Për këtë, në tremujorin e parë të këtij viti do të nënshkruhet një marrëveshje dypalëshe. "Një marrëveshje e ndërtuar me hollësi, do t‘u japë mundësi qytetarëve që të lëvizin pa pengesë dhe do t‘u krijojë komoditetin e lehtësive të procedurave administrative", u shpreh Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi. Homologu i tij, Fatmir Sejdiu, theksoi se "marrëveshja mund të jetë shembull për Malin e Zi dhe Maqedoninë, madje mund të vihej në jetë edhe ideja e tij e kahershme për ndërtimin e një zone ‘mini-Shengen", në Evropën Juglindore. Por a mund të pasohej ky Shengen me një treg të përbashkët, ku do të lëviznin lirisht jo vetëm qytetarët, por edhe mallrat, shërbimet dhe kapitalet? Për Kryeministrin Hashim Thaçi, simbolika e integrimit ka një ngjyrim më evropian.
"Duhet të investojmë që të ecim përpara dhe duhet të arrijmë standardet evropiane", u shpreh Thaçi. Qeveria "Thaçi" përballet aktualisht me një sërë problemesh që shkojnë që nga siguria e përditshme në veri të vendit e deri te njohja e mëtejshme e pavarësisë. Presidenti Topi e siguroi Presidentin Sejdiu edhe Kryeministrin Thaçi për lobimin e mëtejshëm të Shqipërisë, duke u shprehur optimist për një njohje në bllok nga vendet e organizatës islamike. Duke u ndalur te çështja e pavarësisë, Presidenti Topi theksoi se "pavarësia e Kosovës erdhi ashtu siç vjen një lajm i shumëpritur, ashtu siç vjen një ditë e madhe, ashtu siç vjen një festë e bukur, ashtu siç vjen një rilindje".
Sipas kreut të shtetit shqiptar, historia, më në fund, vendosi drejtësi, sepse përmbushi një vullnet, një aspiratë një ëndërr shekullore të një populli të shtypur, ajo shpërbleu shumë mund, djersë, gjak, dhimbje dhe sakrifica sublime, ajo nderoi shpirtin e një populli për të mos u përulur, revoltën e studentëve, Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrinë e saj, përpjekjet e liderit politik, Presidentit të ndjerë, Dr. Rugovës, veprën heroike të Adem Jasharit dhe të të gjithë dëshmorëve të rënë për të vendosur drejtësi.











