Indi gati makinat 2500 USD

Indi, gati makinat 2500 USD

Makina që kushton më pak se 2 mijë e 5 qind dollarë tashmë është gati. Në janar do të mund të shihet nën dritën e reflektorëve të "Auto Show të Nju Delhit" dhe duket se është e destinuar t‘i japë një të shkundur të mirë botës së automjeteve me katër rrota. Provokimi për një makinë me çmim super të lirë është hedhur fillimisht nga "Renault", e cila me modelin e saj "Dacia Logan" ka krijuar një modë: e kanë blerë të gjithë francezët me peshë, përfshi këtu edhe bijtë e ish-presidentit Zhak Shirak. Arrin të transportojë deri në shtatë njerëz, është e gjatë thuajse sa një "Opel Astra Station Wagon" dhe kushton sa gjysma e kësaj të fundit.

Por revolucioni që po ndez Tata e re - e quajtur "1 Lahk Car", që do të thotë "makina 100 mijë rupi" (ekuivalenti i 1.600-1.700 eurove) - është vërtet epokal. Një fenomen i ri, të cilin prodhuesit e mëdhenj të automjeteve po e shohin me mjaft shqetësim. Deri në çastin kur makina prej 2 mijë e 5 qind dollarësh ishte veç një ëndërr e Ratan Tata, menaxherit indian që ka studiuar dizajn në Londër, trashëgimtar i perandorisë me 260 mijë të punësuar në shtatë sektorë strategjikë (nga produktet kimike te çeliku, nga produktet e konsumit në financë) me 98 kompani të shpërndara në gjithë kontinentet, vetura superekonomike nuk përbënte kurrfarë sfide. Tani që është prodhuar - do të hidhet në shitje në gusht të vitit 2008, 250 mijë njësi vetëm gjatë vitit të parë - shtëpitë më të rëndësishme prodhuese po vrapojnë të krijojnë modelet e veta super të lira.

E gatshme të hedhë në treg makina me çmime të tilla është "Toyota": "Mendojmë t‘i propozojmë tregut indian një version konkurrues të makinës sonë", thotë Fuxhio Ço, numri një i shtëpisë prodhuese japoneze. Karlos Ghosn (i shtëpisë prodhuese "Nissan"-"Renault"), ka bërë me dijeni prodhimin së shpejti të një versioni të ri të modelit "Logan", i cili do të thjeshtohet, në mënyrë që të arrijë në një çmim të pranueshëm për tregun indian (do të kushtojë pak a shumë 8 mijë euro). "Ford" e "General Motors" po studiojnë prirjet dhe kërkesat e tregut, ndërkohë që grupi "Volkswagen" ka në program të prodhojë dhe të shesë në Indi modelin e saj "Skoda Fabia".

Ndërkaq, Ratan Tata ka prerë i pari shiritin; ia doli ta prodhonte autoveturën "1 Lahk Car", duke u mbështetur tërësisht tek inxhinierët dhe specialistët indianë (kostot e të cilit janë mjaft të ulëta), por pa u thënë jo partnerëve që mund t‘i ofronin arritjet më të fundit teknologjike. Gjermania "Bosch" dhe amerikania "Delphi" kanë bashkëpunuar në projektin për instalimet elektronike të motorit, ndërsa transmisioni automatik Cvt vjen nga Japonia. Ndërsa Justin Norekut, numrit një të kompanisë torineze IDEA (Instituti i Zhvillimit të Inxhinierisë së Automobilave), i ka kërkuar ndihmë për ndërtimin e kabinës.

Modeli i ri me çmim të reduktuar i Tata-s ka synim ta zhvendosë popullin indian nga mjetet me dy rrota në ato me katër rrota; një mision i cili ishte kthyer qëllim në vete nga Ratan Tata, që kjo veturë nuk përqendrohet te fitimi. E vërteta është që do të dëshironte që produkti të zhvishej nga taksat: "Jam shumë krenar që jam indian dhe e kam qëllim kryesor përmirësimin e kushteve të jetesës së bashkëkombësve të mi. Këtu është e lehtë të shohësh në rrugë katër ose pesë njerëz që udhëtojnë me një motor, gjatë shirave të rrëmbyeshëm ose në mes të acarit. Do të doja që askush të mos ishte më i detyruar të udhëtonte në të tilla kushte".

E ardhmja e Tata-s do të jetë edhe përtej kufijve të Indisë? Për Evropën është e vështirë të parashikohet përhapja e saj; por duke kushtuar 3 mijë dollarë falë kostove të transportit, klientët malajzianë, indonezianë, si edhe nga disa shtete afrikane (tregjet e para ku do të shitet), mund t‘u gëzohen ajrit të kondicionuar, xhamave elektrikë e aksesorëve të tjerë, që deri tani i kishin parë veç në ëndërr. Ajo që po trembet më shumë nga hedhja në treg e kësaj makine superekonomike është "Suzuki Maruti", që me modelin e saj 800 kontrollon 50% të tregut. Por, ajo që krijon mundësinë për të imagjinuar ç‘po ndodh në tregun e automjeteve është një e dhënë e publikuar nga "At Kearney", sipas së cilës do të jenë 300 milionë indianë që do të duan të blejnë një makinë, e cila kushton më pak se 3 mijë dollarë deri në vitin 2020.

Dështimi i mëparshëm

Nuk është hera e parë që nga Lindja e Largët shpallen nisma të tilla ambicioze, qëllimi i të cilave është tronditja e çmimeve në tregun automobilistik. Pak muaj më parë u fol shumë për një makinë kineze të prodhuar me pretendimin për të konkurruar ato që prodhohen në kontinentin e vjetër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E bukur, por mbi të gjitha me çmim mjaft konkurrues, ishte projektuar me synimin e qartë për të dominuar tregun evropian. Konstruktorët e gjigantit aziatik kishin varur shumë shpresa te modeli i ri "Brilliance BS6". Por, për fatin e tyre të keq, automjeti "Made in China" (me dizajn italian) nuk arriti të kalonte testin e përplasjes. Klubi gjerman automobilistik "Adac", i cili kishte marrë përsipër të koordinonte incidentet e stimuluara për llogari të programit ndërkombëtar EuroNcap, e vlerësoi vetëm me një yll (ndër pesë në total) paraqitjen e veturës kineze "Brilliance BS6". Rezultatet e testit ishin me plot gojën katastrofike.

BS6 është prodhuar nga "Shenyang Brilliance JinBei Automobile" (në tregun e brendshëm njihet me emërtimin "Zhonghua"), kompani që ka lidhur një marrëveshje pesëvjeçare me evropianen "HSO Motors Europe" për importimin e disa modeleve. Vetura BS6, pas debutimit gjatë muajve të pranverës në Austri, Gjermani, Vendet e Ulëta, Poloni e Zvicër, ishte gati të debutonte edhe në vende të tjera të Evropës: në Francë, Greqi, Itali, Portugali e Spanjë, tregje që janë përfshirë në fazën e dytë të ekspansionit të modelit BS6. Objektivi ishte shitja e 15 mijë makinave brenda vitit 2007, për të arritur në kuotën e 75 mijë shitjeve në vit brenda vitit 2010.

Makina BS6, e dizajnuar në Itali, i ngjan shumë veturës italiane "Lancia" dhe ofrohet në tri versione me dy lloje motorësh. Ka lindur si bashkëpunim mes kompanisë "Mitsubishi" e gjermanes me traditë në këtë fushë BMW. Modeli bazë ofron dy airbegë (për drejtuesin e pasagjerin), ABS, sistem kundër vjedhjes, sistem për asistencë gjatë parkimit, klimatizator, impiant audioje, sedilje lëkure e tavan të lëvizshëm. Dy vite më parë, edhe modeli "Landwind", e para fuoristradë kineze, dështoi në mënyrë katastrofike në testin gjerman të përplasjes (nuk u vlerësua me as edhe një yll). Në shtator të vitit 2005, "Adac" arriti në pikën sa të kërkonte ndalimin e shitjeve të këtij modeli. E madhe sa një "Range Rover", por me çmimin e një "Volkswagen Polo", "Landwind" shpejt u tërhoq nga tregu evropian.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama