Berisha uzurpon Gjykaten e Larte

Berisha uzurpon Gjykatën e Lartë
Emrat e dekretuar nga Kreu i Shtetit morën vetëm votat në bllok të Partisë Socialiste, pasi nga votimi i djeshëm u tregua qartë se mund të ketë pasur vota kundër dekreteve edhe nga LSI apo PAD, duke qenë se grupi parlamentar i PS-së unanimisht e kishte deklaruar publikisht votën pro dekreteve.


Ndërkohë që me votimin e mbrëmshëm, maxhoranca thelloi hendekun me presidentin Topi, me të cilin kryeministri Berishakishte nisur një përplasje, e cila në fakt e paralajmëronte një fund të tillë.Por jo vetëm kaq. Nëse situata në Gjykatën e Lartë quhej problematike në javët e bllokimit të dekreteve të Topit, tashmë mund të thuhet se është në një kaos të vërtetë. Në një muaj të mbetur deri në 15 Korrik, kur edhe mbyllet ky sesion parlamentar, e vështirë që të vendoset komunikimi mes kreut të shtetit dhe kryeministrit Berisha. Edhe nëse kjo ndodh, është e vështirë që në 4 javët e mbetura, të kemi votim të dytë për 5 emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjasat duken se kjo çështje do të rihapet për në vjeshtë dhe Gjykata e Lartë do të vijojë të funksionojë me 10 anëtarë, një kuorum i pamjaftueshëm ky për të marrë vendime të rëndësishme, duke pasur parasysh se për funksionimin normal të kësaj gjykate, duhen minimalisht 13 anëtarë të Gjykatës së Lartë, nga 17 që ka gjithsej. Kjo gjykatë, tashmë, është edhe pa kryetar, pas mbarimit të mandatit të Thimio Kondit.

Votimi me kuti

Kryeministri Sali Berisha nuk e ka preferuar shpesh votimin me kuti të fshehtë gjatë këtyre 3 viteve që ndodhet në qeverisje, qoftë edhe për shkak fenomenit të rrjedhjes së votave. Edhe dje, ekzistonte një frikë e tillë, ndaj mblodhi grupin parlamentar një orë para fillimit të seancës, ku u mor vendimi politik për të rrëzuar të 5 dekretet. Megjithatë votimi i djeshëm tregoi se përpos garancisë që mund të japin deputetë të veçantë të mazhorancës, (për të votuar pro dekreteve) gjatë votimit të fshehtë, numrat ndryshojnë jo pak. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për opozitën. Duke përjashtuar deputetët e grupit parlamentar të PS-së, të cilët gjatë gjithë kësaj periudhe janë shprehur pa hezitim pro dekreteve të Topit, gjërat mund të thuhet se shihen krejt ndryshe nga partitë e vogla të majta. Votimi për dekretet, tregoi se mund të ketë pasur rrjedhje pikërisht nga këta të fundit, gjë që mund të justifikohet fare mirë edhe me qëndrimet herë pro e herë kundër që kanë mbajtur ndaj kësaj çështjeje. Kandidatura e Altina Xhoxhajt, që u votua edhe e para, mori 73 vota kundër dhe 56 pro. Po 56 votat pro të opozitës ishin edhe për Artan Zenelin, ndërsa maxhoranca e kundërshtoi me 71 kartona. Dekreti i tretë, me emrin e Kristaq Trajës, u hodh poshtë me76 vota, ndërsa u mbështet me vetëm 52. Por dekreti i katërt, me emrin e Medi Bicit, solli edhe rrjedhjen qartazi të votave nga ana e opozitës. Të majtët e mbështetën Bicin me 40 vota, ndërsa ata që e kundërshtuan ishin 86.

Rezultati i votimit të dekretit për:

Anëtaren e Gjykatës së Lartë Altina Xhoxhaj

Pro          Kundër           Abstenim       Të pavlefshme

56              73                       1

Anëtarin e Gjykatës së Lartë Artan Zeneli

Pro           Kundër           Abstenim        Të pavlefshme

56                 71                    2                     1

Anëtarin e Gjykatës së Lartë Kristaq Traja

Pro              Kundër          Abstenim        Të pavlefshme

52                  76                     1                       1

Anëtarin e Gjykatës së Lartë Medi Bici

Pro              Kundër           Abstenim             Të pavlefshme

40                    86                   4

Anëtarin e Gjykatës së Lartë Zamir Poda

Pro               Kundër             Abstenim              Të pavlefshme

65                      62                   1                                   2


Raporti autorizonte mazhorancën që të votonte kundër dekreteve, ndërsa opozita pro tyre

Komisioni, ja raporti për dekretet e Topit

TIRANË- Vetëm pak minuta para fillimit të seancës së mbrëmshme parlamentare deputetët janë njohur me raportin përfundimtar të komisionit të Ligjeve lidhur me dekretet e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Edhe pse raporti nuk u bë objekt i diskutimit në seancën parlamentare, përmbajtja e saj tregoi qartë qëndrimin kundër, që kryesisht deputetët e PD e PR-se do të mbanin ndaj dekreteve te Presidentit të Republikës gjatë votimit me kuti të fshehtë një për një të dekreteve.

Mazhoranca

Në raportin e përgatitur, thuhet se shumica e anëtarëve të komisionit të Ligjeve i propozuan seancës plenare mosmiratimin e dekreteve që nuk plotësonin kërkesat kushtetuese, procedurat e përcaktuara në ligjin organik dhe vendimin e gjykatës kushtetuese. Përmes këtij paragrafi, PD me pak fjale përmblodhi votimin kundër të pesë kandidaturave, të firmosura nga kreu i shtetit. Në argumentimin e anëtarëve të mazhorancës në komisionin e ligjeve, thuhet se nga shqyrtimi i procedurave të ndjekura nga Presidenti i Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë nuk është marrë me parë pëlqimi i Kuvendit. Në këto kushte, sipas anëtarëve të PD-së e PR-së, (pasi PDK e PBDNJ votoi kundër), Presidenti i Republikës nuk respektoi precedentin e krijuar sa i përket procedurave të konsultimit paraprak, procedura të cilat janë ndjekur më parë dhe kanë krijuar një praktike të mirë kushtetuese. Po sipas anëtarëve të dy partive në fjalë, citohet se nuk është mbajtur parasysh edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ti dhënë mundësi Kuvendit që të ushtrojë kompetencën e tij bashkëpunuese dhe kooperuese me Presidentin e Republikës. Në raportin e përgatitur, shumica e anëtarëve theksojnë se transparenca e procedurave të inicimit të kandidaturave nuk është kryer dhe se grupet politike të përfaqësuara në komision deklaruan se nuk kanë zhvilluar proçes konsultimi paraprak me Presidentin, preçedent qe ka ekzistuar më parë. Po ashtu, një prej anëtarëve (Zamir Poda) ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë, ç’ka sipas shumicës në komisionështë në kundërshtim me nenin 136/2 të Kushtetutës, që nuk pranon riemërimin. Deputetët e mazhorancës propozojnë gjithashtu që në rregulloren e Kuvendit duhen përcaktuar procedurat e nevojshme për zbatimin e Kushtetutës, ligjit organik dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Opozita

Në anën tjetër edhe opozita ka paraqitur në raportin e përbashkët qëndrimin e saj kundrejt dekreteve të Presidentit të Republikës, e cila krejt ndryshe nga argumentet e shumicës kanë paraqitur një tjetër panoramë ligjore ndaj dekreteve. Pakica në komision u shpreh pro dekreteve të Presidentit duke argumentuar se, dekretet janë në përputhje me Kushtetutën; për herë të parë vijnë kandidatura nga gjyqësori; plotësohen kriteret që kërkon Kushtetuta dhe ligji organik për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë;vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën pengesë për të shqyrtuar meritën e kandidatëve të dekretuar me votim në seance plenare. Megjithatë edhe opozita jep nje sugjerim në qëndrimin e saj se transparenca e inicimit të propozimit dhe të miratimit ose të pëlqimit, duhet të rishikohet. “Kjo është një çështje që ka vend për legjislatorin shqiptar për ta parë seriozisht”, thuhet në qëndrimin e opozitës.

 

Mendimi i PD e PR (shumica prej 9 anëtarësh)

Presidenti i Republikës nuk respektoi precedentin e krijuar sa i përket procedurave të konsultimit paraprak, procedura të cilat janë ndjekur më parë dhe kanë krijuar një praktike të mirë kushtetuese.

Nuk është mbajtur parasysh edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ti dhënë mundësi Kuvendit që të ushtrojë kompetencën e tij bashkëpunuese dhe kooperuese me Presidentin e Republikës.

Transparenca e procedurave të inicimit të kandidaturave nuk është kryer dhe se grupet politike të përfaqësuara në komision deklaruan se nuk kanë zhvilluar proçes konsultimi paraprak me Presidentin, preçedent qe ka ekzistuar më parë.

Një prej anëtarëve (Zamir Poda) ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë, ç’ka sipas shumicës në komisionështë në kundërshtim me nenin 136/2 të Kushtetutës, që nuk pranon riemërimin.

Në rregulloren e Kuvendit duhen përcaktuar procedurat e nevojshme për zbatimin e Kushtetutës, ligjit organik dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Mendimi i pakicës (përfshi edhe PDK e PBDNJ)

Dekretet janë në përputhje me Kushtetutën

Për herë të parë vijnë kandidatura nga gjyqësori

Plotësohen kriteret që kërkon Kushtetuta dhe ligji organik për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk përbën pengesë për të shqyrtuar meritën e kandidatëve të dekretuar me votim në seance plenare.

Transparenca e inicimit të propozimit dhe të miratimit ose të pëlqimit, duhet të rishikohet. Kjo është një çështje që ka vend për legjislatorin shqiptar për ta parë seriozisht.

Kuvendi miratoi me votim të fshehtë kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për ndjekje penale, Mediut

Kuvend, Fatmir Mediut i hiqet imuniteti

 

TIRANË- Nga mbrëmë, Ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është pa imunitet. Pas gati dy muajsh nga paraqitja e dosjes së organit të akuzës, Kuvendi votoi mbrëmë me kuti të fshehtë pro kërkesës së prokurorisë për dhënien e autorizimit për ndjekje penale ndaj deputetit Fatmir Mediu. 101 deputetë i kanë thënë pro heqjes së imunitetit, 23 deputetë të tjerë kanë qenë kundër, dhe 2 kanë abstenuar. Sekretariati i votimit i përbërë nga Aldo Bumci, Arjan Madhi dhe Besnik Dervishi ka evidentuar edhe 2 flete votimi të pavlefshme. Para zhvillimit të votimit, gjatë fjalës së mbajtur, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të Prokurorisë drejtuar tij, duke argumentuar se organi i akuzës nuk përcaktoi para së gjithash aktet ligjore ku ishte bazuar për të vërtetuar akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ana e tij. Megjithatë, përpos qëndrimit të përsëritur të mbajtur nga Mediu, kryetari i republikanëve ka pohuar se demontimi i armëve në Gërdec ka qenë i gabuar. Ai ka shtuar se nuk ka pasur marrëdhënie me Delijorgjin apo kompaninë amerikane, duke mbështetur konkluzionet e shumicës në Këshillin e Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit sa i përket përgjegjësisë që, sipas tij, kanë pasur forcat ushtarake në këtë proçes.

Por përpos qëndrimit të mbajtur nga Mediu, është organi i akuzës tashmë që do të ndjeke procedurat ligjore për të vërtetuar edhe materialet voluminoze që ajo dërgoi pranë Kuvendit lidhur me përgjegjësitë e ish-Ministrit të Mbrojtjes, për tragjedinë e Gërdecit. Sipas materialeve të dërguara me hollësi nga organi i akuzës pranë Kuvendit thuhet se ish-ministri Mediu ka iniciuar projektligjin për demontimin pas takimit me përfaqësuesin e "Southern Ammunition, Patrick Henry III" , që pavarësisht se u mohua edhe mbrëmë nga Mediu, Prokuroria e ka të dokumentuar me dëshmi dhe deklarata të ndryshme dhe çdo akt i ndërmarrë pastaj nga ish-ministri për organin e akuzës ka pasur si qëllim plotësimin e interesave të dy kompanive SAC dhe "Alba Demil".

Ndërkohë, sipas materialeve shtesë, shkeljet që ish-ministri Mediu ka kryer nisin që nga projektligji i dërguar në qeveri, ku fillimisht u kthye mbrapsht dhe më pas u vendos draft oferta për demontimin e municioneve të kalibrit të vogël, duke paracaktuar kështu kompaninë "Alba Demil". Sipas akuzës, shkeljet vijojnë edhe me urdhrat e kundraligjshëm për ngritjen dhe caktimin e ish-repartit të tankeve në Gërdec si vend i demontimit të municioneve, urdhërimin e Forcave të Armatosura të transportonin municionin drejt Gërdecit, heqjen e kompetencave të Shtabit të Përgjithshëm duke ia kaluar Komandës së Forcave të Bashkuara. Sipas materialeve dërguar në Kuvend, me ngjarjen që ndodhi në Gërdec, janë cenuar rëndë një serë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit, në raport me komunitetin, shoqërinë dhe më gjerë.

Nevila Perndoj
Nga Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama