denjë fëmijëve të tyre. “Njerëzit do t’i ftojmë të bashkohen sepse kemi sot një alternativë që është alternativa e tyre, ku ata gjejnë përgjigjet për pyetjet e tyre dhe ku ata janë të ftuar të kontribuojnë që përgjigjet të jenë sa më të plota dhe sa më bindëse. Ne nuk pretendojmë se çdo gjë e shkruar në programin tonë është e përfunduar dhe do të mbetet e tillë deri në fund”, – deklaroi Rama.
Sipas tij, PS pretendon që tezat e këtij programi janë themele mbi të cilat ne mund të shkojmë më tutje duke përpunuar të gjitha përgjigjet për pyetjet që ka sot shoqëria dhe për pikëpyetjet që ka sot Shqipëria, së bashku me të gjithë të tjerët. Nga ana tjetër, ai u kërkoi anëtarëve të asamblesë që jenë “zëdhënës të programit dhe të aspiratave të PS në komunikimin me çdo komunitet, me çdo pjesëz të secilit komunitet, në çdo fshat, deri në fshatin më të largët”. “Të gjithë ata që janë sot të zgjedhur në Asamblenë Kombëtare, përveç deputetëve që janë të zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli dhe që e kanë fare të qartë parasysh këtë që do them sepse kanë kohë që e bëjnë, duhet të vetëdijesohen se prania e tyre në Asamblenë Kombëtare ka të bëjë me domosdoshmërinë që Partia Socialiste të jetë e pranishme në çdo pjesë të territorit të vendit”, – nënvizoi gjatë fjalës së tij, lideri i socialistëve.