Arma e Gardes: Ekspertiza, FBI zbulon vrasesin e Aleks Nikes
Shkruar nga: Trazhgim Sokolaj, Panorama
Postuar më: 5 muaj mė parė
Arma e Gardes: Ekspertiza, FBI zbulon vrasesin e Aleks Nikes
Prokurori amerikan i dorëzon rezultatet e ekspertizës së FBI Ina Ramës në zyrë, pistoleta 9 mm e Gardës qëlloi Aleks Nikën
Prokurori amerikan, Mike Cain, që po asiston hetimet për ngjarjet e 21 janarit në Tiranë, ka zhvilluar dje një takim me proku-roren e Përgjithshme Ina Rama dhe krye-prokurorin e Tiranës, Sokol Malaj.
Takimi i mbajtur në mesditë në Prokurorinë e Përgjithshme, jozyrtarisht mësohet se është mbajtur me qëllim dorëzimin e raportit të ekspertizave të realizuara nga FBI në lidhje me ngjarjet e 21 janarit të një viti më parë. Nga burime jo zyrtare është mësuar se ekzaminimet e kryera në SHBA mbi pesë gëzhoja, kanë gjetur se predha që ka vrarë Aleks Nikën përputhet në një përqindje të caktuar me viaskat e një prej pistoletave të Gardës së Republikës. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një pistoletë 9 mm, ndërsa thuhet se predha ka pasur dëmtime të shumta e të dukshme, të ardhura nga rikosheta në gardhin metalik të Kryeministrisë apo nga kontakti me sipërfaqe të tjera para se të prekte të riun nga Lezha. Dy ditë më parë, prokurori amerikan ka mbërritur në Tiranë së bashku me përgjigjet e ekspertizave të kryera mbi një numër gëzhojash të gjetura në trupin e Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt, ndërsa në ekspertizë në SHBA u përfshinë edhe disa predha të gjetura në trungjet e pemëve përballë Kryeministrisë, si dhe në disa zyra në të njëjtën zonë. Në ekspertizë u përfshi edhe një numër pistoletash të Gardës së Republikës, që u përkisnin efektivave që dyshohej se kishin qëlluar me armë. FBI kreu ekspertim edhe për serverin e Kryeministrisë, në të cilin, sipas këqyrjeve paraprake, ka dalë se janë kryer veprime pas mesnatës së 21 janarit ndërsa gdhinte data 22 janar, para se prokuroria të mbërrinte për ta sekuestruar një ditë pas ngjarjeve te godina e qeverisë.
Hetimet
Dosja e vrasjes së katër personave më 21 janar të vitit të kaluar është ende e hapur në Prokurori. Një gardist, Agim Llupo, mbahet në arrest me burg, pasi ekspertiza e Policisë Shkencore në Tiranë gjeti se arma e tij, MP-5, kishte vrarë Ziver Veizin. Për tre të vrarët e tjerë, Prokuroria nuk arriti të dokumentojë dhe të zbulojë vrasësit. Gëzhojat që u gjetën në trupin e shtetasve Faik Myrtaj dhe Aleks Nika ishin të dëmtuara, siç pretendoi Policia Shkencore shqiptare. Duke qenë se nuk mori përgjigje nga ekzaminimet në Tiranë, Prokuroria i dërgoi gëzhojat, disa armë të Gardës dhe serverin e Kryeministrisë në SHBA. Byroja Federale Amerikane e Hetimit, FBI, mori përsipër kryerjen e ekspertizave të specializuara me mjete të teknologjisë së lartë dhe sipas burimeve konfirmohet se një vrasje e dytë, pas asaj të Ziver Veizit, është përcaktuar se është bërë nga një pistoletë e Gardës së Republikës, me kalibër 9 mm. Ekspertizat e kryera në SHBA do t’i vihen në dispozicion Prokurorisë shqiptare, e cila pas më shumë se një viti nga 21 janari i vitit 2011 do t’i administrojë rezultatet në cilësinë e provave materiale për ngritjen e akuzës ndaj autorëve të vrasjes së qytetarëve pranë Kryeministrisë. Deri tani, veç gardistit Agim Llupo që mbahet në burg për vrasjen e Ziver Veizit, Prokuroria ka ngritur akuzë edhe ndaj shtatë gardistëve të tjerë që akuzohen se kanë kryer veprat penale “tejkalim kompetencash dhe shpërdorim detyre”, pasi nuk ishte provuar se kishin kryer ndonjë vepër tjetër penale.
Prokuroria mori 51 armë të Gardës
Një numër prej 51 automatikësh të Gardës së Republikës janë sekuestruar nga Prokuroria e Tiranës dhe janë dërguar për ekzaminime me qëllim zbulimin e vrasësve të katër qytetarëve. Gjatë hetimeve paraprake ka rezultuar se vdekja e katër shtetasve gjatë demonstratës ka ardhur si rezultat i goditjes me armë zjarri, pasi secili prej tyre ka marrë nga një plumb. Pas sekuestrimit të të gjitha armëve të përdorura nga efektivat e Gardës së Republikës në ditën e demonstratës për ruajtjen e institucionit të Kryeministrisë, ato i janë nënshtruar ekspertimit balistik. Nga 131 gëzhojat e gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9 mm të sekuestruar te Garda e Republikës.
Prokuroria: 5 gardistë qëlluan me armë zjarri
Tirane – Prokuroria e Përgjithshme i filloi hetimet për ngjarjet e 21 janarit menjëherë pas vrasjes së tre personave dhe plagosjes së rëndë të Aleks Nikës në bulevard pranë Kryeministrisë. Vendi i ngjarjes u këqyr që atë natë, por verifikimi vazhdoi edhe të nesërmen. Nga procesverbali i këqyrjes së vendit të ngjarjes, datë 21.01.2011, gjatë të cilit janë fiksuar dhe sekuestruar brenda territorit të Kryeministrisë 131 gëzhoja; procesverbali i këqyrjes së ngjarjes, datë 29.01.2011, ku janë fiksuar se në rrethimin metalik të selisë së Kryeministrisë ka shenja predhash dhe lartësia e tyre nga toka është e ulët, në lartësinë e një njeriu, është administruar libri i planifikimit dhe instruktazhit sipas urdhrit nr.28/1, datë 21.01.2011, të Gardës së Republikës nëpërmjet të cilit provohet se ka qenë grupi i “zjarrit”, i përbërë nga personat nën hetim, Agim Llupo, Agron Malaj, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli dhe Sadik Çela, në vendet që është qëlluar me armë zjarri në drejtim të turmës dhe janë sekuestruar gëzhojat, që nga akti i ekspertimit balistik rezulton se edhe nga arma që ka pasur në përdorim Sadik Çela është qëlluar”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.
Mospërputhja: Misteri i 14 gëzhojave, s‘janë të Gardës
Një numër prej 14 gëzhojash që janë gjetur në vendin e ngjarjes te Kryeministria kanë mbetur “jetime”. Sipas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertimit balistik nr.1022, datë 08.02.2011, rezulton se: Nga 131 gëzhojat e gjetura në vendngjarje, brenda rrethimit të Kryeministrisë dhe kryesisht në pozicionet ku ishin vendosur rojet e Gardës së Republikës, 117 prej tyre janë qitur nga 51 automatikë 9 mm, të sekuestruar te Garda e Republikës. Pikërisht, një numër prej 14 gëzhojash nuk janë përputhur me armët e Gardës së Republikës.
Nishani: Më 21 janar policia zbatoi ligjin
TIRANE – Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ishte dje i pranishëm gjatë prezantimit të analizës vjetore të Policisë së Shtetit. Nishani vlerësoi si në përputhje me ligjin mënyrën e veprimit të policisë më 21 janar 2011. Ministri i Brendshëm vlerësoi arritjet e forcave të Policisë e njëkohësisht kërkoi një vëmendje më të veçantë për goditjen e krimeve ekonomike e financiare. Ndërsa gjatë fjalës së tij përgëzoi Policinë e Shtetit për performancën dhe realizimin e detyrave gjatë protestës së 21 janarit. “Viti 2011 ishte një vit që ofroi gjithashtu një sfidë për Policinë e Shtetit dhe strukturën e saj në standardin e funksionimit dhe ekzistencës së rendit publik. Ngjarjet e 21 janarit të vitit të kaluar, kur u sulmuan në mënyrë të dhunshme institucionet e shtetit, jo vetëm treguan performancën profesionale të Policisë në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të institucioneve, në mbrojtje të dinjitetit të shtetit, por edhe të realizimit të detyrës përmes një niveli të lartë profesional.
“Zbardhja 21 janarit, drejtësia të mos vonojë”
Ambasadorja e britanike deklaron se ngjarja ishte një ndodhi e trishtuar
Mcllwham: Autoritetet shqiptare të bashkëpunojnë me prokurorët
Në prag të njëvjetorit të ngjarjeve të 21 janarit, një tjetër apel vjen nga diplomatët për një hetim profesional dhe dhënien e drejtësisë. Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mcllwham, deklaroi dje se ngjarja e vitit të shkuar ishte një ndodhi e trishtuar për Shqipërinë. “Ne prag të përvjetorit të protestës së 21 janarit, mendimet tona janë me familjet e atyre që u vranë. Fillimi i vitit të kaluar ishte një moment shumë i trishtuar për Shqipërinë dhe për demokracinë në Shqipëri. Siç e kanë deklaruar edhe miqtë ndërkombëtarë, është shumë e rëndësishme, sidomos për familjet, që të jepet drejtësi”, theksoi Mcllwham. Ambasadorja kërkoi nga organi i akuzës që të kryejë një hetim profesional dhe të besueshëm, gjithashtu dhe një bashkëpunim të të gjitha institucioneve të vendit. “Janarin e kaluar, ministri ynë për Europën, David Lidington, bëri thirrje për një hetim penal të plotë, të pavarur, të ngjarjeve në Tiranë. Ky hetim vazhdon.
Një proces i besueshëm do të marrë kohë, por ai nuk duhet – me të vërtetë, nuk duhet të vonohet. Ne u bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar plotësisht me prokurorët për hetimin”, pohoi ajo. Sipas ambasadores Mcllwham, “në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi mësuar gjatë një procesi të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm të zhvillimit demokratik – se drejtësia kërkon institucione profesionale të paanshme, të cilat besohen nga publiku se po veprojnë me paanshmëri dhe ndiqen me kujdes nga media për t’u siguruar se janë të drejtë”. Ambasadorja Mcllwham e cilësoi zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit si një mundësi për të eliminuar fenomenin e mosndëshkimit.