Gjykata e shpall te pafajshem, Meta: Tentuan te me vrisnin me killera
Shkruar nga: Panorama
Postuar më: 5 muaj mė parė
Gjykata e shpall te pafajshem, Meta: Tentuan te me vrisnin me killera
Rrëzohet akuza për korrupsion dhe pretenca e Prokurorisë për dy vjet burg
Trupi gjykues, vendim 5-0
“Fakti nuk provohet se ekziston”. Kjo është fjalia thelbësore e vendimit me të cilin Gjykata e Lartë e deklaroi dje Ilir Metën të pafajshëm për akuzën e korrupsionit.
Ish-zv.kryeministri i hetuar për “korrupsion” pas publikimit të video-përgjimit të Dritan Priftit, u shpall i pafajshëm pas një vendimi unanim të pesë gjyqtarëve të Gjykatës e Lartë. Kolegji Penal që gjykoi ish-zv.krye-ministrin e deklaroi atë të pafajshëm, pasi e vlerësoi si të paprovuar akuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria. Në këtë mënyrë, pas 21 seancash shqyrtimi gjyqësor të nisur në korrik të vitit të kaluar, i pandehuri Meta i mbylli hesapet e tij me Drejtësinë. Vendimi përfundimtar i Gjykatës ishte në pranim të kërkesës së avokatëve të Metës, të cilët në seancën e fundit kërkuan pafajësinë e klientit të tyre. Sipas avokatëve, “fakti i pretenduar nga Prokuroria nuk ekzistonte”. Prokuroria e Përgjithshme i mbështeti akuzat e saj për “korrupsion” ndaj Metës kryesisht në dëshminë e dhënë para gjykatës nga Dritan Prifti. Në dëshminë e tij Prifti pohoi se Meta i bënte presione të vazhdueshme dhe i kishte kërkuar favore të kundërligjshme. Në konkluzionet përfundimtare Prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Metës dhe dënimin e tij me 2 vjet burg e një milion lekë gjobë.
VENDIMI
Thuajse një vit pas publikimit të video-përgjimit që e vuri Metën nën akuzë për “korrupsion”, me një vendim të shprehur vetëm me dispozitiv, Kolegji Penal shpalli qëndrimin e tij unanim, pesë me zero, në deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta. Arsyetimi i vendimit ende nuk është zbardhur, por dihet që vetëm gjyqtari Ardian Dvorani ka pasur një vendim paralel, fakt i pohuar dje gjatë shpalljes së vendimit. Kjo do të thotë që gjyqtari Dvorani është dakord me pafajësinë, por ka një mendim të kundërt me gjyqtarët e tjerë në formën e arsyetimit. “Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të ‘korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë’, e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288, pika 1, shkronja ‘a’ të Kodit të Procedurës Penale”, thuhej në vendim. Në të njëjtin vendim, Gjykata e lartë urdhëronte dorëzimin të provave materiale Prokurorisë, të cilat u shqyrtuan për llogari të gjykimit. “Urdhërohet dorëzimi organit të Prokurorisë të provave materiale vijuese: orë mikrokamer, kabllo USB, lap-top dhe USB”, citohej në diapozitivin e vendimit. Në lidhje me shpenzimet procedurale, pas pafajësisë së të pandehurit në proces, ato iu ngarkuan shtetit. “Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3 592 938 lekë, i ngarkohen shtetit”, thuhej në vendim.
VONESA
Në seancën e parafundit të këtij procesi, Kolegji Penal, pasi deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe tërheqjen në dhomën e këshillimit, caktoi datën 16 janar, ora 13:00, si seancë ku do të shpallej vendimi. Ora 13:00 e ditës së djeshme i gjeti avokatët e Metës dhe prokurorët e çështjes në bankat përkatëse në sallën e gjyqit, si edhe një publik të tejmbushur me përfaqësues të medias apo mbështetës së ish-zv.kryeministrit Meta. Vetë i pandehuri Meta nuk ndodhej në sallë. Njëkohësisht në sallë vihej re edhe prania e vëzhguesve të misioneve të huaja që asistojnë Drejtësinë shqiptare, përfaqësues të Ambasadës Amerikanë, si edhe përfaqësues të OSBE-së. Ndonëse ora e paralajmëruar kaloi, vetëm Kolegji Penal nuk po dukej në sallë. I vetmi informacion, i siguruar jo zyrtarisht, ishte se Kolegji ndodhej në dhomën e këshillimit. Pritja dhe situata në gjendje “pezull” zgjati jo pak, pasi trupi gjykues u fut në sallë vetëm në orën 15:25.
Vendimi i gjykatës së Lartë
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, për çështjen vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë, e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288, pika 1, shkronja “a” të Kodit të Procedurës Penale.
2. Në bazë të nenit 190 të KPP, urdhërohet dorëzimi organit të Prokurorisë të provave materiale vijuese: Orë mikrokamer, kabllo USB, lap-top dhe USB.
3. Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3 592 938 lekë, i ngarkohen shtetit.
Video-përgjimi
Prova më e fortë me të cilën Prokuroria shkoi në Gjykatën e Lartë me dosjen e Ilir Metës, ishte videoja e regjistruar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Kjo video ishte cilësuar e rregullt nga një specialist amerikan, i cili e verifikoi regjistrimin me kërkesë të Prokurorisë në hetimet paraprake. Gjatë shqyrtimit të dosjes në Gjykatën e Lartë, pasi avokatët e Metës kërkuan shqyrtim gjyqësor dhe nuk bënë kërkesa procedurale, gjykata rrëzoi ekspertizën amerikane dhe thirri tre specialistë shqiptarë. Pasi e verifikuan videon, ata e cilësuan atë si joorigjinale dhe me mundësi të mëdha ndërhyrjeje, duke e nxjerrë kështu si provë të pavlefshme.
Meta luajti tenis mëngjesin e vendimit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pothuaj gjatë gjithë paradites së djeshme ishte në zyrat qendrore të LSI-së, nën shoqërinë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Rreth orës 12:30, në seli mbërritën dhe shumë të rinj, anëtarë të forumit rinor të LRI-së, jo vetëm nga Tirana, por dhe nga qytetet e tjera të vendit. Gjatë gjithë kohës që pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë ishin mbledhur dhe pritej të bëhej publik vendimi i marrë, të rinjtë hidhnin thirrje mbështetjeje për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Pas shpalljes së vendimit, situata në selinë e LSI-së u kthye në festive, ndërsa një e nga një nisën të mbërrinin dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së kësaj force politike, që punojnë në dikastere të larta të qeverisë. Kjo situatë u qetësua pas deklaratës së Metës, i cili falënderoi të rinjtë dhe të gjithë anëtarët e LSI-së për mbështetjen e dhënë.
Meta: U tentua eliminimi im fizik me killera
“Prokurorja Ina Rama festoi Krishtlindjet me liderin më të rëndësishëm të opozitës”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha mbrëmë në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu se killera të kontraktuar kanë dashur ta vrasin gjatë verës. Sipas tij, janë po ata persona që inskenuan video-përgjimin, që kanë inskenuar dhe eliminimin fizik të tij.
Duke folur për 21 janarin, Meta tha se agjenci të huaja të inteligjencës kishin paralajmëruar se protesta do të provokonte dhunë dhe terror për të sjellë destabilitet në Shqipëri. Meta akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme se mashtroi Kuvendin, ndërsa videoja ishte sipas tij një inskenim i montuar.
Kur e dinit se Drejtësia do të merrte këtë vendim?
Që ditën e parë kur është transmetuar një video në “Fiks fare” në televizionin kombëtar “Top Channel” dhe kam bërë të qartë se kemi të bëjmë me një montazh dhe kam konfirmuar se gjithë ky mashtrim do përfundojë me turp për të gjithë ata që e inskenuan dhe sponsorizuan. Vendimi për mua ishte i pritshëm që në fillim, por ai u zvarrit në mënyrë të pajustifikuar, madje ka pasur tentativa të papara për t’u shtyrë edhe më tej. Ka qenë një çështje shumë e thjeshtë nga ana ligjore dhe shkencore, por kjo ka ardhur nga motivimi ekstrem politik i Prokurorisë. Por unë jam krenar që pas një viti kam sjellë një standard të ri, i kam shkuar deri në fund një akuze dhe nuk kam kërkuar që çështja të mbyllet nga Gjykata e Lartë për shkelje të procedurave apo të ligjshmërisë nga ana e organit të akuzës.
A keni ndikuar ju te Drejtësia për të ndërhyrë për çështjen?
Pse duhet të ndërhyja unë? Unë kam vajtur vetë te prokurori i çështjes dhe i kam thënë zotëri, është bërë një montazh dhe bëhet fjalë për këtë dhe atë. Mos u pengoni nga imuniteti im, bëni çfarë është e duhur që kjo çështje të zbardhet. Kam vajtur dhe te kryetarja e Parlamentit se kam qenë i hapur dhe i gatshëm të bashkëpunoj me Prokurorinë për këtë çështje. Prokuroria iu shmang këtij bashkëpunimi mbi baza ligjore. Prokuroria ka bashkëpunuar me krimin e organizuar.
Kjo është një akuzë shumë e rëndë zoti Meta nga ju që keni qenë Kryeministër i vendit?
Nuk është aspak e rëndë, pasi në mënyrë të qëllimtë Prokuroria ka zvarritur procesin me kokëfortësi të paparë. Prokuroria ka pasur një urdhër dhe një komandë për këtë çështje. Unë kam qenë shumë i hapur me Prokurorinë që të bashkëpunoj, ndërsa ajo donte të ndërmerrte veprime krejtësisht të paligjshme. Kulmi ishte kur një ditë para mbarimit të fushatës zgjedhore të 8 majit, të enjten, më ftojnë mua në Prokurori që të më komunikonte akuzën për korrupsion, duke mbyllur fushatën me mua dhe në dëm të LSI-së.
Nuk konkurronte Prokuroria në këto zgjedhje zoti Meta?
Konkurronte, si nuk konkurronte. Prokuroria u përdor nga opozita.
Pse e dhatë dorëheqjen zoti Meta?
Unë jam politikan dhe është detyra ime që edhe kur sulmohem padrejtësisht edhe në mënyrë mafioze të sillem si politikan. Që ditën e parë u bë e qartë se kishim të bënim me një montazh, sepse në të implikohej dhe Kryeministri. E dyta, unë dorëheqjen e kam dhënë edhe më parë, dhe e jap kur unë e çmoj të arsyeshme dhe të dobishme, jo vetëm për interesat e mia apo të forcës që unë drejtoj. Arsyeja tjetër ishte se s’kam pasur ndërmend të jepja dorëheqjen dhe pse kisha presione për këtë video gjashtë muaj më parë. Këto presione i ka pasur dhe Kryeministri, të cilin unë vetë e kam njoftuar rreth këtij montazhi. Dorëheqja ime kishte të bënte me një informacion që unë kisha nga burime inteligjente ndërkombëtare…
…Çdo të thotë inteligjente ndërkombëtare, shërbime sekrete të huaja?
S’mund të them zyrtarisht, por burime inteligjente ndërkombëtare, që ky lloj manipulimi do të përdorej për të nxitur dhunë dhe viktima. Që populli i shokuar nga korrupsioni i qeverisë dhe i zv.kryeministrit dhe ka të drejtë të shpërthejë, të mos përmbahet, t’i vërë zjarrin qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë, Kryeministrisë dhe gjithë bulevardit.
Cilat ishin këto burime?
S’duhet të harroni se këto i di dhe Kryeministri. Unë nga selia e LSI-së kam paralajmëruar publikisht 3-4 ditë para 21 janarit se do të ketë sulm ndaj institucioneve, se elementë të inkriminuar janë paguar dhe do të vijnë dhe do të sulmojnë për të krijuar dhunë me mjete të forta Kryeministrinë. Dy ditë para 21 janarit, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, zoti Luan Rama, i ka bërë një letër drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për të eliminuar sa më shumë elementin politizues, duke shprehur atë informacion që ne kishim nga burimet tona për atë që do të ndodhte. Qëllimet e montazhit që u bënë jashtë Shqipërisë, por jo shumë larg, ishin shumë të mëdha sesa aq sa mund të luhej me qejfmbetje ndaj Metës, apo qejfmbetje ndaj Berishës. Jo, qëllimet ishin shumë më të mëdha dhe kishin si objektiv destabilizimin e vendit. Dorëheqja ime synonte të shkarkonte një tension të krijuar dhe në mënyrë të padrejtë e për të evituar ato pasoja që ndodhën.
Ka informacione se ka shumë materiale të tjera, madje thuhet se ka materiale ku është regjistruar dhe bashkëshortja juaj. A keni dijeni për këto materiale?
Unë e kam thënë dhe më parë që çdo qytetar që ka materiale, dokumente, video, audio komprometuese për Ilir Metën që shkel ligjin, për bashkëshorten e Ilir Metës që shkel ligjin, për vajzën më të vogël, Erën, që shkel ligjin, t’i çojë në Prokurori, apo t’i çojë në TV. Por nëse ju, kur them ju, jo ju personalisht, që mund të përçojnë një moral të tillë, me këtë moral në politikën shqiptare dhe në shoqërinë shqiptare që unë vij në shtëpinë tënde dhe të përgjoj, që ti vjen në shtëpinë time dhe më përgjon, që unë vij në zyrën tënde dhe më përgjon, që ti vjen në zyrën time dhe më përgjon, nëse jemi dakord me këtë moral, që është kthyer në fenomen, që përgjojmë njëri-tjetrin dhe bëjmë shantazhe, të jeni të sigurt që ne moralin e kësaj shoqërie e kemi shumëzuar me zero. Moralin e ligjit dhe të institucioneve e kemi shumëzuar me zero. Kushdo që ka materiale komprometuese ndaj bashkëshortes sime t’i çojë në Prokurori. Të jeni të sigurt ju zoti Fevziu se gruan time, nëse ka shkelur ligjin, nuk do ta hedh nga ballkoni, nuk do t’i them as vdeksh, absolutisht, por të shkojë para Drejtësisë, të shkojë dhe në burg, sepse është nëna e tre fëmijëve të mi. Qëndrimi im është parimor dhe është i njëjtë për të gjithë.
A ishte vizita e zotit Berisha në shtëpinë tuaj, tri ditë para vendimit, një farë presioni ndaj Drejtësisë?
T’ju bëj një kundërpyetje? Natën e Krishtlindjeve, të më fali prokurorja e Përgjithshme, sepse s’dua ta përgojoj, mesa më kanë telefonuar nga Korça, ajo ka festuar në të njëjtin ambient me një lider shumë të rëndësishëm të opozitës, për mos të thënë më të rëndësishmin. Unë s’dua të them se atje përveç festës, është gatuar dhe pretenca ndaj meje. Kryeministri Berisha ishte për një vizitë i ftuar nga unë, madje më shumë nga Era, e cila ka një simpati të veçantë për Kryeministrin, për shkak të disa komplimenteve që ai i ka bërë në disa aktivitete dhe kemi kaluar një darkë, ashtu siç e ka thënë edhe ai, shumë të këndshme, dhe shumë miqësore dhe nuk e kuptoj si mund të bëhet presion ndaj gjykatave duke pirë një gotë verë.
Keni biseduar ndonjëherë me prokuroren e Përgjithshme për këtë çështje?
Asnjëherë! Një gjë konfidenciale, s’kam tentuar të komunikoj për çështje të tilla as me prokuroren e Përgjithshme, as me Presidentin, sepse nuk dua t’i vë në pozita të vështira. Kam pasur një kafe me prokurorin e çështjes, jashtë ambienteve të Prokurorisë, ka pasur dhe persona të tjerë nga Prokuroria, kanë qenë dhe avokatët e mi. Edhe në këtë kafe absolutisht i kam kërkuar vetëm zbatimin e ligjit, të zgjedhin cilindo ekspert, por vetëm në mënyrë të ligjshme. Ky është i vetmi sekret që e them për herë të parë.
Zoti Meta, do të riktheheni në qeveri pas këtij vendimi?
Nuk kam pasur kohë të mendoj për këtë çështje, skam pasur plan për të hyrë në qeveri në momentin që vendosa të bëj koalicion me PD-në, me mendimin që të merresha me LSI në përgjithësi. Ishte një insistim i zotit Berisha për detyrat që mora. Jam në një situatë tepër komode në drejtim të menaxhimit të kohës sime si politikan dhe si lider i LSI, gjë që nuk e kam pasur gjatë kohës që isha në qeveri. Kam mundësi për të menduar më shumë politikisht dhe për të vënë në lëvizje të gjithë mendimin politik të LSI, brenda dhe jashtë qeverisë. Ky është qëndrimi im për momentin dhe është një çështje më e parëndësishme. S’kam ndonjë plan të tillë në një të ardhme të afërt, tani do të zgjedhim strukturat e LSI-së.
Do të votoni ju bashkërisht me PD postin e Presidentit të Republikës?
Ne kemi një marrëveshje të qartë me PD-në për shumë çështje, dhe për këtë çështje, dhe do të bashkëveprojmë në mënyrë tepër parimore dhe për këtë çështje.
Do të jetë një nga kandidaturat e mundshme të LSI emri i Fatos Nanos si kandidat për President?
Duke shprehur konsideratën time për të gjithë emrat që përmenden dhe do të përmenden dhe në të ardhmen, LSI do të diskutojë në momentin që do të vijë koha, kur do të merret një vendim. Ne do të jemi pjesë e zgjidhjes.
Zoti Meta, u fol në gusht se ju kishit marrë disa mesazhe kërcënuese për jetën dhe u vutë nën ruajtjen e Forcave Speciale. Çfarë ishte kjo histori?
Nuk dua të mediatizoj momente të caktuara. Nuk kam pasur ndonjë mesazh të drejtpërdrejtë. Në një pjesë të shtypit më rezulton fatkeqësisht e implikuar në atë që unë e quajta krim i organizuar. U dha dhe alibia se nga kush mund të rrezikohesha dhe se mund të vritej Ilir Meta. Pra, nuk është ndonjë sekret të them se një pjesë e atyre që e ideuan dhe e sponsorizuan këtë sulm të paparë të padëgjuar kundër Ilir Metës, pas zgjedhjeve të 8 majit, hynë të tratativa me killera të veçantë për të ekzekutuar Ilir Metën. Por, ata e dinë që ne e dimë dhe që nuk i dinë të gjitha.
Dikush ka tentuar eliminimin tuaj?
Po, u tentua eliminimi politik dhe moral, u tentua arrestimi im para zgjedhjeve. U kërkua të komunikohej akuza një ditë para mbylljes së fushatës, u tentua eliminimi elektoral i partisë ndjesë pastë, e cila rezultoi me një rritje të madhe kur mori 40 mijë vota më shumë, sidomos në kryeqytet dhe në fund fare, u tentua dhe me killera për të më eliminuar edhe fizikisht.