Kodet sekrete te Provencanos

Kodet sekrete të Provencanos

Misteri i përkushtimit fetar të Bernardo Provencanos nuk mund të konsiderohet ende i zgjidhur, madje përkundrazi, është ende shumë larg zbardhjes. Mbetet e pazbërthyer enigma e përbërë nga fraza, nënvizime e copëza letrash të shkruara me germa mikroskopike, në atë Bibël - të gjendur nga forcat e policisë në shtëpinë ku u arrestua bosi mafioz, Provencano, prillin e vitit të shkuar - që tashmë është bërë e famshme. Është një botim i vitit 1968 me 1.425 faqe. Mbi ato fletë të zverdhura nga koha, që për herë të parë mund të shihen nga autoritetet, bosi mafioz ka shkruar, ka llogaritur, ka mbajtur shënime me kaligrafinë e tij të paqartë, ka kopjuar paragrafë të tërë. Me çfarë qëllimi? Mister i pazgjidhur ende.

Dy relacione të përpiluara nga Shërbimi Qendror Operativ italian dhe nga FBI-ja amerikane, kanë arritur në përfundimin se kodet e shifruara nuk përmbanin të dhëna. Por tani, nëpër skrivanitë e autoriteteve të larta të vendit fqinj ka mbërritur analiza e një kleriku, teolog e studiues i teksteve të shenjta, sipas të cilit në librin e "punuar" aq gjatë nga Provencano ka ende shumë gjëra për t‘u zbuluar. Kleriku përjashton çdolloj mundësie që teksti i shenjtë të jetë përdorur për "qëllime tërësisht personale": "Shënimet, përgjithësisht të bëra me laps, analogjitë, paralelizmat, shënimet e fshira, por ende të lexueshme, tregojnë qartë qëllimin për të transmetuar mesazhe", është shprehur kleriku pas "kontrollit paraprak" të Biblës personale të kreut të mafies korleoneze.

Sipas kësaj analize, bosi "ka dashur t‘i veshë shenjat e shënimet me domethënie të sakta: gjë që tregon për praninë e një sistemi të koduar". Kështu që po merr jetë një hipotezë e re: "Që subjekti, kishte krijuar një sistem të koduar komunikimi përmes gjuhës simbolike të Biblës. Por çelësat e këtij sistemi të koduar i njihnin vetëm një rreth shumë i kufizuar njerëzish". Për klerikun, i cili tani njihet zyrtarisht si bashkëpunëtor i policisë gjyqësore, nuk është gabim të arrihet në përfundimin se "subjekti është mbështetur te gjuha simbolike e Biblës për të krijuar një kod të vetin, pa referenca të komplikuara e kode të vështira për t‘u deshifruar nga bashkëpunëtorët e tij".

Kështu që studimi i Biblës i ka shërbyer Kumbarit për të koduar mesazhe përmes referimeve mbi pjesë të caktuara të tekstit të shenjtë. Një sistem që ndoshta vërehet qartë në një copëz letre të gjendur brenda në libër pas arrestimit, të cilën edhe kërkoi ta mbante me vete pas vënies nën masa të rrepta sigurie. Kërkesë që nuk iu plotësua nga ana e autoriteteve. "Në çdo cep të botës të gjendem - lexohet në letër - në cilëndo orë të ditës të kem komunikuar me T... Qofshin fjalë, opinione, fakte të shkruara, i duhet kërkuar Zotit këshilla, udhëheqja, deri kur falë dëshirës së Tij, të vihen në zbatim për qëllime të mira". Një lloj urdhri - sipas relacionit të klerikut - për të komunikuar dhe marrë vendime (edhe kur ai të jetë i mbyllur në një qeli) duke u mbështetur te Shkrimet e Shenjta, që bëhen kështu "instrumenti i pagabueshëm për gjetjen e këshillave, drejtimit e ndihmës".

E gjithë Bibla e botuar në vitin 1968 rezulton e nënvizuar në forma të ndryshme (90% e saj) - diku me vija të gjata, diku me vija të ndërprera nën çdo fjalë. Thuajse e tëra. Por vetëm në disa prej tyre janë ngjitur adezivë të verdhë shënimesh, të prerë me kujdes, të ndara në kutiza e të shënuara me shigjeta me ngjyra të ndryshme. Shigjeta të tjera, thuajse të gjitha në grupe treshe, janë shënuara me të kuqe në disa prej faqeve. Aty këtu ndeshen edhe shënime me laps të bëra nga Padrino, të cilat tregojnë sintezën e një mendimi, madje edhe njeriun të cilit i drejtohen. Siç kuptohet nga një copëz letre të gjetur në faqen 502, ku lexohet "Esdra, faqe 503, për tom bir Anxhelon"; fjalë e fundit janë fshirë, por megjithatë janë të lexueshme. Në faqen 503, mes shumë fjalëve të nënvizuara me adeziv ngjyrë blu, fraza hyrëse thotë: "Përkundrazi, krerët dhe ligjvënësit ishin të parët që e kryen këtë shkelje". Një tjetër paragraf i treguar me shigjeta flet në mënyrë më të drejtpërdrejtë për "bijtë e bijat".

Ndërsa në faqet e profecisë së Isait, në krye të faqes 862, shënimi i Provencanos thotë: "47 v 13, për çdo muaj"; nënvizuar në tekst, vargu 13 i kapitullit 47 që thotë: "Do të të vijnë të të shpëtojnë ata që matin qiellin, që observojnë yjet dhe do të të njoftojnë çdo muaj për atë që do të ndodhë". Fjalët e fundit janë rrethuar njëra pas tjetrës, sikur gjëja më e rëndësishme e tekstit të qe afati i fundit i shlyerjes së një pagese, e cila mund të përbëjë një të dhënë të saktë brenda një komunikimi. Ndërkohë që vargu i shtatë në kapitullin e 24 të "Ligjit të Dytë" është evidentuar qoftë më nënvizime, ashtu edhe me adezivët e verdhë me shigjeta. Aty citohen urdhëresa të shkurtra mbi skllevërit e keqbërësit që duhet të vdesin; aty Provencano ka shkruar "E Xhuzepe". Mund të bëhet fjalë thjesht për bashkëshortin e Shën Marisë e babanë e Krishtit, por rastësia do që kështu të quhej edhe biri i një mafiozi të penduar që tradhtoi bashkëpunëtorët e dikurshëm. Djali u vra në moshën 14-vjeçare nga mafiozë që do ta tregonin këtë fakt vite më pas kundrejt uljes së dënimit. Mos i referohej pikërisht kësaj vrasjeje bosi mafioz?

Disa fraza të shkruara me dorë nga bosi i Korleones, që tashmë mbahet nën masa të larta sigurie në burgun e Novarës, duken si komente personale ose ndoshta gjykime të bëra nga të tjera, siç lexohet në një pusullë: "TT. I tha M-së se në Bibël shkruhet që prostitucioni nuk është mëkat". Në krye të kapitullit 59 të librit të Isait, me titull "Mëkatet pengojnë shpëtimin", Provencano ka vërejtur: "Të kopjohet deri në v8"; flitet për "duar të ngjyera me gjak" dhe "gishta të ndotur me poshtërsi". Gjëra që ndodhnin shpesh në ambientin ku bosi i plakur dominoi deri në prill të vitit 2006. Nuk dihet nëse ato fraza i drejtoheshin ndonjë mafiozi tjetër. Ndoshta ndonjë prej atyre që i dërgonin të ashtuquajturat "picini" (Provencano komunikonte përmes copëzash letre ku shkruhej me germa mikroskopike) ku i shpjegonin vrasjet apo zhvatjet. Siç bëri dikur Salvatore Lo Pikolo, i cili i shkruante kumbarit besimtar, për t‘i shpjeguar motivet që e kishin shtyrë të vriste dikë, me shumë gjasa Xhovani Bonano, mafioz nga Rezutana. Bosi i Korleones dërgonte dhe merrte mesazhe të tilla, që flisnin për kërcënime e vrasje, ndërkohë që në Bibël nënvizonte çdo faqe.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama