Agjencia peruane e lajmeve "Andina" bën të ditur se një "objekt i paidentifikuar e i ndriçueshëm" ka rënë nga qielli dhe ka shkaktuar një krater 6-8 metra të thellë me një rreze prej 30 metrash. Goditja e meteorit është regjistruar pranë fshatit Carancas, rreth 1300 kilometra në jug të kryeqytetit të vendit Lima, në afërsi të kufirit me Bolivinë. Banorët e fshatit në fjalë ankohen se po përjetojnë me ankth pasojat e tij, të cilat variojnë që nga shkaktimi i dhimbjeve të vazhdueshme të kokës e deri tek ankesat për bllokim frymëmarrjeje e stimulim të ndjenjës së të vjedhurit.
Tymi i vazhdueshëm ia ka ngacmuar dukshëm lëkurën e hundës e atë të qafës, megjithëse ai gjatë gjithë kohës ka mbajtur një maskë, tha një shkencëtar për një koleg të vetin, që ka tri ditë që po merret me hetimin e kraterit. Sipas të dhënave të inxhinierit Renan Ramirez, nga Instituti peruan i Energjisë Bërthamore, në krater është regjistruar një rreze ndriçuese. Nëse do të kishte pasur mbetje të meteoritëve, kjo do të ishte raportuar, po të tilla nuk janë gjetur, pasi krateri është i mbushur me ujë të ndotur. Buzët e kraterit të krijojnë përshtypjen e një sipërfaqeje të djegur. Fotot e para nga ajri të bëra mbi vendin ku është regjistruar krateri misterioz tregojnë njerëz në dukje të trembur, që mbajnë në duar gurë në ngjyrë gri e topa balte nga vendi i ngjarjes.
"Është gërmuar thellë në tokë", tha një banor vendas për BBC-në në lidhje me objektin misterioz. Kërkohet një hetim i thellë, pasi "ne po bëhemi shumë merak për njerëzit tanë. Ata kanë nisur të frikësohen. Një ka ka ngordhur dhe disa kafshë të tjera ndërkohë janë sëmurë rëndë".
Jorge Lopez, drejtues i departamentit të shëndetësisë në Puno, tha për agjencinë "Reuters" se ishin marrë në pyetje rreth 100 persona që i janë afruar kraterit e që tashmë vuajnë nga dhimbjet e kokës e të vjellat. "Njerëzit kanë frikë", shtoi Lopez.
Bagëtia refuzon ushqimin
Avujt, sipas vlerësimeve të para të shkencëtarëve, mund të jenë dhe shkaktarët kryesorë të ndjenjës së debulesës te banorët vendas, pasi ata me shumë gjasa përmbajnë squfur, arsenik, apo dhe substanca të tjera helmuese. Jorge Lopez për rastin në fjalë bëri përgjegjës gazrat toksike që dilnin nga krateri. 200 banorët e helmuar të fshatit Carancas e rrethinave u vizituan e u trajtuan në aspektin mjekësor, tha ndërkohë kryebashkiaku i qarkut të Desaguaderos, Nestor Quispe. Një stacion lokal radioje bëri të ditur se tashmë numri i të sëmurëve kishte arritur shifrën e 600 vetave.
Autoritet lokale e ato qeveritare peruane janë të shqetësuar, pasi avujt mund të shkaktojnë kësisoj dëmtime afatgjata në shëndetin e banorëve. "Përveç kësaj, ata kanë filluar të kenë frikë se mos objekte të tjera të paidentifikuara do të bien edhe në ditët e ardhme nga qielli". Meteoriti gjatë përplasjes me tokën ka shkaktuar tronditje të madhe, duke lëkundur sipërfaqen e tokës rreth zonës ku ra, me një rreze të konsiderueshme. Ndërkohë, edhe kafshët shtëpiake e bagëtia në fshatrat përreth ka rezultuar se refuzon vazhdimisht ushqimin, deklaroi kryebashkiaku Quispe.
Të shtunën, banorët e fshatit u zgjuan nga një zhurmë e madhe dhe një e tronditje e frikshme e tokës. Ekspertja e meteorëve, Ursula Marvin, nga "Smithsonian Astrophysical Observatory" në shtetin federal të Massachusetts-it në SHBA, shprehu dyshimin se mos një re pluhuri me grimca të sipërfaqes së sipërme të tokës mund të jetë dhe shkaktarja e problemeve shëndetësore te banorët lokalë. Një eksperte e institutit të gjeologjisë, minierave e metalurgjisë në Lima, tha ndërkohë për agjencinë "Reuters" se, përkundrazi, një ndikim i ndryshëm mes elementëve në meteoritët e sipërpërmendur dhe sipërfaqes së tokës, mund të ketë shkaktuar gazrat që më pas janë shpërndarë në hapësirë. Instituti i gjeofizikës në Peru ndërkohë ka nisur një hetim të detajuar të rastit në fjalë.
Agjencia "Reuters" ka cituar drejtorin e institutit, Hernando Tavera, të thoshte se në zonën e Andeve, në Perunë Jugore, kanë rënë meteorë nga qielli edhe në 2002 e 2004. Në rajonin Arequipa për shembull, në qershorin e shkuar u regjistrua një goditje meteori.
Marre nga : Gazeta Shqip











