Rikthimi i Maria Gracias Kucinota Jam aktore jo shenjtore

Rikthimi i Maria Gracias Kuçinota:

Thotë se "feminiliteti nuk ka nevojë të zhvishesh nudo, një grua është femër përgjithmonë, madje edhe me rroba veshur. Unë vij nga Jugu, ku zakonisht femrat janë shumë të mbuluara, por kjo nuk do të thotë se janë shenjtore. Madje është e kundërta".

Filmi që titullohet "Tradhti në shtrat", është frymëzuar nga romani me të njëjtin titull, e prodhuar nga "RaiCinema" e vetë Kuçinota. Ai flet për historinë e Marianës, që pasi i ka mbijetuar tifos bashkë me të motrën, jeton në një shpellë të varfër. Ngjarja është përshtatur në vitin 1905. Në qytet vjen një djalosh i ri për të xhiruar një film, në të cilin pa e ditur, shfaqet edhe Mariana. Kur njerëzit shohin xhirimet në shesh dhe njohin protagonisten, shpërthen menjëherë skandali. Të gjithë fillojnë të thonë se Maria është një e përdalë. "I kam blerë të drejtën e filmit dhjetë vjet më parë, më pëlqente thjeshtësia e historisë, në një kohë kur thjeshtësia të duket sikur ka dalë nga moda. Filmi mbart në vetvete buzëqeshjen dhe të qarën. Libri është përshtatur në Napoli, por pjesët do t‘i xhirojmë në Sicili, që edhe pse shumë nuk e dinë, është Jugu i gjithë botës ku njerëzit zbulojnë mrekullitë e kinemasë. Kjo e fundit ka kapërcyer çdo pengesë shoqërore dhe vetëm aty nuk është e nevojshme të dish të lexosh e të shkruash për t‘u përballur me emocionet e imazheve", ka thënë aktorja.

A keni gjëra të përbashkëta me Marianën?

Bën të njëjtën punë që bënte nëna ime, ishte një fshatare injorante, por e njihte shumë mirë fuqinë e çdo bime mjekësore dhe përgatiste pomada me të cilat kuronte dhe shëronte me të vërtetë njerëzit. Përmes rrëfimeve të saj, në fund të viteve 1900, unë dhe ime motër kemi njohur shumë periudha të ndryshme.

Filmi flet edhe për paragjykimet e Jugut...

Kur u largova nga Mesina, për t‘iu futur botës së modës, babai nuk më ka folur për vite me radhë. Imagjinojeni se çfarë ndodhi kur mora pjesë te "Miss Italia" dhe fillova të luaja në kinema. Fqinjat, kur takonin në rrugë mamanë time, e përshëndesnin me gjysmë zëri. Mendoj se edhe sot e kësaj dite, për ta kinemaja shihet si humbje kohe, ndërsa për mua ka qenë një bekim. Nuk e di se çdo të kisha bërë nëse nuk do të merrja këtë nismë, nëse nuk do të isha larguar nga Sicilia. Vendi ku lind, nuk mund të përcaktojë fatin e një jete.

Pas filmit "Postieri" ishte parashikuar që karriera juaj të shkëlqente edhe jashtë vendit, por nuk ndodhi kështu...

Ndoshta suksesi në vend të ngjall frikë, unë vija nga hiçi dhe shumë njerëz më cilësonin si një "mrekulli". Pas vdekjes së Masimos, vendosa të shkëpusja çdo lidhje me Italinë dhe shkova në Amerikë. Iu përkushtova shumë punës dhe të gjithë më respektonin për energjinë dhe angazhimin tim. Meqenëse punoja shumë, më dukej sikur nuk kisha kohë as për të marrë frymë, por kur mbeta shtatzënë me vajzën, vendosa që të kthehesha në Itali, në vitin 2001. Nuk ka qenë e lehtë, sepse kishte shumë pak njerëz që më pëlqenin. Ndoshta nuk ishte në modë tipi im, esmere, e gjatë, me sy të mëdhenj e gjoks të madh. Por pavarësisht kësaj, nuk u dorëzova kurrë, vendosa të vazhdoja më tej sipas mënyrës që kisha mësuar në Amerikë.

Mos ndoshta mentaliteti juaj i vjetër ju ka bërë që të refuzoni shumë gjëra?

Me të vërtetë që kam refuzuar projekte me shumë para, të cilat mund të më kishin ndryshuar jetën, të më kishin bërë të pasur, por kjo ka qenë zgjedhja ime. Kam refuzuar filma si "Austin‘s powers" apo "Avokati i djallit" ku duhej të xhiroja një skenë nudo 12 minuta. Po ashtu, refuzova të isha pjesë e kalendarit të "Pirelit", megjithatë nuk pendohem. Kur një njeri fillon gjithçka nga zero, është krenar për atë që ka arritur.

Pra, ju nuk do të luanit kurrë nudo në një film?

Ndoshta nuk është e drejtë, por unë mendoj se nuk është e nevojshme të zhvishesh që të jesh seksi. Megjithatë asnjëherë nuk i dihet. Ndoshta pas dy vitesh, në 40-vjetorin tim, do ta festoj të zhveshur.


Filmat e rinj

007- BOTA NUK MJAFTON

Në vitin 1999, një rol i vogël në serinë e 19-të te "007" e bën një yll të vërtetë


POSTIERI

Në vitin 1994 xhiron filmin e parë të vërtetë, ku ajo kishte rolin kryesor


Angazhimi

Ambasadore dhe producente në krah të fëmijëve

Ambasadore e "World Foof Program" e OKB-së prej katër vitesh, Kuçinota ka realizuar me trupën e saj "Seven Dreams", filmin "All the invisible childrens". Kohët e fundit ajo realizoi një vizitë në Indi dhe zhvilloi bisedime me qeverinë kineze për një projekt që përfshin fëmijët e dy kontinenteve. "Me kinemanë mund të bëhen shumë gjëra, madje të afrosh edhe dy kultura, për t‘i kthyer miliona fëmijëve të drejtën për të qenë të lumtur"

Marre nga  : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama