Vite më parë, Hueyda El Saied ishte balerina që sfidoi mësuesen e saj, ndërsa sot, ajo di të hedhë më me siguri hapat edhe në botën e televizionit. E ka joshur prej kohësh magjia e ekranit dhe tani, po rikthehet për të vendosur gjithçka në vend. Këtë herë me një fokus krejt tjetër. Femrat, do të jenë kryefjala, krijesat që balerina e njohur Hueyda El Saied do të marrë në “mbrojtje” gjatë paraditeve të këtij sezoni nëpërmjet ekranit të televizionit kombëtar Arbëria. Protagonistët e emisionit do të jenë emra të njohur, kryesisht femra të cilat janë të suksesshme në jetën artistike dhe politike të vendit. Ata do të rrëfejnë shembullin e tyre, se si kanë arritur deri aty ku janë sot, pa pasur nevojë për llamba artificiale për të ndriçuar punën e tyre. Edhe pse prej kohësh ka braktisur profesionin e saj të dikurshëm, ajo beson se mund të japë po kaq edhe për televizionin, përveç atyre performancë që ka treguar se di t’i bëjë më së miri në skenë.
Kur gjithçka nis nga femrat
Të gjitha dimensionet e femrës në një emision plot dy orë. Ky do të jetë rikthimi i rradhës në ekranin e televizionit Arbëria i Hueyda El Saied, krejt ndryshe, jo vetëm nga look-u, por edhe tek mënyra sesi është konceptuar deri në detaje emisionit “Venus”, që mban edhe firmën e saj të ideimit. “Është diçka ndryshe nga formatet që mund të jenë parë në Shqipëri. Do të jetë një emision i përditshëm, çdo paradite nga ora 11.00-13.00. Titullohet “Venus” sepse i dedikohet femrave dhe është ndërtuar në atë formë që jo vetëm femrat, por edhe të rinjtë apo të moshuarit mund të gjejnë vetveten. Kjo është arsye e fortë që unë i rikthehem sërish televizionit”-rrëfen për revistën Mapo, balerina që triumfoi në spektaklit “12 Vallëzime pa një të shtunë”. Formati i emisionit, edhe pse do të ketë në qendër të vëmendjes femrën, do ta trajtojë atë në të gjitha dimensionet e saj. Brenda dy orëve të paradites nëpërmjet disa rubrikave të posaçme, Hueyda do të flasë me të ftuarit mbi temat të ndryshme, që startojnë nga ato psiko-sociale deri tek ato estetike. Po përse në këtë metropol të çmendur Hueyda ka zgjedhur pikërisht femrat. “Unë vetë nuk jam feministe dhe nuk ka arsye tjetër që kam zgjedhur femrat si temë në këtë emision. Mendoj se femrat shqiptare kanë nevojë të orientohen dhe të këshillohen. Ne kemi në emisionin “Venus” disa rubrika që janë moderne i përshtaten kohës”-tregon prezantuesja e emisionit. Duke iu referuar edhe zanafillës së njerëzimit që sipas El Saied është femra, kjo ka qenë një arsye e fortë që e ka bindur, për ta filluar sërish tek qenia më delikate dhe më e fortë e universit. Pas eksperiencës së një viti më parë në televizionin Arbëria, Hueyda nuk është ndier aspak ndërdyshase për të zgjedhur sërish të njëjtin ekran. Kjo është një arsye që ajo ka preferuar të jetë sërish mes të njëjtin staf që ka punuar në emisionin “Restorant”, por siç edhe pohon vetë ajo, imazhi i ri i televizionit e ka tërhequr për të firmosur kontratën e re. “Respekti profesional është më i rëndësishëm se ana financiare. Marrëdhëniet që unë kam ndërtuar me drejtoreshën e televizionit më bëjnë që unë të kaloj në plan të dytë pagesën”-pohon ajo, duke mbajtur të fshehtë shifrën që e ka bindur të kthehet sërish në televizionin me status Kombëtar.

Rikthimi në origjinë
Nuk e mohon se profesioni i saj i vërtetë është ai i balerinës, edhe pse prej vitesh pothuajse nuk ka vënë këmbë në skenën shqiptare. Nuk i kanë munguar asnjëherë ofertat jashtë vendit dhe i ka thënë me plot gojë “PO”, ndërsa këtu në Tiranë, që pas largimit nuk ka pasur ndonjëherë ndër mend që të futet sërish. “Do të rikthehem shumë shpejt me një performancë. Jemi një grup vajzash të cilat po i përgatis në një projekt që unë kam së afërmi dhe do të dalim së bashku në skenë. Por deri atëherë, le të mbetet gjithçka sekret”-tregon ajo, duke theksuar se në këtë projekt që mban firmën e saj, ka rolin e koreografes. Nuk harron të kujtojë edhe plejadën e dikurshme të shokëve të saj me të cilët ka konkurruar në spektaklin “12 vallëzime pa një të shtunë”. Përveç mësueses së saj të dikurshme të dancit, Kozeta Bakiu, së cilës i rrëmbeu triumfin, konfirmoi edhe thënien e vjetër së nxënësja mund të bëhet më e zonja se mësuesja. “Kam lidhje me pjesën tjetër grupit të spektaklit, me të cilët kam qenë edhe në shkollën e baletit. Shumica e tyre aktualisht luajnë në skenat më të njohura botërore dhe kemi shumë pak mundësi kontaktesh”-rrëfen balerina e “12 vallëzime pa një të shtunë”. Përpos impenjimeve të çastit, ajo kalon edhe një pjesë të madhe të kohës mbi libra. Prej dy vitesh ndjek studimet e larta në fakultetin Juridik, një arsye më shumë kjo për të vijuar në të ardhmen studimet pasuniversitare për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Manitë e një balerine
Nuk e fsheh që hyn në grupin e atyre vajzave që shpenzon pafund. Në tregun kryeqytetas, pothuajse nuk e gjen veten për asnjë moment, qoftë edhe për uljet e rreme që mund të bëjnë dyqanet në këtë sezon. Kjo është një arsye më e fortë që e shtyn atë që të zgjedhë butiqet e huaja, kryesisht ato franceze, edhe pse pika e saj e dobët, mbeten stilistët italianë. “Kujdesem shumë për imazhin tim dhe më pëlqen shumë të vishem. Shpenzoj kryesisht për kremrat dhe aksesorët. Fundja jemi persona publike dhe të kesh një imazh të këndshëm është një prioritet”-pohon ajo. Mania e të bërit shoping për Hueyda El Saied, prej kohësh mund të klasifikohet edhe si një terapi. Nuk e kategorizon veten ndër ata persona VIP që është e fiksuar pas veshjeve të shtrenjta, për të mjafton që të blejë mallra cilësore dhe mbi të gjitha i pëlqejnë. Nuk e mohon që i pëlqejnë edhe dhuratat që i bëjnë, sigurisht brenda shijeve që ajo ka. “E di që im atë mund të më ndihmojë. Vetëm kur kam studiuar në Paris ai më ka ndihmuar financiarisht, ndërkohë që herë pas here me bën edhe dhurata. Familja ime jeton jashtë, imë më në Belgjikë dhe im atë në Emiratet e Bashkuara. Jemi të ndarë prej kohësh, por do të ribashkohemi gjatë sezonit të pushimeve”-tregon vajza me origjinë orientale. Ndihet mjaft e privilegjuar për pavarësinë që ka fituar prej vitesh, por nuk e fsheh që do të donte të kalonte më shumë kohë me familjen, përpos impenjimeve që ata kanë. Për Hueyda El Saied, dhurata më e bukur që ka marrë nga prindërit e saj, është përzierja e kulturave dhe mentaliteteve dhe kjo për të është një privilegj, që e bën të ndihet mirë. Ashtu me sjelljen e dëlirtë të një vajze që njeh deri në detaje sjelljet dhe kortezitë e rastit, Hueyda El Saied, ndihet edhe më krenare teksa ngjit shkallët e televizionit Arbëria, ku e presin angazhimet e radhës. Në fund, edhe ajo është një prej atyre personazheve të suksesshme femra, veçse në emisionin e saj, mbetet të jetë femra më e privilegjuar, për suksesin e të shkuarës dhe të ardhmen, që i ka paracaktuar fati.
Olsi Kolami - Revista Mapo











