Te jap gjithe boten per nje aventure

Të jap gjithë botën për një aventurë

Ndonjëherë dashurohemi aq fort pas asaj kafesë së mëngjesit, sa përfshihemi kokë e këmbë në dashuri. Gjymtyrë që nuk binden, qepalla që rrëzohen, goja që nuk vendos të flasë. E dita nis si ajo më parë, me të njëjtën rrugë, me të njëjtët njerëz. Kjo është burim sigurie për ca njerëz, por për të tjerë është terreni për të vrapuar, për t’u larguar, me çdo formë, sepse rutina i mbyt. Është aventura, sajimi i risive që kërkojnë. Aty ku ka ajër të pa thithur më parë, që u bën mirë mushkërive të tyre. Ja tek flasin për gjestet e vogla që i duan e aventurat që sajojnë. 

Me ose pa partiturë
“Njëra ditë nuk i ngjan tjetrës në jetën time”. Jo shumë, sepse Pirro Çako mundohet t’i shpëtojë rutinës duke sajuar gjithmonë diçka ndryshe, por për shkak të aktivitetit. “Një ditë ulem në piano e kompozoj, një ditë merrem me diçka tjetër. Vendimin mund ta marr aty për aty, por mund ta kem planifikuar dhe që në mbrëmjen e mëparshme”. Ka disa ngjarje të vogla, ama që nuk kanë nevojë për organizim e as ta shqetësojnë kotjen e paragjumit të natës. Ato janë pjesë e ditës, janë copëzat që plotësojnë puzzle-in e rutinës, në atë pikë që nuk përputhet me majën e hundës. Madje është afër zemrës, sepse shumë njerëz e duan. “Prej 15 vjetësh ndjek të njëjtin ritual në mëngjes. Rreth orës 10.00 pi një kafe me miqtë. Dhe kur jam në Tiranë, dhe kur jam në Paris nuk heq dorë. Më pëlqen kjo rutinë, sa dhe sikur të mos gjendet ndonjë mik, ulem dhe vetëm në kafe”. Nëse ka diçka tjetër përveç kafesë së mëngjesit që i bën ditët të ngjajnë me njëra-tjetrën, është koha e kompozimit. Veçse ky nuk e ka një orar fiks, madje ndonjë ditë mungon. Por jo gjatë ama! Sepse orët ulur para pianos përmbledhin një nga kuptimet e 24 orësh-ve të kompozitorit. E kur dita ka vendosur të jetë e mbushur, ai i bie të ketë regjistrim këngësh, xhirim videoklipesh, udhëtim dhe biseda me njerëz që i njeh apo i takon për herë të parë. Mund të ketë nisur me muzë e të ketë mbaruar me gëzimin e një kompozimi të ri. Po mund të jetë edhe ditë pushimi. Kafeja në orën 10.00 gjithsesi nuk do t’i ketë munguar.

Ndryshimi në shënjestër
Të ishte për të, do kërkonte gjithmonë rrugë të reja, ditë të ndryshme nga njëra-tjetra. “Si shigjetar që jam, më pëlqejnë aventurat, risitë”. Por ja që ka lindur në Shqipëri. Ku rrugët e mira që të çojnë diku janë vetëm një, ku mundësitë janë të reduktuara në dy-tri vende të piketuara prej kohësh, ku çdo shigjetë e hedhur me shpresën për ajër të ri, s’ka nga shkon veçse në trajektoret e mësuara përmendësh. Megjithatë, Bledi Strakosha mundohet që mëngjesin, pjesën më aktive të ditës, ta bëjë jo të njëjtë me ditën paraardhëse. E më parë kushtëzues bëhej dhe stili i jetës prej nxënësi apo prezantuesi televiziv. “Kur kam qenë në shkollë, ditët ishin pothuaj të gjitha njëlloj. Paradite në klasë, pasditeve më së shumti në shtëpi duke lexuar. E njëjta monotoni dhe në kohën kur prezantoja emisione të përditshme në TVA”. Që të dilte në tipin e vet e ta gjejë tani vazhdimisht veten, e mbështesin udhëtimet jashtë duke nisur që nga forma e udhëtimit e deri te mënyra si kalon ditët aty ku ka mundësi për këtë. “Edhe rrugën për diku, kur ka shumë mundësi, e bëj në forma të ndryshme, herë me traget, herë me avion për të provuar kënaqësi të larmishme”. Jo vetëm si pasagjer synon larminë, por dhe si frekuentues i restoranteve, ku provon gati gjithçka në meny ditë pas dite, për të zgjedhur pastaj shijen e tij të preferuar. “Kur e njoh mirë një restorant, zgjedh pjatën që më pëlqen më shumë aty, në të kundërt i bindem shijes së çastit”. Sepse një shigjetar provon shumë për të mprehur shënjestrën e tij, për të arritur ku do qoftë dhe kur era i vjen kundër.

Bashkë me rutinën
Disa e kanë botën shtëpi, të tjerë e bëjnë shtëpinë botën e tyre. Disa e ndryshojnë rrjedhën, të tjerë e lënë rrjedhën thjesht të rrjedhë. Ngjan se të parët janë ata që çajnë në jetë, që bëhen të njohur e të tjerët atë që nuk bien në sy kurrë, por thjesht lidhen me rutinën, kapen pas rrjetës së saj, nga nuk hyn asnjë rreze e paplanifikuar. Ja që s’është gjithmonë si duket. Sepse në një lojë të llojit “lidh me shigjeta”, sapo të shihnim emrin e një aktoreje të madhe si Elvira Diamanti, menjëherë do ta shoqëronim me tipin e parë të personave e do bënim gabimin më polar të mundshëm. Ajo nuk e ka rritur as e kërkon mbajtjen në formë të suksesit me dëshirën për eksperienca të larmishme që mendohet se duhet të mbushin jetën e artistëve. Asaj i duhet qetësia e shtëpisë, jeta e thjeshtë familjare, orari fiks i punës së saj e librat që lexon pa reshtur. “Brenda në shtëpi ndihem e sigurt, e mbrojtur nga kjo botë plot intriga. E kam zgjedhur këtë stil jete, që mund të më mbajë larg mjediseve që frekuentojnë artistët e tjerë, por që më jep kënaqësinë në formën që unë e dua”. Fare e pa intriguar nga jeta e një VIP-i në publik, ajo ka ndërtuar një rutinë që e ndjek gati me përpikmëri: një mëngjes i vonë në shtëpi, nisja për në Teatrin Kukullave, ku është drejtoreshë prej disa vitesh, pasdite të gjata, pastaj sërish në shtëpi, aty ku kujdeset për fëmijët, punët e një amvise e sigurisht dhe që të mos mbeten pluhura në bibliotekë, jo vetëm prej kujdesit, por sepse gjithmonë kalon kohë e zhytur mes faqeve, por duke pritur dhe vizitën e së motrës ose ndonjë mikeshe të ngushtë, pa kërkuar të ndryshojë diçka nga rutina me të cilën është mësuar. Prej shumë kohësh.

Rutina Ermali. Gëzohem që s’njihemi!
Në i jep Ermal Mamaqit, një temë si “Rutina” për t’u shprehur, ai... fillimisht lë dy rreshta bosh, si djalë i pastër, më pas shkruan pa iu dridhur dora: “Nuk e njoh”. Po të ngatërronte rrugën rutina e të hynte gabimisht në jetën e Ermalit, ai nuk do të bëhej një tjetër. Ajo do ndryshonte ADN-në për t’u shndërruar në të kundërtën. Aq më tepër në jetën e ditëve të verës. Këto ditë kanë vetëm një rregull: “Njëra ditë nuk i ngjan tjetrës”. E si mundet të ndodhë ndryshe? Ai është atje ku e thërrasin festat në plazh ku mikson muzikë që kërcehet, në koncerte verore e dhe aty ku nuk e pret, por që e pamë të gjithë një muaj më parë: dj në dasmën Blendit dhe Norës. Hedh dhe një sy si organizohen dasmat me atë rast, meqë të futur (si me zor) brenda një kostumi e pamë dhe atë vetë, por në një ceremoni paraprirëse, atë të fejesës me bukuroshen Amarda Toska, që po ashtu bë padrone e një kopertine reviste për një muaj. Në fakt, në media ata të dy nuk kanë munguar kurrë, sepse shtypi rozë i ka gati beniaminët e tij e gjithmonë vendet kanë qenë të ndryshme: prapaskena e “Portokalli”-së, xhirimet e klipeve të tij, apo një lokal i Tiranës. Por kjo nuk është asgjë po t’i referohesh hartës që mbulon lëvizja e një 24 orësh-i, krejt ndryshe nga ajo e një më përpara e më ndryshe me një më pas. “Zgjohem vonë e fle afër të gdhirit. Di që udhëtoj shumë, nuk i them punës jo as në verë e në mes të hapësirave boshe bëj pak pushim, por dhe kjo do të thotë lëvizje, aktivitet. Me pak fjalë pa parë axhendën në mëngjes nuk hedh dot asnjë hap sepse kam shumë për të bërë brenda një dite”. Nuk humbet gjithsesi. Një busull e mirë është Amarada që herë është me të e herë e pret në Tiranë.

Pilulat antirutinë të Orindës
Nëpër tekstet e këngëve këmbëngul në një fjalë apo ide të vetme që e përsërit si “të dua, të dua, të dua...” apo “nisu, arratisu”, me aktivitetin ditor nuk e përdor fare këtë strategji, edhe pse në muzikë ka pasur sukses. Aty këmbëngul në larmi, kurrë në të njëjtën gjë. “Edhe për të shkuar te shoqja ime e ngushtë i bie nga rrugë të ndryshme. Shkoj shpesh te ajo, por nuk dua që të kaloj gjithmonë në një drejtim, përndryshe rruga do më bëhej e mërzitshme”. Këtë kokë ka pasur gjithmonë. S’i pëlqen të bëjë plane, as të hartojë një skemë të përpiktë në kokë për t’ia dhënë ditës që ajo ta mësojë përmendësh. Vetëm shkolla e mesme ia ka ndrydhur lirshmërinë për ta vendosur në çast ç’do bëhet me orët pasardhëse, me oraret e saj të ngurta e të përcaktuara që në fillim të semestrit. Ndërsa tani që është studente, oraret e ndryshme për të hyrë në auditore i bashkohen morisë së veprimeve që nuk përputhen kurrë me njëra-tjetrën po të paloseshin ditët e një jave. Sepse vërtet xhiron videoklipin e këngës “One” në mjediset e universitetit të saj, po që vetëm me një gur në dorë për të organizuar kohën nuk mbetet kurrë. Lozonjarja e skenës nuk luan pa ca rregulla të vendosura prej kohësh, që mënjanojnë rutinën nga loja, si element i padëshiruar që prish punë. Edhe kur ulet të porosisë diçka në restorant, stomakun s’e ka aspak të stërvitur për një shije të caktuar. “Shpesh pyes kamerierin apo kuzhinierin për ndonjë këshillë, sepse këto kohë nuk jam shumë në harmoni me shijen”. Por shijen e ndryshimit të përhershëm nuk e ka braktisur që kur e provoi për herë të parë.

Aventurë dyfishe
Një e dashuruar me aventurat arrin në mos të gjitha, t’i realizojë ca nga ato vendimet e saj spontane, por dy të dashuruar që i duan aventurat bëhen të papërmbajtur. E duket se me Xhoin dhe Gent Bejkon ka ndodhur as më shumë e as më pak po ajo që e quajnë “ka gjetur tenxherja kapakun”. E ta dini sa i kënaq ajo që sajojnë aty brenda, një shije e mrekullueshme aventure për të lëpirë gishtat kur e kanë realizuar, e për t’i ngacmuar nepsin kur i merr malli për të. “Mua më kanë pëlqyer gjithmonë këto aventurat e vogla, këto vendimet e paplanifikuara që merren aty për aty e të çojën larg. Pasi jam martuar me Gentin kjo dëshirë nuk gjetur tjetër veçse mbështetje. Për shembull, jemi në shtëpi e na teket të nisemi në Dhërmi. Pa një pa dy bëhemi gati e pas pak kohe jemi në makinë”. Kur është në punë  e duhet të shkojë përditë për të regjistruar pjesën e radhës së “Top Show”, bëhet si gjithë të punësuarit e tjerë, përshkruese e së njëjtës rrugë, shikuese e të njëjtave tabela, kolegia e të njëjtëve njerëz, profesionistja e së njëjtës fushë. Megjithatë, presioni i përsëritjes nuk provokon ndjenjë afektive. Nuk është e lidhur me asnjë pjesë të rutinës. Të gjithë dashurinë e ka të përqendruar te aventurat. E ndërsa është me pushime ajo vetë, truri nuk ndalon së punuari, por për punë qejfi. “Mendohem çfarë do të sajoj çdo ditë për ta kaluar sa më bukur”. E kur e gjen, familja e saj e vogël jeton aventurën e radhës.

Marre nga : Revista Jeta


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama