Videoja e transmetuar mbrëmë, egzistenca e të cilës është përmendur disa herë, tregon një takim mes ministrit Prifti dhe zv.ministrit Beqiraj, ku ky i fundit nxjerr nga çanta një sasi lekësh. Zëri në video nuk dëgjohet. Shihet një person, (Beqiraj) që nxjerr një sasi lekësh nga çanta, i numëron mbi tavolinë dhe i fut prapë në çantë një sasi. Videoja është xhiruar në shtëpinë e Priftit.
Avokati i Metës, Braho tha se zëri nuk dëgjohet sepse është cilësi e dobët. Por në emission ka ndërhyrë me SMS, vetë Prifti i cili ka kërkuar që videoja të transmetohej me zë, duke thënë që megjithëse po ndodhte një gjë e paligjshme, sepse ajo video është shpallur zero nga gjykata, le të transmetohej vidoja me zë sepse zëri është cilësor.
Pjesa e zërit në video me sa duket lidhet me faktin që në këtë video-përgjim të ri përmendet sërish emri i kreut të LSI-së Meta. Kur moderatori i emisionit ka kërkuar nga Braho një koment lidhur me këtë, avokati Braho është shprehur se ka një “shpirtbardhësi nga ana e Priftit, që i thotë këtij, çoj pjesën edhe Metës”. Braho ka folur gjatë gjithë emisionit për materialet e çantës së zezë që mbante te këmbët duke përmendur edhe takime të krerëve socialistë jashtë vendit, etj.
Moderatori Fevziu lexoi më pas dy mesazhe që kishin ardhur ne celularin e tij. I pari ishte i Priftit, ku thuhej: “Blendi do të ishte mirë të jepej me zë kjo video sepse dëgjohet mirë dhe dikush ja ka ul zërin me qëllim. Video e plotë është 45 minuta E kam regjistruar unë dhe të garantoj që s’ka asnjë sekondë korrupsion. Marrëdhënia është private , s’ka asnjë lidhje me detyrën shtetërore. Do të doja shumë të isha dhe unë në studio për të sqaruar gjërat. Prokuroria ka 13 muaj që heton, Spartaku tha që janë pyetur 400 persona më shumë se për tragjedinë e Gërdecit.
Unë kam dhënë pëlqimin tim për shtyrjet e hetimeve sa herë është kërkuar. Siç e dini Gjykata e Lartë që ju treguat e ka shpallur që nuk ekziston sepse është siguruar në mënyrë të paligjshme. Pavarësisht se gjykata e ka shpallur zero këtë video, unë nuk kam kërkuar ndalimin e hetimeve, sepse dua të dali e vërteta. Kishe zgjedhur panel të njëanshëm sot. Gjokutaj foli kundër klientit të tij dhe si avokat duhet t’i hiqej licenca. Transmetimi i videos ka shkelur sekretin e hetimit.
Megjithatë bëtë mirë se më liruat nga një akuzë publikisht. Të lutem lexoje të plotë”.
Në studio ka reaguar edhe Beqiraj, i cili kërkoi të ballafaqohej me Spartak Brahon, duke deklaruar se videoja shfaq një marrëdhënie
private në një ambjent privat. Pas këtij mesazhi ka reaguar në studio Braho, duke rrahur me pëllëmbë sërish çantën e zezë që mbante te këmbët dhe duke thënë që të dy le të vinin të ballafaqoheshin “me videon dhe me këto që kam në çantë”. Në panel ishin të ftuar
edhe Preç Zogaj, Eduard Zaloshnja, Artur Çani etj.
Tirana mbushet me thashetheme për videopërgjime
Media afër qeverisë kanë folur dje për mbi ekzistencën e “170 orëve përgjime të personaliteteve”, madje edhe “video erotike”, siç shkruante dje një e përditshme. Artikujt vijnë një ditë pasi kreu i LSI-së foli për video të tjera, të cilat “nuk i kam unë, por avokati Braho”, – siç u shpreh z. Meta. Blogje online të informimit shkruanin mbrëmë se përgjimet në fjalë janë regjistrime të policisë në disa restorante të kryeqytetit dhe biseda telefonike të përgjuara pa mandat. Përgjimet janë biseda në audio, që janë realizuar më së paku në tri restorante të njohura të kryeqytetit, si dhe përgjime telefonike të disa gazetarëve në mënyrë të paligjshme.
Bisedat e përgjuara janë në tërësi komente rreth videos së shfaqur, dhe ecurisë së procesit gjyqësor Meta. Janë po ashtu “në qarkullim” edhe videot e gjetura në kompjuterin e Priftit, të cilin e morën 3 ekspertët në mirëbesim nga prokuroria. Pritet të saktësohet, nëse këto përgjime përmbajnë diçka sensitive, por nga ana tjetër ato janë një tregues i përfshirjes së pushtetit në një veprimtari të paligjshme kundër privatësisë së qytetarëve. Deri në këto momente, ato po përdoren vetëm për një fushatë thashethemesh.











