Kuvendi diskuton sot per hapjen e kutive. Zhvillimet e pritshme

Kuvendi diskuton sot për hapjen e kutive. Zhvillimet e pritshme
TIRANË - Deputetët socialistë do të kthehen sot në Kuvend për të kërkuar miratimin e nismës së tyre ligjore që bënë të mundur hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Në një mbledhje që ka zgjatur fare pak, grupi parlamentar socialist ka vendosur që të jetë i pranishëm në seancën e sotme plenare, ku dhe është parashikuar të diskutohet dhe votohen disa ndryshime në ligjin për komisionet hetimore parlamentare. Kështu, socialistët do të synojnë të frenojnë miratimin e amendamenteve të paraqitura prej Partisë Demokratike dhe kalimin e propozimeve të tyre të rrëzuara dy ditë më parë nga Komisioni i Ligjeve. Vetë situata e rëndë e krijuar si për shkak të krizës së gjatë politike ashtu edhe për shkak të vendimit të Komisionit të Ligjeve që rrëzoi propozimet e socialistëve, duke i zëvendësuar ato me disa amendamente të tyre, pritet të sjellë sot një debat të ashpër dhe të gjatë në seancë plenare. Për këtë qëllim deputetët opozitarë kanë marrë masat dhe kanë përcaktuar edhe hapat që do të ndjekin gjatë kësaj seance, e cila është konsideruar prej tyre si shpresa e fundit për t'i dhënë zgjidhje krizës politike në vend nëpërmjet miratimit të propozimeve të tyre. Në mbledhjen e djeshme mësohet se ka folur kryetari i grupit, Gramoz Ruçi, i cili ka bërë të ditur vendimin për të qenë prezentë në seancë vetëm gjatë kohës kur do të nisë shqyrtimi i pikës së rendit të ditës që përfshinë pikërisht këtë çështje. Por, prezenca e tyre në këtë pjesë të debatit nuk do të jetë thjesht formale, pasi deputetët e majtë kanë vendosur që të angazhohen seriozisht që nëpërmjet diskutimeve të sjellin argumentet e duhur për të bindur shumicën e djathtë që të mos kalojë një nismë të tillë pa marrë parasysh propozimet e tyre. Kështu mësohet se për të marrë pjesë në diskutime do të angazhohet një numër i madh deputetësh socialistë, të cilët që në çelje të këtij debati do të regjistrojnë emrin për të diskutuar në seancë. Lista e deputetëve që do të marrë pjesë në këtë debat, përveç anëtarëve të komisionit të ligjeve, përbëhet edhe nga një numër i konsiderueshëm të zgjedhurish të tjerë socialistë, listë e cila mësohet se e kalon numrin 30. Vetë angazhimi i një numri kaq të madh deputetësh në këtë debat duket se ka dhe një qëllim të fshehur të socialistëve, pra moslejimi i miratimit të amendamenteve të PD-së. Kjo pritet të bëhet e mundur me zgjatjen e seancës deri pas mesnate me shpresën që mazhoranca të ndërpresë punimet për t'i vijuar ditën tjetër kur dhe në Tiranë pritet të mbërrijë komisioneri i BE-së për zgjerimin, Stefan Fule, i cili natyrisht do të angazhohet edhe për zgjidhjen e krizës politike shqiptare. Në mbledhjen e djeshme të grupit ka folur edhe deputeti Fatmir Xhafaj, i cili ka njohur kolegët e vet me qëndrimin e mbajtur prej socialistëve në Komisionin e Ligjeve, si dhe amendamentet e propozuara prej demokratëve në ligjin për komisionet hetimore parlamentare. Në mbledhjen e grupit kanë marrë pjesë edhe të gjithë deputetët që e kanë prezantuar veten si përfaqësues të LMN-së. Nuk dihet nëse edhe ata do të marrin pjesë në këtë debat apo jo.

Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama