Rusmali perze Spahiun nenkryetari i KLD Do e coj ne Kushtetuese

Rusmali perze Spahiun, nenkryetari i KLD: Do e coj ne Kushtetuese
Kreu i Komisionit: Punonjësit e sigurisë ta nxjerrin jashtë. Spahiu: Harrojeni dorëheqjen

Komisioni i Ligjeve përzë nga mbledhja nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Kjo ka ndodhur në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, ku ishte parashikuar të diskutohej hartimi i një raporti për në seancë parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Spahiut. Në fund të mbledhjes, vetëm me votat e maxhorancës, i është rekomanduar seancës plenare ngritja e komisionit. Nga ana e saj opozita la tavolinën e mbledhjes gjatë kohës që propozimi u hodh për votim. Sipas Rregullores së Kuvendit, në seancën e djeshme ishte ftuar të merrte pjesë edhe vetë nënkryetari i KLD-së, për të dhënë qëndrimin e tij sa i përkiste ligjshmërisë së ngritjes së këtij komisioni. Në fjalën e tij Spahiu tha se ishte njoftuar të hënën në orën 16:00, në kushtet e emergjencës për mbledhjen e djeshme. “Sipas këtij pretendimi, kjo kërkesë është e mbështetur në nenin 147/1 të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese etj. Së pari, dua t’i bëj me dije Komisionit të Ligjeve se në Kushtetutë, në asnjë rast nuk parashikohet shkarkimi i zv.kryetarit të KLD-së, por edhe i anëtarit të KLD-së.

Në nenet e Kushtetutës parashikohet shkarkimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve shqiptare”, u shpreh Spahiu. Kaq ka mjaftuar që kreu i Komisionit, Ilir Rusmali, t’i ndërpresë fjalën dhe t’i kërkojë që të përmbahet në rendin e ditës. Në debat ka ndërhyrë edhe nënkryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili ka kërkuar që Spahiu të lejohet të mbajë fjalën e tij. Tentativa e dytë e nënkryetarit të KLD-së për të marrë fjalën zgjati vetëm pak sekonda, pasi ai i vuri kusht Rusmalit që të mos e ndërpriste. Kreu i Komisionit të Ligjeve e përzuri nga mbledhja, madje duke kërkuar edhe ndihmën e punonjësve të Gardës. Spahiu u largua nga mbledhja duke deklaruar se nuk do të pranonte presionet e maxhorancës.

Gjatë diskutimeve, Fatmir Xhafaj e akuzoi maxhorancën se ka vënë në pikëpyetje moralin e saj politik. “Deri dje njërën e quanit Silvia Konti, sot e quani lavire bulevardi, deri dje e quanit personalitet të shquar të politikës dhe të PD-së, sot e quani horr bulevardi. Dje ky ishte Nik Spahiu, luftëtari i madh i antikorrupsionit, pastaj u bë Kreshnik Spahiu, jurist i shquar që drejton Drejtësinë shqiptare dhe sot është sharlatani, faqeziu i Kryeministrit tuaj”, tha Xhafaj. Ndërsa Rusmali u përgjigj duke thënë: “Në mbrojtje të nenit të Kuvendit, harrojini reminishencat nga e kaluara. Është koha që ne të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit. Mbrojtja e dinjitetit të Kuvendit na e bën të domosdoshme që ne ta miratojmë ngritjen e komisionit hetimor në unanimitet”.

Debati te Komisioni i Ligjeve

Ilir Rusmali: Çështja tjetër e rendit të ditës është shqyrtimi i kërkesës për nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të zv.kryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Ju lutem, thirreni zotin Spahiu të paraqitet këtu.

Kreshnik Spahiu hyn në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe zë vend ku qëndrojnë përfaqësuesit e qeverisë kur prezantojnë projektligjet.

Relator për këtë çështje ne kemi zotin Gumi. Kërkesa e deputetëve është paraqitur dhe është në dorën tuaj. Komisioni i Ligjeve nuk bën hetim, por merr në shqyrtim proceduralisht kërkesën e paraqitur. Hetimet i bën një komision hetimor, i cili nuk është ngritur akoma. Unë ia kam nisur Kreshnik Spahiut këtë shkresë. Zoti Spahiu dëshiron të shprehet sipas kësaj procedure dhe është sot prezent këtu me ne. Unë e falënderoj zotin Spahiu për prezencën dhe për mundësinë që do të na japë për të dëgjuar rreth këtij aspekti të procedurës së brendshme parlamentare. Do të sugjeroja që ne fillimisht të nisnim me relacionin e zotit Gumi.

Viktor Gumi: Kërkesa është paraqitur me shkrim nga 33 deputetë. Në të pasqyrohen në mënyrë të detajuar shkaqet dhe arsyet që në vlerësimin e nismëtarëve përbëjnë të dhëna paraprake të mjaftueshme që duhet të investojnë Kuvendin e Shqipërisë për të hetuar dhe për të marrë vendimin përkatës të shkarkimit nga detyra për shkak të sjelljeve dhe akteve që diskreditojnë rëndë pozitën e një funksionari kushtetues, në rastin konkret të zotit Kreshnik Spahiu. Në kërkesën e nismëtarëve nuk kërkohet mbarimi i mandatit të zotit Spahiu, por shkarkimin nga detyra të funksionarit si funksionar kushtetues i zgjedhur nga Kuvendi. Komisioni i Ligjeve duhet t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së grupit të deputetëve nismëtarë dhe sipas nenit 114, pika 2 e Rregullores së Kuvendit, të propozojë për në seancë plenare miratimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor për shqyrtimit të kërkesës për shkarkimin e Kreshnik Spahiut.

Ilir Rusmali:
Unë do të propozoj të dëgjojmë në këtë pikë zotin Spahiu dhe pastaj të kalojmë në diskutimet tona. Zoti Spahiu, lidhur me këtë pjesë të procedurës, çfarë keni për të thënë?

Kreshnik Spahiu:
Dje në orën 16:00 jam njohur, në kushtet e emergjencës, në të cilat, me sa duket ndodhej Kuvendi i Shqipërisë, për t’u thirrur sot që me mëngjes në Komisionin e Ligjeve në lidhje me kërkesën e 28 deputetëve, me objekt nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të zv.kryetarit të KLD-së me argumentimin se zv.kryetari ka kryer sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe postin e lartë kushtetues të zv.kryetarit të KLD-së nëpërmjet veprimtarisë dhe angazhimeve politike. Sipas këtij pretendimi, kjo kërkesë është e mbështetur në nenin 147/1 të Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese etj. Së pari, dua t’i bëj me dije Komisionit të Ligjeve se në Kushtetutë në asnjë rast nuk parashikohet shkarkimi i zv.kryetarit të KLD-së, por edhe i anëtarit të KLD-së. Në nenet e Kushtetutës parashikohet shkarkimi i të gjithë drejtuesve të institucioneve shqiptare.

Rusmali i pret fjalën Spahiut.

Rusmali: Zoti Spahiu, ju lutem.

Kreshnik Spahiu: Mos më ndërprisni fjalën.

Spahiu tenton të marrë sërish fjalën, duke ndezur mikrofonin, por atë ia fik kryetari i Komisionit.

Më keni thirrur këtu.

