Roland Trebicka me kancer ne mushkeri

Roland Trebicka me kancer ne mushkeri
Aktori i njohur Roland Trebicka vuan nga një sëmundje e rëndë, ndonëse familjarët dhe miqtë e tij kanë preferuar të mos flasin për këtë çështje. Por nga burime pranë aktorit mësohet se ai vuan nga një formë e rëndë e kancerit në mushkëri.

Për këtë arsye. Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për përballimin e shpenzimeve të kurimit të tij në Francë. Me një vendim të posaçëm, kryeministri Sali Berisha ngarkoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave që të zbatojnë këtë V.K.M ku thuhet: "të akordohet fondi prej 4. 700.000 lekë (katër milionë e shtatëqind mijë lekësh) për përballimin e shpenzimeve të kurimit të zotit Roland Trebicka në Francë".

Më tej, saktësohet se "kjo ndihmë duhet të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit". Është për t'u theksuar, në fakt, se kjo është një ndër herët e rralla kur shteti nuk e vlerëson kontributin e artistit nëpërmjet titujve, por vjen në ndihmë në mënyrë konkrete.

Mungesa e Roland Trebickës

Ka disa muaj që Trebicka nuk është parë në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe as te kafe "Aleanca" me kolegë, disa prej të cilëve thonë nën zë, një formë për të mos e pranuar, se aktori vuan nga kanceri në mushkëri dhe është larguar për kurim në Francë.


Nuk ka shumë kohë që ai interpretoi në skenën e teatrit në dramën "Tablo Absurde" të Ferdinand Hysit, me regji të Milto Kutalit, në rolin e një burri që nuk ka kaluar nëpër stadet normale të zhvillimit, nuk ka kaluar fëmijëri dhe rini për të qenë dhe ka mbetur fëmijë. Ky personazh, si edhe të tjerë, të krijuar nga Hysi tentuan të tregojnë me jetët e tyre për absurditetin e kohës ku kanë jetuar, nën regjimin komunist.


Ndoshta ky rol i freskët, jo i krijuar siç duhet nga regjisori Kutali, nuk i kujton kushedi se çfarë shikuesit të teatrit, edhe pse vetë aktori Trebicka dukej i angazhuar dhe ndihej mirë me atë rol. Nuk janë të paktë rolet që Roland Trebicka ka interpretuar në teatër, duke filluar me komedinë "Pallati 176" me regji të Alfred Bualotit, ku ka interpretuar rolin e Jovan Bregut.


Deri në këtë kohë ai kishte marrë pjesë në kinema në filmin "Debatik" të Hysen Hakanit, "Ëndërr për një karrike" (1984) me regji të Fehmi Hoshafit dhe "Koncert në vitin 1936" (1978) me regji të Saimir Kumbaros. Në teatër ka interpretuar në vepra me peshë, te "Magjia e madhe" e Eduardo de Filippos, te "Don Zhuani" i Molierit "Revizori" i Gogolit, te "Mbreti po vdes" Molier në vitin 2002.


Më 2009-ën ka interpretuar te "Kohë për të çmendur" me regji të Gëzim Kames në Teatrin e Korçës dhe "Të gjithë me huqe" po me regji të Kames në Teatrin Kombëtar. Shekulli i uron shërim të shpejtë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama