Itali-Spanje spektakel i garantuar
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Nuk ka aspak nevojë për të krijuar tension mbi një takim të tillë, pasi ashtu si unë edhe lojtarët e mi e dinë mirë se, ditën e nesërme (sot), duhet të zhvillojmë një ndeshje perfekte për të kërkuar suksesin ndaj spanjollëve. Ashtu siç e kemi parë të gjithë deri tani, Luis Aragones ka ndërtuar një skuadër të shkëlqyer dhe mbi të gjitha shumë të fortë. Lojtarët e saj janë shumë të shpejtë me lëvizjet e tyre dhe mund të vënë fare thjeshtë në vështirësi cilëndo skuadër. Shumë prej talenteve spanjolle, luajnë në disa prej klubeve më të mëdha në botë, por në të vërtetë, ndryshe nga rezultatet që ata kanë arritur të sigurojnë me klubet e tyre, nuk kanë arritur t’i përsëritin me kombëtaren. Në këtë mënyrë, kjo është një mundësi më shumë për të kërkuar me çdo kusht fitoren, pasi nuk duhet të harrojmë se Spanja, nuk e arrin prej kohësh një gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Spanjollët janë të uritur për sukses, por e njëjta ndjenjë duhet të na shoqërojë edhe ne, për t’u konfirmuar më të mirët. Formacioni? Ashtu si ndaj Francës, nuk do të deklaroj asgjë, pavarësisht se mund t’iu konfirmoj se Aleberto Akuilani do të zbresë në fushë që nga minuta e parë. Për të zbuluar të tjerët, duhet të prisni fillimin e ndeshjes”, shprehet tekniku i italianëve, Roberto Donadoni.
Bufon: Fusha do shpallë fituesin
“Çdo kundërshtar duhet të na mundë dy herë, pasi ne jemi një skuadër që nuk dorëzohemi deri në fund. Shumë thonë që Spanja është favorite ndaj nesh, por gjithsesi, për ta vërtetuar një gjë të tillë duhet të presim 90 minutat e sfidës së nesërme (sot). Është e vërtetë që ata kanë një skuadër të fortë, mbi të gjitha dy sulmuesit, Vila e Torres, por nëse ne respektojmë skuadrën e tyre dhe i frikësohemi, edhe Spanja duhet të ndjejë të njëjtën gjë nëse kërkon të na mundë”, deklaron Xhixhi Bufon.
Del Piero: Jemi dy skuadra të ngjashme
Alesandro Del Piero pret me padurim përballjen ndërmjet Italisë dhe Spanjës. “Sigurisht që do të jetë një ndeshje shumë e kujdesshme nga të dyja skuadrat, pasi kundër njëritjetrit do të jenë përballë disa prej futbollistëve më të mëdhenj në botë. Nga ana tjetër, si ne, ashtu edhe spanjollët zhvillojmë një futboll të ngjashëm, zotërim të madh topi dhe shpejtësi nga krahët. Gjithsesi, vetëm pasi të zbresim në fushë, do ta kuptojmë më qartë një gjë të tillë. Unë në formacion? Pyetni Donadonin”.