Në Los Anxhelos Susan mund ta gjesh gjithnjë në studio. Që pas mbarimit të studimeve, ajo e ka shndërruar shtëpinë në një studio arkitekture. Mbi tavolinën e madhe në kuzhinë mund të gjesh fletë të mëdha ku kanë nisur të marrin jetë lagje periferike të qytetit. Mbi bibliotekën që është shumë pranë ndodhet albumi fotografik i familjes, ku janë dhjetëra foto nga Shqipëria. Shkodër 1930, apo Shkodër 1940. Ato pak imazhe sa mund të kapë një fotografi kanë ushqyer për vite me radhë imagjinatën e saj. Kur prindërit i qëndronin mbi kokë motrës së madhe, duke insistuar që ajo të bëhej patjetër një violiniste e zonja, Susan dhe i vëllai, Tomas, rrëmbenin albumin me këto fotografi dhe nisnin udhëtimin imagjinar. Sot ajo mendon se dhe mënyra e saj e veshjes është ndikuar nga ato foto bardhezi. I pëlqejnë fustanet me grykë apo fundet me ca pala shumë të vogla. Por nëse Tomas vite më vonë mundi të shkelte vendet ku janë bërë ato foto dhe të hiqte disi nga mendja atë imazh të vjetër, në mendjen e Susan Shqipëria daton 1940. Ato fotografi të ruajtura me kujdes nga i ati do të ishin kontakti i parë me botën e artit për dy fëmijët.
Nuk kishte rëndësi që prindërit të insistonin si me motrën e madhe që ata të merrnin drejtimin e artit. Nëse nga insistimi motra e madhe nuk mundi të bëhej dot një violiniste e njohur, Susan dhe Tomas e gjetën nëpërmjet atyre fotografive, që u provokonin imagjinatën dritaret për të shkelur artin. Nëse Tomas sot është një producent filmash, ajo është një nga artistet më të përfolura në revistat e artit, për vetë mënyrën sesi operon në art. Pavarësisht kohës dhe viteve, këto janë intimitete që s‘mund t‘i shmangë ndërsa nis të realizojë një punë. Nëse mbrëmjeve vonë Susan e kalon kohën duke vizatuar, gjatë gjithë ditës ajo bashkë me aparatin fotografik është një turiste speciale e qytetit. Të jesh 36 vjeç është një ndjesi interesante. Është koha kur nis e mendon seriozisht për të ardhmen, kur ëndrrat e dikurshme kanë nisur të marrin formë. Kjo artiste me origjinë shqiptare është një nga më të kërkuarat në Galeritë e San Franciskos, apo Nju-Jorkut. Në punët që ajo prezanton jeta ka një tjetër formë. Ajo mundohet ta ravijëzojë atë nëpërmjet ndërtesave të larta, rrugëve që duken të minimizuara përmes lagjeve të pafundme. Jeta urbane prej vitesh është motoja kryesore e punëve që ajo bën. Çdo galeri do të donte ta kishte të pranishme Susan Logorecin. Kjo pasi rrëfimet e saj urbane nuk janë thjesht të tilla, por përcjellin edhe atë pak sentimentalizëm që mund ta gjesh nën dritën e zbehtë të neoneve natën. Pinjollja e familjes Logoreci, me origjinë nga qyteti i Shkodrës, nuk mund të flasë shumë mirë shqip. Babai e la kur ishte ende e vogël dhe mamaja amerikane nuk gjeti një mënyrë tjetër për t‘u përcjellë gjuhën e të atit tre fëmijëve. Por Shqipërinë e ka pasur gjithnjë pranë. Që në përrallat që i vinin për një vend plot legjenda, e deri te mbiemri, prejardhjen e së cilit duhet ta shpjegonte shpesh në ambiente miqsh. "Më pëlqen Shqipëria dhe kam shumë dëshirë ta vizitoj", thotë ajo, ndërsa tregon se i është bërë instiktive të shfletojë shtypin sa herë ka ndonjë lajm për Shqipërinë. Susan e sheh të kaluarën si diçka që endet në trupin dhe mendjen e saj, diçka që jo domosdoshmërish duhet ta ndajë me të tjerët.
Një kritik arti kur ajo hapi ekspozitën e parë si artiste në galerinë "Cirrus" në Los Anxhelos, teksa shihte tablotë kur shprehej realiteti urban sipas konceptit të Susan, e pyeti se përse kërkonte të përsoste infrastrukturën e qyteteve. Kishte kaq shumë mënyra të tjera të shprehuri, sa i dukej e lodhshme që një femër kaq e re të harxhonte orë të tëra duke sjellë imagjinata rraskapitëse (siç e quante ai punën e gjatë që ajo bënte për këto imazhe). Por teksa shihte "një qytet të tërë të vendosur në formën e një anijeje" (punë e Logorecit), ajo e ndjeu se ndoshta është e kaluara ajo që e shtyn drejt formave më të mira. Por kjo e kaluar që shtrihet breza para saj, është diçka e fshehtë, diçka që vjen vetëm tek ajo dhe në mënyrën e saj ajo e shndërron në imazhe. "Diçka e ngjashme me qytetet", thotë Susan, teksa shpjegon se sa e rëndësishme është të ruhet identiteti i këtyre krijesave urbane, që çdo ditë e më tepër po humbasin fizionominë e tyre. Punët e saj janë një ndarje interesante mes intimes dhe publikes, që vazhdon të jetë pjesë e realitetit subjektiv të shekullit XXI.
Por hapësirat që Susan ofron në imazhet e saj janë të gjitha të kapura nga shumë lart, në mënyrë që ndërtesat të krijojnë një masë të vetme. Është si të kthehesh pas në vite e të analizosh mënyrën se si ka ecur jeta jote. Gjithnjë ka vend për kritika. Ndaj në pikën më të lartë të San Franciskos ajo mundohet të fokusojë në foto qytetin. Vetëm nga lart ajo mund të gjejë gabimet, dhe se si ndërtesat mundohen të çlirohen nga njëra-tjetra për të qenë të lira. "Ajo është një psikologe e qyteteve", do të shkruanin revistat për të, ndërsa vetë Susan e sheh të domosdoshme ruajtjen e hapësirave. Është disi e vështirë të shpjegosh punët e Susan. Vetëm mënyra se si ajo e sjell Los Anxhelosin, qytetin ku prej vitesh jeton, e bën ndonjëherë të pabesueshëm. Kjo pasi, sipas saj, gjithçka të duket normale teksa endesh të bësh jetën si çdo banor tjetër i tij. Por mjafton të fotografosh nga lart, apo ta shohësh përmes dritares së një avioni për t‘u dhënë përgjigje gjithë maktheve të tua si një banor i tij. Edhe ndërtesat kanë lidhje me jetën tonë.
Si artiste Susan nuk mund t‘i lerë ndërtesat e mëdha që shtrihen në Los Anxhelos jashtë jetës së saj, qoftë edhe asaj private. Hapësira ku ajo shkel ka një ndikim te veprimet që bën. "Gjithnjë kam besuar se nëpërmjet artit mund të sensibilizojmë diçka. Tashmë ka ikur koha e një arti të qetë, apo të bukur. Arti duhet të jetë rebelim ndaj momenteve që na bëjnë të ndihemi jo mirë, qoftë dhe në jetën tonë në komunitet", shpjegon ajo. Ndoshta kjo është arsyeja që kjo artiste vazhdon të rebelohet në mënyrën e saj ndaj formave gati absurde që po merr qyteti i saj. Realitetet urbane do të vijojnë të jenë moto e përhershme e punëve që bën, për sa kohë nga dritarja e studios së saj të ndiejë se diçka ka ndryshuar... Ndoshta atëherë Susan do të ketë mundësi ta shohë artin si një mënyrë për të shpjeguar të bukurën. Por ajo beson se është mirë të rrëfesh gjërat që ke jetuar...
Marre nga : Gazeta Shqip











