Unë uroj që z.Nano, pavarësisht nga moskandidimi për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, të ketë një rol aktiv për të ndihmuar në fitoren e opozitës dhe të majtës në zgjedhjet e 28 qershorit, pasi duhet thënë se ai përfaqëson një faktor shumë të rëndësishëm të së majtës dhe në këtë mënyrë është e domosdoshme që të gjithë këta faktorë të bashkërendojnë dhe të bashkëpunojnë me qëllimin kryesor, fitoren e opozitës, fitoren e së majtës dhe forcave progresiste dhe nxjerrjen në pension politik të Kryeministrit aktual z.Berisha. Besoj që pas 28 qershorit, projekti për bashkëpunimin e të majtës mbi principe shumë demokratike do të jetë i hapur”, tha Meta. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për bashkëpunim me ish-kreun socialist, Meta tha se është i hapur të bashkëpunojë me të dhe të gjithë faktorët progresistë të së majtës. “Ai përfaqëson një figurë tepër komplekse dhe njëkohësisht besoj se është një figurë ende shumë përfaqësuese dhe në këtë drejtim është i domosdoshëm bashkëpunimi me të dhe një rol i tij më aktiv në drejtim të fitores së përbashkët të së majtës dhe opozitës në zgjedhjet e 28 qershorit”, tha Meta.
Meta: Plan konkret për të shpëtuar fasonët
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një tjetër vizitë në një prej bizneseve fason, në lagjen e Kombinatit në Tiranë. Meta tha se LSI ka program konkret për të shpëtuar këtë biznes nga falimentimi, ku punojnë rreth 100 mijë punonjës, kryesisht gra dhe vajza. “Ky program ka të bëjë me subvencionimin 50% të sigurimeve shoqërore, deri në fundin e vitit 2011, me përjashtimin nga tatimi për fitimin për këto biznese deri në fundin e vitit 2010, njëkohësisht me subvencionimin 100% të sigurimeve shoqërore për çdo vend të ri pune, që krijohet në të ardhmen. Përveç këtyre masave, ne kemi dhe një plan të qartë për përjashtimin e makinerive dhe pajisjeve për këto lloj biznesesh nga TVSH-ja, që është një tjetër pengesë për t’u zgjeruar këto aktivitete”, tha Meta. Sipas tij, në këtë mënyrë jo vetëm arrijmë të ndihmojmë për punësimin, pasi dihet që këto biznese kanë rreth 100 mijë të punësuar kryesisht gra dhe vajza, por njëkohësisht edhe mbrojmë tregjet e sotme për eksport, që ka ky lloj biznesi në vendin tonë, që përfaqëson 500-600 milionë euro të eksporteve.
Gazeta Panorama











