Opozita komuniste
Jo çdo parti mund të merrte pjesë në zgjedhje, për shembull Fronti i Bashkuar Civil i ish-kampionit të shahut, Geri Kasparov dhe Unioni Popullor Demokratik i ish- kryeministrit Kasianov u përjashtuan. Nga 11 partitë e lejuara prej autoriteteve, vetëm dy prej tyre Unioni i Forcave të Djathta dhe Jabloko mbrojtën vlerat liberale dhe partneritetin me Perëndimin. Por asnjëra prej tyre nuk mundi të kalojë pragun e 7 përqindëshit për t’u përfaqësuar. Është interesant fakti që emëruesi i përbashkët i të gjithë partive që do të zënë vende në Parlament, është mospëlqimi i tyre i hapur ndaj Perëndimit dhe çdo vlere që ai mbron.
Komunistët mbeten e vetmja opozitë e vërtetë ndaj Presidentit Putin në Parlament. Ata kritikojnë politikat e tij sociale dhe ekonomike, por e mbështesin plotësisht sa i përket marrëdhënieve me jashtë. Ata mirëpresin gatishmërinë e tij për konfrontime të vogla e të mëdha mbi çështje politike e ushtarake, si një rikthim të pjesshëm në këndvështrimin sovjetik për botën. Nga ana e tyre, Vladimir Zhirinovski dhe ultranacionalistët e tij liberal demokratë nuk kanë asnjë lloj dashurie për komunistët dhe nuk humbasin asnjëherë rastin për të hapur një zënkë me ta. Megjithatë, kjo antipati nuk duket se shtrihet edhe në politikën e jashtme. Madje qëndrimi i liberal demokratëve është edhe më militant.
Nuk është aksident që Andrei Lugovoi i dyshuari kryesor për helmimin e ish-agjentit të KGB-së, Aleksandër Litvinenko në Londër u zgjodh numri dy në listën e tyre të kandidatëve. Kjo zgjedhje pati një efekt pozitiv në galerinë e publikut dhe ndoshta i solli disa dhjetëra apo qindra vota më shumë partisë. Nuk ka dyshim që do të mbetet një faktor acarues në marrëdhëniet britaniko-ruse për shumë kohë. Nga ana tjetër do të rrisë reputacionin e Zhirinovskit si një patriot i flaktë.
Dy partitë e tjera Rusia e Bashkuar dhe si motra e saj më e vogël Një Rusi e Drejtë, janë të dyja totalisht besnike ndaj Presidentit Putin, dhe kjo besnikëri është tipari kryesor i programeve të tyre. Të dyja së bashku, ato do të kontrollojnë afërsisht tre të katërtat e vendeve në Parlament dhe do të garantojnë që Duma do të veprojë ashtu si e kërkon Kremlini. Do të udhëhiqen nga Presidenti (apo pasardhësi i caktuar prej tij) dhe do të jenë aq radikalisht antiperëndimorë sa të nevojitet.
TV depërtues
Duhet thënë se do të ketë edhe tërheqje taktike apo kompromise. Për shembull, nëse Kremlini vendos për çfarëdolloj arsye që të rimarrë pjesëmarrjen e Rusisë në traktatin e Forcave Konvencionale në Evropë, ai nuk do të ketë asnjë problem në sigurimin e votave të nevojshme në Parlament. Edhe e kundërta është e vërtetë: Nëse pushteti ekzekutiv do të dojë ndonjëherë që të abrogojë një tjetër traktat ndërkombëtar, Dumës nuk do t’i duhet shumë kohë.
Përse Perëndimi duhet të shqetësohet për Dumën? Parlamenti mund të mos ketë shumë rëndësi si një organ legjislativ, por ai mbetet një forum i rëndësishëm ideologjik. Debatet parlamentare, ose fragmente të tyre pa dyshim që do të shfaqen sërish çdo ditë në televizion, duke përforcuar pikëpamjet dhe paragjykimet e publikut. Këto transmetime kanë ndihmuar tashmë për rritjen e nacionalizmit popullor që është parë gjatë viteve të fundit. Këtë herë nuk do të ketë një Vladimir Rizhkov për të ofruar një opinion të ndryshëm.
Kjo jo se mosbesimi ndaj Perëndimit nuk është aty. Sondazhet në popull tregojnë për rritje të ndjenjave të krenarisë kombëtare, kufizim për shkak të ksenofobisë si dhe një mentalitet të qenuri nën rrethim.
Ka shumë arsye përse kjo ndodh: Jehonat e hidhura të viteve nëntëdhjetë, kur kursimet e një jete të tërë të njerëzve të zakonshëm u fshinë prej hiperinflacionit; kujtimet jo të lumtura të jetesës në pothuajse anarki në kohën e Boris Jelsinit; nostalgji e përhapur për kohët e madhështisë perandorake. Humbja e perandorisë dhe anarkia e viteve nëntëdhjetë, sipas rusëve, janë të lidhura të dyja me liberalët properëndimorë, që ishin në pushtet në atë kohë.
Disa rusë fajësojnë gjithashtu perëndimin se ka injoruar ndjeshmërinë e vendit. Dhe sigurisht, fuqia që depërton kudo në televizionin shtetëror ka luajtur një rol shumë të madh në shndërrimin e Rusisë, nga një mik hezitues në një fqinj dyshues dhe armiqësor të perëndimit.
Vladimir Rizhkov është i hidhëruar. Ai beson se zgjedhjet e të dielës u shkelën dhe manipuluan kaq hapur, saqë ai i përshkroi si “përdhunimi i kombit”. Ai ka sigurisht të drejtë që nuk do të jetë askush që do të zërë vendin e tij në Dumë, dhe se një pjesë domethënëse e opinionit publik do të mbetet e papërfaqësuar në sistemin politik. “Është si në kohërat sovjetike, ne po bëhemi disidentë sepse nuk ka mënyra ligjore për të qenë në opozitë”, thotë ai.
Megjithatë, Rusia ende nuk është rikthyer në një Bashkim Sovjetik. Mosmarrëveshjet me Perëndimin ende nuk janë një tjetër Luftë e Ftohtë. Nuk ka luftëra të largëta në botën në zhvillim. Por zgjedhjet e të dielës mund të kenë bërë gjithë këto gjëra që i përkasin të shkuarës, më të mundshme për të ardhmen.
Perëndimi rri e vështron
Perëndimit nuk i mbetet alternativë tjetër, përveç se të luajë rolin e vëzhguesit në zhvillimet e ardhshme politike në Rusi. Shefi i partisë Rusia e Bashkuar, Bors Grislow, tha se zgjedhjet ishin një referendum për të mbështetur politikën e Vladimir Putinit. “Rezultatet konfirmojnë faktin se Putin është udhëheqësi ynë kombëtar”
Presidenti Putin fitoi zgjedhjet parlamentare në Rusi me një shumicë impresionuese votash. Sidoqoftë ky rezultat pritej. Sondazhet që u zhvilluan pak kohë përpara zgjedhjeve, parashikuan se partia e Putinit do të fitonte me 60 për qind të votave. Perëndimit nuk i mbetet alternativë tjetër, përveç se të luajë rolin e vëzhguesit në zhvillimet e ardhshme politike në Rusi. Shefi i partisë Rusia e Bashkuar, Bors Grislow, tha se zgjedhjet ishin një referendum për të mbështetur politikën e Vladimir Putinit. "Rezultatet konfirmojnë faktin se Putin është udhëheqësi ynë kombëtar". Putini kandidoi si kryetar i partisë Rusia e Bashkuar në zgjedhjet parlamentare. Kremlini i vlerësoi zgjedhjet si referendum për kryetarin e shtetit, i cili nuk mund të kandidojë më për postin e Presidentit, pasi ka kaluar dy periudha legjislative në këtë post. Por shumica e votave që siguroi tani në Parlament, i mundësojnë Putinit që të ndryshojë Kushtetutën, ose të marrë përsipër një rol tjetër të rëndësishëm brenda Qeverisë ruse.
Putini kish deklaruar qysh përpara zgjedhjeve se fitorja e zgjedhjeve do t´i jepte mandatin moral për të marrë përsipër një rol udhëheqës shtetëror. Mesa duket ai ishte i sigurt për fitoren dhe populli i dha Presidentit rezultatin që i duhej. Mund të thuhet hapur se Putin adhurohet nga shumica e popullsisë. Në Parlamentin e ardhshëm rus do të marrin pjesë katër parti, ndryshim ky jo i vogël për politikën ruse. Por si do ta influencojë Presidenti politikën e ardhshme ruse? Kjo është një pyetje që ende nuk mund të marrë përgjigje. Gjermania, Evropa dhe bota janë thjesht spektatorë në këtë shfaqje. Ata mund ta ngrenë zërin në mënyrë kritike, por ata e dinë gjithashtu fare mirë se kërcënimet nuk pinë ujë. Politika ruse luan një rol shumë të rëndësishëm aktualisht në parketin ndërkombëtar dhe do të ishte kudraproduktive po të bllokohej kontakti dhe angazhimi me Rusinë. Ndryshimet dhe përmirësimet demokratike në Rusi mund të ndodhin vetëm brenda vetë këtij vendi. Por dita e zgjedhjeve të Dumës dëshmoi se rruga drejt këtyre ndryshimeve është ende shumë e gjatë.
Marre nga : Gazeta Metropol











