Pastaj nëse je me fat, në një nga 43 dyqanet publike të Modbury, ndoshta do ta japin mallin brenda një çante ku sipër shkruhet "Nuk jam qese plastike", dizajnuar nga një stiliste e famshme. Ideja për të nxjerrë jashtë përdorimit qeset plastike, që është adoptuar nga 60 qytete në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë vende të tjera të Amerikës dhe Kinës, ka lindur pikërisht këtu, në këtë qytezë të mrekullueshme mes kodrave të Devon-it, pak kilometra larg La Manshit. Modbury është një qytezë e vogël me 1500 banorë, 760 shtëpi, tri kisha, një shkollë, një supermarket, disa pabe, dy restorante dhe një ambulancë. "Nuk do të kthehemi më pas", thoshte dikur Rebeka Hoskins, ajo nga e cila nisi gjithçka. "Kemi treguar se nëse njerëzve ua shpjegon mirë një problem, janë gati të reagojnë për ta zgjidhur, duke u angazhuar personalisht edhe me iniciativa radikale. Nga kjo mendojmë se është vërtet e mundur që të arrijmë të kemi një qytezë të pastër, pa përdorur qeset plastike". Në fakt, historia e Modbury-t tregon qartë dy gjëra: së pari ambientalizmin dhe pasionin që kanë mbijetuar ndaj rënies së të gjitha ideologjive dhe e dyta që era antipolitike nuk i ka marrë me vete të gjitha.
Kriza e partive dhe mosbesimi ndaj liderëve të tyre nuk e pengojnë opinionin publik të hidhet me entuziazëm në një betejë politike nëse ia vlen. Revolucioni, le të themi një revolucion i vogël, mund të ndodhë edhe në një vend si ky. Modbury është vetëm një qytezë e vogël me më shumë njerëz konservatorë se laburistë. Është një vend i qetë, me të ardhura të mira. Hera e fundit që ndodhi diçka në këtë vend ishte vitit 1643, kur grupet rivale të kalorësve mesdhetarë luftuan në rrethinat e këtij vendi. Pastaj, një ditë nga pranvera e shkuar nisi veprimin një luftëtare me ermin Rebeka Hoskins dhe gjërat nuk ishin më si më parë. E lindur në Modbury 33 vjet më parë, me profesion producente, Rebeka sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Paqësor, për të filmuar jetën e detit për BBC-së dhe kishte ngelur e habitur nga ajo që kishte parë: "Delfinë, foka, albatros, të burgosur brenda grumbujve plastikë", tregon. "Maksimumi ishte një breshkë që kishte ngrënë një qese plastike, duke e ngatërruar me një meduzë dhe po zhytej lehtësisht. Nuk jam njeri që prekem shpejt, nuk kisha qarë kurrë para kamerës. Por ato skena më copëtuan zemrën. Nuk arrija dot t‘i mbaja lotët. E kuptova se deti ishte kthyer në një kosh plehrash dhe objektet plastike do të duheshin qindra vjet që t‘i eliminonte. Më shkaktonte më shumë zemërim ideja që e gjithë kjo mund të shmangej". Pas kthimit shkova për të pushuar në brigjet e La Manshit dhe pashë se edhe aty qeset plastike i kishin zënë frymën natyrës së mrekullueshme. Nisi të fliste në pub për atë që kishte parë dhe thirri të gjithë banorët për t‘u treguar dokumentarin e saj në Paqësor. "Në fund pashë lot edhe në sytë e tyre. Më premtuan se kurrë nuk do t‘i mbështillnin më objektet e tyre me qese plastike dhe për këtë gjë duhej të organizoheshin. Gjithçka nisi qysh ditën tjetër". Më 28 prill, Modbury u bë qyteti i parë "plastik-bag free ton" i Evropës, me pak fjalë vendi i parë ku nuk do përdoreshin kurrë qeset e plastikës. Gjithçka që kishin prej plastike njerëzit e futën në një magazinë të madhe për t‘u ricikluar.
Qese prej letre, kartoni, pambuku, pëlhure të ndryshme u porositën, prodhuan dhe shpërndanë në të gjithë vendin. Banorët iu përshtatën me entuziazëm kësaj nisme të madhe deri në atë pikë sa "kur shkojmë në një qytet tjetër, marrim gjithmonë me vete një çantë pëlhure, në mënyrë që të mos jemi të detyruar të përdorim nga ato prej plastikeje. Kur dikush që vjen nga jashtë mban në dorë një qese plastike, ndalohet nga kalimtarët dhe me shumë qetësi u sqarohet se të mbash një qese plastike në këto anë konsiderohet një sjellje antisociale. Adam, pronari i sallamerisë, kishte llogaritur se vetëm nga dyqani i tij dilnin rreth 30 mijë qese plastike në vit. Tim, administratori i supermarketit, tregon se ai shpërndante rreth 300 mijë qese plastike në vit. "Jemi të lumtur që kemi marrë pjesë në këtë fushatë. Shpresojmë që të shërbejë si shembull", thotë ai. Dhe në fakt mundimi nuk vlejti kot. Pak nga pak, revolta kundër qeseve plastike infektoi edhe pjesën tjetër të Britanisë. Pas Modbury-t aderoi edhe Hebden Bridge në West Yorshire, pastaj North Berwick në Skoci. Brenda 5 muajve, rreth 70 për qind e qyteteve të Britanisë së Madhe iu bashkuan kësaj nisme. Javën e kaluar zyrtarët e Londrës diskutuan edhe për mundësinë e vendosjeje së taksave mbi qeset plastike, ashtu siç është bërë në Irlandë. Pikërisht në këtë të fundit taksat ulën përdorimin e tyre me 75 për qind. Sigurisht që ka akoma shumë për të bërë, nëse mendohet se çdo vit në Britaninë e Madhe shpërndahen rreth 13 miliardë qese plastike dhe që numri i përgjithshëm i tyre në të gjithë botën është rreth 100¹³, ku vetëm rreth 100 miliardë qese plastike shpërndahen çdo vit në Shtetet e Bashkuara nga dyqanet e shitjes me pakicë. Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, më shumë se 95 për qind e tyre përfundojnë në vendet e groposjes së plehrave, ose një pjesë përfundojnë në kanalet dhe lumenjtë që derdhen në det. Në fakt, fushata kundër qeseve plastike që ndotin ambientin është kthyer në një luftë globale: me aktivistë që shkojnë nga Kina në San Francisko. "Është shumë e vështirë të gjesh dikë që të thotë nuk më bëhet vonë për këtë gjë", komenton një anëtar i parlamentit skocez, që po mundohet që diçka e tillë të bëhet edhe në Edinburg". "Politikanët deri tani kanë qenë shumë të ngadaltë për këtë fenomen, ndërsa njerëzit vetëm presin dikë që t‘i mësojë se ç‘duhet të bëjnë". Në Maui, në Hawai, ku në pranverë Rebeka filmoi disa skena të gjallesave të detit të mbytura nga qeset plastike, është vendosur që brenda tri viteve të hyjë në fuqi ligji që ndalon tërësisht përdorimin e qeseve plastike. Çdo ditë një qytet apo një qytezë në çdo cep të botës mund t‘i bashkohet kësaj nisme. Nëse duam një botë të pastër, nuk na ngelet gjë veçse të bashkohemi edhe ne. Jemi pikërisht ne, konsumatorët e kësaj bote, që mund të bëjmë revolucion edhe duke bërë pazar.
Marre nga : Gazeta Shqip











