Për më tepër, shtatori planifikon sërish një stuhi rëre në Kuvend, një stuhi nga ato të vërtetat dhe të frikshmet, përmasat e të cilës është e pamundur të shihen tani dhe mbi të gjitha, e pamundur të parashikohen “dëmet anësore” që shkojnë përtej Tiranës politike dhe vijnë nga jashtë Tiranës politike. “Ndryshimet në ligjin për SHISH, do të kalojnë në Kuvend që në fillim të sesionit të ri”, një burim tepër i rezervuar nga shumica qeverisëse konfirmon se “postoblloku” i votave kundër që u vendos në seancën e fundit të sesionit të verës, nuk ja ka ndryshuar qëllimin dhe synimin e saj. Madje as mjetin që në këtë rast është i vetmi i mundshëm: vendosjen e një mandati kohor për drejtuesin e SHISH-it.
Që kësaj here “qëlloi” të jetë Bahri Shaqiri, një jurist 40 vjeçar, i emëruar nga opozita e sotme - shumica e djeshme - gardiani i sekreteve më të “errëta” të shtetit dhe pika kyçe e lidhjes me agjensitë partnere të të njëjtit lloj dhe shumë më shumë se kaq; garantues i ekuilibreve mes tyre dhe i besimit të ndërsjelltë, kasafortë e të vërtetave përvëluese, kryesisht për “dobësitë” dhe pikat e dobta të njerëzve me pushtet.
Dëshmitari i “dobësive”
“Puna e parë që bëjnë mbretërit kur hipin në fron, është të eliminojnë dëshmitarët e çasteve të dobësive të tyre”, mençuria e vjetër folklorike, në rastin shqiptar, e ka simetriken e saj reale: kur erdhi në pushtet kryeministri Berisha, i konsideruar shpesh nga kritikët e tij si “monark” në llojin e pushtetit që ushtron, ndërhyrja në SHISH ishte tentativa e parë për të eliminuar dëshmitarin e nesërm të dobësive të tij të pritshme. Që ishte sërish vendi i punës së Bahri Shaqirit.
Në 2005-ën, ngulmoi ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu që një gjë e tillë të mos ndodhte. Madje Moisiu e shprehu kundërshtinë e tij, për një koinçidencë jo dhe aq të rastit, pikërisht nga Uashingtoni. Atëherë, kryeministri Berisha u tërhoq nga kërkesa e tij edhe sepse dëshmitari i veçantë ende nuk kishte nisur punë: bëhej fjalë për “dobësitë” e pritshme të së së ardhmes.
Pesë vjet më pas, situata ndryshoi dhe në dy raunde të njëpasnjëshëm, me distancë prej katër muajsh nga njëri-tjetri, mars-korrik, u kërkua dy herë rresht koka e gardianit të sekreteve. Shtatori, siç parakonfirmohet nga burime të rezervuara brenda shumicës qeverisëse, do të bëjë “tris” për SHISH-in. Kush njeh aksionet politike të Berishës, e di mirë që ai nuk e pranon dot humbjen. Qoftë dhe në një lojë, ku cilado lloj fitoreje, në thelb, është humbje.
E djeshmja
“Mazhoranca hedh poshtë diversionet e pista të Edi Ramës dhe garanton atë se ligji do të kalojë”. Eshtë korrik 2010 dhe njeriu që flet kështu është Jozefina Topalli, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Vendi i dhënies së deklaratës: shkallët e Kuvendit. Koha: pak “kohë” para se komisioni i sigurisë të hidhte poshtë me votë propozimin e maxhorancës dhe pak kohë para se maxhoranca të tërhiqej befas nga vendimi i saj për të kaluar me çdo kusht ndryshimet në projektligj. Gjithashtu dhe pak kohë pasi Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste të përdorte tonin e një Ezopi gati-gati arrogant dhe kërcënues pikërisht ndaj Sali Berishës: “Merre mollën e sherrit dhe fute ku e more pasi njëherë e fute Shqipërinë në qorrsokak, kësaj here do mbetesh vetëm. Shqipëria nuk ka sherr për të bërë as me NATO as me SHBA-në”.
Edhe NATO, e natyrisht, edhe SHBA, përmenden njëlloj nga zonja Topalli e cila kujton se shumica të cilës i përket, e futi Shqipërinë në NATO. Dhe nuk mbaron këtu sepse shkon edhe më tej: “Deklarata e kreut të PS është e vonuar dhe ndjej neveri për diversionin e tij. Garantoj që ky ligj do të votohet”, tha ajo e ngjitur në shkallët e hyrjes së Kuvendit, pasi kishte zbritur nga karrigia e saj në krye të sallës së seancave plenare të Kuvendit.
Aleat i bindjes së saj ishte shefi i saj në linjë partiake dhe jo vetëm, Sali Berisha. Kryeministri mungonte fizikisht në sallë, me arsyen e një gjendjeje gripale me temperaturë të lartë, që në raste të tilla të temperaturës përvëluese të situatës, zakonisht konsiderohet si sëmundje politike. Por natyrisht nuk mungonte virtualisht, siç ndodh rëndom me të. Edi Rama e kishte të centruar direkt shënjestrën e sulmit të tij me tone kërcënuese e të pazakonta: “Apeli është për kryeministrin që jo vetëm si kryetar qeverie, por edhe si ideator dhe nxitës i vetëm i këtij projektligji për SHISH, ta tërheqë atë projekt jo vetëm nga seanca parlamentare, por madje ta hedhë në kosh.
Ta tërheqë këtë projektligj në emër të aleancës me NATO-n dhe në emër të partneritetit strategjik me SHBA. Pasi edhe interesi i SHBA-ve, edhe ai i NATO-s, cënohen rëndë me ligjin që ka bërë Berisha”, tha ai.
Trekëndëshi SHISH-NATO-SHBA
Edhe me gushtin në mes, deklarata të tilla të dhëna në fund të korrikut, ngjallin “kërshëri” për të gjetur përgjigje për pyetjen se pse përmendet kaq dendur trinomi: SHISH-SHBA-NATO? Një përgjigje e dha në intervistën e tij të fundit shqiptare ambasadori amerikan Uidhers tek Top Story, në të cilën përmendi dhe një moratorium tre vjeçar për mosndryshime në institucionet dhe agjensitë delikate të sigurisë, duke nisur nga momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Por kjo është pjesa formale e historisë dhe një diplomat e tregon të vërtetën, për aq sa i lejon profesioni, qoftë dhe duke treguar vetëm sipërfaqen.
Poshtë saj ka të tjerë elementë që përgjithësisht duhet ta bëjnë të ngjethet qytetarin e thjeshtë. Fraza proverbiale e ish-presidentit të fundit komunist të vendit, Ramiz Alia në takimin me studentët në Pallatin e Brigadave, në një krejt tjetër kontekst dhe në një krejt tjetër lloj diskutimi, megjithatë tingëllon proverbiale në këtë histori të komplikuar: “Daleni more djema, se nuk janë kaq të thjeshta këto punë”, tha atëherë Alia ndërkohë që përgatitej të ngrinte përpara bashkëbiseduesve një nga ato perdet e rënda që mbulojnë anën e pasme të cilitdo pushteti. Edhe të pushtetit të dikurshëm të komunistëve, edhe të pushtetit të sotëm të demokratëve që vijnë nga një e kaluar gjithashtu komuniste. Ndaj, edhe në momentin që përmendet kaq shpesh dhe dendur NATO dhe SHBA, ngjan se kjo nuk është një punë aq e thjeshtë. Edhe pse palët i citojnë këto dy ikona të besimit të shqiptarëve, por me motive dhe kuptime krejt të kundërta.
