Municionet qe ktheu Turqia zhduket nje kontejner
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, mori pjesë dje në një ceremoni që shënonte përfundimin e procesit të çaktivizimit të 59 kontejnerëve me municion, të cilët qëndronin prej disa muajsh të magazinuar në mjediset e grup-depove të Shkozetit, në vartësi të Komandës së Mbështetjes. Ministri i Mbrojtjes vlerësoi punën e bërë nga ushtarakët për çaktivizimin e këtyre 59 kontejnerëve, por asnjë fjalë nuk është thënë gjatë ceremonisë për kontejnerin e 60-të të mbushur me municion. Fati i tij nuk dihet ende, duke përbërë një situatë alarmante. "Është në interesin tuaj se cilës palë t‘i referoheni". Kështu i është përgjigjur ministri Oketa, dje në Durrës, pyetjes për numrin e kontejnerëve me armatim që nuk përkon me atë të deklaruar paraprakisht. Korrikun e vitit të kaluar, një anije shqiptare u nis nga Porti detar i Durrësit e ngarkuar me kontejnerë të mbushur me municion. Destinacioni i tyre ishte Armenia, po malli i rëndë nuk arriti të mbërrijë atje, për shkak të bllokimit që iu bë anijes nga autoritetet turke. Shteti turk nuk lejoi kalimin e ngushticës së Bosforit dhe transitimin e 60 kontejnerëve drejt Armenisë, të cilët u detyruan të kthehen në Portin e Durrësit dhe më pas të magazinohen në depon ushtarake në Shkozet të Durrësit. Ngjarja shkaktoi një tërmet të fortë diplomatik për Shqipërinë, duke marrë reagimin e menjëhershëm të Azerbajxhanit, vendit në konflikt me Armeninë, që dërgoi notë proteste për trafikun e paligjshëm të ngarkesave me armatim, çka u konsiderua si një veprim kundër shtetit azer.
Është deklaruar se në anije kishte armatim artilerie nga 75-120 mm dhe se i gjithë municioni ishte strehuar në 60 kontejnerë me pronar malli kompaninë MEICO, e cila kishte bërë dhe marrëveshjen me përfaqësuesit armenë për tregtimin e armatimit dhe municionit. Numri i kontejnerëve është fiksuar në të gjitha dokumentacionet zyrtare që shoqërojnë lëvizjen dhe transportin e mallit dhe janë lehtësisht të verifikueshme, ndërkohë që heshtet mistershëm për fatin e kontejnerit të fundit, duke hedhur dyshime edhe për llojin e mallit që ndodhej brenda tij. Magazinimi i kontejnerëve në Shkozet dhe gjendja e deklaruar e tyre deri dy muaj para procesit të zhvendosjes dhe asgjësimit fliste për 59 kontejnerë. Ku shkoi i 60-ti? Është pyetja më e rëndomtë, ndërsa të shumtë besojnë se ajo mund të jetë transportuar në rrugë ajrore, meqë ajo detare u mbyll. Shumë pikëpyetje të tjera lindin dhe mbesin pa përgjigje për kontejnerin gati 30 tonësh. Pse u zgjodh pikërisht ai për t‘u "zhdukur" si të mos kishte qenë? Çfarë kishte brenda tij?
Flitet dhe për lëndë helmuese. A ndodhet ende në vend dhe rrezikon jetë njerëzore? Ministria e Mbrojtjes hesht pa mundur të deklarohet për këtë mungesë. Ushtarakët e lartë mbledhin supet pa dashur të ngatërrohen me këtë çështje. Gjithçka mbetet te deklarata e ministrit të Mbrojtjes për vërtetësinë e burimeve mbi numrin e kontejnerëve. Deklarata tregon se ministri nuk ka qenë fare indiferent ndaj këtij problemi, po sërish ngrihen pikëpyetje të tjera. Di diçka që nuk mund ta thotë, apo dhe atë e mundon fati i kontejnerit të arratisur.
Ministri: Ushtarakët shqiptarë i kanë kapacitetet për të kthyer sigurinë aty ku rrezikohet
Oketa takon ushtarakët që asgjësuan
municionet e destinuara për në Armeni
Gjatë dy muajve të fundit është zhvilluar operacioni për zhvendosjen drejt depove më të sigurta të armatimit për artileri dhe asgjësim të djegoreve të tyre. Në përfundim të operacionit, në të cilin u angazhuan 47 forca dhe 13 mjete, ekipi u përshëndet nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili deklaroi se me asgjësimet e vazhdueshme që po realizohen nga strukturat ushtarake, shumë shpejt vendi do të kalojë në një nivel tjetër të sigurisë. "Ky operacion dëshmoi se ushtarakët shqiptarë i kanë të gjitha kapacitetet dhe aftësitë për të kthyer sigurinë në ato zona ku ajo rrezikohet", tha ministri Oketa. Që nga dita e djeshme, kontejnerët kanë mbetur të boshatisur, ndërsa djegoret e predhave mortajë u plasën gjatë kësaj vere në poligonin ushtarak të Jub Sukthit, disa kilometra larg qytetit-port. Ndërkaq, predhat pa djegore janë zhvendosur në Borizanë, ku depot ushtarake ofrojnë kushte më të mira magazinimi dhe siguri më të lartë për komunitetin. Oketa inspektoi nga afër përfundimin e operacionit për zhvendosjen e 1309 tonë municioneve të mortajave të kalibrit 120 mm.
Në këtë inspektim, Oketa u shoqërua nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj dhe komandanti i Komandës së Mbështetjes, gjeneral brigade Vladimir Qiriazi. Sipas komandantit të operacionit, nënkolonel Nezir Marku, operacioni nisi më 23 qershor në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes dhe përfundoi brenda 45 ditëve. Në poligonin e Jub Sukthit u asgjësuan 50352 copë djegore, pas ndarjes së tyre nga predhat. "Ky municion, i cili tashmë është larguar nga këto depo në Shkozet, jo vetëm që është transportuar nga zona e banuar, po pjesa më e rrezikshme e tij, pra baruti dhe djegoret, janë eliminuar, ndërsa pjesa tjetër, e cila tashmë është magazinuar, mund të konsiderohet si një pjesë e parrezikshme". Në të vërtetë, ushtarakët pjesëmarrës në operacion u shprehën se janë asgjësuar djegoret që mbajnë lëndë të fuqishme plasëse, po jo baruti i predhave. Në operacionin e zhvendosjes dhe asgjësimit u angazhuan ekspertë të grupit AEM, forca të Batalionit Special, të Batalionit të Policisë Ushtarake, si Batalioni i Transportit. Këto përshkuan nën masa të rrepta sigurie 51 mijë kilometra rrugë për transportimin në destinacionin e caktuar të municioneve. Përveç tyre, ministri Oketa falënderoi dhe pushtetin vendor e Prefekturën e Durrësit, Komunën e Jubës, e cila ka bashkëpunuar me strukturat ushtarake dhe ka krijuar mundësinë që pjesa e rrezikshme e këtij materiali të asgjësohet.
Ministria e Mbrojtjes së vendit aziatik aludon për lidhje mes tregtisë dhe shpërthimit të Gërdecit
Azerbajxhani: MEICO furnizoi Armeninë me armë
Bllokimi i armëve shqiptare në ngushticën e Dardaneleve riktheu në skenën botërore aferat e tregtisë ilegale të armëve të bëra nga MEICO me shtete të ndryshme të botës. Denoncimi erdhi nga Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit, e cila akuzoi vendin fqinj, Armeninë, me të cilin ka probleme të mëdha territoriale për trafik ndërkombëtar armësh. Dhe në këtë rast, qeveria e Baku-së (kryeqytetit të Azerbajxhanit), risolli në vëmendje tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe Armenisë, e cila është zhvilluar në verën e vitit të kaluar. Në një lajm të sajin të 18 prillit 2008, agjencia e lajmeve e Azerbajxhanit, "Azeri Press Agency", duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së këtij vendi theksonte se "faktet tregojnë që zyrtarët e Jerevanit (kryeqytet i Armenisë) kanë blerë armë ilegale dhe pajisje ushtarake nga vende të ndryshme në vitin 2007. Një anije e ngarkuar me 60 kontejnerë me armë ilegale, që ishin blerë nga kompania shqiptare MEICO prej Ministrisë armene të Mbrojtjes, u ndalua në territorin e Turqisë në korrik të vitit 2007.
Kontejneri përmbante armë të ndryshme të kalibrit nga 75 mm deri në 122 mm, të cilat ishin ilegale. Është i përcaktuar fakti se këto armë janë tërhequr nga depot e municionit të ndodhura në territorin e Tiranës në mënyrë ilegale. Pikërisht në këto depo ndodhi një shpërthim gjigand më 15 mars të këtij viti, dhe dyshohet se shpërthimi u bë për të mbuluar kontrabandën e armëve". Pikërisht këto fraza të cituara nga Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit hedhin një tjetër dyshim në lidhje me shkaqet që sollën Gërdecin dhe aferat e tregtisë së armëve. E para është mundësia e magazinimit në Gërdec jo vetëm të municioneve, por edhe të armëve të rënda dhe tregtia të jetë bërë me armët e blera nga Delijorgji dhe e dyta, që është më e rënda, është pista e shpërthimit të qëllimtë të depos së Gërdecit. Në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, e cituar nga agjencia e lajmeve azere, "APA", akuzohet Armenia se është kthyer në një depo gjigande municioni për furnizimin e terrorizmit ndërkombëtar. Kështu, qeveria e Bakusë thekson se qeveria armene ka furnizuar edhe terroristët kurdë të "PKK-së". Këto lidhje që bëhen në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes azere hedhin një hije edhe më të rëndë dyshimi, që përveçse me Uashingtonin, e fusin Shqipërinë në probleme edhe me qeverinë mike të Turqisë, e cila zhvillon një luftë të egër ndaj kurdëve të "PKK"-së.
Gazeta "Shqip", 19 prill 2008
Gazeta: Shqip