Regjistroni domainin tuaj .al

Borite e makinave, cfare stresi ne Tirane

Shkruar nga:  
Postuar më: 3 vite më parë

Borite e makinave, cfare stresi ne Tirane
Borite e makinave, cfare stresi ne Tirane

‘Të mos i bie bories?! Çfarë thua moj?! Po ku merr vesh ky popull pa borie! Shih si të del ai mu përpara”. Përgjigje standarde shoferësh këto për kalimtarët që s’dinë të respektojnë as semaforët dhe as vijat e bardha. ‘E bëri një shoku im një aksident. Si thua ti, ta bëj edhe unë e të shkoj në burg?!”, psherëtin një tjetër shofer i një linje urbani publik edhe me njëqind jetë njerëzish brenda, të cilët varen nga vigjilenca dhe korrektesa e tij. ‘Këtu jeton ti? Jemi në Shqipëri këtu. Si shumë pretendime paskërke!”, të thotë ndonjë tjetër, sikur njerëzit në Shqipëri mos jenë bërë prej mishi e gjaku e me të njëjtat limite e ekzigjenca si gjithë njerëzit e botës.

Por edhe kalimtarët nga ana e tyre mbartin të njëjtën revoltë ndaj shoferëve dhe makinave: “Iu bien borieve kot më kot”, “Borie të zgjatura të panevojshme, për të shfryrë inatin pse s’hapet semafori, pa pasur minimumin e konceptit se po dëmtojnë ambientin nga zhurmat”, “Zhurma në këtë vend nuk konceptohet fare. Të gjithë bërtasin kur flasin, veprimet i bëjnë me zhurmë, po ashtu edhe boriet pjesë e këtij mentaliteti janë”, “Ke parë ti! Edhe për të përshendetur njëri-tjetrin përdorim borien!”, “Mor, po vite më parë ishte më keq. Nga qejfi që blenë makina, iu binin borieve”, ‘Ngaqë u mësova jashtë, dhe jo larg, por në vendet e rajonit, kur erdha në Tiranë mirë që s’më shtypën, ngaqë i humba reflekset e rënies së bories”, “Po luajmë nga mendtë e kokës. S’guxojmë të dalim në rrugë! Sikur je në Kandahar”. Janë disa fragmente dufesh shpirtërore që mund të përkapin veshët nga përditshmëria.

Të acaruar apo ‘me mendtë që iu luajnë’ nga dhimbjet janë jo vetëm kalimtarët, por edhe vetë shoferët. Dhe të dy palët vuajnë aty ku mungon rregulli, i cili përbëhet edhe prej atyre dhe jo vetëm atyre.

“Ndotje akustike!”, “Ndotje akustike tej normave të lejuara!” Dhe një pjesë të rëndësishme të kësaj ndotjeje e përbëjnë edhe boriet e makinave, e sidomos në Tiranën me rreth 200 mijë makina. E me makina të vjetra, të cilat edhe boriet i kanë më kumbuese.

‘Në botë nuk është parësore ndotja akustike nga boriet, por tek ne ajo përdoret me tepri”, shpjegon Shkëlqim Mema, specialist në Insitutin e Shëndetit Publik.

Bashkë me institucionet e mjedisit është vënë hera-herës alarmi për mbi 74 decibelët e tejkaluar të ndotjes akustike në Tiranë, nga 50 decibel ditën dhe 35 decibel natën që janë normat maksimale sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Policia Rrugore rreket të vërë rregullin e vënies së rripit të sigurimit te shoferët dhe të frenojë shpejtësinë, shkak aksidentesh me humbje jete. Ende nuk ua ka mbërritur me sukses të plotë këtyre, e për sa i përket zhurmave nga boriet, këto ende nuk duken në horizont si ndër qëllimet e saj emergjente, edhe pse në fakt edhe boria rrezikon shëndetin dhe jetën. Çdo qytetar mund të konstatojë që askush nuk ndalet apo gjobitet pse i ra më kot bories, pa përjashtuar rastet kur pikërisht boria mund të shpëtojë jetë njerëzish prej një aksidenti të mundshëm. Gjoba për dhunë akustike deri më tani inspektorët mjedisorë kanë vënë vetëm për publet dhe klubet e natës. Policia rrugore nga ana e saj gjobit vetëm kur i bihet bories në vende ku gjenden tabela që e ndalojnë atë, si spitalet apo institucionet e larta shtetërore. Edhe pse në nenin 154, 154 të Kodit Rrugor thuhet: “Në qendrat e banuara sinjalizimet zanore janë të ndaluara, përveç rasteve të rreziqeve të menjëhershme. Në orët e natës, në vend të sinjalizimit zanor, lejohet përdorimi i dritave të largësisë me ndërprerje të shkurtra.”

Motorat lemerisës

Janë një tjetër çmenduri e zhurmave. Madje kulminantë në kufijtë e limiteve të përballimit fiziologjik njerëzor me ulërima therrëse të përditshme në mes të ditës dhe natës, në mes të qytetit apo në periferi, që lirisht vlejnë si pista garash me motora e jo sikur janë qendra të banuara. “Edhe pse kemi bllokuar me mijëra motorë i zëvendësojnë sërish”, thotë specialisti Koço Simaku. Edhe pse janë motora që kushtojnë nga 10-20-30 mijë euro. ‘I blejnë kryesisht djem të pasurish. Ka raste kur ne i ndalojmë, u pezullojmë mjetin dhe me një telefon ‘nga lart’ motorat u rijepen. Ç’më mbetet të bëj mua si polic pastaj?!” , thotë një polic rrugor i njërës pej zonave kryesore të Tiranës. Veç kësaj, polici vë veten në rrezik kur vihet në ndjekje të një motori 3000-5000 kubikë, ndërkohë që motori i policit është vetëm 500 kubikë dhe me benzinë jocilësore.

“Motorat duhet të kenë të vendosur nga mbrapa në marmitë një pajisje, silenciator, të cilën ua jep fabrika dhe që zbut zhurmat. Mirëpo këtë pajisje përdoruesit e heqin pikërisht për të theksuar zhurmat, se aty e ndiejnë kënaqësinë e sportit të rrezikshëm tek i cili janë apasionuar. ‘Kur i ndalojmë na përgjigjen që më është prishur silenciatori. Do iki ta vë tani. Por mbi të gjitha ne motorët i ndalojmë për shpejtësinë, dokumentacionin, targën, skafandrën. Për sa i përket zhurmës, ky parametër matet dhe ndiqet nga institucionet mjedisore”, shton Simaku.  Edhe pse në nenin 153 dhe 154 të Kodit Rrugor, mbi kufizimin e zhurmave thuhet: “Gjatë qarkullimit duhet të shmangen zhurmat shqetësuese të shkaktuara nga mënyra e drejtimit të mjetit, veçanërisht nëse është me motor, nga mënyra me të cilën është sistemuar ngarkesa dhe nga veprime të tjera që kanë të bëjnë me qarkullimin.”

Çmenduria e borieve të dasmave

“Na dëgjoni dhe përshëndesni se po kalojmë ne, që ju s’na njihni fare!”, “Gëzoni edhe ju për mua që po martohem!” Këto mesazhe transmetojnë pak a shumë në thelb boriet në kor të makinave në rresht të dasmave, kur kalojnë edhe nëpër rrugët më kryesore të qyteteve, meqë një çift i panjohur po martohet, duke iu imponuar me dhunë gjithë ambientit, thua se e kanë të tyrin. Dhe jo pak, por njëri pas tjetrit sidomos fundjavave duhet të zësh veshët me dorë nga makinat që së shumti janë të ardhura nga provincat drejt Tiranës. Duke vënë edhe kanaçe nga mbrapa, që zvarriten edhe më me zhurmë rrugëve. ‘Nuk është traditë shqiptare kjo. Shqiptarët u bënë me makina që në vitin 1991, por kjo traditë e prapambetur ka hyrë diku rreth vitit 1994-1995 nga vendet fqinje. Duhej luftuar që atëherë. Tani është përhapur shumë dhe është bërë tepër e vështirë të zhbëhet, pasi treçereku i dasmorëve janë të pirë, janë në ditë gëzimi dhe po t’u ndërhysh duket sikur ua prish atë dhe krijohen probleme të mëdha sociale. Por së paku këto vite janë kufizuar mjaft kanaçet që vareshin nga mbrapa makinave”, shpjegon specialisti në Zyrën e Sigurisë Rrugore, Koço Simaku.

Edukata e ulët rrugore

“M’u duk sikur kaloi një qen”. “Kisha frikë se shtypja një njeri”. “Më doli përpara”…Pa përmendur të sharat e shpeshta dhe të ashpra që shoqërojnë pakënaqësitë e shoferëve në rrugë me njëri-tjetrin apo me kalimtarët.

Me lloj-lloj justifikimesh të drejta dhe të padrejta një shofer mund të shfajësojë rënien e një borieje zhurmuese, nëse i afrohet një polic. Ndërkohë që në vendet e zhvilluara, qytetarët janë aq të ndërgjegjësuar në zbatimin e rregullave, saqë nuk të lënë shkas për t’i rënë bories. Ose përbën edhe ofezë t’i imponohen dikujt vend e pa vend edhe me borie.

“Është shumë e vështirë të vërtetosh pse dikush i ra gabim bories. Ndaj ka të bëjë shumë edhe edukata rrugore, një nga elementët më të rëndësishëm të qarkullimit rrugor, e cila përfshin gjithë njohjen dhe ndërgjegjësimin për legjislacionin rrugor. Por që tek ne mungon totalisht. Nuk ekziston as ai numër policësh sa t’u qëndrojë në kokë gjithë shkelësve të panumërt të ligjit edhe tek boria. Njerëzit mbi të gjitha duhen edukuar”, shpjegon specialisti Koço Simaku.

Edhe pse tek ne një polic pothuajse nuk afrohet fare t’i kujtojë drejtuesve të mjetit se në Kodin Rrugor ekziston edhe limitimi i bories dhe jo rënia vend e pa vend e saj. ‘Por për çfarë të afrohet më parë polici?! Aq masive janë shkeljet këtu sa nuk kanë ç’bëjnë vetëm policët”, kundërpërgjigjet Simaku.

Dhe edukata merret që në fëmijëri në shkollat me njohuri të përgjithshme, në familje, më pas edhe në autoshkollat e licencuara për dhënien e patentave për adultët. ‘Meqë kemi kaq probleme rrugore, i bie që edhe autoshkollat të mos e kenë bërë detyrën siç duhet”, shton Simaku.

“Më vjen keq që në shkollat shqiptare fëmijëve iu flitet shumë pak rreth rregullave të qarkullimit rrugor, rreth higjienës dhe ruajtjes së mjedisit. Por edhe kur dalin nga shkolla hasin në rrugë thyerje rregullash dhe çmësohen. Vë re që jo vetëm fëmijët, por gjithë shoqëria shqiptare ka probleme. Duhet folur më shumë pikërisht për këto elementë edhe nga mediat”, vëren Annalisa Bartoletti, mësuese prej një viti e gjuhës italiane në tri shkolla tetëvjeçare në Tiranë.

‘Duhet marrë që në shkollë, në familje, në shoqëri. Por ne ende nuk kemi të formuar elementin njeri. Çfarë do t’i mësojë një mësuese fëmijëve, kur mua më rezultojnë raste të shpeshta kur ato vetë kalojnë semaforin me të kuqe?!”, shton Koço Simaku.

Boriet në veshët e shtetit

Përmendet shpesh në faqet zyrtare bashkëpunimi mes institucioneve mjedisore, shëndetësore, policore për kryerjen e matjeve dhe vlerësimin e nivelit të zhurmës në bazë të ligjit “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis” dhe V.K.M. “Për monitorimin dhe kontrollin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane dhe turistike”, ku përcaktohen edhe oraret se kur këto zhurma duhet të jenë të limituara. Janë vënë edhe gjoba deri në 1.000.000 lekë, por pa pasur ende një specifikë për boriet. Ish-zv/ministri i Mjedisit, Aleksandër Garuli, parashikoi në një projekt-draft edhe një seri penalizimesh, kryesisht per shoferët e automjeteve, që përdorin boriet vend e pa vend, duke shkaktuar ndotje të mjedisit deri në shifra alarmante. Por që praktikisht zhurmat vijojnë të jenë të fokusuara dhe më shumë problem vetëm tek jeta e natës dhe zonat turistike të vendit. “Duhet një bashkëpunim edhe me pushtetin lokal”, thonë pothuajse në çdonjërin prej institucioneve më sipër. Por në Bashkinë e Tiranës, për shembull, përgjigjen se çështja e borieve nuk është kompetencë e bashkisë, por e policisë rrugore. Në Drejtorinë e Sigurisë Rrugore thonë se ky parametër matet dhe ndiqet nga institucionet mjedisore.

“Nga presioni i vazhdueshëm i qytetarëve çdo vit ka përmirësim në këtë drejtim nga viti në vit. Ka pasur penalizime në pube, klube nate dhe gjendja ka ndryshuar shumë. Por nuk ka pasur ndërhyrje tek shoferët e automjeteve për boriet. Megjithatë, ky shqetësim i mbetet së ardhmes”, shpjegon për ‘Shekullin’ zv/ministri i Mjedisit, Taulant Bino.

Pak a shumë, boriet bien, por për boriet askush nuk i bie bories. Ndërkohë që koha kalon me kosto të pariparueshme dhe të përditshme duke dëmtuar shëndetin e çdo qytetari shqiptar, sidomos atij kryeqytetas, por edhe në qytete të mëdha të vendit. Dëmton edhe ata që janë nëpunës shtetërorë e që paguhen për të menduar dhe vepruar se si të mbrohemi edhe prej rrezikut të madh të borieve.

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi