Një vajzë e ledhatuar, por me maturinë e duhur, për më tepër kur bëhet fjalë për të biseduar rreth karrierës së saj të nisur që kur ishte 13 vjeç. Një këngëtare e afirmuar e muzikës së lehtë shqiptare, me një zë të veçantë dhe profesionalizëm gjithmonë në rritje. “Të shprehesh me përpikmëri, është nisja dhe mbarimi i çdo arti!”. Kjo shprehje e Gëtes i është përshtatur mjaft mirë si slogan këngëtares Jonida Maliqi tek e cila përpikmëria është pjesë e karakterit. Gjithçka për një paraqitje sa më dinjitoze në skenë dhe për një kujdes të veçantë të vetes në jetën e përditshme. Së shpejti, ajo do të veshë fustanin e bardhë të nusërisë dhe ëndërron të bëhet nënë, duke treguar edhe dashurinë që ka për fëmijët. Por ky hap i madh në jetën e saj, nuk do të ndikojë në karrierën e mëtejshme. Të paktën, këtë premton vetë Jonida. Ajo do të jetë sërish pranë publikut, në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, në skenën ku është rritur, ka përjetuar emocionet e para por edhe ka rrëmbyer çmime të rëndësishme. “Asnjëherë nuk kam dashur të jem pjesë e komercializmit. Vitet e mia të punës nuk mund ti hedh tutje”, - shprehet Jonida në intervistën e saj për “Albanian Mail”, duke shprehur qartë pakënaqësinë për tregun aktual muzikor në Shqipëri. Pasi hodhi në treg albumin e saj të parë, tashmë Jonida Maliqi po u përkushtohet investimeve të reja. A mjaftojnë gjithë këto arritje për Jonidën?
Përshëndetje Jonida! Si e kalove këtë sezon veror?
Kam kaluar shumë mirë. Sezonin veror preferoj ta kaloj në plazhe dhe pishina. Nuk më pëlqen të jem e angazhuar me koncerte apo në diskoteka duke kënduar. Unë preferoj skenën e mirëfilltë dhe do të mbetem një pioniere e festivaleve dhe koncerteve.
Çfarë do të sjell vjeshta për Jonidën?
Më vjen keq që vera mbaroi, pasi unë e dashuroj këtë stinë dhe do të doja të mos mbaronte kurrë (qesh). Tani vjen sezoni i punës time. Kam menduar të realizoj disa materiale të reja dhe në të njëjtën kohë, dua të vij në Festivalin e Radiotelevizionit Shqiptar me një këngë të re.
Merr pjesë në këtë festival për të synuar Evrovizionin?
Jo aspak. Madje, debutimi im i parë në festivalin e RTSH ka qenë në vitin 1995, kur unë isha vetëm 13 vjeç dhe pothuajse asnjëherë nuk i kam munguar Festivalit. Më pëlqen të jem pjesëmarrëse në këtë Festival, pasi është i vetmi ku interpretohet drejtpërsëdrejti dhe në këtë rast artisti ka mundësi të tregojë realisht vlerat e tij.
Si ndihesh kur konkurron në një festival dhe përkrah jush në garë janë edhe emra të panjohur të këngës?
Vetë festivalet u krijojnë mundësi edhe emrave të rinj për të kënduar, ashtu sikurse unë e kisha këtë mundësi vite më parë. Pra duhet të promovojmë talente të reja dhe kjo është mundësia më e mirë për t`i zbuluar këto talente të reja. Unë ndihem mirë kur shoh përkrah meje emra të rinj, që dëshirojnë të ndërtojnë të ardhmen tyre në muzikë dhe ne kemi plot talente të reja, që duhet t`i mbështesim.
Keni provuar shumë rryma muzikore. Ka ende diçka të re për të eksploruar?
Për fat të mirë, muzika është shumë e lidhur me teknologjinë. Nga viti në vit, po zbulohen rryma të reja dhe unë dua të eksploroj në këngë, ndaj do të vazhdoj të sjell këngë të rrymave të ndryshme. E rëndësishme është të ndihet era e artit.
Në cilën rrymë muzikore e gjen veten më mirë?
Fakti që kam këngë të rrymave të ndryshme do të thotë që i këndoj të gjitha me shumë dëshirë,por nëse do të ishte në dorën time unë do të këndoja vetëm baladat. Vetë unë jam natyrë melankolike ndaj ajo është pjesë e brendshme e imja që nuk e shmang dot.
A ekziston për Jonidën një shembull i mirë për tu ndjekur në muzikë?
Kam patur shumë. Ndër këngëtarët shqiptarë, adhuroj Aurela Gace. Për mua, ajo ka qenë dhe mbetet ndër këngëtaret më të preferuara. Interpretimi i saj ka qenë gjithmonë i përkryer.
Të pëlqen të jesh në qendër të vëmendjes?
Çdo femre do t`i pëlqente kjo (qesh), por nuk do të preferoja të trilloja histori vetëm për të qenë në faqet e para të gazetave. Do të ishte mirë të isha në qendër të vëmendjes për punën që bëj.
Do dëshiroje të jetoje në një shtet tjetër?
Po. Kam dashur që studimet e larta t`i kryeja jashtë vendit, por kuptova se nuk mund ta bëja dot për shkak se jam shumë e lidhur me njerëzit e mi të dashur. Më pëlqen ajo thënia popullore: “Më mirë i pari i fshatit sesa i fundit i qytetit”. Sa shumë dëshiroj të vizitoj Anglinë pasi nuk kam qenë asnjëherë atje.
I thua ndonjëherë vetes, “O sa mirë më qenë shqiptar”?
Po i them shpesh, por nuk më pëlqen që jemi kaq gjaknxehtë dhe kaq sipërfaqësorë. Do të ishte më mirë të ishim më pak egoistë dhe të besonim më shumë tek njëri-tjetri. Po kuptoj që njerëzit këtu janë të predispozuar për të gjykuar negativisht. Fjala e mirë duhet të mbizotërojë tek njerëzit sepse kjo na bën më optimistë për të vazhduar më tej.
Marre nga : Albania Mail
Do të dëshiroja që këtë mesazh ta transmetoja edhe për bashkatdhetarët e mi në Angli e kudo. Le të mundohemi të gjithë së bashku të kultivojnë artin e mirëfilltë shqiptar. Mendoj se shqiptarët e Anglisë duhet të investojnë më shumë për veten e tyre atje ku janë dhe nëse munden të sjellin në vendlindje ato vlera të mira që gjejnë atje sepse Shqipëria ka nevojë për ato vlera, për disiplinë pune dhe shpirt biznesi.











