Pra janë një arketip psikologjik, sinteza ideale e të cilëve del nga thellësia në sipërfaqen e detit me dhëmbë të gjatë e lëkurë koracatë. Prej tyre është e pamundur të mbrohesh. Një prej tyre, që është edhe një nga më të rrezikshmit, është peshkaqeni i bardhë. Ai, bashkë me peshkaqenin tigër dhe peshkaqenin dem, bën pjesë në grupin e asaj specieje mishngrënësish që mban përgjegjësinë për shumë sulme ndaj njeriut. Si këto sulme numërohen mesatarisht nga shtatëdhjetë deri në njëqind çdo vit dhe nga pesë deri në pesëmbëdhjetë prej tyre rezultojnë fatale. Më të shpeshta janë rastet në brigjet e Shteteve të Bashkuara, Afrikës së Jugut dhe Australisë. Por edhe Mesdheu është një det jo pak i rrezikshëm, në të cilin janë shënuar goxha raste incidentesh, sidomos në zonën e Sicilisë, detin Adriatik dhe atë Ligur. Mënyrat e sulmit janë tre. I pari, që është edhe më i zakonshmi, peshkaqeni kafshon një herë të vetme dhe pastaj largohet. Ka shumë mundësi që të ketë sulmuar gabimisht dhe gjithmonë nga këto sulme lë vetëm një plagë modeste. Në rastin e dytë, i cili është më serioz, peshkaqeni sulmon me një shtytje të fortë dhe pastaj fillon të sillet rrotull viktimës dhe kjo tregon se nuk e ka ngatërruar prenë e tij. Shumë i njëjtë është edhe rasti i tretë, por që sulmi kryhet në mënyrë të papritur, pa shtytje. Në të dyja rastet e fundit kafshimet janë të vazhdueshme dhe shanset për mbijetesë janë të pakta: peshkaqeni ka dalë për gjah, është i vendosur për të vrarë dhe për t‘u ushqyer. Dhe në fakt është i pajisur mirë për ta bërë këtë. Peshkaqenët janë një nga speciet që kanë evoluar tepër ngadalë dhe madje janë tepër antik[e, në këtë mënyrë përshtatja me ambientin provohet nga fakti se, nëse të parët e tyre kanë ekzistuar që 400 milionë vjet më parë, në 100 milionët e fundit nuk është se kanë ndryshuar shumë. Kanë ruajtur, për shembull, skeletin kërcor dhe mundësinë për të ndërruar dhëmbët e thyer ose të dëmtuar. Një peshkaqen mund të ndërrojë deri në 30 mijë dhëmbë gjatë gjithë jetës së tij dhe ky faktor ndihmon shumë në jetën e tyre prej grabitqari.
Kjo, bashkë me fleksibilitetin e nofullave, të cilat është në gjendje t‘i hapë jashtë mase shumë. Veç këtyre, peshkaqeni gëzon edhe zhvillimin e disa shqisave dytësore, ndër to aftësinë e veçantë për të perceptuar fushën elektrike të presë. Pre që shpesh herë mund të jetë një qenie njerëzore. Në fakt, mendohet se një nga shkaqet mbi shtimin e rasteve të sulmeve ndaj njeriut është se kohët e fundit ushqimi për peshkaqenët po pakësohet. Shumë specie me të cilat ata ushqehen janë duke u zhdukur, ose të paktën duke u rralluar. Në veçanti peshku ton është rralluar jashtë mase. Ky është ushqimi më i preferuar i peshkaqenëve. Ndoshta tani për tani peshkaqenët janë vetëm duke na shijuar, pasi mishi ynë nuk është tepër i frytshëm dhe kjo nuk është dieta ideale për ta. Por peshkaqenët janë grabitqarë praktikë, ata hanë çdo gjë të gjallë që kanë mundësi, të paktën kur janë tepër të uritur. Gjithsesi, pjesa më e madhe e peshkaqenëve nuk është aspak e rrezikshme për specien njerëzore. Në 375 specie që njihen deri tani, vetëm më pak se tridhjetë janë ato që cilësohen si tepër të rrezikshme.
Peshkaqenët e mëdhenj, përkundrazi, nuk janë aspak grabitqarë: peshkaqeni balenë (Rhincodon typus), që arrin deri në 18 metra gjatësi, është peshku më i madh në botë, dhe peshkaqeni elefant, që arrin deri në 10 metra. Të dyja këto specie ushqehen me planktone. Por ka edhe disa specie peshkaqenësh që janë shumë të vegjël: peshkaqeni mace, që është një nga speciet më të përhapura, arrin gjatësinë maksimale prej një metri dhe peshon vetëm tre kilogramë. Siç ndodh me të, po ashtu edhe me shumë të tjerë si ai, për njeriun janë një recetë gatimi tepër e shijshme. Në fakt, siç e përsërisin shumë biologë, duhet të jenë peshkaqenët që duhet të kenë frikë nga ne, dhe jo ne prej tyre. Për shkak të peshkimit pa kriter dhe shfrytëzimit të burimeve detare, një pjesë e madhe e specieve në këto vitet e fundit ka rënë në 50%, dhe madje 80% në rastin e peshkaqenit të bardhë. Dhe flitet akoma më shumë për krijimin e rezervave natyrale, ku specie të ndryshme peshkaqenësh mund të rriten pa rrezikun "artificial" njerëzor. Kështu, edhe për ata po përgatitet i njëjti fat si i grabitqarëve që përmendëm më parë. Pra do t‘i shohim në një si lloj kopshti zoologjik. Dhe drithërimat e frikës do të na i shkaktojnë vetëm në kinema.
Marre nga : Gazeta Shqip











