Berisha Se shpejti do te shkoj ne Tropoje

Berisha: Së shpejti do të shkoj në Tropojë
Dy javë më parë, gazeta "Shqip", botoi lajmin, duke u referuar në përgatitjet që po bëheshin nga stafi i Kryeministrisë. Data përfundimtare e vizitës në Tropojë, ende nuk është caktuar, por, sipas të gjitha gjasave, do të bëhet brenda disa ditëve. Në turin që pritet ta zhvillojë në Veri, kreu i qeverisë do të përurojë disa rrugë të reja.

Korçë

Kryeministri Sali Berisha deklaroi në përfundim të turit ‘Shqipëria po ndryshon‘ në qarkun e Korçës, se "politikat e ndjekura nga qeveria për zhvillimin rural, do të rrisin më shumë prodhimet dhe shitjen e tyre". Ndalesa e fundit e Kryeministrit Berisha ishte fshati Ponçar, në Devollin e Sipërm, ku dhe mori pjesë në përurimin e sistemit të vaditjes dhe kullimit, një investimi i buxhetit të shtetit me vlerë 70 milionë lekë, që do të bëjë të mundur vaditjen e një sipërfaqeje toke prej 700 ha. Gjatë fjalës së tij me banorët e kësaj zone, Kryeministri Berisha u ndal tek investimet e realizuara në këtë zonë, të cilat përfshijnë ndër të tjera ndërtimin e disa shkollave të reja dhe përfundimin e një sërë akseve të rëndësishme rrugore. Kryeministri theksoi se këto vepra janë premtime të mbajtura të qeverisë. "Banorët e kësaj zone aq sa vlerësojnë investimin, vlerësojnë dhe fjalën e mbajtur", u shpreh Kryeministri. Berisha tha se nuk do të ketë më fermerë të pashpresë, prodhimet e të cilëve shkonin dëm si pasojë e kontrabandës që i pengonte. "Kam ardhur në komunën Qendër edhe pak vite më parë dhe i kam gjetur fermerët në gjendje depresive, pasi iu ishin kalbur prodhimet në arë, për shkak të kontrabandës. Po kështu ndodhi edhe me grurin. Edhe mediat iu ranë sirenave, së bashku me opozitën, se qeveria nuk po ul taksën për grurin në dogana. Por ne nuk mund ta ulnim atë, sepse do mendonim për fermerët tanë dhe prodhimet e tyre", cilësoi Berisha. Duke iu referuar informacioneve të marra nga drejtori i bujqësisë për rrethin e Korçës, Kryeministri tha se prodhimi i grurit në Korçë është rritur këtë vit me 30% dhe po kështu është rritur në Myzeqe dhe kudo. "Fermerët e ndiejnë se qeveria jo vetëm e mban fjalën e dhënë, por qeveria po harton politikat më të fuqishme të zhvillimit", përfundoi kreu i qeverisë.

Përurimet

Kryeministri Sali Berisha preu shiritin e përurimit të rrugës që lidh qendrën e fshatit Sul, në rrethin e Devollit, me rrugën kombëtare. Ai cilësoi me këtë rast investimet e rëndësishme që janë bërë në fshatin Sul, i cili bën pjesë në komunën e Mirasit, ndërsa u shpreh se "ky fshat është një nga prodhuesit më të mirë të zarzavateve në vend". Berisha rikonfirmoi dhe një herë mbështetjen që do t‘i japë qeveria që ai drejton zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës. "Rrethi i Devollit do të jetë i pari ku do të asfaltohen të gjitha rrugët që lidhin fshatrat me komunat dhe komunat me rrugët kombëtare", deklaroi Kryeministri Berisha, duke garantuar se në këtë drejtim do të punohet në të gjithë Shqipërinë. "Nëpërmjet ndërtimit të rrugëve do t‘u krijohen lehtësira për të dalë më shpejt në treg dhe për të shitur prodhimet tuaja, do të keni një infrastrukturë moderne me shkollat bashkëkohore dhe ujësjellësit", cilësoi Kryeministri.

Ai kujtoi poemën e Dritëro Agollit ‘Devoll, Devoll‘, të cilën kur e kishte lexuar i kishte bërë përshtypje balta. "Kur erdha në Devoll, kuptova pse poeti i referohet kaq shumë dhe u zotova që ta nxjerr Devollin nga balta". Duke bashkëbiseduar me banorët e fshatit Sul, Kryeministri u tha atyre se "nuk është lejuar që kontrabanda të kalbë prodhimet tuaja në fushë".


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama