Perandoria e super te pasurve

Perandoria e super të pasurve

Numri i miliarderëve vazhdon të rritet në mënyrë të ndjeshme. Sa herë që bëhet rinovimi i listave të njerëzve më të pasur në botë spikaten fytyra të reja, madje edhe nga vendet më të paimagjinueshme. Ja një shembull: meksikani Karlos Slim, shpeshherë i cilësuar si njeriu më i pasur në botë, ka kaluar edhe miliarderët më me emër si Bill Gejts apo Uarren Bufet, të cilët "mbajnë" mbi shpinë shuma të mëdha parash. Është e vërtetë që të tre këta individë pozicionohen në vendet e para të klasifikimit të tregut botëror. Por, pasuria e Karlos Slim është rritur me një ritëm shumë më të shpejtë në krahasim me atë të Gejts dhe Bufet. Sipas "Financial Times", këto vitet e fundit Slim ka konfiskuar më shumë se 52 milionë dollarë amerikanë në ditë. Sipas disa të dhënave të nxjerra nga revista "Forbes" në vitin 2007, numri i "mbretërve" të pasur është rritur ndjeshëm, duke arritur pothuajse në rekord: janë pothuajse 946 individët që zotërojnë të ardhura të larta me një vlerë superiore që shkon 1 miliard. Në listën e 178 personave të rinj, figurojnë 19 rusë, 14 indianë, 13 kinezë dhe për të parën herë, një rumun, një serb dhe një qipriot. Shuma e pasurisë së këtyre personave arrin në 3,5 trilionë dollarë amerikanë. Për të kuptuar përpjesëtimin mjafton të mendosh që në vitin 2006 i gjithë prodhimi ekonomik i vendeve si Gjermania, ose vendeve të tjera perëndimore, kanë arritur përkatësisht një vlerë 2,6 dhe 1,5 trilionë dollarë. Mesa duket, fakti që në çdo vend ekzistojnë individë ose familje të tilla që zotërojnë pasuri të mëdha, nuk është një risi. E për fat të keq, sot, ashtu si edhe dje, në shumë vende këta pasanikë bashkëjetojnë me situatat e një varfërie të paimagjinueshme. Nga carët rusë te maharaxhajt indianë e dinastitë kineze, historia botërore tregon shembuj të pafund, që familjet e pasura kanë jetuar dhe gëzuar mes popujve të varfër.

Por, në disa vende burimet më të mëdha të pasurisë nuk janë më të njëjtat. Për shembull, në shumicën e rasteve karakteristikat e tokave bujqësore nuk mjaftojnë për të garantuar një vend të rëndësishëm në listat e pasanikëve të mëdhenj. Por, për të grumbulluar sa më shumë para në një kohë të shkurtër, ka një mënyrë tjetër e cila është e përhapur veçanërisht në vendet e zhvilluara si Kina, Rusia, Greqia dhe Argjentina. Në disa vende të zhvilluara, kompani të ndryshme që kanë ngritur aktivitetin e tyre kohët e fundit, e kanë transformuar tërësisht peizazhin e tyre ekonomik planetar. Nëse disa prej tyre ia dedikojnë suksesin aftësive për t‘u futur në tregjet e reja globale, ose pranimin në sektorë të ndryshëm prodhimi në lidhje me vendet e tjera, arrijnë të ecin përpara me ndihmën e njerëzve më të pasur të botës.

Shoqëria "Infosys" (India) e ilustron mjaft mirë rastin e parë: atë të një ndërmarrjeje, e cila është pranuar në tregun botëror jo duke u mbështetur te njëanshmëria, por te aftësitë e saj. "Infosys" ia dedikon shpejtësinë e rritjes së saj ekspansionit të jashtëm ndërkombëtar, bërë i mundur nga gatishmëria e një krahu pune shumë të kualifikuar me tarifa të ulëta. Falë tarifave të ulëta të telekomunikacionit, kjo shoqëri mund t‘u ofrojë klientëve në të gjithë botën shërbime të mirëfillta në fushën e informatikës. Një shembull tjetër është ai i ndërmarrjes afrikanojugore "Sab Miller", që është bërë një gjigant botëror jo vetëm falë tregut botëror me teknologjinë e re, por edhe sepse ka ditur të përshtatet në këtë konkurrencë me industritë e mëdha të një sektori antik: atë të birrës. Kjo ndërmarrje ka bërë të mundur edhe hapjen e disa nëndegëve në të gjithë botën dhe sot ajo është një nga prodhuesit më të mëdhenj të birrës në nivel botëror. Por është e kotë të thuash që dy ndërmarrjet e lartpërmendura kanë rritur ta rrisin pa masë llogarinë e tyre në bankë.

Ato nuk mund të arrijnë kurrë në shifrën e 46-vjeçarit milioner Viktor Pinshuk, banues në Dneiepropetrovsk (Ukrainë), i cili, sipas "Financial Times", ka një pasuri personale prej 7 miliardë dollarësh. Po si? Pasurinë e ka vënë duke shitur tuba çeliku. Në vitin 1990, falë cilësive si ekspert i sektorit, Pinshuk themeloi "Interpipe", që në pak kohë u bë një ndërmarrje mjaft e suksesshme. Veç kësaj, ai i ka ndryshuar gjithnjë aktivitetet e tij, duke i zgjeruar në shumë fusha të tjera, përfshi edhe politikën. Por zoti Pinshuk nuk është miliarderi i vetëm i Ukrainës. Pas tij klasifikohet si një tjetër pasanik 41-vjeçari Rinat Akhmetov, i cili punon në sektorët e metalurgjisë së zezë, karboniferëve, energjetikës, bankës, hoteleve, telekomunikacionit e futbollit dhe ka grumbulluar një pasuri prej 16 miliardë dollarësh.

Mesa duket e njëjta rrugë ndiqet edhe nga miliarderët e vendeve të tjera. Ndonjëherë për të fituar para është më e lehtë të "punosh" si politikan, ose duke u bërë një deputet, sesa duke u shërbyer më së miri nevojave të konsumatorëve, për t‘u pranuar në një treg konkurrues. Për shembull, Karlos Slim ka arritur të përjashtojë nga sistemet e telefonisë meksikane çdo konkurrencë të mundshme. Kompania e tij gëzon një pozicion dominues absolut, që e ka bërë atë njeriun më të pasur të botës. Por kjo situatë monopoli ka pasoja të rënda jo vetëm në tarifat telefonike, por edhe në zhvillimin e vendit, siç rezulton edhe në një kërkim të "Wall Street Journal". Padyshim që Karlos Slim është shumë i zoti në punë, por më shumë është në raportet që krijon me politikanët, se ndryshe si do të shpjegohej fakti që të gjitha qeveritë e Meksikës i kanë lejuar një sukses të tillë, pa u përballur me konkurrencën?

Në shumë vende, drejtues firmash të ndryshëm vendosin të heqin dorë nga biznesi i tyre, për të "veshur" uniformën e politikanit. Ky fenomen është i ilustruar mjaft mirë nga shumë deputetë milionerë ose miliarderë të Parlamentit ukrainas. Një tjetër politikan që klasifikohet në rangun e pasanikëve, është maniati tajlandez, Thaksin Shinauatra, i cili fitoi zgjedhjet e vitit 2001 dhe 2005. Po atë vit, pak muaj pas votimeve, disa qytetarë u mblodhën në shesh për të protestuar kundër qeverisë së tij, duke provokuar kështu një grusht shteti ushtarak. Pas kësaj, Thaksin u burgos dhe u dëbua nga vendi. Sot maniati tajlandez, pasi punoi si një polic i thjeshtë, është transferuar në Londër ku ka ndërtuar dhe një "perandori" ekonomike.

Padyshim që dallga e madhe e globalizimit, e cila që prej viteve ‘90 ka ndryshuar pamjen e planetit, ka krijuar më shumë tregje dhe konkurrencë ndërkombëtare. Teknologjitë e reja i kanë dhënë jetë industrive të reja, duke u ofruar mundësinë aktorëve të hyjnë në konkurrencë me operatorët tradicionalë.

Në disa vende, rregullat e reja nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë krijuar oligarkët e rinj pasanikë, të cilët kanë pasur mundësi të lulëzojnë falë shkathtësisë në ndikimin e qeverive, duke bllokuar të gjithë konkurrencën. Është një realitet që duket evident për të gjithë ata që dëshirojnë të hedhin një vështrim në listën e gjatë të burrave më të pasur të botës dhe të interesohen për origjinën e vërtetë të pasurisë së tyre. Fakti pozitiv është se shumë nga këta pasanikë kanë krijuar teknologji dhe prodhime të reja, falë të cilave jeta jonë është më e këndshme dhe e thjeshtë. Por, sigurisht, nuk mund të harrojmë faktin se ata, në pjesën më të madhe, ia dedikojnë pasurinë e tyre jo tregjeve ndërkombëtare, por favoreve të pafundme të politikanëve, gjë e cila ka pasoja negative për të gjithë ne.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama