Vladimir Putini kërkon të demonstrojë se toka nën Pol në realitet është një zgjatim i Rusisë. Gjë që synojnë ta demonstrojnë edhe qeveritë kanadeze e daneze. Lufta shkencore– ekonomike ka filluar: në valle janë nafta dhe gazi, duke supozuar që arrijnë ta nxjerrin nga thellësia. Kush do të fitojë? Shpresojmë që të fitojë Poli i Veriut.
Çfarë kërkon të bëjë zoti Vladimir Putin në Polin e Veriut? Pse ka dërguar tri palombarë të tij që të ngulin një flamur trengjyrësh (natyrisht, trengjyrëshin rus) në 4.000 metra thellësi pikërisht në pikën nëndetare që mendohet se i korrespondon në nivel deti 90 gradëve gjerësi veriore? Vërtet mendon që të gjejë naftë në majën e botës? Vërtet mendon të gjejë gaz në ato anë? Vërtet i ka harruar sfidat e lëshuara deri një shekull më parë për pushtimin e Polit? Vërtet beson se mund ta rrisë fuqinë ekonomike në këtë mënyrë? Dhe pse Kanadaja dhe Danimarka janë përgjigjur menjëherë – hedhurazi – se Poli i Veriut nuk preket? Shumë pyetje? Po, shumë pyetje. Ama të paktën njërës mund t’i jepet përgjigje menjëherë: Poli i Veriut është një abstraksion gjeografik, një pikë e ndodhur në 90 gradë gjerësi veriore dhe, për pasojë, në mungesë gjatësie gjeografike. Ju duket se mund të qëndrohet në një pikë të kësaj natyre? Le ta paraqesim problemin se arrihet nga ato anë: GPS-i juaj (ajo pajisje që me ndihmën e satelitëve përcakton pozicionin tënd gjeografik) do të shënojë koordinata në lëvizje të vazhdueshme. Sepse shtresa e akullit që mbulon zonën polare arktike është në lëvizje të përjetshme: korrentet detare nën dhe era sipër i shtyjnë akujt andej e këtej në mënyrë të pandërprerë.
Vijon që në qoftë se ndizni GPS-in tuaj nga anët e Polit të Veriut, në asnjë rast nuk do të arrijë të qëndrojë për më shumë se pak sekonda në pikën e saktë që mat 90 gradë veri në mungesë të gjerësisë. Dhe ja ku shpjegohet fakti se pse Presidenti Putin ka dërguar të tijtë për të ngulur një flamur të bukur në dyshemenë nëndetare: kjo të paktën qëndron e palëvizur. Domethënë e palëvizshme: do të qëndronte e tillë në qoftë se aksi tokësor të mos spostohej, megjithëse në mënyrë pambarimisht të vogël (në rastin e tërmetit të frikshëm në Indonezi të dy viteve më parë, u tha se aksi tokësor kish pësuar një spostim veçanërisht të fortë). Nga ana tjetër, Poli i Veriut magnetik, ai që tërheq gjilpërën e busullës, është mjaft larg nga ai gjeografik dhe që nga ana e tij ndryshon pozicion me një ngut të caktuar. Me pak fjalë: Poli i Veriut nuk ekziston.
E demonstroi në fund të tetëqindtës një shkencëtar gjenial dhe kurajoz norvegjez i quajtur Fridtjof Nansen: brodhi për më shumë se një vit i bllokuar midis akujve me anijen e tij “Fram” duke përshkruar andej këtej mesatarisht 3 milje në ditë. Nuk pagoi, ia braktisi anijen ekuipazhit dhe vetëm me një shok të tijin me slitë u nis drejt Polit: e gjetën pothuajse një vit e gjysmë më vonë, shpjegoi se korrentet ecnin shumë më shpejt se qentë e tij të slitës; shpesh në drejtim të kundërt respektivisht objektivit. Nga ana tjetër, dyshja që tronditi botën disa vjet më vonë se kishin arritur Polin e Veriut (dy amerikanë, Robert Peary dhe Frederick Cook) me çdo mundësi i arritën vetëm afër, madje jo shumë. Historia është e njohur: në tentativën e radhës plakushi Peary, duke e parë veten të humbur e braktisi ekuipazhin për të vrapuar i vetëm drejt Polit në një etapë të fundit të dëshpëruar me slitë.
Pasi u kthye prapa tha se kish kryer në një ditë një rrugë pak më të vogël se ajo që deri aty kish mbuluar në një javë: ishte viti 1909, askush nuk do t’i besonte, por meqenëse amerikanët qenë besimtarë, u shprehën mjaft të gatshëm që t’i atribuonin zbulimin e Polit të Veriut. Sikur të mos ishte që pak ditë përpara lajmërimit të tij një amerikan tjetër, Cook, kish bërë të ditur se kish arritur Polin një vit më parë, në vitin 1908 dhe se më pas kish letarguar në akuj. Lindi një grindje e famshme dhe shkatërrimtare, në fund të së cilës Kongresi amerikan vendosi që Cook ishte gënjeshtar dhe Peary një konkuistador xhentëlmen i Polit. Për saktësi: Cook, gënjeshtari, ishte një mjek i thjeshtë province që e kish bërë ndërmarrjen e tij duke u mbështetur vetëm mbi financimet private, ndërsa Peary ishte një oficer i marinës i dërguar në Pol me paratë e armës dhe të shtetit. Durim: duke u bërë fjalë për një objektiv inekzistent, e vërteta u konsiderua një zgjedhje. Pasoi që, sipas çdo gjase, i pari që “pa” Polin e Veriut nga lart qe një italian pak maskara dhe pak gjenial. Po, pikërisht Umberto Nobile, i cili drejtoi nga ato anë një dirizhabël që e kish projektuar dhe realizuar për ushtrinë fashiste. Përjashto faktin që dirizhabli shumë italian “N1” ishte pagëzuar “Norge” nga momenti që blerja dhe ekspedita qenë paguar nga Qeveria norvegjeze. Miq specialë në bord: eksploruesi norvegjez Ronald Amundsen dhe pareliu amerikan Lincoln Ellsworth.
Amundsen ishte një autoritet i rrezikut (kish prekur tashmë i pari Polin e Jugut pasi kish kaluar gjithmonë i pari kalimin në veriperëndim; Ellsworth ishte një biznesmen nafte që nuk kishte gjë më të mirë për të bërë sesa financimin e udhëtimeve ekstreme në të cilat, natyrisht, pretendonte që të merrte pjesë. Eksplorues: edhe tre rusët që kanë ngulur flamurin e tyre në 4000 metra thellësi janë quajtur kështu, por një shekull më parë gjërat qenë ndryshe. Kishte njerëz (Peary, Amundsen dhe shumë të tjerë) që jetonin me ekscentricitetet e tyre, që e kalonin jetën duke studiuar rriske, duke kërkuar para për t’u nisur dhe për të fituar më pas pagesa shumë të larta në konferencat që mbanin kudo nëpër botë pasi qenë kthyer. Ishin në mes vaniteti dhe dëshira për të zbuluar botë të reja: veç të tjerash, duhej zbuluar nëse Poli i Veriut ishte tokë apo vetëm det. Sot gjërat janë ndryshme. Çfarë kërkon batiskafi i Vladimir Putinit në Polin e Veriut? Po akullthyesit kanadezë apo danezë? Naftë dhe gaz, të vjen menjëherë në mendje. Praktikisht, deti arktik midis Norvegjisë dhe Ishujve Svalbard duket plot me vendburime nafte: ja pse Norvegjia është prodhuesi më i madh i naftës në Evropë.
Për ta nxjerrë kushton shumë dhe sidomos ndot shumë. Arsye për të cilën, për shembull, vetë Norvegjia është shumë ngurruese që të intensifikojë aktivitetin nxjerrës të saj. Dukshëm që ka përvojë në fushën në fjalë. Ndodhi në fillim të nëntëqindtës: balenat qenë konsideruar një e mirë shumë e çmuar. Gjysma e botës u nis drejt pushtimit të Spitsbergenit, arkipelagut që sot quhet Svalbard dhe që është protektorat norvegjez, ndërsa në atë kohë, si të thuash, ishte tokë e askujt. Në atë rrip toke ekstreme në pragun e 80 gradëve lartësi veriore (sot është territori i banuar më në veri i botës) qenë për t’u ndërtuar flota balenierash dhe për t’u nxjerrë hekur: u nisën shumë me synimin për të shfrytëzuar tokën dhe detin, por provoni pak të nxirrni hekur nga një terren i akullt? Dhe si t’i manovrosh balenierat në mes të akujve të thellë midis 3 dhe 10 metrave që mbulonin papritmas detin? Norvegjezët përgatisnin minierat, ndërsa gjithë të tjerët vërtiteshin nëpër detin e bardhë dhe me furtunë.
Rezultati? Minierat u mbyllën shpejt: kostot e nxjerrjes qenë pafundësisht më të larta respektivisht vlerës së hekurit të vjedhur tokës. Kurse për të shpëtuar balenierat – e pakta – që pavarësisht gjithçkaje vazhdonin ta ndiqnin prenë e tyre, u ndërtuan akullthyesit, domethënë anije veçanërisht të fuqishme me bashin e rrumbullakosur në mënyrë që të ngjiteshin mbi akull dhe ta çanin me peshën e tyre. Në këtë sovjetikët qenë më të zotët (qenë edhe të parët që ndërtuan akullthyese atomike): gjatë këtyre javëve, Presidentit Putin duket se i është kujtuar. Pastaj, në epokën e nazizmit, qenë gjermanët me një ide gjeniale e cila duhet treguar. Në Oqeanin Arktik balenat tashmë qenë shumë të pakta; për të mos folur për merlucin (me që ra fjala, e dini se merlucët arktikë – domethënë balaot – janë zhdukur dhe se Oqeani Arktik është ripopulluar duke importuar larva merlucësh të Paqësorit?). Domethënë, situata ishte kritike qysh në vitet tridhjetë dhe nazistët e vunë bashin në Jug, duke synuar drejt Antarktidës ku ndodheshin mijëra balena të pashqetësuara.
Por, ndërsa të gjitha flotat e peshkarexhave të botës kufizoheshin në vrasjen e balenave për përdorime të zakonshme industriale, gjermanët midis 1938 dhe 1939 hodhën idenë se në barkun e këtyre gjitarëve mitikë po përsosnin armët e tyre sekrete; domethënë, se dhjami i balenës mund të ishte komponenti kryesor i një eksplozivi misterioz dhe shkatërrimtar. Gjërat shkuan si shkuan, por polet duhet të kenë mbetur në stomakun e Hitlerit. Aq sa dërgoi njerëzit e tij që të luftonin një tjetër betejë absurde në pikën e kundërt të Tokës: në Groenlandë. Ndodhi në vitin 1942. Groenlanda ishte një protektorat danez dhe atje, në bregun lindor më të papenetrueshmin, kishte disa stacione meteorologjike me rëndësi parësore për lundrimin (edhe ajror) në hemisferën veriperëndimore. Kur Danimarka u pushtua nga nazistët, shkencëtarët danezë që drejtonin bazat meteorologjike vendosën që për hakmarrje të mos i transmetonin më në të qartë buletinet, por t’i kriptonin me anë të një kodi të njohur vetëm nga ushtritë angleze dhe amerikane.
Hapu qiell! Shtabi i Përgjithshëm nazist dërgoi në majën e botës një patrullë të ngarkuar me asgjësimin e meteorologëve të mallkuar danezë dhe vendosjen e sovranitetit të Rajhut edhe nga ato anë. Duke i transmetuar buletinet në kod arian të pastër. Përplasja frontale u shmang: vështirë të qëllosh seriozisht në mes të mjegullës, akullit, të ftohtit dhe dëborës, por deri në mbarimin e luftës anglezë dhe amerikanë vazhduan që të kenë informacionet e tyre të rezervuara meteorologjike dhe, në qoftë se gjermanët mëshonin për supremacinë e tyre simbolike, amerikanët dhe anglezët kërkonin që të zgjidhnin një problem tjetër: të çelnin një rrugë arktike për bombarduesit e tyre në fluturim nga bregu perëndimor i Shteteve të Bashkuara në qendër të Evropës. Sot praktikisht kjo është rruga që rëndom përshkojnë fluturimet e linjës nga Nju Jorku në Evropë.
Të gjithë ekspertët me bonsens, nga dekadat e para të nëntëqindtës, kanë menduar gjithmonë se Poli i Veriut ishte i dobishëm vetëm për t’u fluturuar dhe se kalimet mitike në verilindje (domethënë nga Atlantiku në Paqësor duke i ardhur përreth Siberisë) dhe në veriperëndim (nga Atlantiku në Paqësor duke i ardhur përreth Amerikës Veriore) nuk do të kishin asnjë të ardhme tregtare. Por, njerëzit e zakonshëm janë më kokëfortë, apo ëndërrimtarë? Se ekspertët me bonsens: aq sa pak pas zbulimit të Amerikës nga ana e Kristofor Colombit u fillua të mendoj se kalimi nga ana tjetër (domethënë duke hapur kalimin në verilindje) do të ishte bërë më parë. Në fund të pesëqindtës, holandezi William Barens ju afrua më afër se të gjithë. Arriti të kthehej prapa vetëm pas zisë dhe frikësimesh të tmerrshme dhe kështu u bind se kalimi në verilindje nuk ishte i praktikueshëm. Në kompensim (me mbi tri shekuj përpara respektivisht Peary dhe Amundsen të ndryshëm) jetoi me famën e eksploruesit të madh dhe botoi një ditar të shkëlqyer udhëtimi që u bë një prej bestsellerëve më të mëdhenj të viteve të para të gjashtëqindtës.
Duket sikur deri Shekspiri ka përdorur përshkrime të caktuara të Barents për disa skena të “Furtunës” së tij, edhe pse ndershmërisht kjo duket një forcaturë romantike. Megjithatë, pas Barents, shumë kanë vazhduar ta kërkojnë këtë shteg për aferat e tyre në Indi. Domethënë, i pushtuar nga deti ose nga akulli, Poli i Veriut nuk u ka rezervuar kurrë kënaqësi njerëzve: të themi se kjo është mënyra e tij e mbrojtjes. Ndoshta është për këtë që Putini ka vendosur që ta sulmojë nga poshtë: do të jetë i detyruar kështu të kapitullojë i varfëri Pol i Veriut? Do ta shikojmë.
Efektivisht, e shtëna e Rusisë ka një aromë kohërash të tjera, sepse luan gjithçka mbi zgjerimin territorial (sikur Rusia të ishte e vogël!). Opinioni i atyre që kanë frymëzuar zbritjen në 4000 metra thellësi është se Poli i Veriut është rus. Në çfarë mënyre? Toka nën Pol do të ishte e brendshme e një zinxhiri të quajtur Lomonosov që lind nga brigjet siberiane, nga anët e Arkangjelit. Për pasojë: Poli i Veriut është rus dhe rusët kanë të drejtën e pakontestueshme që shpojnë të gjithë atë të mirë të Zotit të paprekur. E thënë kështu, duket si barsoletë apo një gjë të çmendurish, por realiteti është një çikë më kompleks dhe për ta interpretuar duhet kthyer prapa në dështimin e garës për Ishujt Svalbard të dekadave të para të shekullit të kaluar. Kur u perceptua se nga këto anë mund të bëhej biznes i mirë, të gjitha vendet limitrofe e sulmuan arkipelagun. Nuk bënë luftëra – shumë të vështira në 80 gradë gjerësi gjeografike, por një traktat ndërkombëtar i rezervoi një privilegj të ndershëm territorial Norvegjisë: vazhdueshmëria gjeologjike e Norvegjisë respektivisht Ishullit të Arinjve (një rrip toke midis Tromso dhe Ishujve Svalbard) dhe kështu në arkipelagun e kontestuar pushuan polemikat. Nga ana tjetër, Norvegjia shpejt i mundësoi gjithsekujt që të investonte në Ishujt Svalbard që në atë kohë quheshin akoma Spitsbergen.
Që pas Luftës së Dytë Botërore që problemi u paraqit përsëri: arkipelagu, i pagëzuar pikërisht Svalbard, ju caktua zyrtarisht Norvegjisë, përjashto mundësisë për komunitetin shkencor ndërkombëtar që të ngrinte atje laboratorë kërkimorë në liri të plotë. Megjithatë, rezoluta e Kombeve të Bashkuara që ia caktonte këto ishuj Norvegjisë përmbante një shtojcë, nga ato që në kontratat e neve të vdekshmëve shkruhen me germa të vogla të vogla në fund të faqeve dhe duken si të bëra apostafat për t’ia hedhur ndokujt: Poli nuk është i askujt, përveçse dikush nuk mund të demonstrojë se në zonën polare ka një zgjatim natyror të platformës së vet tokësore. Kështu, është që kësaj shtojce i apelohet Vladimir Putini, duke kërkua të demonstrojë se toka nën Pol në realitet është një zgjatim i Rusisë. Gjë që synojnë ta demonstrojnë edhe qeveritë kanadeze e daneze. Lufta shkencore–ekonomike ka filluar: në valle janë nafta dhe gazi, duke supozuar që arrijnë ta nxjerrin nga thellësia. Kush do të fitojë? Shpresojmë që të fitojë Poli i Veriut.
Armir Tirana : Gazeta Metropol











