Shangai getoja ne fundin e botes

Shangai, getoja në fundin e botës

Kështu ishin rreth njëzetmijë hebrenj që shpëtuan nga persekutimi i Hitlerit, pasi në vitin 1938 gjetën strehim në "geton e Shangait". Aty jetuan deri në fund të Luftës së Dytë Botërore nën përkrahjen e pabesueshme të një prej vendeve aleate të Gjermanisë. Një histori e pabesueshme, por që rrëfehet nga vetë të mbijetuarit: si Ursula Blomberg, që u arratis nga Bratislava bashkë me prindërit e saj kur ishte vetëm njëmbëdhjetë vjeç. "Pjesa tjetër e botës - kujton Blomberg që sot jeton në SHBA - bëri një sy qorr dhe një vesh shurdh përpara thirrjeve për ndihmë të të arratisurve dhe ia mbylli dyert në fytyrë kujtdo që kërkonte të shpëtonte nga gjenocidi barbar gjerman. Amerika, Meksika, Kanadaja, Amerika e Jugut, Australia, Afrika e Jugut, për mos të folur pastaj për vendet evropiane dhe kolonitë e tyre: të gjithë i kthenin mbrapsht refugjatët. Në Singapor, kjo një koloni britanike, hebrenjtë as nga anija nuk mund të zbrisnin ndërsa bënin ndalesën e radhës. Në të gjithë botën vetëm një ishte qyteti i cili i hapi dyert e tij. Shangai, metropoli i palodhur kinez i populluar nga aventurierë në kërkim të fatit, kryeqyteti i kënaqësisë dhe mëkatit i mbajti dyert e tij hapur dhe u ofroi azil të gjithë hebrenjve që ishin arratisur nga Evropa.

Shangai i viteve 1930, në bazë të preferencave, nga disa cilësohej si "Parisi i Lindjes" ose nga disa të tjerë si "bordelloja e Azisë" është një metropol fantastik dhe njëkohësisht i neveritshëm, i rafinuar dhe kaotik, eksitues dhe veskeq. Me një popullatë prej dy milion kinezësh dhe dyqind mijë të huaj si rusë, indianë, japonezë, anglezë, francezë dhe gjermanë është qyteti më kozmopolit i planetit. Pas luftës së Bokserave në vitin (1900), fuqive imperialiste iu lejua të ndërtonin lagje koloniale, si franceze, angleze dhe gjermane prej të cilave akoma mund të shohim gjurmë urbane në Bund, lumi gjatë të cilit alternohen pallate me stil neoklasik.

Si port kryesor i Azisë, ndërmjet dy luftërave botërore, Shangai bashkonte skajet ekstreme të mjerimit në lagjet më të varfra, me kamjen e pafytyrë të elitave kineze dhe të borgjezisë tregtare që vinte nga Perëndimi. Industria e tij kinematografike bënte konkurrencë me atë të Hollivudit. Aktorja kineze, Ruan Ling-yu, është Greta Garbo e Lindjes. Ka restorante që drejtohen nga kuzhinierë të famshëm parisienë, kazino dhe bordello për të gjitha shijet dhe shtresat e shoqërisë, madje ekzistonte dhe një komunitet i vogël homoseksualësh. Por në krahasim me Nju Jorkun dhe kryeqytetet evropiane, Shangai nuk e përjetoi falimentimin e viteve 1929 dhe bumi i tij nuk ndaloi, jeta e natës u bë tepër e shfrenuar. "Nuk ka limite të kënaqësisë që paraja nuk mund t‘i blejë", kjo ishte motoja e qytetit.

Në majën e piramidës sociale kishte familje hebraike që mundoheshin për të ndihmuar të mërguarit që ishin arratisur nga Gjermania naziste: ndër këto familje të pasura përmendim: Abrahamët, Ezra, Hardon, Kadorie, Sason, Shamon, gati të gjithë me origjinë nga Bagdadi. Silas Hardon ndërroi jetë në vitin 1931 duke lënë një pasuri prej 150 milionë dollarësh. Ai ishte biznesmeni i huaj më i fuqishëm i të gjithë Lindjes së largët. Elli Kadorie u pasurua me anë të bankës tregtare dhe me tregtinë e kauçukut. Vila e tij "Marble Hall" kishte sallën e ballos më të madhe në qytet, ku netët e tangos përfundonin në të gdhirë. Por këtë shtresë shoqërie e mbizotëronte mbi të gjitha Viktor Elice Sason, prejardhës i një familjeje hebrenjsh irakianë që kanë qenë bankierët e kalifit të Bagdadit, por më vonë u transferuan në Lindjen e largët për t‘i shpëtuar antisemitizmit në rritje të botës arabe. Ndërsa në Kinë, pasuria e tyre u shumëfishua falë tregtisë të dy lëndëve të para që për perandorinë britanike ishin baza e fitimeve: pambuku dhe opiumi. Pronari i një shoqërie financiare me qendër në Shangai dhe Bombei, Viktori kishte pasaportë angleze dhe ishte hero i Luftës së Parë Botërore si pilot i Forcave Ajrore të mbretërisë angleze. Në metropolin kinez, Sason ndërtoi hotelin më luksoz të atyre kohërave, hotel "Cathay", me një holl vetëm prej mermeri rozë, afresket me stil të lirë, mobiliet me material mogani dhe me stil "Tudor" dhe të 214 suitat furnizoheshin me ujin e freskët që buronte nga burimi natyral "Bubbling Uells Springs". Ishte hoteli i parë në botë që kishe telefon dhe ajër të kondicionuar në të gjitha dhomat. Përkrahës i arteve, organizator i festave madhështore që rivalizonin ato të Uilliam Randolf Herst në Hollivud, Viktor Sason mbushte kronikat botërore me aventurat e tij sentimentale, duke veçuar marrëdhënien e stuhishme me gazetaren dhe shkrimtaren amerikane, Emili Hahn.

Nëse ndihma humanitare e komunitetit lokal është decizive për të shpëtuar njëzetmijë të persekutuar nga nazizmi, Shangai që mikpret të mërguarit hebrenj është krejt ndryshe nga lagjet e pasura dhe të shtresave të larta të shoqërisë. Japonezët që zotëronin gati të gjithë Kinën, por që deri në atë moment e respektonin Shangain si një "qytet të hapur", në vitin 1938 pranojnë të mikpresin hebrenjtë gjermanë në një lagje të kontrolluar prej tyre, përkatësisht distrikti popullor i "Hongkju". Me ardhjen e valës së të persekutuarve që u përzien me banorët vendas kinezë, emri "Hongkju" u bë sinonim me geton hebraike të Shangait, një ngulim unik dhe pa precedent në ato gjerësi gjeografike ekzotike. Ursula Blomberg kujton në ditarin e saj: "Asgjë nuk ngjan me imazhet e Azisë që kemi mësuar gjatë fëmijërisë tonë, pra kopshte plot aromë, zonja të veshura me fustane elegante që puthiten pas trupit, flutura dhe lule delikate. Jo, Shangai është i mbështjellë me erën e mykur të jashtëqitjeve dhe urinës njerëzore. Hamajtë vetëm me të mbathura, të mbuluar nga djersa, transportojnë ngarkesa tepër të rënda që i mbajnë me kallama bambuje. Rrugët janë plot me hordhi çiklistësh që vërtiten sa andej-këndej dhe trotuaret janë pushtuar nga shitës ambulantë që duket sikur zëri nuk u ngjiret kurrë nga të bërtiturat për të reklamuar mallin që shesin.

Ndërsa lypsarët nuk kanë ndonjë vend të caktuar për të ndenjur, ata janë kudo, burra, gra e fëmijë gjysmë të zhveshur me trupin plot me plagë të qelbëzuara. Kushtet higjienike janë alarmante. Në këtë vapë mbytëse dhe të lagësht ushqimet kalben brenda pak ditëve dhe më pas dekompozohen nga krimbat. Kanalizimet e ujërave të zeza as që nuk ekzistojnë, fëmijët e sëmurë me diarre sillen vërdallë me lecka pambuku në të ndenjura për të evituar rrjedhjen, përgjatë çdo rrugice has minj të ngordhur mbi trupa të çfarëdolloj kafshe në dekompozim e sipër, madje edhe në kufoma të sapolindurish që janë braktisur". Gjithsesi, edhe në këtë mjerim të neveritshëm, familja Blomberg përshtatet shumë shpejt. I ati hap një ndërmarrje për lyerjen e shtëpive dhe ndër klientët e thjeshtë ai i shërben edhe disa bordellove të sapohapura. Ndërsa vajza e tij, Ursula, gjen punë si mësuese e gjuhës angleze për tri gra të pakurorëzuara të një gjenerali kinez.

Ndërkohë, në një qytet joshës për varietetin kulturor antik shumetnikësh, ardhja e papritur e shumë hebrenjve nga Evropa Qendrore sjell në jetë një tjetër mrekulli: ndër të mërguarve ka artistë, aktorë teatri dhe kabareje, të cilët riprodhojnë gjallërinë kulturore të Berlinit dhe Vjenës përpara nazizmit. Në lagjen kineze të "Hongkju" filluan të lulëzonin pastiçeri austriake, restorante hungareze, teatro dhe salla të vogla operash që luajnë pjesë të Moxartit dhe Bethovenit. I vetmi makth që përndjek geton e Shangait janë lajmet gjithmonë e më shumë alarmante që vijnë nga kampet e përqendrimit gjerman. Prej këtyre lajmeve lindte frika se persekutimi nazist do të arrinte edhe ata njëzetmijë hebrenj që kishin arritur të gjenin shpëtim në Kinën e pushtuar nga forcat japoneze.

Regjimi nazist, pasi u pendua që shumë hebrenj i la të niseshin në mërgim, vazhdoi të bëhej akoma dhe më i vendosur për ta shtrirë Holokaustin në çdo cep të botës. Në këtë mënyrë filloi të ndërmerrte nisma nga më të ndryshmet. Në një nga këto tentativa Heinrik Himler, drejtuesi suprem i Gestapos, dërgon si emisarin e tij në Tokio, Xhozef Misinger, "kasapi i Varshavës" që rrafshoi njëqindmijë hebrenj polakë në vitin 1939, për t‘i bindur japonezët që të dorëzonin të mërguarit që kishin gjetur strehë në Shangai. Por për arsye që akoma janë të mistershme, perandoria e Sol Levante e refuzoi kërkesën që i bëri aleati gjerman. Ndoshta Japonia ishte mirënjohëse për huadhëniet e financës hebraike njujorkeze që financoi luftën e saj kundër Rusisë në vitin 1904. Ndoshta familjet e ndryshme si Sason e Kadorie kanë paguar në mënyrë të fshehtë për të shpëtuar refugjatët e Shangait. Dhe ndoshta japonezët edhe pse në mes të një lufte botërore vazhduan të pëlqenin nurin e hebrenjve, që e admironin prej antikitetit duke i përshkruar si një popull superior, të zotët për matematikë dhe muzikë. Është e qartë që fati i hebrenjve në Kinë krahasuar me atë të atyre në perëndim është totalisht ndryshe. Menjëherë pas sulmit të papritur në Perl Harbor, në dhjetor të vitit 1941, sapo japonezët hynë në luftë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, qytetarët anglezë dhe amerikanë që akoma ishin rezidentë në Kinë i priti një fund i tmerrshëm: u kapën dhe u burgosën me mijëra, u internuan në kampet e punës së detyruar të ushtrisë japoneze, do të vdisnin nga uria, nga sëmundjet, nga ushtrimi sistematik i torturave të ndryshme si nga ushtarët po ashtu edhe nga të burgosurit e tjerë.

Për hebrenjtë e getos së Shangait lufta bëhet akoma më shumë e më e frikshme, jetesa filloi të vështirësohej dhe dyshimet për një disfatë nga ana e aleatëve e shtonte akoma më shumë panikun që kishte mbërthyer të gjithë refugjatët. Por siguria e befasueshme që japonezët u dhanë refugjatëve, rezistoi deri në fund.

"Papritur një ditë - kujton Ursula Blomberg - lufta përfundoi dhe vetëm atëherë e mësuam të vërtetën mbi fundin e gjashtë milionë hebrenjve. Emra si: Treblinka, Auzhvic, Bergen-Belsen, Dakau, Bukenueild do të ngelin përgjithmonë të ngulitur në shpirtrat tanë. Menjëherë, ato mizerjet tona të "vogla" në geton e Shangait u zbehën përpara horrorit të kampeve të vdekjes së Hitlerit. Mua dhe gjithë atyre si puna ime, përjetësisht mirënjohës, Shangai na tregoi se ishte parajsa e të mbijetuarve".

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama