Rreth fundit të verës së vitit 1967, një agjent i degës së Majamit të "Central Intelligence Agency", thirri 16 disidentë kubanë për të përzgjedhur mes tyre një vullnetar, të cilit do t‘i ngarkohej një mision sekret në Amerikën e Jugut. Objektivi i operacionit ishte një "peshk i madh": Ernesto "Çe" Gevara de la Serna, në atë kohë lideri revolucionar më i famshëm në botë, që fshihej bashkë me guerilasit e tij në pyjet boliviane. Kishte mbërritur aty pas përfundimit të një udhëtimi të gjatë në Afrikë, ku ishte përpjekur të ndizte shkëndijat e revolucionit komunist. Amerikanëve u nevojitej dikush që të ndihmonte forcat e armatosura boliviane në gjuetinë ndaj tij.
Në fund të bisedës me secilin nga kandidatët, agjentët e CIA-s bënin pyetjen: "Në rast se do të të përzgjidhnim si njeriun më të përshtatshëm për këtë mision, kur do të ishe i gatshëm të niseshe"? Pjesa më e madhe e kubanezëve kërkuan disa ditë kohë. Më pas i erdhi radha një 26-vjeçari të diplomuar në inxhinieri: "Po të më jepni kohë të kthehem në shtëpi, marr sendet e mia, përshëndes gruan, kthehem këtu e nisem. Në rast se e keni me ngut më lejoni t‘i bëj një telefonatë. Nëse nuk ka kohë as për këtë, ja tek është numri, telefonojini ju dhe i thoni se m‘u desh të nisesha urgjentisht".
Pas përshtypjes që i bëri përgjigjja, agjenti amerikan shkroi emrin e kandidatit: Feliks Ismael Rodrigez. Edhe pse në moshë të re, kubani kishte mjaft përvojë në aksionet e fshehta. Kishte kryer misione spiunazhi në operacionin që i parapriu zbarkimit në Gjirin e Derrave. Operacioni dështoi tërësisht dy ditë para se të niste, duke lënë dhjetëra disidentë kubanë - të futur ndërkohë në Kubë - në duart e forcave revolucionare të Kastros. Tani inxhinierit të ri i jepej rasti të hakmerrej: të shtinte në dorë e të pushkatonte njeriun që bashkë me Fidel Kastron ishin kthyer në simbol të revolucionit komunist.
Sot, 40 vjet pas asaj ngjarjeje, në zyrën e tij në Havanën e Vogël, - duke kërkuar detaje të fshehura në skutat më të errëta të kujtesës - rrëfen gjuetinë ndaj komandantit komunist, e cila tashmë është bërë e famshme. Thuajse 70-vjeçar, i rënduar nga pesha e viteve dhe nga arratia e gjatë jashtë kufijve të vendit të tij, ky ish-njeri i CIA-s - ose luftëtari hije, siç e kanë quajtur - nuk e lë veten të bëhet pre e emocioneve. Me të folurën, ku dallohet qartë prejardhja latine, tregon me qetësi anekdotat e një jete të çuar mes misioneve sekrete në një botë të ndarë nga Lufta e Ftohtë. Rodrigez ka ndihmuar qeveritë e Bolivisë, Venezuelës, Perusë dhe Salvadorit për të luftuar forcat guerilase, udhëtoi shpesh në Vietnam dhe ka qenë ndërmjetës për shitjen e armëve për rebelët e Nikaraguas. Është mik personal i Xhorxh Bush plakut, si edhe eksponentëve të tjerë të lartë amerikanë. Sot është president i Brigadës 2506, një shoqatë ku janë grumbulluar veteranët e Gjirit të Derrave, si edhe të tjerë të arratisur kubanë. Por, për faqet e historisë do të mbetet gjithnjë "njeriu që zuri Çe Gevarën".
Me mbërritjen në Bolivi, Rodrigez gjeti një ushtri të stërvitur keq e të pamotivuar. "Vendosa të stërvis një grup dhe të dërgoja pararojë njerëz që njihnin gjuhët lokale". Ndërkaq, Gevara dhe guerilasit e tij kishin gjetur strehë te një fshatar, Honorato Rohas, i cili do ta tradhtonte më pas, duke vënë në dijeni ushtrinë për praninë e komunistit. Por, ishte edhe dikush tjetër që do t‘i jepte mundësinë Rodrigezit të shtinte në dorë Çe Gevarën. Quhej Hoze Kastijo Çavez dhe njihej me emrin Pako. "Kur mësova për arrestimin e tij, u kërkova bolivianëve ta merrnin në pyetje", tregon Rodrigez: "Pako ishte plagosur rëndë dhe druhej mos e pushkatonim. E kuruam dhe ai na e shpërbleu duke na dhënë shumë informacione të rëndësishme. I ishte premtuar se do të dërgohej në Kubë e më pas në Bashkimin Sovjetik, por kurrë nuk ia mbajtën këtë premtim. Na shpjegoi se batalioni lëvizte me Gevarën në qendër dhe me dy reparte - njëri pararojë dhe tjetri praparojë, me një kilometër distancë. Kështu që kur zumë tre njerëz të pararojës kuptuam se Çe Gevarën e kishim afër".
E, megjithatë, ajo që i dha goditjen përfundimtare forcave guerilase do të ishte fati. Një nga bolivianët, i stërvitur nga CIA, u njoftua nga një fshatar se kishte dëgjuar zëra pranë shtëpisë së tij. Më 7 tetor, kompania e drejtuar nga Geri Prado rrethoi zonën. "Ishte e diel, gjendesha në afërsi të Luginës së Madhe", kujton Rodrigez. "Në orën 10.00 të mëngjesit erdhi majori Arnaldo Sausedo. ‘Kapiten‘, më tha, ‘kemi të dhëna nga terreni: papa cansado (babai është i lodhur)‘, një kod për të treguar se ikanaku ishte i plagosur dhe i rënë në grackë. Mëngjesin pasardhës shkova në Higuera me helikopter".
Në fshat Rodrigez gjeti atë çka kishte mbetur nga forca guerilase e komanduar nga Çe Gevara: një grup njerëzish të plagosur e të stërmunduar. Gevara mbahej i vetëm në një dhomë me duart e lidhura e me një këmbë të plagosur. "Ishte forca guerilase më e shthurur që më kanë zënë ndonjëherë sytë", vëren luftëtari hije. "Për një vit të tërë nuk kishin arritur të rekrutonin qoftë edhe një fshatar të vetëm bolivian. Përveç kësaj radioja e grupit ishte prishur dhe Çe nuk arrinte të komunikonte me Kubën. Ishte i vetëm, ndoshta edhe për shkak të raporteve të këqija me sovjetikët. Kur hyra në dhomë, e kuptoi. Më pa me ngulm: ‘Unë nuk përgjigjem‘. I tregova se doja veç t‘i flisja. E respektoja, pasi nëse gjendej aty - dhe jo në krye të qeverisë kubane - tregonte se i qëndronte besnik idealeve, megjithëse për mua ishin të gabuara. Folëm për gjëra pa rëndësi dhe më pas shkova për të kopjuar dokumentet e tij, të cilat duhej t‘i dërgoja në SHBA".
Rodrigez e ka mohuar gjithnjë akuzën se e dëshironte vdekjen e Gevarës, duke nënvizuar se amerikanët e donin të gjallë për ta marrë në pyetje. Por, teksa rrëmonte mes ditarëve të Gevarës i vjen një telefonatë. Një zë nga ana tjetër e telefonit e urdhëron: "Kapiten: 500-600". "500 ishte shifra e koduar që i përkiste Çe Gevarës. 700 do të thoshte i gjallë. 600 i vdekur. Ishta ora 11.00 e paradites. Më dhanë kohë deri në orën dy të drekës. U ktheva tek ai dhe bëra foton e famshme ku kam dalë bashkë me të. Në foto duket i shkatërruar. Por vetëm një çast më parë qeshte: I kisha thënë të shihte zogun në objektiv. Në orën 12.30 radioja dha lajmin se Çe Gevara kishte vdekur. U ktheva tek ai. I thashë se do të doja që gjërat të kishin shkuar ndryshe, por urdhri kishte ardhur nga komanda e lartë boliviane. Çe Gevara u bë i bardhë si të ishte një copë letër. Më pas tha se ndoshta ishte më mirë kështu".
Gevara i dha Rodrigezit llullën e vet, ndërkohë që më pas kubani shtiu në dorë edhe "Roleksin" e të burgosurit. Sot e ruan në një kasafortë. Më pas përqafohen në shenjë lamtumire. "Më tha t‘i dërgoja fjalë së shoqes të martohej përsëri e të gjente lumturinë. Pas kësaj dola. U kërkova ushtarëve t‘i qëllonin nga kraharori e poshtë, që të dukej sikur ishte vrarë në luftim e sipër. Pak minuta më pas, në orën 1.10, dëgjova të shtënat".
Teksa rrëfen Rodrigez qëndron i qetë, nuk tregon asnjë shenjë emocioni. Brejtje ndërgjegjeje? "Jo. Dhe asnjë për Çe Gevarën. Kishte vrarë njerëz me gjakftohtësi. Dërgonte njerëz përpara togës së pushkatimit për motive të pajustifikueshme. Kam dëgjuar shumë histori mbi mizorinë e tij". Përse është bërë mit? "Për shkak të propagandës kastriste. Ndryshe Kastros do t‘i duhej të pranonte se kishte dështuar me Çe Gevarën. Këtë ma tha vetë Çe gjatë bisedës së shkurtër që bëmë përpara se të vritej. Më tregoi se si ai - student mjekësie nga Argjentina - kishte arritur të bëhej president i Bankës Shtetërore të Kubës. Një ditë, gjatë një mbledhjeje, Fideli i kishte pyetur të gjithë të pranishmit nëse mes tyre gjendej ndonjë ekonomist i vërtetë. Çe ngriti dorën dhe u emërua president. Në të vërtetë në rrëmujë nuk kishte dëgjuar mirë. I ishte dukur sikur Kastro kishte thënë komunist".
Marre nga : Gazeta Shqip











