Ekspertët amerikanë të mbërritur rreth një javë më parë në Shqipëri, për të përcaktuar shkakun e vërtetë që solli tragjedinë, sipas burimeve të gazetës janë përqendruar në pistën e një ngjarjeje aksidentale. Në shërbim të kësaj piste, ekspertëve të huaj dhe atyre vendas që po punojnë për ngjarjen, u kanë ardhur në ndihmë provat e mbledhura në vendin e ngjarjes dhe dëshmitë e punonjësve që u gjendën në fabrikë në momentin e shpërthimit. Paraprakisht, burimet thanë se dy janë versionet mbi të cilët po punohet brenda pistës së ngjarjes aksidentale. Versioni parë ka të bëjë me saldimin e një karroce që shërbente për transport, çka mund të ketë provokuar edhe shpërthimin e një sasie baruti, dhe versioni i dytë është përqendruar mbi makinerinë që kryente demontimin e predhave.
Versioni i dytë mbi të cilin po hetohet, sipas prokurorisë është i motivuar edhe nga një tjetër incident i ndodhur gjatë vitit 2007 brenda ambienteve të fabrikës, i cili erdhi pikërisht nga makineria që demontonte predha. Ekspertët thanë se mënyra e funksionimit të kësaj makinerie bën ndarjen e predhës në gëzhojë, majë dhe barut, i cili gjatë ndarjes së majës nga gëzhoja derdhet në depozitën e makinerisë, që herë pas here duhet pastruar. Një neglizhencë në pastrimin e barutit solli një shpërthim të përmasave të vogla vitin e kaluar, i cili nuk u bë asnjëherë publik. Por kjo ngjarje shërben si “shkëndijë” për të hetuar edhe këtë mundësi, si shkaktaren e tragjedisë së 15 marsit.
Në shërbim të hetimit, ekspertët e ATF-së kanë marrë dëshmi dhe kanë bashkëbiseduar me dhjetëra punonjës të fabrikës, të cilët dhanë versionin e tyre për ngjarjen. Por burime nga hetimi thanë se ngjarja aksidentale është vetëm njëra nga pistat hetimore, pasi grupi i hetimit po shqyrton çdo lloj informacioni që ka të bëjë me pistat e tjera të hetimit, ku më kryesorja është një akt i qëllimshëm.
Në këtë kuadër, prokuroria është duke verifikuar faktin se ditën e ngjarjes, punëtorëve të fabrikës u është dhënë urdhër të dalin në pushimin e drekës rreth një orë më parë se zakonisht, një rastësi që duket “e çuditshme” për grupin hetimor. Qoftë akt i qëllimshëm apo gabim njerëzor, tashmë pas një muaji askush nuk di të japë një përgjigje se kush e shkaktoi shpërthimin në Gërdec. Madje edhe kryeprokurorja, të vetmet fjalë që mundi të thoshte dje kur u pyet për hetimin e dosjes “Gërdeci” ishin: “Hetimet për tragjedinë po vijojnë. Hetime bëjmë çdo ditë, por nuk mund të jap detaje rreth tyre”.
Leonard Bakillari : Gazeta Korrieri