Dy kompjutera misteriozë
Një laptop i markës Dell XPS mund ta blesh duke nisur nga 800 dollarë. Për paramentat teknikë që ai afron, informaticionet thonë se për të ja vlen të shpenzohet një shumë e tillë. Nga momenti që brenda kompiuterit ka dokumenta, fjala vjen privatë, “çmimi” i tij rritet shumë për përdoruesin, varësisht materialeve që ka brenda. Por ka dhe një rrethanë tjetër që i bën disa laptop-ë të së njëjtës markë, të mos kenë asnjë çmim real, gjithmonë varësisht çfarë ruajnë në hard disc-un e tyre.
Selitë diplomatike shqiptare nëpër botë, që prej rreth një viti, janë furnizuar me laptop-ë të rinj. Të gjithë të markës amerikane Dell. Pasi janë sistemuar fillimisht në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, kompiuterat janë pajisur me një soft të veçantë. “Pronar” i vërtetë i të cilit dhe krijues të tij, në fakt, është aleati strategjik i Shqipërisë, SHBA-ja. Kjo “pronësi” nuk ndryshon nga fakti se laptop-ët, legalisht janë pronë e shtetit shqiptar. Soft-i i veçantë që ruhet me fjalëkalime që normalisht i njeh vetëm shefi i misionit diplomatik, shërben për të shifruar dhe dëshifruar këmbimi i materialeve të klasifikuar. Materialet klasifikohen në mënyrë që me to të mos njihen “sy të tjerë kuriozë”. Ndryshe bëhet hataja. Ka gjithmonë diçka për të fshehur. Ka gjithmonë diçka që kërkohet të zbulohet. Eshtë gjithmonë dikush që fsheh dhe është gjithmonë dikush që kërkon të gjejë çfarë fshihet. Në kohën e Luftës së Ftohtë, sa për një shembull, dy superfuqitë kërkonin të spiunonin njëra-tjetrën. Tani armiqtë e dikurshëm, formalisht janë bërë partnerë me “të drejta” jo të barabarta mbi botën për të përmirësuar botën. Megjithatë, kjo nuk i pengon njërin të bëjë përpjekje për të zbuluar çfarë bën tjetri.
Po Shqipëria, Shqipëria ku hyn në këtë mes? MAPO ka konfirmuar se të paktën një laptop i sekretuar, në një nga misionet më të rëndësishëm në vend, është zhdukur pa lënë gjurmë, në rrethana të çuditshme. Mendohet se të njëjtin fat ka pasur dhe një tjetër laptop i ngjashëm, në një tjetër nga misionet diplomatikë më të rëndësishëm të Shqipërisë jashtë shtetit.
Për rastin e parë, humbjen e laptop-it të klasifikuar, titullari i misionit diplomatik njofton Tiranën me një shkresë të paklasifikuar, që mban datën 4 mars 2010. “Sot në mëngjes kam konstatuar se kompiuteri i markës Dell e që përdorej për komunikimin e klasifikuar është zhdukur”, thuhet me gjakftohtësi të pahumbur që në nisje të shkresës që firmos titullari.
Më pas shpjegohet në mënyrë kronologjike se laptop-i duhet të ishte në kasafortë, por në mision nuk ka kasafortë në inventar, se duhej të ndodhej në zyrën e titullarit, por nuk ndodhej në zyrën e titullarit, se në zyrat e misionit duhet të ketë gjithmonë të pranishëm një diplomat, por në momentin e zhdukjes së laptop-it nuk kishte asnjë njeri në mision. Shumë rastësi njëra pas tjetrës që ndihmuan “hajdutin” misterioz që të kishte sukses në grabitje. Ose më saktë, gjysmë sukses, sepse ai kishte hyrë dhe dalë nga misioni duke marrë absolutisht vetëm laptop-in. Që normalisht, pa të dhënat që mbante dhe sidomos, pa softin sekret të shifrimit dhe deshifrimit të materialeve të klasifikuara, kushton vetëm rreth 800 dollarë. Një risk mjaft i madh për një qar të dyshimtë.
Shefi i misionit më pas bën një hetim vetjak dhe këtë ja komunikon Tiranës. Për të arritur tek autori i grabitjes, në fillim ai tregon autorët e mundshëm dhe pastaj i përjashton ata njëri pas tjetrit. Për të mos arritur të vejë askund gishtin. Shefi i misionit, “personalisht nuk kishte asnjë arsye të veçantë të dyshonte tek personeli me të cilin punon dhe se përgjithësisht ishte i tentuar të përjashtonte në një masë të madhe mundësinë e përvetësimit”.
Pastaj “hetimi” vetjak i diplomatit vazhdonte duke konsideruar dy kategoritë e personave që kishin mundësi hyrje në misionin diplomatik: që nisin që me personat që bëjnë livrimet e porosive (ushqimore, pizza për shembull), postierët e deri tek personat që bëjnë dezinfektimin e ndërtesës njëherë në muaj, kundër minjve dhe parazitëve të tjerë. Kjo kategori përjashtohet sepse në datën 3 mars kur ndodhi vjedhja e laptop-it, nuk ishte dita e luftës kundër çimkave dhe buburrecave dhe se të gjithë këta persona, shoqërohen nga një pjestar i misionit.
Për kategorinë e dytë të njerëzve që hyjnë në mision janë persona privatë që vijnë të ftuar aty, por për të cilët, “parahetuesi privat” nuk ka ndonjë dijeni.
Detajet më pas, megjithëse shkruar me shumë kulturë, afrojnë tone gati-gati komike. Misioni nuk ka kamera, misioni nuk ka inventar të çelësave, nuk ka histori formale të dorëzimit të mjeteve të punës në rastin e ndërrimit të personelit.
Për më shumë, misioni ka dy dyer, njëra nga të cilat qëndron përgjithësisht mbyllur dhe tjetra që duhet të qëndrojë, si rregull, mbyllur në mënyrë automatike, atë ditë ka qëlluar të mbetet e hapur se është shumë e vjetër. Pikërisht këtu e ve gishtin titullari për më shumë mundësi hyrjeje brenda në mision nga jashtë të grabitësit. “Dera e katit përdhes – shkruhet në shkresën e paklasifikuar që ka MAPO në dispozicion – që përdoret nga të gjithë, nuk duhet të ketë qenë e mbyllur siç duhet, në kushtet e vjetërimit të tejskajshëm, është e mundshme. Një person nga jashtë është ngjitur deri në katin e dytë ku janë zyrat. Dyert e zyrave duhet të kenë qenë të hapura dhe personi, pasi ka konstatuar se në atë moment nuk ka asnjë njeri, duhet të ketë marrë kompiuterin (laptop) i formatit mini, e që mund të fshihej lehtësisht. Personi është larguar menjëherë pa kontaktuar asnjë person tjetër në mision”.
Në të gjithë rreshtat e shkresës prej tre faqesh ka një ngut të sinqertë për të dhënë kontribut për të treguar gjurmët e grabitësit misterioz, që guxoi të hyjë në një mision diplomatik, por që morri pikërisht vetëm kompiuterin e sekreteve dhe nuk ju dha të shihte njëherë sirtareve për të gjetur ndonjë bizhuteri apo ndonjë send tjetër me vlerë, ndërkohë që kishte madje kohën e mjaftueshme, që nëse kishte nevojë, të kryente edhe nevoja të tjera në tualetin e misionit.
“Në kushtet në të cilat ka ndodhur ngjarja, duke mos konstatuar asnjë infrasion fizik (thyerje, hyrje me forcë e të tjera), unë nuk e kam parë të arsyeshme të lajmërojmë policinë. Nëse mendoni se duhet bërë, lutem autorizimin tuaj në mënyrë që të procedojmë menjëherë”, thuhet në fund të shkresës para se të nënvizohet edhe njëherë se kushtet sigurisë në mision janë absolutisht jashtë çdo norme të mendueshme apo të pranueshme sigurie. Dhe mbi të gjitha, nga ai moment, shkruhet në shkresë, misioni as nuk mund të marrë dhe as nuk mund të dërgojë informacione të klasifikuara.
Nuk dihet me saktësi se si kanë reaguar në Tiranë kur është lexuar kjo shkresë. Por burime zyrtare, konfirmojnë se Tirana ka lejuar dhe autorizuar lajmërimin e policisë lokale në vendin e madh të huaj ku ka ndodhur grabitja. Konfirmojnë se për tre ditë rresht policia ka kontrolluar imtësisht rrethanat në të cilat ka ndodhur grabitja. Rezultatet e këtij hetimi janë të rezervuara. Askush nuk është marrë në përgjegjësi penale. Shteti shqiptar, deri përpara këtij publikimi, ka heshtur për këtë ngjarje sikur të mos kishte ndodhur kurrë.
Shifra sekrete
Ndodhej brenda në laptop. Kompjuteri ruhej me dy fjalëkalime, njëri për programin Windows, tjetri, një fjalëkalim i veçantë shërbente për dosjen e materialeve të klasifikuara. Të dy fjalëkalimet njiheshin dhe ruheshin vetëm prej titullarit që nuk mundi të ruajë dot laptop-in që kishte në ngarkim. Nuk konfirmohet se çfarë lloj dokumentash ndodheshin brenda në kompiuter. Por e rëndësishme është të kuptohet se nëse ai bie në duar të “gabuara” specialistësh, ata mund të thyejnë nëpërmjet shifrës, të gjithë “librarinë” e dokumentave të interceptuara në të shkuarën. Dhe kjo është më e keqja. Të paktën përkohësisht, nëse nuk rezulton ndryshe shpejt. Që Shqipëria, tashmë vend anëtar i NATO-s dhe për këtë shkak, edhe bashkëndarëse informacionesh të klasifikuara, të mos afrojë siguri për ruajtjen dhe menaxhimin e këtyre informacioneve.
Një sinjal të rezervuar në këtë drejtim e ka dhënë edhe vetë drejtori aktual i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Në raportin që ai mbajti në mbledhjen me dyer të mbyllura të komisionti të sigurisë në Kuvend, ai ka përmendur dy raste të dyshimta me ambasadorë shqiptarë për të cilat shërbimi kishte vërejtur problematikë të nxehtë. Nuk bëhen të ditur emrat e ambasadorëve në njoftimin e “infiltruar” në publik nga burime të deputetëve të shumicës brenda mbledhjes, por me siguri, njëri prej tyre, do të ketë qenë ambasadori që ka humbur laptop-in e sekreteve. Dhe kjo ngjan se është një arsye më shumë që të besohet se brenda shtatorit, shumica në pushtet, domethënë Sali Berisha, do të rinisë edhe njëherë aventurën për të kërkuar kokën e Bahri Shaqirit.
Të paktën për të kërkuar fiksimin kohor të mandatit të tij dhe për të pritur pastaj me durim, mbarimin konkret të tij. Deri në momentin që çelësat e portës së sekreteve të shtetit dhe mëkateve të shumta të njerëzve që punojnë për shtetin, të bjerë në duar politikisht korrekte. Ato të Bahri Shaqirit, sipas Berishës dhe Topallit nuk janë të tilla, kurse për NATO-n dhe SHBA-në, po! Dhe nëse njihet historia politike e kryeministrit, vazhdimisht e shenjuar nga aksioma leniniste: nuk ka kala që nuk e marrin komunistët, është e qartë se ish-komunisti Berisha nuk do të qëndrojë gjatë në paqe me kalanë e sekreteve.
Por do ta sulmojë atë që në shtator. Në një betejë në të cilën ka kundër shumëkënd, por që i duhet patjetër ta fitojë edhe pse në lojë vihen shumë më tepër qedere me përmasa të panjohura sesa qari i shumëpritur.











