Regjistroni domainin tuaj .al

Pazar - Pazar

Shkruar nga:  
Postuar më: 4 vite më parë

Pazar - Pazar
Pazar - Pazar

Filmat shqiptarë anulojnë njëri-tjetrin. Do të thotë se janë përsëritës, vuajnë nga mungesa e autenticitetit, ndër tiparet që i identifikojnë lehtë si filma shqiptarë.
"Pazari Ballkanik" prodhimi italo-shqiptar i regjisorit aktor Edmond Budina, - nisi të shfaqet premierë dje në rrjetin e Kinemave Imperial në Tiranë, - është një "anulim loje" i një sërë paraardhësish.

Në radhë të parë tregon një histori dhe është një temë e fortë e aktualitetit shqiptar, asaj pjese të aktualitetit që ka rrënjë të vjetra e na viziton herë pas here. Në vatrën e saj konvergojnë fijet politike, religjioze të identiteteve të vendeve kufitare, greko-shqiptare, apo sllave, ndaj dalja në sipërfaqe e problemit ndodh me forcën e një furie.

Është thënë tashmë se Budina nisi të shkruajë një skenar "Vallja e flamujve" dhe mori shkas nga ngjarjet e zhvarrimeve në Kosinë katër vjet të shkuara.
Në këtë kuptim "Pazari Ballkanik" anulon disa paraardhës. Se më mirë një film që i referohet një historie të rëndë reale, se shumë filma të cilët nuk ja kanë dalë të rrëfejnë një fabulë të thjeshtë, klasike për njeriun dhe vendin ku jetojnë këta artistë.

Kur i referohesh një historie kronikale që e njohin të gjithë, mund të bësh një kalk dhe imitacion të saj ose të krijosh i pavarur prej saj. Asgjë të paparashikuar nuk thotë Budina për sa i përket kronikës.

Nuk është e paparashikuar as fryma e pazarit, tipari i tij dallues: aftësia për ta përvetësuar njeriun dhe aftësia që ky mjedis iu jep njerëzve për të përvetësuar njëri-tjetrin. Pazar që është në gjendje të përvetësojë edhe dy të huaja perëndimore që dalin nga ky mjedis me trutë e vendasve.

Të gjithë janë njëlloj. Askush nuk del dot prej kësaj mokre që grin njerëzit dhe ndërgjegjet ua bën uniformë si thërrmijat.

"Pazari Ballkanik" është anulim i disa paraardhësve për përpjekjen që bën për një trajtim të konsoliduar të zhanrit. Qoftë vetëm komedi si "Ne dhe Lenini" i Saimir Kumbaros apo komedi dramatike si "Lindje-Perëndim-Lindje" i Gjergj Xhuvanit, "kinemaja e re" e pas viteve nëntëdhjetë, përdor shkartisje të palogjikshme, joorganike të disiplinave zhanrore. Ti pret të shohësh një dramë safi, ndërsa regjisori të çon në një variete barcaletash. Pasojat duken në mënyrën si tregohet një histori në filmin shqiptar, si ndërtohen karakteret dhe si reflektohet gjuha e tyre në dialogë, bota e tyre në figurën filmike.

Është filmi i dytë i Edmond Budinës, pas "Letra Ere" 2004 një vepër dramatike. Autori i shkruan dhe drejton vetë skenarët, i luan po vet protagonistët dhe arrin ta bëjë këtë punë me dhunti. Budina po kap të gjashtëdhjetat dhe ka krijuar përshtypjen se ai bën një film kur ka nevojë t'u flasë shqiptarëve të tij, dhe në varësi të asaj që do të thotë zgjedh zhanrin e duhur dhe e respekton atë. Por në këtë rast mbetet akoma te forma e thjeshtë e ironisë, te kritika në trajtën e vënies në lojë, talljes.

Aty ku komedia mund të mbante edhe pak thriller, Budina përdor metaforë me tepri.

Hetimi (i gazetarit) dublohet nga magjitë, shenja besëtyte, mesazhet me arkivol, endjet në varreza e kisha nëpër natë.

Hetim do të thoshte pak thriller politik, do të thoshte akuzë dhe ndërgjegjësim mbi aferat e një prifti, e një të deleguari të shtetit grek në një provincë të Shqipërisë. Ndërsa regjisori e zhvendos diskutimin mbi çështjen në të ashtuquajturën pjacë të qytetërimit shqiptar që sot për sot mbetet kafehania.


Një kafene në hije të rrapit është nishani që dallohet në çdo portret të filmit shqiptar sadopak modern qoftë. Ajo është simboli i qytetërimit tonë, ajo është pazari. Aty bëhen shitblerjet pa bukë të mendjeve dhe ndërgjegjeve.


Për fat të keq është kthyer në një simbol gjenuin në filmin shqiptar, e që për hir të së vërtetës tregon se deri ku është në gjendje ta çojë diskutimin për njeriun shqiptar arti shqiptar.

Ëndrrat që Edmond Budina ndërton edhe në këtë film, ashtu si te "Letra ere" janë detajet më autentike dhe më të realizuarat. Janë oaze që si oaze nuk mund të jenë veç stacione në shkretëtirë.

Intervista/Katër pyetje për Budinën
Regjisori: "Influenca greke është shumë e fortë"

Ky film ju thoni bazohet në një histori të vërtetë dhe që çdo ngjashmëri e ngjarje me persona realë është krejt e rastit. Ka një kontradiktë këtu?

Në historinë e zhvarrimeve të Kosinës nuk ka asnjë zhvarrim të bërë nga grekët. Nuk ka asnjë konflikt midis priftit dhe të huajve. Mund të jetë marrë spuntoja nga një ngjarje reale dhe nga ndonjë personazh real, por filmi nuk ka asgjë të përbashkët me këta personazhe që jetojnë dhe ekzistojnë vërtet në Kosinë, ose makar dhe në gjithë Shqipërinë.

Kjo histori është parë në një këndvështrim krejt tjetër. Është parë në mënyrë ironike, me humor. Këtu janë shqiptaro-grekët që bëjnë këtë operacion të çuditshëm, absurd dhe për mua është e papranueshme.

Mendoni që e keni bërë distancën nga kronikat e gazetave dhe TV mbi çështjen?

Mendoj që distancimi me kronikën është bërë me gjetjet e mia, qoftë nga pikëpamja vizive, qoftë nga mënyrat se si janë vendosur situatat.
Historia e këtij filmi ka nisur në një Festival të Viarexhos. Një vajzë italiane më tregoi se si nëna e saj franceze kishte zhvarrosur të atin dhe se si arkivoli kishte shkuar në Moskë. Më shkriu gazit kjo histori dhe ai imazhi i arkivolit që fluturonte mes flamujve më dukej kaq interesant.

Me të ndodhur ngjarja e Kosinës u bë një qark i shkurtër në mendjen time. Skenarin e kam shkruar brenda një muaji. U desh kohë e gjatë për ta realizuar, me një buxhet të ulët, 500 mijë euro. Gjithë kjo punë është bërë në tri javë e gjysmë xhirime. Gjithmonë mendon si mund ta kishe bërë më mirë. Mendoj se produkti që kemi në dorë ia ka arritur qëllimit që unë kisha parashikuar.

Falënderoj Drejtorinë për Kinemanë në Ministrinë e Kulturës Italiane e cila më dha mundësinë të financojë produksionin dhe natyrisht Institutin Italian të Kulturës për organizimin e premierës në Tiranë.

Mendoni që kinemaja mund të flasë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë për aktualitetin?

Secili prej nesh duhet ta thotë fjalën e tij dhe duhet ta thotë fuqishëm. Çdo qytetar duhet të bëjë aq sa mundet për sa i përket problemeve që e shqetësojnë.
Unë si qytetar shqiptar jam ndjerë i fyer, edhe pse nuk kam asnjë të zhvarrosur, edhe pse nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. I fyer në një ndjesi kombëtare. Do të më vinte keq edhe për grekët në qoftë se do të ishte bërë një gjë e këtij lloji. Kjo protesta ime është edhe pro grekëve.

Në kuptimin që: Grekët paguajnë në Shqipëri pensione dhe këto pensione i marrin nga taksapaguesit grekë, i marrin nga ata të shkretë punëtorë që vuajnë në Greqi krizën e madhe ekonomike, që iu presin rrogat, pensionet dhe vijnë e paguajnë ca njerëz në Shqipëri që s'kanë lidhje fare me Greqinë vetëm se deklarohen që janë grekë.
Unë jam pro tyre në këtë aspekt. Të shohin një çikë se çfarë marrëzish bëhen kundër tyre dhe të tallen një çikë me këto marrëzi.

Për të mbushur xhepat unë nuk pranoj që Shqipëria të ndahet në copa, të shkelet mbi dinjitetin e njerëzve. Janë 500 mijë shqiptarë në Greqi. Influenca greke është shumë e fortë, presioni i tyre është shumë i fortë. Dhe unë për këtë protestoj.

Ëndrrat edhe tek ky film janë elementet më autentike tuajat. Falë tyre kupton diçka për origjinën e protagonistëve, një origjinë e kalçifikimit që i bëri njeriut diktatura.

Është e vështirë ta shkulësh të shkuarën më duket mua dhe jo vetëm te brezi im. Është e vështirë të shqitesh prej saj. Unë kam pasur fatin të jetojë të jashtë dhe natyrisht jam distancuar prej njëzet vitesh nga ky vend. Por shoh që ajo e shkuara na mundon. Ku e shoh unë këtë? Në gjykimet tona, edhe të atyre që janë të rinj, kur thonë: Përse Shqipëria në këtë film paraqitet kaq zi?
Ky është një qëndrim tipik i realizmit socialist që kërkon personazhin tipik në rrethana tipike. Ose kërkojnë personazhin pozitiv që i tregon shqiptarët sa të mirë janë. Në një shoqëri demokratike secili duhet të shprehë opinionin e tij. Dhe sa më shumë të nxjerrim qoftë edhe të metat tona nëpërmjet një vepre artistike, aq më të qytetëruar tregohemi.

Luca Lionello

Aktori që ka lënë një gjurmë të shkëlqyer me figurën e Judës në filmin gjithë gjak të Mel Gibson "Mundimet e Krishtit", shfaqet jo më shumë se një minutë në filmin e Budinës. "Vjen se ka mik Mond Budinën", domethënë pas asnjë para. Këtë pohoi regjisori për pjesëmarrjen e veçantë të Luca Lionellos në filmin "Pazari Ballkanik". "Nuk është mirë kështu?", shton regjisori shqiptar. "Në doni ta dini, jam kundër kinemasë që iu jep miliona aktorëve. Unë bëj punën si aktor regjisor dhe si punëtor. Për të bërë punën si punëtor në fabrikë, unë vuaj tetë orë në këmbë dhe paguhem 1000 euro. Ndërsa për dy ditë punë në Televizionin Italian paguhem sa për një muaj në fabrikë. Unë këtë shoqëri e quaj të padrejtë. Jam për atë art që bëhet me shpirt, pa pasur parasysh paratë."

Visar Vishka
Aktori i ri i Teatrit të Shkupit e ka rolin e parë protagonist në kinemanë shqiptare. Ai është Genti Shkëmbi, një gazetar televiziv që për qëllime fitimi futet në këtë histori dhe është nyja lidhëse për gjithë personazhet e tjerë. Ai tha dje në konferencën për shtyp: "Kur e lexova këtë skenar, mendova: kjo është një histori që duhet treguar jo vetëm mes nesh, por ta shohin edhe vende të tjera se çfarë ngjet me shqiptarët dhe çfarë lëshimesh bëjnë vetëm e vetëm që të hyjnë në familjen evropiane. Roli i Gentit m'u duk shumë linear, nuk shkon lart, nuk ngjitet poshtë, nuk ka tragjedinë brenda, nuk është një personazh që do më veçonte mua e që të tregoj talentin tim artistik. Mirëpo doli shumë mirë sepse nuk është arritja ime artistike se sa është një personazh që e kryen punën e vet."

Veronica Gentili

Një aktore protagoniste që ndodhej dje në Tiranë për premierën e filmit, është Veronica Gentili në rolin e Orsolës. Vjen nga Italia. "Më është dashur pak kohë për t'i hyrë historisë. Duhet ta jetosh dhe ta kuptosh për t'u bërë pjesë e këtij realiteti. Ka qenë shumë i ndryshëm efekti mbi mua në momentin që e kam lexuar skenarin në Itali dhe ajo që punuam në xhirime. Qe një udhëtim psikologjik, emocional, artistik dhe mbi të gjitha kulturor. Edmondi është një intelektual i madh dhe më ka prezantuar dhe me kulturën shqiptare. Ka arritur ta bëjë të besueshme për mua dhe universale këtë temë shqiptare dhe që pavarësisht kufijve nuk është thjesht një temë shqiptare. Problemi i identitetit kombëtar është diçka që i përket edhe pjesës tjetër të Evropës në mënyra dhe kuptime të tjera, vendeve të botës.

Pazari Ballkanik
Komedi
Shqipëri/Itali/2010
Kohëzgjatja: 91'
Skenarist: Edmond Budina
Regjia: Edmond Budina
Operator: Daniele Baldaci
Producentë: Sabina Kodra-EraFilmproduction, Enio de Domenicis-MediaPlex i cili bën të mundur shfaqjen e filmit në kinematë italiane në qershor 2011.
Aktorë: Catherine Wilkening, Veronica Gentili, Visar Vishka, Erand Sojli, Artan Islami, Karafil Shena, Valentina Xhezo, Nikolla Llambro, Laert Vasili. Me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit Luca Lionello.
Muzika: Admir Shkurtaj
Piktor: Arian Rizvani
Xhiruar me red one cam, konvertuar në 35mm pozitiv dhe DCP2K.
Filmi ka marrë pjesë deri tani vetëm në Sofia International Film Festival
"Pazari Ballkanik" shfaqet nga sot në Kinema Kristal

Regjistroni domainin tuaj .al

Reklamat

Pronat e Fundit


  • domain shqiperia

Video

Lajm dhe tema t nxehta

AKTUALITET

TEMA TË NXEHTA

KULTURA

Albforumi