E magjishmja Meryl Streep

E magjishmja Meryl Streep

E veçantë edhe në jetën private: vetëm një burrë, skulptorin Donald Gummmer, me të cilin është martuar në vitin 1978 dhe katër fëmijë ku më i vogli është 19, ndërsa më i madhi 28 vjeç. Vitin e kaluar, pas 30 vjetësh karrierë, në "Radio America", tregoi se mund të jetë edhe një këngëtare e mirë, gjë që e konfirmoi edhe tani me muzikalin "Mama mia", për grupin legjendar të muzikës pop "Abba", i cili sapo ka përfunduar xhirimet në Londër. E palodhshme dhe me shpirt luftarak në skenë, Streep, që tani i ka kaluar 58 vjeç, është protagoniste e katër filmave për këtë vit dhe shumë të tjerëve për vitin e ardhshëm. Nga filmat impenjativ si "Rendition" i regjisorit Gavin Hood, ku interpreton një drejtues të CIA-s, që torturon një të pafajshëm të dyshuar për terrorizëm e deri te drama "Lions for Lambs" i Robert Redford, rolin e një gazetareje që një senator republikan kërkon ta manipulojë. Po pavarësisht impenjimeve, lodhjes dhe moshës, ajo ngelet e bukur dhe e thjeshtë, madje edhe kur flokët i lidh bisht dhe vesh xhinse dhe një këmishë.

Te "Lions for Lambs" ju interpretoni një gazetare: si t‘u duk pas kaq shumë vitesh që jepni intervista të viheni në anën tjetër të "barrikadës"?

Nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim të madh mes asaj dhe një aktoreje, pjesë e rëndësishme e punës së një gazetari mbi të gjitha në politikë është të dish të përballosh një intervistë me bindjen se i intervistuari po të thotë një mal me gënjeshtra, kështu që të duhet të gërmosh për të gjetur të vërtetën. Në një fare mënyre është ajo që bën një aktor: të gërmosh të kalosh përtej sipërfaqes dhe të kërkosh të vërtetën e fshehur poshtë dukjeve, atë që do të ndodhë dhe që hedh poshtë atë histori të veçantë.

Ju jeni përshkruar si një artiste dhe grua brilante, argëtuese , ambicioze, mendjemprehtë. Sipas jush, cili është virtyti më i spikatur ai që ju përcakton vërtet?

Padurimi, që është edhe ana më e keqe e karakterit tim. Pa të nuk do të mund të kisha bërë dot asgjë në jetë. Mendoj se kam edhe një virtyt tjetër, atë që i mungon mbi të gjitha Xhorxh Bushit: jam e aftë të pranoj gabimet që bëj. Për më tepër kam shumë energji: jam e tillë nga natyra.

Edhe filmi juaj "Rendition" është në qendër të vëmendjes në këto ditë? Ndonjë koment për këtë?

Ishte pabesueshme ditët e fundit që të hapje gazetat dhe të shihje se si tortura është akoma një argument për debat: është e pabesueshme që ligjvënësit lejojnë të bëjnë pyetjen nëse është apo jo kundër Kushtetutës.

Ka ndonjë shpresë që të rinjtë të ndryshojnë. Si mendoni?

Kam katër të rinj amerikanë përreth, fëmijët e mi, dhe duke i parë të rriten, jam e bindur se gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt.

Po në punë, fëmijët tuaj po ndjekin hapat tuaj?

Djali im është muzikant në Los Anxhelos dhe për të fituar më shumë punon në një galeri arti, Mamie po luan një pjesë në teatër në Williamstown, Gracie, është në universitet dhe më i vogli është duke përfunduar liceun. Janë të gjithë shumë të dhënë pas jetës së tyre dhe sigurisht që do të kenë gjithë mbështetjen tonë, pavarësisht vendimit që do të marrin.

Kohët e fundit ju po punoni shumë. Nuk kemi parë kurrë kaq shumë filma të prodhuar. Në këtë mënyrë ju rrëzoni edhe bindjen se gratë mbi 50 vjeç nuk mund të luajnë më asnjë rol?

Mendoj se është paksa edhe rezultat i kohës në të cilën jetojmë. Ka shumë filma, që bazohen në argumente komplekse dhe të rëndësishme, të përshtatshëm për moshën time. Kjo i detyrohet edhe faktit që ka më shumë gra në pozicione të rëndësishme dhe në këtë kuptim situata ka filluar të përmirësohet në krahasim me mënyrën se si filloi: grave në pushtet nuk u interesojnë vetëm vajzat 20-vjeçare.

Kështu që ju nuk ndiheni viktimë e modës, bukurisë, rinisë së përjetshme?

Jo, por e kam jetuar gjithë këtë përmes "krizave" të vajzave të mia, sidomos kur ishin më të vogla. Për mua mjaftojnë të veshin vetëm një T-shirt dhe janë shumë të bukura, ndërsa ato ndihen gjithmonë shumë keq, një koncept i forcuar më shumë nga industria e modës dhe publicitetit. Madje, e kam provuar unë kur isha fëmijë që po të shihje faqet e revistave e ndieje veten të pavlerë. Kam kaluar vite të tëra për t‘i bindur se është ajo që bëjnë në jetë ajo që ka më shumë rëndësi, jo pamja e tyre, por është shumë e vështirë që t‘i bindësh. Për fat të mirë, unë nuk kam nga këto probleme: më pëlqen fytyra ime edhe flokët gjithashtu.

Cilat janë veshjet e preferuara në dollap?

Kërkoj që t‘i rralloj të kem sa më pak që të jetë e mundur. Kam tri gjëra që nuk më lodhin kurrë: një palë xhinse, një këmishë dhe një xhaketë që më pëlqen shumë. Kam akoma në dollap veshje që nga koha e universitetit. E di që vajzat do të m‘i flakin, por në fakt ato nuk më bëjnë më. Ndërsa problemi qëndron kur më duhet të vishem elegante. Shyqyr që është Valentino, që personalisht e adhuroj dhe që është treguar shumë bujar me mua. Është një gjeni. Është e lodhshme vetëm ta mendosh se prej sa dhjetëvjeçarësh është gjithmonë në majat e klasifikimit të botës së modës.

Në filmin që sapo ka përfunduar së xhiruari "Mamma mia", ju këndoni nga fillimi në fund...

Ishte një ndjesi shumë e veçantë. Kushdo që ka punuar me një grup muzikantësh e di që muzika të jep një gëzim të madh. Ka një vlerë të madhe të bësh filma si "Rendition" apo "Lions for Lambs", po më pas duhet t‘i ekuilibrosh duke shpërndarë pak gëzim edhe në botë.


I njihnit "Abba"-t?

Po, kishte më shumë se 20 vjet që nuk i dëgjoja, muzikën e tyre, nuk mendoja më për to. Por kur mora në dorë skenarin e "Mamma mia" dhe filluam provat, e kuptova se i mbaja mend gjithë fjalët e këngëve të tyre. Kanë lënë vërtet shenjë në jetën tonë në ato vite.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama