Është vlerësuar me rezerva dhe me dilemë nga kritikët e disi e papranueshme për spektatorin e thjeshtë, shfaqja e trupës maqedonase dy net më parë në skenën e teatrit "Skampa", në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ. Drama "Vetmia e fushave të pambukut", ishte një pjesë sa e gjinisë teatrore alternative, gjer në kufijtë e abstraksionit, e cila është vënë dhe para katër vjetësh në Maqedoni. Nëpërmjet lojës së dy aktorëve, në rolet "Klienti" dhe "Tregtari", pjesa teatrore është ndjekur pothuajse me sallën plot, por gjysma adoleshentë. Pas rënies së perdes, bashkëbisedimi që ndodh për secilën trupë pas shfaqjes, është shfaqur në dy kahje. Një pjesë si dramaturgu Fadil Kraja, aktoret Margarita Xhepa e Tinka Kurti, aktori Roland Trebicka e regjisori Spiro Duni, janë shprehur me nota pozitive për trupën maqedonase, paçka befasisë me daljen gollomesh të aktorëve në skenë. Ndërsa një pjesë e vogël e kritikëve, madje dhe gazetarët, janë shprehur pak me rezerva, ndoshta për të mos thyer konformitetin vlerësues të kolegëve shqiptarë ndaj atyre maqedonas.
Publiku që nuk mundi të "flasë", për hir të së vërtetës duhet thënë se edhe pse nuk e braktisi sallën, me përjashtim të pak vetave, kanë ndjekur shfaqjen herë-herë duke mbuluar sytë me duar. Zhveshjet e herëpashershme të dy aktorëve të vetëm, nudo në skenë, e ka vënë jo pak në vështirësi publikun artdashës të qytetit. Shumëkush nuk e ka konsideruar zhveshje skenike me performancë artistike, por një zhveshje fare lakuriq me pamje sa nga pas aq dhe ballore. Përkundër vlerave të larta interpretuese të dy aktorëve, shfaqja e trupës maqedonase është e vetmja ka lënë te publiku një shije të athët, e që shumë mirë mund të ishte zgjidhur ndryshe nga regjisura ose nga efektet ndriçuese. Vetë aktorët e pjesës kanë pranuar se ajo është pritur me habi dhe nga publiku maqedonas. Dy aktorët, janë shfaqur sa burrë e grua, e çift homoseksualësh, sa miq e shokë, por dhe thjesht punëdhënës e punëmarrës. Ndryshe ka ndodhur me shfaqjen bullgare ku aktori i vetëm pantonimues, Aleksandër Live, ka debutuar për më tepër se një orë, pa forcën e fjalës, por i shoqëruar me duartrokitje të shpeshta. Vetëm me plastikën aktoriale dhe gjestet groteske, ai ka përcjellë para shikuesit tërësinë e jetës njerëzore në normalitetin kohor të një jete.
Marre nga : Gazeta Shqip