Ilir Rusmali:
Mbledhjet e këtij komisioni i drejtoj unë, mbledhjet e komisionit tat nuk di kush i drejton, por, me sa duket, nuk njohke rregullat që të lejoka që të sillesh me harbutëri në forume. Nuk të lejohet që të dalësh jashtë rendit të ditës në një mbledhje që ka rend dite të përcaktuar. Ta shpjegoj dhe pse nuk të lejohet. Në qoftë se ti del jashtë rendit të ditës, të gjithë anëtarët e këtij komisioni kanë të drejtë të dalin jashtë rendit të ditës dhe të të bëjnë gjyqin ty. Kjo seancë nuk është për të të bërë gjyqin ty. Kjo seancë është procedurale, prandaj, të lutem shumë, të kam shkruar në letër që ti nuk futesh në këtë seancë në substancën e gjësë. Kam shumë për të thënë unë për substancën e gjësë, por mbaj gojën mbyllur se respektoj rregullat dhe forumet. Ti në këtë seancë flet vetëm për procedurën e gjësë dhe në qoftë se flet për procedurën e gjësë, je i mirëpritur dhe i respektuar; nëse ti kalon në substancën e gjësë, unë po fiksoj në procesverbalin e mbledhjes së këtij komisioni vërejtjen e parë që unë si kryetar ju jap juve këtu. Nuk është se kam shumë mundësi për t’u dhënë shumë vërejte. Kam shumë pak mundësi sipas Rregullores dhe ju lutem shumë mos i ezauroni këto pak mundësi në fillim të kësaj mbledhjeje. Prandaj mos dilni nga rendi i ditës, përqendrohuni te pjesa procedurale. Do të kesh mundësi pa fund kur të ngrihet komisioni hetimor të thuash argumentet e tua dhe njerëzit që do të dëgjojnë të rrahin opinionet rreth argumenteve tuaja. Ky komision nuk flet dot për substancën, e ka të ndaluar. Prandaj mos na fol për substancën, na fol për procedurën.
Fatmir Xhafaj: Dua të bëj një vërejtje ndaj jush. Si të hyjë në substancë zoti Spahiu? Ky komision as bën, as i lejohet të bëjë gjyq.

Ilir Rusmali: Pikërisht këtë po them.

Fatmir Xhafaj: Ky komision, edhe për substancën nuk mund të bëjë gjyqe, se nuk mund të jetë komision gjyqesh, kryetar.
Ilir Rusmali: Këtë sapo thashë.

Fatmir Xhafaj: Mos më ndërhy mua, mbylle mikrofonin që të flas unë. Se çfarë keni ju me të, është një çështja juaj, por ne këtu jemi si opozitë thjesht dhe vetëm për ta dëgjuar procesin, për ta dëgjuar edhe personin që keni thirrur ju këtu, pavarësisht se çfarë mendojmë ne edhe për qasjen tuaj, edhe për institucionin ku bën pjesë zoti Spahiu. Kjo është një çështje që ne do ta themi sot dhe ditët në vijim. Ne kemi detyrimin t’i japim mundësinë zotërisë në cilësinë e personit që është thirrur në këtë komision, të shprehet. Këtë nuk ia heqim ne. Ne le ta dëgjojmë me durim, ai mund të mos flasë atë që na intereson dhe i përket këtij komisioni, kjo nuk është në të mirën e tij. Ky komision le të thotë që ai nuk na tha atë që duhet.

Ilir Rusmali: Zoti Spahiu do të koncentrohet te çështja procedurale. Në qoftë se ka konferencë shtypi, ta japë jashtë ambienteve të këtij Kuvendi. Kjo seancë komisioni nuk mund të shndërrohet në konferencë shtypi, sepse del jashtë rendit të ditës. Prandaj, zoti Spahiu, përtej debateve, koncentrohuni te rendi i ditës dhe mos devijoni më.

Kreshnik Spahiu: Po, vetëm me dy kushte. E para, të mos e vendosësh Komisionin e Ligjeve në kushtet e presionit dhe mua në seancën dëgjimore të më ushtrosh presion.

Ilir Rusmali: Ore, nuk më vë ti kushte mua.

Kreshnik Spahiu: Mos më hiq mikrofonin. Më ke thirrur këtu të flas.

Ilir Rusmali: Të nderuar kolegë, pesë minuta pushim derisa të largohet pak zoti Spahiu. Largohu! Ju lutem, punonjësit e shërbimit të sigurisë ta nxjerrin jashtë zotin Spahiu.

Shega Ligori: Po nuk është serioze kjo.

Kreshnik Spahiu: Keni një vit që ushtroni presion.

Spahiu ngrihet nga tavolina e mbledhjeve të Komisionit të Ligjeve dhe largohet duke replikuar me Rusmalin.

Ilir Rusmali:
Ik! Ik! Ik, largohu!

Gent Strazimiri:
Përjashta!

Kreshnik Spahiu: Keni një vit që ushtroni presion, por nuk më hiqni dot dhe harrojeni se me presion nuk jua jap dorëheqjen.

Ilir Rusmali: Meqenëse zotëria u largua, ne mund të vazhdojmë diskutimin tonë. Meqenëse në ato pak minuta që shfrytëzoi zoti Spahiu u përpoq të na thoshte që Kuvendi në kushte emergjence…

Bashkim Fino: Po çfarë tha ai? Nuk tha asgjë.

Deputetët e PS kundërshtojnë në kor kryetarin Rusmali.

Vasilika Hysi: Ai po shpjegonte Kushtetutën. Ai tha se me nenin 145 nuk ndodh asgjë.

Ilir Rusmali: Ore, tek ata një milion anëtarët e partisë së vet, juve individualisht mos jeni bërë deputetë të tij këtu? Meqenëse zotëria pretendoi se kryetari i Komisionit, në kushte urgjence dhe jashtë orarit zyrtar i ka çuar njoftimin, unë jam i detyruar ta korrigjoj këtë, sepse është dinjiteti yt dhe i imi që cenohet. Dje në mëngjes, në përputhje me vendimin e Kuvendit, kryetari i Komisionit të Ligjeve ka bërë përpjekje, mos u habisni, titanike, për të njoftuar zotin Spahiu, për t’i akorduar të drejtën e tij.

Shega Ligori: Mund ta shpjegoje këtë.

Sajmir Tahiri: Po lëre tani, ty do të të dëgjojmë tani.

Ilir Rusmali: Përpjekje titanike për ta njoftuar zotin Spahiu, i cili nuk ndodhej në punë në ditën e parë të javës së punës.

Shega Ligori: Po pse mo, ju do e kontrolloni?

Ilir Rusmali: Ndodhej në një aktivitet politik të një organizate politike.

Sajmir Tahiri: Shko thuaje në komision hetimor këtë. Nuk na duhet ne kjo.

Ilir Rusmali: Çuditërisht, përveç tij, në punë nuk ndodhej asnjë njeri i stafit të administratës të KLD-së. Habi e madhe, më është dashur të merrem vetë personalisht me orë të tëra për të dorëzuar njoftimin te një njeri i stafit të zotit Spahiu. Kemi marrë sekretaren e shkretë në shtëpi për t’i dorëzuar njoftimin. Do të thotë jo pas orës 4. Diku nga mesdita, me zor të madh mundëm që të gjenim një njeri nga stafi që të mund t’i dorëzonim njoftimin. Kjo për sqarimin për pjesën e shpifjes që zotëria tha.

Armando Subashi: Thelbi është ky, a është kushtetuese kjo kërkesë, apo jo? Kaq do diskutojmë ne sot.

Sajmir Tahiri: Nuk do të të dëgjojmë ty atë që tha Saliu në Grup. Na thuaj atë që do të thuash për procedurë dhe mbylle këtë mbledhje. E dëgjuam Saliun te mbledhja e Grupit, leje tani me teori. Ke dhjetë herë që flet, është abuzim.

Ilir Rusmali: Nuk kam 10 herë që flas, mos u bëni nervoz.

Ermonela Felaj: Diskutimin tënd? Merre mikrofonin në shtëpi dhe fol.

Ilir Rusmali: Kjo procedurë që ka nisur është mbrojtje e dinjitetit institucional.

Sajmir Tahiri: Nuk kemi më nevojë për komision hetimor, na i the të gjitha.

Fatos Hoxha:
A do bëni zhurmuesin, apo çfarë? Merre fjalën dhe fol.

Ilir Rusmali:
Në mbrojtje të nenit të Kuvendit harrojini reminishencat nga e kaluara. Është koha që ne të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit. Mbrojtja e dinjitetit të Kuvendit na e bën të domosdoshme që ne ta miratojmë ngritjen e komisionit hetimor në unanimitet.

Fatmir Xhafaj: Deshët apo nuk deshët ju, i hytë thelbit të çështjes dhe jo procedurës. Ajo që ndodhi këtu ishte e shëmtuar përtej gjykimit për substancën e çështjes. Ne kemi pasur kohën e pamjaftueshme për të lexuar, për të arsyetuar lidhur me këtë vendimmarrje të rëndësishme. Jeni njoftuar dje pasdite dhe sot na është vënë në tavolinë. Kjo është kronika e një ngjarjeje të paralajmëruar për ju, për ne është një njohje e re. Ju nuk mund ta trajtoni opozitën në Komision dhe në Kuvend si pjesë të repartit tuaj ushtarak. Ju keni një qasje ushtarake brenda repartit tuaj politik, kjo është çështja juaj, dhe jo e jona. Ju s’mund të na detyroni të bëhemi pjesë e repartit tuaj. Ju jeni të kompleksuar nga kjo histori edhe nga marrëdhënia me Kreshnik Spahiun, për shumë arsye që për etikë dhe edukatë nuk po them sot këtu. Kjo është çështja juaj dhe jo e opozitës. Nuk e kemi zgjedhur ne Kreshnik Spahiun për anëtar të KLD-së, e keni zgjedhur ju. E gjithë kjo histori është tregues i qartë i moralit tuaj politik dhe ju keni vënë në pikëpyetje moralin e forcës suaj politike, të lidershipit tuaj, të Kryeministrit tuaj.

Fatos Hoxha:
Fol për procedurë.

Fatmir Xhafaj:
Për procedurë po flas.

Fatos Hoxha:
Keni 10 minuta me moralin tonë politik, po lëre tani.

Shega Ligori:
Ju ka vdekur morali.

Fatmir Xhafaj: Deri dje njërën e quanit Silvia Konti, sot e quani lavire bulevardi. Deri dje e quanit personalitet të shquar të politikës dhe PD-së, sot e quani horr bulevardi. Dje ky ishte Nik Spahiu, luftëtari i madh i antikorrupsionit, pastaj u bë Kreshnik Spahiu, jurist i shquar që drejton Drejtësinë shqiptare dhe sot është sharlatani, faqeziu i Kryeministrit tuaj. Kjo është metamorfoza e sjelljes dhe qasjes suaj politike. Prandaj ky është një proces që në thelb i mungon moralit politik. Kjo çështje nuk inspirohet nga qëllime të mira. Ju po kërkoni të prisni kokën e Kreshnik Spahiut, jo të rregulloni problemin. Ne do të ishim sot këtu nëse ju do kërkonit të identifikonit gjendjen e rëndë ku ndodhet sistemi i drejtësisë, KLD, të cilin e keni kthyer në vendimmarrësin e pensionit të Sashenkës. E keni kthyer ju, jo ne. Për këtë ne nuk mund të jemi pjesë e kësaj farse, nuk mund të jemi pjesë e interesave të sotme dhe të nesërme politike. Ajo që ju kompenson është e djeshmja e Kreshnik Spahiut, e sotmja e tij dhe e nesërmja e Kreshnik Spahiut. Për të gjitha këto arsye ne nuk do të jemi pjesë e këtij komisioni hetimor.

Dashamir Peza: Ndihem shumë i fyer për mënyrën se si u zhvillua kjo mbledhje. Ju i ndërpretë fjalën personit që kish ardhur këtu, që është përfaqësues i një organi kushtetues me pretendimin se po dilte nga çështja e procedurës. I gjithë diskutimi juaj ishte jashtë procedurës. Unë sot, në emër të dinjitetit personal, më mirë të mos kishit ftuar në këto mbledhje. Unë nuk kam qejf të shohim një shfaqje se si kuçedra ha bijtë e vet. Në qoftë se ju e kishit vendosur të bënit një veprim të tillë, mos na kishit ftuar, e kishit bërë vetë dhe do ishim shumë të kënaqur.

Ilir Rusmali: Edhe unë do isha nervozuar po të më thoshte dikush të të shpjegoj se çfarë ke thënë, siç më thatë ju tani. Ju nuk mund të më shpjegoni mua atë që sapo thashë. Megjithatë, toleranca mes kolegëve e lejon një gjë të tillë. Nuk shpjegova fjalët e asnjërit, shpjegova një gjë që s’kish mundësi njeri ta dinte, procedurën që ne kemi ndjekur për njoftimin sepse u përballa sot në mënyrë të çuditshme me një pretendim që njoftimi është depozituar te institucioni përkatës jashtë orarit zyrtar dhe me urgjencë. Po jua them edhe më shumë se kaq. E kemi çuar me faks pasi çelëm faksin e institucionit, se ishte i fikur.
Sajmir Tahiri: Po ç’na duhet ne kjo, mor burrë?
Ilir Rusmali: E kemi çuar me telefon pasi gjetëm numrat e telefonave.
Sajmir Tahiri: Po me pëllumb e çove?
Ilir Rusmali: E kemi çuar me korrier dhe priste pas derës. E kemi çuar dhe me media, që të mos pretendonte se s’kishte ardhur. Deri këtu kemi shkuar ne për të njoftuar zotërinë.  E konsideroj këtë vendim të miratuar me shumicë votash.

Deputetët e PD duartrokasin për miratimin e vendimit. Deputetët e PS ngrihen nga tavolina e mbledhjes.

Ilir Rusmali:
Zoti Fino!

Bashkim Fino:
Urdhëro, vlla.

Ilir Rusmali
: Ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, ne kemi mbledhje edhe nesër.

Bashkim Fino
: Kush e ka radhën nesër?

Fatos Hoxha:
Nuk po silleni si rilindës, Bashkim.

Bashkim Fino:
Ja të shkarkojmë këtë dhe flasim.

Gent Strazimiri:
Nesër kemi Kaçin.

Deputetët që kanë firmosur kërkesën
Gent Strazimiri
Arenca Trashani
Astrit Bushati
Ramiz Çobaj
Ndue Paluca
Ledina Aliolli
Rajmonda Bulku
Kreshnik Çipi
Gerti Bogdani
smail Hoxha
Mark Marku
Flamur Noka
Mesila Doda
Lajla Përnaska
Osman Metalla
Igli Cara
Adriana Gjonaj
Selami Xhepa
Rrahim Çota
Besnik Dushaj
Fatbardh Kadilli
Aurel Bylykbashi
Kosta Barka
Luan Skuqi
Ilir Bano
Ylli Lama
Bedri Hoxha
Gjergji Papa
Paulina Hoti
Florjon Mima
Rajmond Hoxha
Sybi Hida
Enkelejd Alibeaj

Spahiu: Komisioni në Kushtetuese

Kreshnik Spahiu: Kultivimi i nacionalizmit është detyrë e çdo titullari shtetëror

Nënkryetari i KLD: Rusmali ka frikë nga argumentet

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e komisionit hetimor të ngritur për shkarkimin e tij nga detyra. Deklarata e Spahiut erdhi vetëm pak orë pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi kërkesën e maxhorancës për të nisur procedurën e shkarkimit të tij nga pozicioni i nënkryetarit të KLD-së. “Unë prej ditës së sotme do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë zyrtare për të vlerësuar kushtetutshmërinë e komisionit, që propozohet të ngrihet për shkarkimin tim, i cili sigurisht me arrogancë do të bëjë të pamundurën për t’ia arritur qëllimit, duke shkelur, përdhosur dhe denigruar rëndë imazhin e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve, duke rrënuar dhe futur në llogoret e kontrollit të pushtetit qendror sistemin e Drejtësisë, duke bërë, si rëndomë jemi mësuar të shohim, rolin e të fortit me themelet e shtetit të së drejtës”, u shpreh Spahiu në një dalje para mediave, në ambientet e KLD-së. Sipas Spahiut, në një shtet në të cilin qeveria është në luftë më të gjitha institucionet, arma e vetme për ta luftuar për momentin është Gjykata Kushtetuese, si arbitri për të ndalur këtë arbitraritet të egër dhe primitiv nga pushteti legjislativ.

“Më dëbuan nga mbledhja”

Gjatë deklaratës, Spahiu e cilësoi si “të rëndë dhe të paprecedentë” në historinë e parlamentarizmit dhe drejtësisë episodin e nxjerrjes së tij nga salla e Komisionit të Ligjeve. Duke “drejtuar gishtin” mbi kryetarin e komisionit, Spahiu u shpreh se në komision iu mohua e drejta e fjalës dhe e argumentimit të tij kundër kërkesës së 33 deputetëve të maxhorancës për shkarkimin e tij nga KLD. Sipas tij, ndërprerja e fjalës kishte për qëllim shantazhimin për të mos paraqitur argumentet. “Sapo nisa të mbaja fjalën time, kreu i komisionit më ndërpreu, duke ushtuar presion të hapur me qëllim shantazhimin e personit tim, që unë të mos argumentoja apo relatoja sa i përket kërkesës së 33 deputeteve të maxhorancës parlamentare për shkarkimin nga detyra, që unë prej më shumë se katër vitesh ushtroj”, tha Spahiu. Sipas tij, ata kanë frikë nga e vërteta dhe për këto arsye i shmangen debatit dhe vetëm shajnë e denigrojnë, ata kanë humbur gjithçka dhe kanë frikë nga e nesërmja. “Arroganca politike e përdorur, jo ndaj meje, por ndaj një titullari të lartë të shtetit shqiptar, ishte evidente, deri në anomali logjike ku u thirrën rojet e sigurisë për të nxjerrë përjashta zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kjo sigurisht është një ngjarje shumë e rëndë dhe e paprecedentë në historinë e parlamentarizmit dhe të drejtësisë, e cila tashmë ndodhet në udhëkryqin më të madh, nën presionin dhe sulmin më frontal se kurrë më parë”, deklaroi nënkryetari i KLD-së.

Mospjesëmarrje

Spahiu deklaroi dje se nuk do të marrë më pjesë në punimet e komisionit hetimor. “Vendosa të distancohem nga këto nisma të dhunshme antiligjore dhe kushtetuese, duke deklaruar përpara jush dhe mbarë opinionit publik se nuk do të marr pjesë kurrë më në punimet e këtij komisioni apo dhe të komisionit hetimor, që do të ngrihet në kushte antiligjore dhe antikushtetuese”, tha Spahiu.

ARGUMENTET E SPAHIUT

1. Në Kushtetutë, në asnjë rast nuk parashikohet shkarkimi i zëvendëskryetarit të KLD-së apo anëtarëve të KLD-së

2. Nenet e Kushtetutës, për të cilat Kuvendi ngre komision hetimor për shkarkimin e zyrtarëve të lartë, në asnjë rast e asnjë nen nuk përmendin zëvendëskryetarin e KLD-së apo anëtarin e KLD-së

3. Shkaku në bazë të të cilit është kërkuar nisja e procedurës së shkarkimit, nuk përbën një shkak të parashikuar në Kushtetutë

4. Për anëtarin e KLD-së parashikohet papajtueshmëri vetëm me ushtrimin e detyrës së prokurorit, anëtarit të partive politike, ushtrimit të avokatisë në gjykatat e Shkallës së Parë e Apelit

5. Mbarimi i mandatit bëhet kur vërtetohet një nga papajtueshmëritë e parashikuara, kjo mbetet një procedurë që duhet vërtetuar vetëm nga KLD-ja

6. Prej një viti, në ushtrimin e detyrës së zëvendëskryetarit të KLD më është dashur të denoncoj disa mijëra vendime gjyqësore, të cilat binin ndesh me parimet kushtetuese për shkak të legjislacionit

7. Është detyrim i çdo drejtuesi institucioni ta përfshijë institucionin në një frymë patriotike

8. Është i paprecedentë në 100 vite të shtetit shqiptar, që për shkak të ndjenjave patriotike të persekutohet titullari i një institucioni

9. Kërkesa e vazhdueshme e Kryeministrit në presion të hapur publik dhe politik ndaj meje është rast i paprecedentë për sistemin parlamentar dhe demokratik.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama