Dhe fati, por sigurisht edhe kërkimi e këmbëngulja, ia kënaqën "nepsin" aktores, e cila e pa veten protagoniste në filmin "Përfundimisht ndoshta", një komedi romantike, producentët britanikë të së cilës janë ata që realizuan të suksesshmen "Love Actually" dhe "Notting Hill". Për Rachel, pjesëmarrja në një film komik është një ngjarje e rrallë, pasi aktorja, gjatë gjithë karrierës së saj ka luajtur në pjesën më të madhe role serioze e hera herës edhe dramatike. "Përvojën e parë me një rol disi të lehtë e pata me Hugh Grant në vitin 2002, në filmin ‘About a boy‘. Por ishte vetëm një rol dytësor dhe shumë i shkurtër. Përveç këtij roli, të tjerët nuk kanë shumë lidhje me komedinë romantike. Kjo ndoshta, sepse deri para pak kohësh nuk më bindte shumë mënyra me të cilën kjo gjini përshkruan ëndrrën e jetës së lumtur dhe çifteve, që pas një aventure të këndshme jetojnë përfundimisht të lumtur. Por gjërat ndryshuan për mua, sidomos pas lindjes së fëmijës dhe tani e shoh jetën më ndryshe dhe e konsideroj të mundur një fund të lumtur.
Pikërisht ky ndryshim "më hapi oreksin" për të marrë pjesë në një rol të lehtë e të këndshëm. Megjithatë, duhet të them se filmi i fundit është disi më cinik se filmat e mëparshëm të kësaj gjinie, të prodhuara nga e njëjta shtëpi produksioni. Në të ka një ndërthurje të ëndrrës me realitetin dhe mesazhi është se në fund të fundit jeta nuk është gjithmonë ashtu siç paraqitet në filma". Thotë 36-vjeçarja londineze. Filmi është shkruar dhe drejtuar nga Adam Brooks, skenaristi i të famshmit "Ditari i Bridget Jones" dhe "Wimbledon". Filmi fokusohet te personazhi i një babai mbi të 30-at në Manhattan, i cili i tregon vajzës së tij 10-vjeçare, Maja, historinë e njohjes dhe dashurisë me të ëmën. Bëhet fjalë për një aventurë të cilën ai e pati me tri gra njëherazi, por që të bijës nuk i tregon për emrat.
Ngjarjet janë të këndshme, por deri në fund ne nuk e kuptojmë se cila është gruaja me të cilën ai u martua dhe solli në jetë të bijën. Në njëfarë mënyre është si një mister dashurie, i cili zbërthehet dhe zbardhet vetëm në fund, por deri në atë pikë të mban në tension dhe njëherazi të dhuron të qeshura për mënyrën se si sillen personazhet e si ndërthuren ngjarjet. "Në personazhet e këtij filmi gjithsecili mund të gjejë veten. Të gjithëve na takon të kemi dyzime për dashurinë, të gënjejmë ndopak, të ndodhemi në dilema, të cilat gjithsesi herët a vonë zgjidhen", thotë Rachel. Ajo ka lindur në Londër në vitin 1971 nga një baba hungarez dhe një nënë austriake, të dy mjekë. Fatkeqësisht ata u ndanë shumë shpejt, kur Rachel ishte 15 vjeçe, por siç tregon ajo vetë gjërat nuk ishin aq dramatike sa ç‘mund të mendohet. Pikërisht gjatë periudhës së ndarjes së prindërve të saj ajo nisi të luante në grupin e aktorëve të shkollës. "Kam qenë një adoleshente e pabindur. Nuk e njohja se çfarë do të thoshte disiplinë. Nuk respektoja asnjë autoritet. Pas disa incidenteve që pata m‘u kërkua që të largohem nga shkolla dhe atëherë prindërit më çuan në një shkollë me konvikt për një vit rresht. Aty ishte një tmerr i vërtetë dhe këmbëngulja ime bëri që nëna të më risillte në Londër.
Në atë rikthim Rachel u takua me Mis Gough, një mësuese anglishteje, e cila i ushqeu dashurinë për letërsinë. Kjo dëshirë i zgjati shumë dhe u bë vendimtare në zgjedhjen e saj universitare. "Asaj mësueseje i detyrohem shumë. Ishin këshillat e saj që më çuan në dyert e Universitetit të Kembrixhit. Po të mos kishte qenë mësuesja ime e letërsisë as që do ta kisha vazhduar shkollën e lartë. Në shkollë kam qenë gjithmonë një nga ata nxënës që janë nën mesataren dhe kjo për shkak se kisha nevojë për dikë që të më nxiste. Prindërit nuk e luajtën kurrë këtë rol me mua, deri në momentin që u shfaq mësuesja ime e letërsisë, që për mua ishte si një engjëll. Ajo nuk më thoshte se sa e paaftë, sa e padisiplinuar, e pabindur isha, por përkundrazi më nxori në pah vlerat më të mira dhe m‘i kultivoi me dashuri e përkushtim. Ajo më bëri që të njihja një tjetër Rachel, një person që nuk e dija se ekzistonte më parë tek unë. Ajo më bëri të besoj se edhe unë, si të tjerët nuk isha njeri pa një dhunti, por për ta identifikuar dhe përdorur duhet të isha këmbëngulëse dhe e bindur", thotë Rachel.
Në Kembrixh ajo themeloi së bashku me disa studentë të tjerë "Gjuhët që flasin", një grup teatror, i cili organizonte shumë shfaqje derisa për njërën prej tyre mori edhe një çmim të rëndësishëm lokal. "Morëm shumë famë dhe në atë kohë mbaj mend se na quanin ‘gjigantët e skenës‘. Ne luanim pjesë jo tradicionale dhe mundoheshim të ishim sa më novatorë. Ishim shumë idealistë në lidhje me avangardën e teatrit, teatrin alternativ. Nëse në atë kohë do të kishin kërkuar që të luaja në një film, nuk do të kisha pranuar, pasi për mua teatri ishte gjithçka. Më vonë gjërat ndryshuan. Doja të luaja edhe në filma, por ishte e pamundur, nuk më merrte njeri. Por periudha e mungesës së ofertave nuk zgjati shumë. Disa agjentë kinematografikë më vunë re dhe kështu nisi aventura filmike". Roli i parë i Weisz ishte në filmin e Bernardo Bertoliçit "Stealing Beauty" i vitit 1996, i cili u pasua nga "The Land Girls".
Ndërmjet tyre ajo luajti në filmin e famshëm "Mumia" në të dyja pjesët e tij. Por roli i madh, ai i shumëprituri, erdhi në vitin 2005 me "The Constant Gardener", në të cilin portretizon një aktiviste të zjarrtë. Ky rol i dha "Oskarin" për artisten më të mirë në rol joprotagonist. "Dikur mundohesha të bëja shumë mirë atë që më caktonin, por pas Oskarit mund të zgjedh rolet që dua, ata që më përshtaten, ata te të cilët e ndiej se kam për të dhënë. Njëri prej tyre, ndër më të dashurit për mua, ishte roli në filmin "The Lovely Bones". Aty luaj rolin e një nëne të një vajze 14-vjeçare të përdhunuar e vrarë. Ishte një film shumë i errët e i mundimshëm dhe dëshpërues. Gjëja më e vështirë ishte të dilje nga roli, pas interpretimit. Shpesh më duhej të flija me mundimin e nënës që interpretoja dhe kisha momente tronditjeje dhe ëndrrash të këqija", rrëfen Rachel. Për sa i përket jetës private ajo jeton në Manhattan me të fejuarin, regjisor filmash dhe djalin e tyre të vogël. "Kemi një jetë normale familjare. Nuk ulemi të bëjmë biseda intelektuale, i fejuari im nuk është i prirur për atë lloj muhabeti. Kur e takova për herë të parë mendoja që ishte ndryshe, që ishte më i hapur e i shoqërueshëm, por ai është i qetë, si jeta që bëj me të".
Marre nga : Gazeta Shqip











