Kryeministri Berisha është përballur me protesta të dhunshme dhe me akuza të shumta gjatë javëve të fundit nga banorët e Orikumit, të cilët thonë se qeveria ka dhënë tituj pronësie ku po ndërtohen pallate pranë shtëpive të tyre. Në Orikum, banorët vendës u përleshën me policinë për ditë të tëra dhe në media pati akuza se Policia e Shtetit po përdorej si polici private nga investitorët. Konflikte mes kompanive të ndërtimit dhe banorëve vendas, të cilët pretendojnë pronësinë bazuar në dokumente apo në të drejtë zakonore, kanë lindur në të gjithë vijën bregdetare.
"Kanë propozuar nga 300, minimumi deri në 750, në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept", tha Berisha. Sipas Kryeministrit, "banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh".
"Ky është një lloj tjetër ligji 7501", komentoi Myrshit Vorpsi, nga Shoqata Pronësi me Drejtësi, duke iu referuar ligjit që shpërndau tokën bujqësore në ngastra të vockla mes banorëve të fshatit në vitin 1991 dhe që sot konsiderohet dhe problemi më madhor politik, ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë.
"Kryeministri Berisha, në kohën kur ka qenë President, miratoi një dekret që u jepte të drejtë familjeve fermere që jetojnë në zonën bregdetare të merrnin deri në 1500 metra katrorë tokë për familje, në rastin kur toka e bregdetit kthehej në truall", shpjegoi Vorpsi. "Në fakt, qeveria nuk ua dha tokën e bregdetit as pronarëve dhe as banorëve vendas, por ua shpërndau me koncesion kompanive të ndryshme për fshatra turistikë", vijoi ai.
"Nuk presim lëmoshë dhe nuk duam lëmoshë. E drejta e pronësisë në bregdet dhe kudo tjetër duhet të jepet sipas përcaktimeve të Kushtetutës", komentoi Niko Nesturi, nga Shoqata e Bregdetit, një grup që mbron pronat e banorëve autoktonë të bregut të Jonit.
Shumica dërrmuese e banorëve të bregdetit e ka pasur të vështirë të sigurojnë dokumente të rregullta pronësie, qoftë edhe për shtëpitë e oborret e veta, si pasojë e kostos së stërmadhe që mbart aplikimi për nxjerrjen e titujve të pronësisë nëpër kadastra.
Pronësia në bregdet
Banorët e zonave bregdetare i kanë përdorur këto toka që nga kohën e lashta, në formë kullotash personale apo kolektive, apo në formë pyjesh. Pas reformës së Tanzimatit, Perandoria Osmane shpërndau tituj pronësie të modelit të Kodit të Napoleonit, ku bazohet edhe sistemi aktual ligjor i Shqipërisë. Në vitin 1993, kur qeveria miratoi ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, një klauzolë e posaçme sanksionoi se toka pranë vijës bregdetare konsiderohej si "zonë me përparësi turizmin" dhe nuk kthehej te pronarët, as nuk shpërndahej si tokë bujqësore me të drejta të plota pronësie.
Banorët e bregdetit
Bregdeti i Shqipërisë është në shumicë dërrmuese pak i populluar. Shqiptarët që kanë jetuar në bregdet prej shekujsh pas vitit 1990, u përballën me faktin se qeveria e kohës e konsideroi vijën bregdetare monopol shtetëror dhe nuk i dha të drejtë askujt të ndërtonte, qofshin banorë vendas apo të tjerë. Një pjesë e bregdetit, veçanërisht pranë zonave me akses infrastrukturor, iu dha përmes kontratave koncesionare apo qirave simbolike investitorëve të ndryshëm, me synimin që të ndërtoheshin fshatra turistikë. Në fakt, toka e marrë në këtë mënyrë, u përdor për ndërtim vilash dhe apartamentesh, të cilat u nxorën menjëherë në shitje dhe kurrfarë aktiviteti turistik nuk u krye aty.
Banorët vendas të bregdetit, të cilët nuk morën dot tokë bujqësore e nuk morën dot as truall për ndërtim, filluan të ndërtojnë pa leje dhe u përballën me pasiguri ekstreme, për shkak se qeveria shumë shpesh ua shembi shtëpitë e ndërtuara.
Burime pranë qeverisë shpjeguan se Kryeministri synon të zbusë protestat e banorëve vendas kundër investitorëve, duke u shpërndarë nga një ngastër tokë. Por ekspertët vërejnë se sipërfaqe të tilla prej vetëm 750 metrash katrorë për familje, nuk mjaftojnë as për një shtëpi fshati dhe janë të pamjaftueshme për të ndërtuar çfarëdolloj aktiviteti ekonomik.
Gazeta Shqip











