Dekretet e Topit PD ndahet ne dysh

Dekretet e Topit, PD ndahet në dysh
\"\"\"\"Rezultatet e votimeve për kandidaturat Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj, Majlinda Andrea, Arjana Fullani, Guxim Zenelaj dhe Evelina Qirjako treguan mbrëmë se mazhoranca nuk ka pasur një qëndrim të përbashkët ndaj disa prej dekreteve, duke pasur parasysh se grupi i parlamentar i PS-së e paralajmëroi votën “pro” tyre. Të njëjtën gjë paralajmëruan edhe partitë e vogla të majta, ndërkohe që votat kundër, në rast se i referohemi qëndrimeve publike të opozitës, mund të thuhet fare mirë që kanë ardhur nga kampi tjetër ai i mazhorancës, edhe pse në fund të fundit vota është e fshehtë.

Kështu të gjashtë kandidaturat kanë kaluar dje me shumicën e mjaftueshme të votave, por secila prej tyre në të njëjtën kohë u shoqërua edhe me votat kundër. Kryeministri Sali Berisha për herë të parë dje në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së nuk dha ndonjë udhëzim zyrtar se si duhej të votohej për gjashtë dekretet e Presidentit të Republikës. Më saktë, grupi parlamentar i PD-së nuk mori një vendim politik çka tregon se PD nuk ka pasur në fakt një qëndrim “pro” të gjashtë dekreteve, dhe për të shmangur një konflikt të dytë me kreun e shtetit, votimi kësaj here ka qenë krejtësisht individual. Ndryshe nga PD, grupi parlamentar i PS-së vendosi dje që të votoje pro dekreteve të kreut të shtetit. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, lidhur me 6 dekretet e Presidentit, ashtu siç kemi shprehur qëndrimin tonë edhe në Komisionin e Ligjeve, kemi mbështetur të drejtën e Presidentit në përzgjedhjen e kandidaturave. Kemi mbështetur proçesin e hapur të kritereve të kandidaturave, të cilat i kemi gjetur në përshtatje me Kushtetutën.

Kështu që, vendimi ynë për 6 dekretet, do të jetë pro”,- tha dje kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes. Votimi i gjashtë dekreteve të Presidentit të Republikës erdhi pas miratimit formal të emrave në komisionin e Ligjeve. Në 6 dosjet e përgatitura për secilin prej kandidaturave, ishin përfshirë CV-së së tyre, rezultatet e notave, trajnimet apo deri diku kualifikimet. Krejt formal materiali ka qenë edhe nga ILDKP dhe Ministria e Drejtësisë, institucione, të cilat, ishin treguar krejt sipërfaqësore në përgjigjet e tyre. Kështu, në dokumentin e saj, Ministria e Drejtësisë jepte thjesht disa akte që kishin lidhje kryesisht me punën e gjyqtarit Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj, dhe Majlinda Andrea, ndërkohe që nuk kishte asnjë të dhënë për tre dekretet e tjera. Edhe Inspektorati i Deklarimit të Pasurive kishte dhenë një raport të thatë në argumentet e tij për katër kandidatët që kishte kontrolluar: Aleksandër Muskaj, Majlinda Andrea, Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj.

-------------------------------------

Përmes shkeljes së procedurave, mazhoranca mënjanon dy kandidaturat e tjera, për të votuar vetëm Neshat Fanën në Kuvend

PD shkel ligjin, Neshat Fana anëtar i KLD-në

TIRANË- Partia Demokratike i ka lëvizur të gjitha gurët, në një hapësirë kohore prej 7 muajsh, me qëllim që të sigurojë një anëtar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Dhe kjo në fakt u arrit mbrëmë vonë kur mazhoranca me votat e saj votoi kandidaturën e propozuar nga grupi parlamentar i PD-së për anëtar të KLD-së, pikërisht kandidaturën e Neshat Fanës. Që nga mbarimi i mandatit të Ilir Pandës, më 31 nëntor 2007, demokratët bllokuan të gjitha procedurat që lejonin miratimin e një tjetër kandidati që nuk kishte marrë bekimin e kryeministrit Sali Berisha, pikërisht atë të Maksim Haxhisë apo edhe Alfred Karamuços. E gjitha kjo u mësua në ditën e fundit të punimeve të Kuvendit, për këtë legjislaturë, kur të djathtët pritën në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve kandidaturën e propozuar zyrtarisht prej tyre për anëtar të KLD-së, Neshat Fana.

Deputetët e opozitës kanë akuzuar dje Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për shkelje të Rregullores sepse po merrej në shqyrtim vetëm kandidatura e Fanës, ndërkohë që nuk ishte filluar asnjë procedurë për 50 firmat e mbledhura për së dyti për Maksim Haxhinë. Madje, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafa kushtëzoi pjesëmarrjen e PS-së në tryezën për reformën në drejtësi, në rast se Kuvendi do të miratonte Fanën pa kandidaturë alternative. Edhe mbrëmë gjatë seancës në Kuvend, Xhafa deklaroi se përgjegjësi për këtë situatë mban Kryetarja e Kuvendit. ”Mbani juve që me veprimet dhe mosveprimet tuaja të qëllimshme keni shkelur Kushtetutën, keni shkelur nenin 8 të ligjit për KLD-në, keni shkelur pikën 2,3,4 të nenit 111 të rregullores se Republikës. Është e disata herë që në mënyrë të përsëritur të qëllimshme të hapur shkelni Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit”,- tha ai. Por kryetarja e Kuvendit u përgjigj se ajo nuk kishte lidhje me kandidaturat e ardhura për anëtarë të KLD-së.

Shkelja e ligjit

Bazuar në afatet që kërkon Ligji për KLD-në, 45 ditë pas mbarimit të mandatit të Ilir Pandës, 28 deputetë të partive të vogla, të djathta e të majta, propozuan avokatin Maksim Haxhia për anëtar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në datën 30.11.2007 ata e depozituan propozimin e tyre në Kuvend. Por në shënimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, mbi dokumentin e paraqitur, kjo kandidaturë i sugjerohej Drejtorisë Juridike dhe asaj të Seancave “vetëm për t’u parë”. Firmat e deputetëve për këtë kandidaturë u “arkivuan” pa asnjë arsye për më shumë se 7 muaj në zyrën e Drejtorisë Juridike për t’u futur sërish në shqyrtim vetëm në datën 9 korrik të këtij muaji, kur një deputet firmëtar, Pashk Ujka, do të deklaronte tërheqjen e firmës që kishte dhënë.

Me lëvizjen e këtij të fundit, kandidaturës së Maksim Haxhisë, i mbeteshin vetëm 27 firma, të panevojshme këto për t’u futur në procedurën parlamentare, e për pasojë, për t’u diskutuar në Komisionin e Ligjeve. Pas tërheqjes së Ujkës, për Maksim Haxhinë firmosin 50 deputetë, firmat e të cilëve janë protokolluar, por jo aq në kohë sa për të kaluar në Komisionin e Ligjeve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për një kandidaturë tjetër, atë të Alfred Karamuços, i propozuar nga një grup deputetësh të djathtë. Kandidatura e tij, sipas dokumenteve është paraqitur në 26.11.2007.

Por gjithçka u përmbys edhe për këtë të fundit, kur më datë 14 korrik të këtij viti, grupi parlamentar i PD-së propozoi Neshat Fanën, i cili deri në fillim të Korrikut ishte në listën e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pikërisht në këtë ditë, në 14 korrik, për ironinë e fatit, 4 deputetë firmëtarë të Karamuços u tërhoqën nga kjo iniciativë, duke cituar në deklaratën e tyre, se “firmat i kalojnë kandidatit Neshat Fana”. Për kandidatin Fana, ndryshe nga ato të Haxhisë dhe Karamuços, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli autorizoi Drejtorinë Juridike dhe atë të Seancave “që të veprojnë”. Automatikisht, me tërheqjen e deputetëve firmëtarë, Maksim Haxhia dhe Alfred Karamuço nuk u përfshinë në procedurat e Komisionit të Ligjeve, madje as me 50 firmat “e reja” duke bërë që kandidatura e Neshat Fanës të jetë e vetme. Pas kësaj lëvizjeje të maxhorancës, Fana u paraqit dje në Komisionin e Ligjeve, si kandidati i vetëm për vendin bosh në KLD.

Nevila Perndoj : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama