Topi Heqja e imunitetit nje mrekulli

Topi: Heqja e imunitetit, një mrekulli
Zoti Presidenti, klasa politike shqiptare e ka lexuar në mënyra të ndryshme sondazhin e IDRA-USAID për korrupsionin në Shqipëri, cili është mendimi juaj për këtë?
Është e pamundur që gjërat të vlerësohen në këtë mënyrë, në mënyrë diferenciale. E rëndësishme është që të gjithë të vlerësojmë me nota realiste jo vetëm një sondazh, por sondazhet në përgjithësi, pasi ato janë perceptime qytetare dhe kurrsesi nuk duhet të biem në atë pozicion që të bëjmë vlerësime diferenciale. Janë njerëzit, është shoqëria, që periodikisht në zgjedhje politike bën vlerësimin e duhur. Ajo që duhet të bëjnë institucionet, të gjithë ne pa përjashtim, duhet që me nota shumë realiste, në mënyrë analitike, të vlerësojmë në radhë të parë vetveten, pastaj të kalojnë në diskutime për të tjerët, sepse çështja e korrupsionit është si çështja e enëve komunikuese. Pra, për të bërë një lloj paralelizmi, aty ku qarkullon uji, padyshim që janë të infektuar me një fenomen të tillë. Në rast se ne diagnostikojmë një fenomen të tillë, në rast se ne ndërgjegjësohemi që korrupsioni duhet të luftohet në çdo lloj qelize, atëherë nuk do të kishte nevojë të bënim paralelizma, kush e ka më shumë, kush e ka më pak, por të gjithë duhet të punojmë që korrupsioni të luftohet në radhë të parë me zbatim të ligjit. Aty ku ligjet nuk janë të mjaftueshme, ose ka nevojë për t’i mbushur vakumet, duhen bërë reforma dhe të gjitha ato që thuhen me fjalë duhet t’i realizojmë me vepra.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin Berisha pas ndryshimeve kushtetuese?
Ju e keni parë që marrëdhëniet janë shumë institucionale. Pra, një njeri që okupon në një moment të caktuar një institucion, duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të zbatojë me shumë rigorozitet të gjitha konturet që i jep ligji pozicionit të tij. Ndërsa në marrëdhënie, patjetër që marrëdhëniet ndërinstitucionale janë të domosdoshme, sepse këto projektohen pastaj edhe në gjendjen psikologjike të shoqërisë. Kështu që unë mendoj se nuk ka arsye të realizohet një pyetje e tillë, sepse ne shkojmë në mënyrë shumë korrekte.
Edhe pse nuk ishit dakord me disa nga ndryshimet kushtetuese, ju e firmosën shumë shpejt dekretin e tyre. Pse?
Mund të ketë qenë dekreti që e kam firmosur në një kohë jashtëzakonisht të shpejtë, pra në një kohë rekord, sepse nuk kisha asnjë lloj mëdyshjeje për të firmosur ndryshimet që ishin me një maxhorancë prej 115 votash. Juve ndoshta e lidhni me apelin që unë kam bërë përpara, një apel që qëndron gjithmonë në të gjitha proceset dhe ka qenë një apel në parim, një apel shumë parimor. Gjërat e rëndësisë së veçantë gjithmonë duhet të konsultohen, duhet ekspertizë dhe mos e lidhni vetëm me momentin e ndryshimeve kushtetuese, por për gjithçka. Produktet që janë të maturuara janë produkte që japin shansin që të jenë jetëgjatë, të krijojnë stabilitet në shoqëri dhe të mos ketë kontestim”.
Partitë e vogla politike janë shprehur se me këto ndryshime kushtetuese po shkohet drejt bipolarizimit, ju si e shihni këtë çështje?
Kjo është çështje e pozicioneve të partive, të cilat respektohen në mendimin e tyre. Unë në pozicionin e Presidentit po ndjek situatën me shumë kujdes, për aq sa më takon dhe do të jem gjithmonë inkurajues i reformave, dhe kur ato përkrahen me maxhorancë, atëherë kuptohet që ato janë mjaft të kuptueshme që do të realizohen.
Cili është mendimi juaj sa i takon nismës për kufizimin e imunitetit të deputetit për t’i hapur rrugë drejtësisë?
Çështja e imunitetit të deputetit, në këndvështrimin tim, sepse është Parlamenti ai që do të vendosë dhe partitë politike, është e tillë që çdo njeri duhet ta ndiejë veten pa imunitet, sepse në rast se do të kemi mbrojtje pas imunitetit, atëherë të gjitha ligjëratat për korrupsionin mbeten në retorikë, mbeten demagogji. Kështu që unë besoj që një nismë e tillë për të hequr imunitetin në mënyrë të vullnetshme do të ishte një nismë e mrekullueshme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama