Gazeta Marca nis iniciativen Te gjithe tullace nese skuadra e Aragones fiton EURO 2008

Gazeta
Ajo ka lëshuar një apel, duke ftuar të gjithë tifozët të qethen tullacë nëse skuadra që drejtohet nga Luis Aragones do të fitojë Kampionatin Evropian. Deri tani, kësaj iniciative të veçantë i janë bashkuar më shumë se 10 mijë tifozë, të cilët kanë plotësuar formularin "online" për të konfirmuar se do të dalin në shesh të qethur tullacë për të festuar triumfin spanjoll. Nëse në vendlindje ka filluar festa, vetëm lojtarët preferojnë të jenë të kujdesshëm para sfidës me Rusinë, të cilën e shohin si një kundërshtare të vështirë. Mesfushori Santi Kazorla ka bërë të qartë se në rast disfate përballë skuadrës së Hidink, gjithçka e mirë e bërë deri në atë moment do të harrohej shumë shpejt. "Nëse nuk mundim Rusinë, atëherë çdo gjë e mirë që kemi bërë deri tani nuk do të ketë vlerë. Nuk kemi fituar ende asgjë. Është e vërtetë që jemi kualifikuar, por duhet t'i shkojmë deri në fund këtij turneu. Çelësi është që të vazhdojmë punën tonë, pasi çmimi i fitores është shumë i madh dhe të gjithë dëshirojmë që ta fitojmë këtë kupë. Njerëzit mendojnë se përballë Rusisë do të jetë e lehtë, por në fakt asgjë nuk është kaq e thjeshtë. Ata mundën Holandën, skuadrën që të gjithë e shihnin si një prej favoriteve, ndërsa tani kanë në radhët e tyre Arshavin, një lojtar që mund të bëjë diferencën", deklaroi Kazorla. Edhe pse spanjollët janë munduar ta fshehin euforinë para kësaj sfide, ka qenë një tjetër mesfushor, Ksabi Alonso, ai që ka aluduar se Rusia nuk është në gjendje të bëjë një mrekulli tjetër. "Do të jetë shumë e vështirë për Rusinë të shfaqë të njëjtin nivel loje si me Holandën. Ne i njohim ata dhe nuk do t'ua lehtësojmë punën. Do të jemi më të fortë në prapavijë, në mënyrë që sulmi ynë t'i shkaktojë shumë dëme. Nuk e di nëse do të luaj në këtë sfidë, ndonëse do të dëshiroja ta bëja një gjë të tillë. Më kujtohet ndeshja e parë në grup ndaj Rusisë, por ai ishte një takim krejtësisht ndryshe. Por e dimë që sulmi ynë mund t'i krijojë shumë probleme në prapavijë, ku kanë edhe pikën e tyre më të dobët. Kjo është epërsia jonë ndaj tyre", tregoi mesfushori i cili mendohet të luajë disa minuta në pjesën e dytë të këtij takimi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama